Mister mbytja e adoleshentes, aksident apo vrasje?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Enisa Doda u gjet e mbytur dy ditë më parë nga një peshkatar, rreth 800 metra larg bregut të detit. Fillimisht ajo u raportua si e mbytur në det, por pas hetimeve rezultoi se ajo kishte dalë xhiro me motor uji, me një 25-vjeçar. Djali që shoqëronte adoleshenten fillimisht është përpjekur të fshehë ngjarjen, por më pas policia zbuloi se ajo ishte mbytur kur kishte dalë me shokun e saj me motor uji. E reja ka disa të nxira në trup, por nuk dihet nëse ajo është dhunuar apo të nxirat i janë shkaktuar nga përplasja kur ka rënë nga motori i ujit.

Nga Elvis Myrta

 

Mbytja e 17-vjeçares Enisa Doda dy ditë më parë në plazhin e Velipojës duket se është një ngjarje e mbuluar me shumë mister. Pas hetimeve për zbardhjen e shkaqeve të mbytjes së adoleshentes, policia e Shkodrës ka zbuluar detaje tronditëse, pasi rezultoi se e reja ka qenë në shoqërinë e një 25-vjeçari, i cili nuk ka treguar asgjë për mbytjen e saj. Policia e Shkodrës pas hetimeve paraprake për ngjarjen, ka arrestuar Indrit Bajraktarin, pasi ai ka fshehur ngjarjen dhe nuk ka treguar për mbytjen e shoqes së tij. Dy të rinjtë, mesditën e së martës, dolën për të bërë xhiro me motor uji në det, xhiro e cila përfundoi në tragjedi për Enisën e cila nuk do të dilte më kurrë në breg të detit. Ishin pronarët e motorit të ujit ata që dyshuan se diçka nuk po shkonte me çiftin që i kishte marrë motorin për të bërë xhiro rreth orës 14:00, dhe prej më shumë se një ore nuk po kthehej. Duke qenë se ata nuk i lënë më shumë se 30 minuta xhirot me motor, dolën në breg, ku panë vetëm motorin e ujit nga larg, pa dy të rinjtë në të. Menjëherë ata nisën këkimet në det dhe aty kanë parë të riun që i ishte drejtuar bregut. I pyetur për vajzën, ai u tha pronarëve të motorit se adoleshenten e kishte nxjerrë në breg dhe më pas e kishte marrë xhaxhai i saj. Pronarët e motorit nuk u kanë besuar fjalëve të të riut dhe kanë lajmëruar policinë për këtë rast. Uniformat blu të qytetit verior u vunë menjëherë në lëvizje, duke bërë të mundur lokalizimin e 25-vjeçarit në aksin rrugor Shkodër-Velipojë. Pas ndalimit policia shoqëroi në komisariat për ta marrë në pyetje, ku edhe ka treguar për ngjarjen e rëndë. Përpara oficerëve Indrit Bajraktari ka deklaruar se vajza kishte rrëshqitur nga motori i ujit dhe se nuk e mbante mend mirë se çfarë ndodhi e nga paniku ishte larguar drejt bregut. Pas dëshmive të tij kontradiktore, 25-vjeçari Indrit Bajraktari u arrestua nga policia. Mbytja e adoleshentes, përveçse një ngjarje e rëndë, është edhe shumë mistrioze, kjo për shkak të dëshmive kontradiktore të 25-vjeçarit që shoqëronte vajzën, por edhe për faktin se ai, pasi doli në breg, tentoi të largohej nga Velipoja, duke mos i treguar asnjërit për mbytjen e shoqes së tij. Akualisht 25-vjeçari ndodhet në qeli i akuzuar për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Burime për gazetën “Fjala” bëjnë me dije se nga kryerja e autopsisë ka rezultuar se vajza ka disa të nxira në pjesën e barkut dhe të shpatullës. Nuk dihet nëse këto të nxira janë shkaktuar nga 25-vjeçari apo nga përplasja e saj në ujë pas rrëzimit nga motori i ujit. Pritet përgjigjja përfundimtare ekspertizës mjeko-ligjore për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Hetimet

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e policisë Velipojë, pas ngjarjes së ndodhur, ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det 17-vjeçarja Enisa Doda, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shodër organizuan punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga hetimet paraprake të deritanishme, ka rezultuar se rreth orës 14:00 të 19 gushtit, Indrit Bajraktari së bashku me adoleshenten Enisa Doda, kanë hyrë në det me motor uji që e kishin marrë me qira në zonën e Vilunit. Sipas grupit hetimor, rreth një orë e gjysmë më pas djali, ka dalë në breg të detit i vetëm, pa motorin e ujit dhe pa vajzën. Fillimisht kanë qenë vetë pronarët e motorit të ujit që kanë lajmëruar autoritetet për ngjarjen dhe më pas kanë nisur kërkimet për mjetin e tyre. Trupi i pajetë i adoleshentes u gjet nga një peshkatar rreth 700- 800 metra larg bregut. Policia së bashku me prokuroren e çështjes kanë konstatuar shenja dhune në trupin e vajzës nga Burreli me banim në Tiranë. 25-vjeçari i arrestuar dje nga policia e Shkodrës është emigrant dhe prej disa vitesh jeton në Angli. Ai kishte ardhur me pushime në Velipojë. Në dëshminë e tij, dhënë në polici, ka dëshmuar se mjeti ka pësuar defekt dhe është hedhur në ujë për t’u kthyer në breg, ndërsa vajza është rrëzuar dhe si pasojë e goditjes së motorit vajza ka humbur jetën. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kur është pyetur se pse nuk ka treguar që në fillim për ngjarjen, ai është përgjigjur se ka qenë i tronditur. Ndërkohë punonjësit e pikës së dhënies me qira të motorëve, janë thirrur sërish dje në polici për të dhënë deklarime për ngjarjen. Hetimet e mëtejshme do të jenë ato që do të zbardhin detaje të tjera dhe dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë. Pas kësaj ngjarjeje tragjike, mesditën e djeshme, policia nxori një urdhër që ka bllokuar lundrimin e të gjithë motorëve në bregdetin e Velipojës.

Lexo edhe :  7 Marsi i fundit, dy mësuese mes lotësh rrëfejnë ndjesitë e bukura të profesionit

 

Vrau gabimisht shokun e fëmijërisë, lihet në burg 23-vjeçari

Me kokën ulur dhe duke qarë gjatë gjithë seancës, Stjuart Smakaj, që katër ditë më parë vrau gabimisht shokun e tij të ngushtë, ka dalë dje përpara gjykatës ku është njohur edhe me masën e sigurisë, “arrest me burg”. Përpara togave të zeza i riu nuk ka thënë asnjë fjalë. Sipas burimeve, mësohet se gjatë gjithë seancës, e cila zgjati për më shumë se 30 minuta Stjuart Smakaj, vetëm ka qarë. Në vend të tij ka folur avokati mbrojtës, i cili kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi, sipas tij, klienti i tij e kishte vrarë gabimisht viktimën, të cilin e kishte edhe shok të ngushtë. Avokati i tha gjykatës se objektiv i sulmit ishte një person tjetër me të cilin Smakaj kishte pasur një konflikt të çastit. “Ka qenë ngjarje aksidentale, pasi Stjuarti me Gledisin kanë qenë shokë të ngushtë, objektivi ka qenë një tjetër person”, është shprehur avokati përpara gjykatës. Togat e zeza të qytetit verior, pasi dëgjuan pretendimet e palëve, në fund të seancës, pranuan kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndaj 23-vjeçarit Stjuart Smakaj. Ndaj të riut prokuroria ka ngritur akuzëat e “Vrasjes me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. I riu qëlloi 18 herë me kallashnikov mbi shokun e tij, i cili mori vetëm një plumb në shpatull që i shkaktoi edhe vdekjen. Në momentin e vrasjes, autori ka qenë së bashku me të vëllanë, Sebastian Smakaj, i cili vijon të jetë ende në kërkim. Në gjykatë, ashtu si edhe për detajet e tjera, Stjuarti nuk ka folur asnjë fjalë për të vëllanë, pasi gjendja e tij psikologjike ka qenë mjaft e rënduar. Edhe pse nuk tha asgjë përpara togave të zeza, pas arrestimit 23-vjeçari ka pranuar krimin dhe ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe objetivin e tij. Përpara grupit hetimor Smakaj tha se qëlloi me breshëri automatiku nga kati i dytë i pallatit ku banonte, dhe se nuk e dinte që në makinën drejt së cilës hapi zjarr ishte edhe shoku i tij i ngushtë Gledis Kraja. 23-vjeçari ka treguar se shënjestra ishte Denis Halili. “Pata një debat me Denis Halilin. Debati nisi për shkak të mobilieve që unë kisha porositur tek ai. Në debat e sipër Halili më ofendoi, menjëherë unë shkova në shtëpi, mora armën dhe kur po zbrisja në katin e dytë të pallatit ku banoj qëllova me breshëri drejt Denisit, por nuk e dija që aty ishte edhe shoku im. Nuk doja ta vrisja Gledisin, ishim shokë të ngushtë”, është shprehur ai përpara hetuesve. Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe shënjestra, i cili përpara hetuesve ka treguar shkakun e konfliktit edhe se si u shpëtoi plumbave. “Deri te makina më ndoqi shoku i autorit, Gledisi, në momentin kur u qëllua me armë u shtriva në tokë dhe më pas ika me shpejtësi”, tha ai. Konflikti ndodhi pas debatit për disa mobilie, që autori i kishte porositur te Halili. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti 18 gëzhoja, makina tip “Ford” ku ndodhej ish-futbollisti i Vllaznisë, që mbeti viktimë e kësaj ngjarjeje, u bë shoshë nga plumbat. Stjuart Smakaj është person me precedentë penal. Në vitin 2015 ai u arrestua së bashku me 3 persona të tjerë, pasi sulmuan tre punonjës policie me levë hekuri dhe sende të tjera metalike duke i plagosur. Ndërkohë që viktima Gledis Kraja, njihej si person i qetë dhe jo problematik./Fjala.al/Ke.Ba

Të fundit

Mjekja psikiatre tregon simptomat kryesore të ankthit: Kur duhet të kërkoni ndihmë

Mjekja psikiatre Arjana Rreli ndau informacion të rëndësishëm mbi mënyrën se si mund ta kuptojmë nëse vuajmë nga ankthi...

Horoskopi javor për datat 10 deri 16 mars 2025, parashikimi i yjeve për secilën shenjë

Dashi (21 Mars – 19 Prill) Këtë javë, rezervoni pak kohë për veten tuaj. Të mërkurën, Dielli shërues do të jetë në konjuksion me Saturnin...

“Do të të jap shqelma b***ës!” Keqtrajtimi çnjerëzor nga familja e burrit: Më torturoi…

Hana ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, babain,  Rexhepin i cili e ka nxjerrë nga shtëpia. Sipas vajzës, e cila është në fakt nënë...

Largimi i fuqisë punëtore, ekspertët: Bizneset të ndryshojnë trajtimin ndaj stafit

Përveç kërkesave për azil në Europë, mijëra shqiptarë të tjerë kanë emigruar jashtë saj duke përdorur mënyra të tjera të ligjshme. Referuar të dhënave të...

Gjermani/ Për çfarë kanë rënë dakord CDU/CSU dhe SPD?

Ç’mund të ndryshojë me një qeveri të koalicionit CDU/CSU dhe SPD? Dokumenti i hartuar nga partitë gjatë bisedimeve paraprake jep një orientim për temat...

Lajme të tjera

Web TV