Nga Prof. dr. Xhevdet Zekaj dhe Dr. Aranit Gjipali
Në analizën e kaluar trajtuam raportin e politikave arsimore me realitetin e IALP në formësimin e mësuesve të ardhshëm, ku me një fjali trajtuam problemin se kush është i interesuar për lumturinë e popullit të vet, kush dëshiron që brezi i ri të jetë i arsimuar dhe i edukuar në nivel bashkëkohor, duhet të pranojë si kusht të parë, të padiskutueshëm, arsimimin dhe vetëdijësimin e arsimtarëve me dije dhe ndërgjegje bashkëkohëse, me dashuri për profesionin, por duhet të kujdeset edhe për krijimin e një gjendjeje të tillë jetësore dhe shoqërore, që do të ishte në përputhje të plotë me detyrën e rëndësishme që kryejnë mësuesit në shoqëri… Dëshironi që fëmijët tuaj të jenë të miredukuar dhe të mirëshkolluar? Kujdesuni në radhë të parë për mirëqenien dhe mirëtrajtimin e atyre, të cilëve ua keni besuar si shkollimin, ashtu dhe edukimin e fëmijëve tuaj, dhe këtë e realizon mësuesi!
Por, vazhdojmë të këmbëngulim se për të pasur arsimtarë të mirë, duhet bërë kujdes për dy gjëra të rëndësishme: së pari, duhet që mësuesit e ardhshëm të regjistrohen me ëndje në fakultete të edukimit dhe, së dyti, duhet që në këto institute të regjistrohen jo ata të cilët nuk kanë se ku të shkojnë tjetër, por që në degët mësuesi të regjistrohet ajka e rinisë, ajo më e ditura dhe më e përkushtuara, më luftarakja dhe më e vetëdijshmja, e cila e kupton drejt se pozicioni i arsimtarit është tejet i nderuar, atë mund ta quash të shenjtë, ai është ndër profesionet më të nderuara dhe më të adhuruara ndër ne.
Për sa më sipër, atëherë i kthehemi cili është realiteti te studentët që kërkojnë të përfundojnë studimet në mësuesi, çfarë motivesh kanë, përse zgjedhin degën, si është përfytyrimi i tyre për të qenë mësues, si do të jetë punësimi dhe produkti i tyre për të ardhmen.
Gorki i madh ka thënë: Forca dhe pasuria e popujve nuk matet me sasinë e tokave, të pyjeve, të gjësë së gjallë apo të minierave që kanë, por matet me sasinë dhe me cilësinë e njerëzve të arsimuar, të të pasionuarve pas dijeve, matet dhe me elasticitetin që tregojnë mendjet njerëzore në përpunimin dhe në përdorimin e mirë të informacioneve të duhura. Forca e popujve nuk qëndron në materien arsimore, por në energjitë që vë për ta zhvilluar atë.
E kush mund ta bëjë këtë më mirë se mësuesi? E çfarë mësuesi? E përse vallë duhet një përgjigje me fjalë kur nuk ka pikë dyshimi se çdo kombi i duhen mësues?!?! Por i duhen mësues pa fund, edukim pa fund, progres pa fund, ndryshe jemi të humbur në një betejë kardinale. Jemi dhe përse jemi në shekullin XXI, kriteri i parë për mësuesit e ardhshëm ka qenë e është dashuria për profesionin, që do të thotë studentët të vijnë të bëhen mësues nga dashuria për profesionin, nga mësuesja që i ka mësuar dhe edukuar. Nga mësuesi idhull, apo mësuesi i klasës së parë?
Pa dyshim që po, por pas vitit ‘90 u “shqyen” dyert e universiteteve, duke nxjerrë pseudomësues që vinin nga një formim me mesatare pesë nga gjimnazet ose edhe pa gjimnaz fare (ky është fakt e jo paragjykim). Dhe konstatohet lehtë e me dhimbje se arsimi bëri një regres të jashtëzakonshëm, pasojat e të cilit ende vijojnë, dhe regres që vijon në disa drejtime. Kështu u krijua ” kultura” e të bërit mësues lehtë dhe për të bërë vetëm nja katër orë pune. Pa asnjë dyshim, regresiv dhe me pasoja. Sot?!?! Mendoj se ardhmja i përket STEM. Një mësues duhet të jetë i përgatitur t’i përgjigjet kësaj sfide të së ardhmes, por kjo kërkon një kualifikim të specializuar nga institucionet, sepse studentët pak janë të interesuar për thellim në përvojën botërore.
Por, çfarë ndodh me studentët që ndjekin programet e mësuesisë: janë shpeshherë për të marrë një diplomë, se sa të përgatiten të aftë. E vërtetë, e tmerrshme, por realitet.
Shpesh korruptojnë pedagogët dhe veten! Po, po blejnë provimet??? E kuptoni çfarë drame? Tmerri? Dy palë që edukojnë, dhe po edukohen, dhe do të mësojnë breza të tërë, blejnë e shesin provimin! Këta janë mësuesit e globalizmit, ku pastaj tragjedia e blerjes së diplomave në disa universitete është kulmi i degjenerimit të profesionit të mësuesit. E trishtë, por shpeshherë ata deklarojnë: Ne vijmë kot, sa për një diplomë. Dihet ajo, kamerier do të punojmë. Jemi në universitet, se prindërit duan diplomë! Jemi në universitet, se shtyjmë disa vite rehat dhe gallatë. Në online kemi qenë më keq, sepse ishim të detyruar të përgjigjeshim për detyrat e dhëna, sepse në kohë normale rrimë në kafene e internet. Por ka edhe një deklaratë nga ata shumë e rëndë: Lexojmë libra??? Asnjë! As të provimit!
Koha për një rivlerësim i programeve, parë edhe me revolucionin STEM, edhe me filozofinë edutopiste të të mësuarit. Për një arsimim sa më të mirë kërkohen këto tri gjera: aftësitë natyrore, të ushtruarit si duhet dhe koha e nevojshme për të vepruar e marrë vendime.
Edhe një herë shumë studentë në master, por edhe mësues me përvojë, të pyetur se si e vlerësojnë raportin teori-praktikë në master? Mbi 80% pa asnjë hezitim përgjigjen
prej tyre përgjigjen se kombinimi mësim për t’u bërë mësues dhe praktikë për t’u bërë mësues duhet të jetë kriter i miratuar nga departamenti apo MARS-ja, dhe të rregullojnë raportin në 50% me 50%.
Mësuesit që ëndërrojnë të jenë mësues nuk duhet të kenë kriter vetëm notën, qoftë kjo 8, 9 apo 7,5 por pasionin për të qenë të tillë, por edhe gatishmërinë për zhvillim të vazhdueshëm profesional e këmbim përvojash pozitive. Sepse ajo që ndodh rëndom është se sapo mbarojnë universitetin i mbyllin librat një herë e mirë, a thua i dinë të gjitha dhe përditësimi e abditimi kanë mbaruar. Ata janë mbretër të dijes, dhe kur këto dije-kompetenca i kanë blerë me para.
Ishte në përmasa shqetësuese nëse pyesje mësuesin: Se sa lexoni pas pune? (qoftë edhe për qejf). Kur ke lexuar një libër për herë të fundit? në cilën bibliotekë jeni anëtar? Shpesh pas anketave vazhdimisht se çfarë janë duke lexuar këto kohë? Si ia dalin? Por në anketime e sondazhe përgjigjja epike : E ku kam kohë unë, kur në vazhdim të pyetjes se sa kohë harxhoni në kafe internet, facebook, instagram etj., e kupton se janë duke u marrë me ” punë të rëndësishme”). Shkurt, nëse një profesion nuk e dashuron, mos shko, dhe nëse bashkojmë dobësitë e përgjegjësitë e politikave qeveritare, me këtë motivim individual të studentëve me mangësi, shoqëruar me stafe akademike të paafta, me vende pune e doktoratura edhe të blera, atëherë kemi shkatërruar në thelb mësuesin e ardhshëm si të paaftë që nuk dashuron profesionin, por i mjafton një diplomë, jo dija, që refuzon të përditësohet me përvojën e sotme botërore, që ofron edhe IZHA, MASR-ja etj.
Mendojmë që duhen ca kritere për të qenë mësues, kritere të gatishmërisë, të dëshirës, pasionit, durimit, vullnetit, përgatitjes dhe mirëqenies psikoemocionale, pro formimit profesional dhe atij kulturor, madje dhe ndërkulturor e më tej.
Shënim: Shkrimi, opinionet, problemet, nuk kanë asnjë lidhje me institucionet ku punojmë.
/En.Br./Fjala.al