Rregullat e reja/ Lista e shteteve dhe kufizimet, çfarë duhet të dini nëse udhëtoni jashtë vendit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Situata në Kakavijë tregoi se kufizimet antiCovid po zbatohen rreptësisht nga secili shtet. Për të sensibilizuar dhe parandaluar një situatë të ngjashme, Ministria e Jashtme publikon në mënyrë të detajuar listën e shteteve dhe kufizimet që ato kanë vendosur për shqiptarët. Vendet e BE-së vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për Shqipërinë.

Nga Ina Allkanjari

Më qëllim për të parandaluar një situatë kaotike, e ngjashme me atë të pak ditëve me pare, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar listën e shteteve, si dhe rregullat që çdo shtet ka vendosur për sa u përket kufizimeve të lëvizjes për qytetarët shqiptarë, kundër përhapjes së COVID-19.

Sipas listës së publikuar nga MPEJ-ja, pjesa më e madhe e shteteve anëtare të BE-së vazhdojnë të mos i lejojnë të udhëtojnë lirisht shtetasit shqiptarë të cilët nuk kanë pasaportë apo leje qëndrimi në njërin prej vendeve anëtare të unionit. Megjithatë, sipas shpjegimeve të detajuara në listën e MPEJ-së, disa prej vendeve kanë vendosur t’i lehtësojnë kriteret e udhëtimit për qytetarët shqiptarë, e ndërsa disa të tjera kërkojnë karantinim apo bërjen e tamponit.

Vende si Maqedonia, Kosova dhe Turqia vazhdojnë t’i mbajnë të hapur kufijtë për të gjithë shtetasit shqiptarë, me ose pa pasaportë të një vendi anëtar të BE-së. Në këto vende mund të udhëtojnë lirisht të gjithë udhëtarët, pavarësisht kombësisë, pa qenë e nevojshme karantina apo tamponi. Ndërkohë Mali i Zi njoftoi para pak ditësh hapjen e kufirit tokësor për shtetasit shqiptarë, por që u lejohet hyrja vetëm në rast se kanë rezultat negativ të testit COVID-19, të bërë ditët e fundit.

Të njëjtën politikë për shtetasit shqiptarë ka zgjedhur edhe Bullgaria, e cila nga data 28 korrik ka hapur kufirin, dhe Izraeli. Për sa i përket Greqisë, shtetasit shqiptarë me pasaportë shqiptare nuk mund të udhëtojnë drejt Greqisë deri në datën 31 gusht. Gjithashtu, në fluturimet nga Tirana në Athinë kërkohet test negativ i Covid (nga data 7-31 gusht), ndërsa në kufirin tokësor (Kakavijë dhe Kapshticë) testi negativ do të kërkohet duke filluar nga data 17 gusht. Ndërsa në vende, si Hungaria dhe Sllovakia, kushdo që udhëton drejt këtyre shteteve, do të duhet të karantinohet për 14 ditë.

Ndërkohë, vende si Kroacia, Sllovenia, Çekia, Zvicra, Holanda, Belgjika, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Mbretëria e Bashkuar, Spanja etj., vazhdojnë të mos e lejojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë. Përjashtim bëjnë ata shtetas të pajisur me pasaportë të një vendi të BE-së, apo ata shtetas të cilët kanë arsye të posaçme për të udhëtuar. Kjo për shkak se Shqipëria vijon të mbetet në listën e vendeve me rrezik të lartë, për sa i përket situatës së COVID-19 dhe shifrave të të infektuarve. Ndërsa kufizimet për ata që udhëtojnë në Gjermani, ndryshojnë në varësi të landeve, ku pjesa më e madhe e tyre kërkon që shtetasit që vijnë nga Shqipëria të vazhdojnë direkt në destinacionin e tyre pas hyrjes në Gjermani; të izolohen në shtëpi ose në një akomodim të përshtatshëm, si dhe të njoftojnë Ministrinë e Shëndetësisë në landin përkatës me e-mail ose telefon.

Lista e publikuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vjen pak orë pas normalizimit të situatës në Kakavijë, ku për rreth 1 javë, me mijëra familje shqiptare qëndruan në pritje për t’u rikthyer në Greqi, për shkak të masave të marra nga shteti helen, të paralajmëruara më herët, si bërja e tamponit në kufi dhe shërbimi deri në orën 22:00. Kjo ngjarje, e cila u cilësua si katastrofë humanitare, mori përmasa edhe më tragjike, kur autoambulanca shqiptare, e cila kishte mbërritur në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve që kishin probleme shëndetësore, përplasi për vdekje një fëmijë 10-vjeçar.

Greqi
Shtetasit shqiptarë me pasaportë shqiptare nuk mund të udhëtojnë drejt Greqisë deri në datën 31 gusht. Gjithashtu, në fluturimet nga Tirana në Athinë kërkohet test negativ i Covid (nga data 7-31 gusht), ndërsa në kufirin tokësor (Kakavijë dhe Kapshticë) testi negativ do të kërkohet duke filluar nga data 17 gusht.

Qipro
Shqipëria hyn në kategorinë C të shteteve me rrezikshmëri të lartë të Covid-it e, për rrjedhojë, shtetasve me pasaportë shqiptare nuk u lejohet hyrja. Shtetasit që u lejohet hyrja nga kjo kategori, duhet të kenë kryer testin e COVID-19 para mbërritjes, ose ta bëjnë atë sapo mbërrijnë me shpenzimet e tyre dhe të rrinë në karantinim 14-ditor.

Spanjë
Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë për në Spanjë:
Kur kanë leje qëndrimi të vlefshme;
Kur kanë arsye esenciale, të cilat justifikojnë qëllimin e ardhjes; Spanja nuk aplikon, deri tani, regjim karantine për shtetasit shqiptarë.

Belgjikë
Për shtetasit shqiptarë të cilët udhëtojnë në Belgjikë (vetëm udhëtime esenciale, nëse nuk kanë dokumente qëndrimi), është i detyrueshëm plotësimi i formularit 48 orë përpara udhëtimit dhe karantinimi prej 14 ditësh.

Mbretëri e Bashkuar dhe Irlandë
Në MB dhe Irlandë, mund të hyjnë nga Shqipëria shtetasit e këtyre vendeve (Irlandë dhe MB) dhe të gjithë shtetasit e tjerë (perfshirë ata shqiptarë) që kanë leje qëndrimi në këto vende.
Të gjithë shtetasit e lartpërmendur i nënshtrohen karantinimit 14 ditë.

Lexo edhe :  Pesë muaj pa Gerti Bogdanin, Edlira Çepani zbulon vendimin e rëndësishëm

Republika Çeke
Shtetasit shqiptarë nuk mund të udhëtojnë në Republikën Çeke, nëse ata nuk kanë leje qëndrimi në këtë shtet. Nëse një qytetar çek ose një qytetar i huaj (shqiptar) me leje qëndrimi në Republikën Çeke ka vizituar Shqipërinë, në kthim duhet të bëjë/paraqesë testin ose të vetëkarantinohet për 14 ditë.

Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Islanda në vijim të rekomandimeve të Këshillit të BE-së, për shtetet anëtare të BE-së, kanë vendosur zgjatjen e përkohshme të ndalimit të hyrjeve në EU nëpërmjet këtyre vendeve për shtetet jashtë BE/ZEE.

Zvicër
Aktualisht hyrja e shtetasve shqiptarë nuk është e lejuar, me përjashtim të rasteve të veçanta, siç mund të jenë emergjencat shëndetësore, familjarë të shtetasve zviceranë apo atyre me rezidencë në Zvicër etj. Ndërkohë për shtetasit që kanë të drejtë të udhëtojnë nga Shqipëria në Zvicër, qofshin këta pjesëtarë të diasporës me leje qëndrimi në Zvicër, apo shtetas zviceranë të cilët mund të kenë ardhur në Shqipëri për arsye turizmi apo pune, nuk aplikohet karantinimi i detyrueshëm. Personat që udhëtojnë nga vendet me rrezikshmëri të lartë kanë detyrimin të vetëkarantinohen për 10 ditë që nga momenti i hyrjes në Zvicër.

Gjermani
Sipas udhëzimeve të MPJ-së gjermane dhe MB-së pas hyrjes në Gjermani, pas qëndrimit në një zonë rreziku, ku përshihet edhe Shqipëria, udhëtarët duhet të:
-vazhdojnë direkt në destinacionin e tyre pas hyrjes në Gjermani;
-izolohen në shtëpi ose në një akomodim të përshtatshëm;
-me email ose telefon të njoftojnë autoritetin kompetent, si rregull, Ministrinë e Shëndetësisë në zonën e vendbanimit / akomodimit në landin përkatës.

Ministria Federale e Shëndetësisë ka njoftuar se në të ardhmen e afërt kushdo që arrin në Gjermani nga një zonë rreziku, do t’i kërkohet t’i nënshtrohet një testi COVID-19. Procedura dhe masat e zbatimit në nivel landi mund të ndyshojnë nga një land tek tjetri, dhe është e nevojshme të kontrollohet paraprakisht faqja zyrtare e secilit land. Lidhur me rastet kur testet e COVID-19 kryhen në aeroport, udhëzimet lidhur me kohën e pritjes së rezultatit dhe karantinimit jepen edhe nga zyrtarët e aeroportit.

Mali i Zi
Në Mal të Zi shtetasit shqiptarë mund të hyjnë duke paraqitur testin negativ të COVID-19, jo më të vjetër se 48 orë.

Rumani
Rumania për momentin nuk lejon hyrjen e shtetasve shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi apo vizë afatgjatë në Rumani ose në një vend të BE-së. Sipas vendimit të qeverisë për zgjatjen e Gjendjes së Alertës, datë 15 korrik 2020, përjashtohen nga ky rregull anëtarët e delegacioneve sportive ndërkombëtare, të cilët marrin pjesë në kompeticione sportive të organizuara në territorin e Rumanisë, sipas ligjeve në fuqi.

Megjithatë, duke qenë se Gjendja e Alertës përfundon në datë 16 gusht, pritet që në ditët në vijim të dalë një vendim i ri i qeverisë për zgjatjen e Gjendjes së Alertës. Lidhur me këtë, do të informohet mbi rregullat e reja që do të aplikohen. Gjithashtu, në këto momente, Shqipëria nuk ndodhet në listën rumune të vendeve me risk të lartë epidemiologjik. Për rrjedhojë, nuk është detyrim karantinimi apo vetizolimi.

Maqedoni e Veriut
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtetasit shqiptarë aktualisht mund të udhëtojnë pa asnjë detyrim karantinimi apo testi negativ për COVID-19.

Hungari
Personat që vijnë nga vendet e kategorisë së kuqe, ku aktualisht përfshihet edhe Shqipëria, duhet të karantinohen për dy javë në Hungari. Pra, ky rregull nuk ka si kriter shtetësinë e qytetarëve, por vendet nga vijnë. Për sa i përket hyrjes apo kalimit tranzit në Hungari, qytetarët shqiptarë duhet të bëjnë një aplikim online te faqja e policisë hungareze.

Pas plotësimit të tij, në adresën e e-mail-it të vendosur nga personi, policia hungareze kthen përgjigje brenda 24 orësh me vendimin e marrë për lejimin apo moslejimin e hyrjes.

Bullgari
Nga ana e autoriteteve bullgare është lejuar hyrja e qytetarëve shqiptarë në Bullgari që më 28 korrik 2020, me kushtin e paraqitjes së përgjigjes negative të testit PCR. Përgjigjja negative e testit PCR duhet të jetë e përkthyer në gjuhën angleze. Në rastin e organizatorëve, sportistëve dhe pjesëmarrësve, që udhëtojnë për motive të pjesëmarrjes në kompeticione sportive, që do të zhvillohen në Bullgari, kërkohet pajisja me dokumentacionin përkatës për këtë qëllim nga Ministria respektive e Sportit. Në dokumentacionin e Ministrisë duhet të përcaktohet vendi, ku do të zhvillohet kompeticioni sportive, si dhe lista e pjesëmarrësve. Ky dokumentacion duhet të paraqitet pranë​ autoriteteve kufitare bullgare.

Turqi
Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa asnjë pengesë dhe nuk ka regjim karantine të detyruar. Nuk kërkohet test PCR-je i 48 orëve të fundit. (Detaje: Në kontaktin e pikës kufitare, në rast se në termometrat termikë vërehen shenja të COVID-19, personi që udhëton i nështrohet testit PCR dhe vendoset në një vend të posaçëm, deri në rezultatin e tij. Sipas vijimësisë, vazhdon udhëtimi apo kurimi në rast nevoje.)

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Ditët e Kujtesës “Për hir të dashurisë”, gratë ruse u poshtëruan në Shqipëri

Nga Leonard Veizi   Zë fill që në periudhën e largët të antikitetit, kur Helena u dashurua me Paridin dhe “Për...

Opozita drejt listës së përbashkët, partitë e vogla në negociata me PD-në

Partitë e vogla janë në bisedimet e fundit me kryetarin e PD-së Sali Berisha për përfshirjen e tyre në “listën e sigurt”. Çfarë pretendojnë...

Gafa politike, Berisha tërhiqet nga “shkrirja e SPAK-ut”

Kreu i PD-së Sali Berisha e ka konsideruar si “dalje nga konteksti” i deklaratës së tij për shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme. Tërheqja e...

Tensione dhe keqkuptime, zbuloni çfarë parashikojnë yjet për ju ditën e sotme

Dashi Kjo fazë e jetës suaj është e rëndësishme për tu rikthyer në lojë. Edhe nëse keni pësuar një rënie, jeni gati që të ringriheni...

Lajme të tjera

Web TV