“Je me fat që je gazetar, në këtë kohë e në këtë vend”, më tha në Kukës gazetari i famshëm i Rojterit, Kurt Shork, në fund të vitit 1998. Po, kam qenë me fat vërtetë. Jam dëshmitar okular i shumë ngjarjeve të lavdishme, të papërsëritshme kurrë më për kombin shqiptar, gjë që do ta kishte zili çdo gazetar i botës. Por dëshmitë e mia përfshijnë edhe turpe të ndokujt që dëshiron me shpirt që unë të mos isha gjallë sot.
Unë nuk jam fajtor për enverizmin e askujt, për vjedhjet e askujt (vjedhjet e grurit në magazina, armëve në ushtri etj etj) vjedhje marramendëse, nuk jam fajtor për ikjet e askujt, ikjet trimërishte kur u dha lajmi i rremë se hyri Serbia (fshehjet e ikjet e asaj dite deri në Bushtricë…e deri në Fushë Arez, e deri neë Surroj…) kur u dha lajmi i rreme se hyri Serbia, nuk jam fajtor për mungesën e trimërisë së askujt, për servilizmin e askujt. Nejse, gjithkush ikën e fshihet prej turpeve të veta, por askush nuk fshihet dot prej vetes së vet.
Unë nuk jam fajtor pse pashë e dëgjova. Unë nuk doja, por gjërat më dilnin vetë përpara syve, historitë i prekja e shihja edhe pa dashjen time, edhe kur nuk doja. Në vitin 1995, kur Sulejman Dida ishte kryeredaktor i radios, jam ngarkuar nga drejtori i Radio Kukësit Izet Duraku që të mbuloj vetëm Kosovën në programin e Radio Kukësit. Do ta bëjmë Radio Kosova, më tha një paradite Izeti. Unë isha gati. Isha kalorës ëndrrash dhe e shalova këtë ëndërr të cilës nuk i kam zbritur ende. Bëra emisionin e drejtpërdrejtë dy e tre orësh Vater, çdo të premte në drekë, bëra emisionin Refleksione – Ana tjetër, çdo të enjte me ritransmetim. Bëra pafund lajme e kronika me Kosovë dhe gjithmonë u përkraha nga kolegët e mrekullushëm të radio Kukësit.
Sot kam 300 orë regjistrime audio, kaq kam ruajte pasi nuk ua kemi ditë rëndësinë, 300 orë histori me zë që bëjnë krenar shumëkënd e bëjnë me turp shumë kënd. Jam autor me zë për 300 raporte radiofonike si lajm i parë pothuaj çdo ditë në Radio Tiranë duke mbyllur në fund…për radio Tiranën nga Tropoja Rexhep Shahu, nga kufiri Rexhep Shahu, nga Kukësi Rexhep Shahu”. 300 raporte radiofonike… shumë ë? Po shumë janë. Jam krenar. Qindra shkrime, qindra në Prishtinë e Tiranë për Kosovën. Po, jam dëshmitar i madh dhe pronar i shumë dëshmive. Të nderit e të turpit. Po ky nuk është faji im. Unë kam qeneë i përkedhelur prej kolegëve për bërjen e Kosovës rajon të brendshëm.
Lajmet nga Kosova nuk quheshin lajme të jashtme, as lajme nga rajoni, por lajme të brendshme, lajme nga vendi. Në Radio Kukësi nuk thuhej psh “Sot në Kosovë….”, por thuhej “Sot në Prizren….”. Nuk thuhej kufiri Shqipëri – Jugosllavi apo Shqipëri – Serbi siç thuhej në Televizionin shtetëror, por thuhej kufiri Shqipëri – Kosovë, kufiri shqiptar- shqiptar. Sidomos kur erdhën pranë nesh gazetarët e rinj të Kosovës Besnik Kada, Bekim Hasani, Ylli Yll Daci dhe regjizori Esat Brajshori, gazetarët e parë të Kosovës për terrenin në brezin kufitar që nga fillimi 1998.
Enveristave e gjithë kapterrave të pushkëve të drurit që Kosovën e quanin Jugosllavi, që kufirin e quanin kufiri shqiptaro – serb, ju kërkoj ndjesë. Ata nuk patën rast të trimëronin, nuk patën rast të luftonin për Kosovën, nuk patën rast të bëheshin heroj por mbeten zvarranike, trima ne gote rakie fshehtas shefave. Unë kam qenë mik dhe shumë i afërt i gjeneral Kudusi Lames, më ka mbajtë më afër se afër, kemi vra e pre serbë pafund bashkë me gjeneralin, kam histori brilante me gjeneralin, kam shumë orë regjistrime audio me gjeneralin, nuk gjendet kurrë një gjeneral në paqe që të bëjë luftë me fjalë si Kudusi Lame.
E kam parë gjeneralin krenar për ushtarët e tij, e kam parë të rënë moralisht, e kam ditë më shumë se askush se si ishte gjendja e si e paraqiste gjenerali. Sot kur eshtrat e atyre historive të viteve 1998-1999 janë kalbë, dalin disa xhenaze dhe më bëjnë moral, më qortojnë, më kritikojnë. Unë isha aty ku ju nuk doni që të isha, aty ku Majko i tha njërit “pse je pa rruar…”, aty ku grykat e topave të vjedhur të zhveshur ishin ngulë në tokë, disa shihnin nga Durrësi, disa nga Kina por asnjë grykë topi nuk shihte nga gryka e Morinit, isha aty dhe i dola zot shefit të atyre topave që të mos e bënte bërllok gjenerali…
Ju ju vjen turp prej vetes tuaj. Unë e kam historinë tuaj që vërtetë nuk ju bën krenar por as me turp nuk ju bën. Ju thjeshtë ishit të vegjël për punë e bëma të mëdha. Mos u trishtoni prej vogëlsisë dhe anonimatit tuaj, ruani ndonjë dele e milni ndonjë lopë, ose ose këndoni ndonjë këngë trimërie si kompensim për mungesën e trimërisë…