Të gjithë e kemi parë në fëmijëri filmin “Bukuroshja dhe Bisha” i cili na ka tërhequr mjaft me tematikën rozë që përmbante dhe historinë e dashurisë mes bukuroshes Belle dhe princit të kthyer në bishë.
Në filmin e fundit jo të animuar i cili luhet nga aktorja Emma Watson kritikët kanë risjellë në vëmendje romanin origjinal francez i cili sipas tyre nuk përmban historinë e njëjtë me atë që tregohet në film.
Në fakt historia që frymëzoi “e Bukura dhe Bisha” e marrë nga Kalendari Enciklopedik Shqiptar është lindur nga jeta tragjike e Petrus Gonsalvus dhe gruas së tij Katerinës.
Ai lindi në 1537 në Tenerife me një sëmundje të rrallë të njohur si hypertrichosis e përmendur zakonisht edhe si Sindroma Werewolf. Historia e tij fillon kur ai u soll nga Tenerife në Francë (në moshën 10 vjeçare) , si një dhuratë kurorëzimi për mbretin Henry II. Ai u konsiderua një kuriozitet, një i “egër” në kafaz, një krijese gjysmë kafshë gjysmë njeri, figurë e njohur në mitologjinë mesjetare evropiane.
Mbreti vendosi ta çlirojë atë pasi nga ekzaminimet e bëra nga doktorët rezultoi të ishte njeri dhe jo kafshë, Mbreti i ofroi atij një edukim zyrtar si çdo djali që jetonte në kështjellë dhe i vuri një emër të ri latin: Petrus Gonsalvus ( më parë quhej Pedro Gonsales).
Pas vdekjes së Henry në 1559, gruaja e tij Catherine de Medici u ul në fron dhe si një regjente ajo kishte fuqinë të vendoste për të gjitha aktivitetet që Henry kishte filluar më parë. Duke vazhduar eksperimentin e burrit, asaj i erdhi ideja që Petrus duhet të martohej, për të parë nëse pasardhësit e tij do të ishin gjithashtu “njerëz të egër”.
Atij iu caktua një grua e bukur, Katerina, mbiemri i së cilës është i panjohur deri më sot dhe që dyshohet se nuk ishte në dijeni të pamjes së burrit para ditës së dasmës. Çifti, papritur për Mbretëreshën, u dashurua dhe krijuan një lidhje të lumtur. Ata lindën dy fëmijë menjëherë pasi u martuan dhe të dy lindën të shëndetshëm.
Mbretëresha ishte zhgënjyer hapur për këtë fakt. Dëshira e saj u realizua përfundimisht më vonë pasi katër fëmijët e tyre të ardhshëm u lindën të gjithë me hypertrichosis dhe u dërguan në turne në Evropë si një dëfrim për familjet aristokratike.
Më në fund ata u vendosën në Spanjë nën mbrojtjen e Dukës së Parmës, i cili u dhuroi një pasuri për ta menaxhuar. Sidoqoftë, të gjithë fëmijët e tyre iu dhanë si një dhuratë të veçantë familjeve të tjera fisnike evropiane. Zemra e dashur dhe e ngrohtë e të dy prindërve u pikëllua.
Në ndryshim nga fundi i lumtur i ” E Bukura dhe Bisha”, historia e Pedros dhe Katerinës mbaroi në mënyrë tragjike. Ai u trajtua gjatë gjithë jetës më pak se një njeri, deri ditën që vdiq. Statusi i tij “jo-njerzor” u provua edhe në faktin se si atij vetë, ashtu edhe Katerinës, nuk iu lejua një varrosje e denjë. Deri në ditët e sotme nuk dihet se ku u varrosën të dy./Bl.Ba/Fjala.al