Opozita s’vjen dot në pushtet me… facebook

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard KARAJ

T’i bësh sot opozitë Edi Ramës, teorikisht është një nga gjërat më të lehta. Nuk të duhet ndonjë stërmundim i madh, dhe as të shpikësh kushedi çfarë, përderisa bataku në të cilin janë zhytur sot shqiptarët është i prekshëm në çdo sektor të jetës. Por, me sa duket, këtë shans, këtë mundësi të madhe, nuk po arrin ta shfrytëzojë opozita, aksioni i së cilës ka qenë dhe është ende sa i vakët, po aq i pabesueshëm.

Po, një pjesë e konsiderueshme e votuesve janë tejet të lodhur nga propaganda bajate e Ramës, por, nga ana tjetër, nuk arrijnë ende t’i besojnë kësaj opozite. Shkak për këtë është distanca njerëzore, që me dashje apo me fodullëk, kanë akumuluar vetvetiu gjatë këtyre viteve PD-LSI kundrejt elektoratit të tyre dhe jo vetëm.

Në fakt, të bën çudi kur shikon vijueshmërisht deputetë të PS-së që minimalisht çdo fundjavë janë në zonat e tyre elektorale, duke folur mbi “arritjet e mëdha të Rilindjes”, teksa nuk i sheh kërrkundi ata të PD-LSI. Edhe pse teorikisht, këta të fundit janë më të ngeshëm dhe si detyrë primare kanë afrimin e votuesit me opozitën, përsëri kjo gjë shihet rrallë, ose në shumë qytete periferike, fare.

Sa për të marrë një shembull konkret: numri 3 sipas hierakisë së PS-së (pas Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit), Taulant Balla, mund të jetë një person i urryer deri në marrëzi nga populli opozitar, sidomos në qarkun e Elbasanit, ku ai ka kandiduar që prej 2005-s, por fakt është se atë e sheh thuajse çdo javë në terren (dhe të mendosh se Balla është sekretar i përgjithshëm i PS-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar, pra me goxha angazhime të tjera partiake dhe parlamentare), ndaj i thonë një fjale: “jepi Cezarit atë që i takon Cezarit”.

Nga ana tjetër, zor se “i kap mat” duke punuar në të njëjtin qark, atë të Elbasanit, qoftë edhe 1 herë në muaj të parin e listës së PD-së në 2017-n, Edmond Spahon dhe atë të listës së LSI-së, Edmond Haxhinaston. Ndonëse në këtë qark opozita pati një humbje të rëndë, krahasuar me zgjedhjet e 2013-s, dhe teorikisht do të duhet t’i shtojë fuqishëm forcat për ta ndryshuar sadopak këtë imazh negativ, në praktikë, nuk duket asgjë premtuese.

Lexo edhe :  Deputetët e PS para mbledhjes së grupit: Nuk komentojmë drejtësinë

E njëjta situatë thuajse kudo. Më shumë vëren mazhorancën, që ndonëse me peshën e një keqqeverisjeje për “Guinness”, mundohet të mbajë me penicilina votuesin, sesa opozitën që të mundohet, minimalisht të tregojë sadopak interes për këtë të fundit. Kësisoj, hiq ndonjë tur të programuar të vetë liderit të PD-së, z. Basha, pjesa tjetër (ose pjesa e konsiderueshme) e Kryesisë apo deputetët (ish-deputetët), janë në gjumë letargjik. Komoditetin e kanë gjetur te ndonjë deklaratë “facebook”-u apo ndonjë dalje nga selia blu, duke krijuar vetvetiu distanca të mëdha mes tyre dhe bazës ose mes tyre dhe qytetarit votues.

Por ama, një gjë është e sigurt: që PD-ja të vijë në pushtet në 2021-shin nuk duhet dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të presë që Rama “të bjerë vetë”. Apologjizma të stilit: “hë mo, se na erdhi radha”! – apo edhe: “nuk rrinë këta më shumë se 8 vjet”!, – janë vetëvrasëse. Dhe, fatkeqësisht, të tilla mendësi sot te PD-ja i gjen me shumicë dhe, sidomos, në bazë, aty ku punohet pak, ose gjithmonë e më pak. Dhe nuk është vetëm problem i drejtuesve periferikë, të cilët sot më shumë se kurdoherë i kanë vënë drynin PD-së nga frika se: “po afruam të rinj, na marrin vendet më të mira drejtuese”, – por edhe ish-deputetëve, të cilët kanë kohë që kanë harruar të dalin në ish-zonat e tyre elektorale (ose jo të paktën, pa urdhër partie).

Madje, në mjaft raste ka një “bindje të sëmurë” se PD-ja do të fitojë, se asnjë parti nuk ka marrë tri mandate radhazi, pra – “tani është radha jonë”. Por nëse vijohet me këtë mendësi, e sigurt është se Rama do të rikonfirmohet si kryeministër, paçka zullumit të paparë në qeverisje gjatë këtyre viteve. Dhe, sigurisht, në këtë rast nuk do të ishte faji i PS-së së Ramës, që do të fitonte edhe kur “vjedh me ligj”, por i opozitë së Bashës dhe Kryemadhit, që dinë vetëm të humbasin.  /Ra.My.Fjala.al/

 

 

 

Të fundit

Zbulohen 176 bomba të Luftës së Dytë Botërore në një park fëmijësh

Një total prej 176 bombash të Luftës së Dytë Botërore janë zbuluar në parkun e lojërave Scotts Park, Wooler...

Digjet hoteli luksoz në Londër, rreth 125 zjarrfikës të angazhuar për shuarjen e zjarrit

Një zjarr i madh ka përfshirë një hotel luksoz në Londër, duke detyruar evakuimin e rreth 100 personave. Sipas autoriteteve, për të shuar flakët janë...

Protestuesit në Serbi shndërrojnë tragjedinë në lëvizje për ndryshim

Studentja e biologjisë Marija Petroviç thotë se, kur ajo dhe kolegët e saj, filluan të protestojnë kundër qeverisë së Serbisë pas rrëzimit të çatisë...

OBSH: Kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me alkoolin në BE

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi sot gjetje të reja mbi mungesën alarmante të ndërgjegjësimit për lidhjen midis alkoolit dhe kancerit në Evropë dhe...

“Non grata e Berishës/ Zyrtarë të lartë në Uashington kanë kërkuar të verifikohen faktet!

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i ftuar në emisionin Log. në News 24 foli për non gratën e kreut të PD Sali Berisha. Mediu...

Lajme të tjera

Web TV