Kriza në kufirin grek përfundoi, por ajo u bë shkak për rikthimin e akuzave politike. Presidenti Ilir Meta ka sulmuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës. Ai publikoi një dokument të ambasadës shqiptare në Athinë që mban datën 5 gusht, ku lajmërohet qeveria shqiptare për ndryshimin e kushteve për hyrjen në kufi, por qeveria nuk reagoi. Rama e quan sulm politik.
Nga Blerina Gjoka
Kriza e shkaktuar nga radhët e gjata të emigrantëve shqiptarë që prisnin të ktheheshin në Greqi ka përfunduar, por jo beteja politike se kush duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ndodhi. Pas 4 ditësh pritjeje në temperatura të larta dhe pa kushtet higjienike, mijëra emigrantë u rikthyen në shtëpitë e tyre në Greqi, pas një tolerimi nga pala greke që mundësoi kalimin e shpejtë, duke shmangur protokollet e vendosura nga shteti grek, për shkak të pandemisë COVID-19. Por, pavarësisht se në orët e para të mëngjesit të djeshëm kaloi dhe makina e fundit në radhë, politika në Tiranë zien nga debati për përgjegjësit e kësaj krize.
Presidenti Ilir Meta ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e drejtuar nga Edi Rama si përgjegjëse të shumëfishtë të kësaj krize e cila, fatkeqësisht, u pagua edhe me vdekjen e një fëmije 10-vjeçar të një emigranti shqiptar, që u përplas nga një autoambulancë që kalonte rrugën gjatë ditëve të qëndrimit të makinave në radhë. Meta bëri publike dje një shkresë të ambasadës shqiptare në Athinë, që lajmëronte qeverinë për kushtet e reja që kishte vendosur shteti grek, shkresë e cila, sipas Metës, ra në vesh të shurdhër, dhe institucionet përgjegjëse nuk morën masa për të shmangur atë që ndodhi.
Nga ana e tij, kryeministri Rama i ka cilësuar akuzat e presidentit si politike dhe i ka sjellë atij në vëmendje radhën e gjatë në kufirin bullgar, e cila nuk është përdorur nga presidenti bullgar për të sulmuar qeverinë. Akuza në adresë të kryeministrit erdhën dhe nga opozita e bashkuar, PD dhe LSI, që e fajësuan për paaftësi në parandalimin dhe menaxhimin e krizës.
Akuzat e Metës
Në një konferencë për mediat, presidenti Meta u fokusua te kriza në kufirin me Greqinë, ku fillimisht iu përgjigj pyetjes se çfarë masash ndërmori ai si kreu i shtetit për zgjidhjen e kësaj krize. “Nga ana e presidentit janë bërë të gjitha veprimet e duhura, jo vetëm publikisht, të cilat kanë qenë mjaft të rezervuara, për të mos ndikuar në një debat të panevojshëm, duke qenë se kishim të bënim me një çështje shumë të madhe humanitare.”- tha ai.
Por më pas ai sulmoi sjelljen e qeverisë, duke kujtuar se disa muaj më parë, gjatë izolimit nga pandemia, qeveria i la sërish në mëshirë të fatit emigrantët që kërkonin të ktheheshin në atdhe, si dhe e lidhi këtë çështje me shkarkimin e trupit diplomatik shqiptar në Athinë . “Ju e dini shumë mirë që ky nuk ishte një rast i ri. Keni edhe rastin e ngjarjeve që ndodhën në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku shumë qytetarë u lanë për ditë e net të tëra pa u asistuar dhe pa hyrë në territorin e vendit të tyre. Por kështu, meqenëse po më pyesni, edhe pse qeveria duhet të ishte konsultuar me presidentin për ndryshimet në krye të personelit diplomatik në Greqi, i bëri ato ‘fakt të kryer’, në mënyrën më të padinjitetshme, përmes disa publikimeve në media. Por presidenti, edhe pse ka pasur rezervat e tij për këtë sjellje, duke pasur parasysh edhe çështje të tilla, është treguar gjithmonë shumë bashkëpunues, duke shmangur jo vetëm bllokimet, por edhe debatet publike.”- tha Meta . Sipas tij, “asgjë nuk e justifikon sjelljen e qeverisë”.
Meta tha se qeveria po u ua vinte fajin qytetarëve për detyrat e pakryera në kohë nga ana e institucioneve. “Çdo përpjekje për të fajësuar palën greke është pa kuptim. Sepse ne e dimë shumë mirë që qeveria greke dhe pala greke edhe për të drejtat e një shtetasi shqiptar me kombësi greke e bën detyrën e vet në mënyrë të jashtëzakonshme, apo jo? Ne e dimë shumë mirë që ishte dhe është përgjegjësi e plotë e shtetit shqiptar, përfshirë dhe presidentin, në mënyrë të veçantë e qeverisë, ku kryeministri për një rast të tillë ka përgjegjësi të shumëfishtë. E ka edhe si kryeministër, sepse ka përgjegjësi për të gjithë qeverinë dhe kur nuk i përgjigjen ministrat, duhet të marrë masa, e ka edhe si ministër i Jashtëm. Sepse është ai ministër i Jashtëm ende në detyrë i Republikës së Shqipërisë dhe ka detyrime kushtetuese ndaj shtetasve shqiptarë, edhe si kryeministër, edhe ministër i Jashtëm. Ne e dimë shumë mirë se kur është frekuenca më e lartë e qarkullimit të qytetarëve shqiptarë dhe duhet të ishin marrë të gjitha masat më parë, që të mos krijohej kjo situatë e jashtëzakonshme.”- u shpreh Meta, duke fajësuar direkt Ramën me të cilin ka një marrëdhënie konfliktuale që pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit para 3 vitesh.
Presidenti tha se institucioni që ai drejton do t’i dërgojë një kalendar qeverisë për të parandaluar raste të tilla, duke pasur parasysh të gjithë frekuencën e kalimeve në kufi që ndodhin gjatë një viti, që nga Pashkët, Krishtlindjet, Vitin e Ri, kohën kur emigrantët vijnë për pushime dhe kohën kur largohen përsëri për të vijuar punën që kanë atje, përmes së cilës mbajnë familjet e tyre atje dhe familjet e tyre këtu.
Përgjigjja e Ramës
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish presidentit Ilir Meta për akuzat e këtij të fundit ndaj qeverisë shqiptare për situatën e krijuar në kufi, në Kapshticë e Kakavijë. Rama thotë se në Bullgari, në doganën e Kulatas, kufi me Greqinë, radha shkoi në 10 km, kurse ajo e kamionëve në 15 km. Por sipas Ramës, presidenti bullgar nuk doli të fajësojë qeverinë apo t’i quajë qytetarët pa atdhe, siç bëri Meta ditët e fundit.
“Sipas gazetës “Ekathimerini”, radha e veturave që pritën nga Bullgaria në doganën e Kulatas në Greqi, shkoi 10 km, ndërsa ajo e kamionëve arriti 15 km! Por presidenti bullgar s’doli të fajësojë qeverinë dhe as i quajti qytetarët pa atdhe e pa shtet! Mëso Ilir, se s’të ka borxh Shqipëria.”- shkruan Rama në facebook.
Opozita, plan kundër krizës
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka akuzuar qeverinë shqiptare se ishte e papërgatitur për krizën në kufi, saktësisht në dy pikat kufitare me Greqinë, në Kapshticë dhe Kakavijë. Sipas Vasilit, koha nuk pret më dhe në ditët në vijim duhet një plan konkret. Vetë Vasili propozon një plan me 4 pika, që ka të bëjë me informimin e shqiptarëve, diskutimet me palën greke dhe marrjen e informacionit, si dhe tamponimin gratis për ata që kalojnë drejt Greqisë.
Vasili thotë se ky plan prej 4 pikash duhet të zbatohet menjëherë, që të mos përsëriten më situata të ngjashme. Ai propozon ngritjen e një shtabi operacional për kriza të tilla, komunikimin në kohë me palën greke për oraret dhe kufizimet, sigurimi i testit për COVID-19 gratis nga shteti dhe së fundmi marrjen e masave për shmangien e një krize humanitare dhe shëndetësore në kufi.
/En.Br./Fjala.al