Pas dy ditësh diskutime të gjata në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, u nënshkrua marrëveshja Kosovë-Serbi me 16 pika. Çfarë pritet pas kësaj marrëveshjeje të madhe dhe a është hapi i parë serioz drejt njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë? Liderët botërorë dhe ata shqiptarë përshëndesin në unison marrëveshjen. Kush përfitoi më shumë në këtë dakordësi mes tri palëve?
Nga Sebi Alla
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në mes, në të djathtë të tij presidedenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe në të majtë kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, shënjuan marrëveshjen e quajtur historike, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Pas dy ditësh diskutime të gjata pala serbe dhe ajo kosovare arritën një marrëveshje që mban edhe firmën e Trump-it, por në Kosovë dhe Serbi kjo situatë më së shumti po shihet si “fitore” nga të dyja palët. Në mes ajo që i ndau palët ishte një pikë e lënë në tavolinë dy ditë më parë, për përfaqësuesit serbë, të cilëve u kërkohej njohja e Kosovës, ndërsa tjetra ujëmbledhësi i Ujmanit.
Serbia mundi ta hiqte atë pikë dhe kjo u pa jo vetëm si sukses personal i Vuçiçit, por edhe si një fitore e brohoritur në Beograd, mijëra kilometra nga vendi ku po gatuhej marrëveshja. Edhe Kosova duket se përfitoi, jo njohjen e menjëhershme, por një hap drejt njohjes dhe disa investime serioze, që gjithsesi në përditshmëri dhe stabilitet shtetëror, bëhen po aq të rëndësishme sa vetë gjeopolitika.
Në Serbi dhe Kosovë opinioni ndahej për fitore dhe humbje, por dikush krenohet vetëm për fitore, dhe ai është presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka një letër më shumë në pokerin e madh që janë zgjedhjet presidenciale në SHBA. “Jam i kënaqur t’ju njoftoj se Kosova dhe Serbia janë dakordësuar për normalizim marrëdhëniesh, pas një historie tragjike. Administrata ime është përqendruar tek ekonomia, tek rritja ekonomike, bashkëpunimi në çështje ekonomike. Serbia dhe Kosova kanë njerëz të shkëlqyer në Amerikë dhe është gjë e mirë. Kosova dhe Izraeli kanë vendosur të normalizojnë marrëdhëniet diplomatike.” – tha Trump, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, duke shtuar se i vlerësonte dy liderët përkatës dhe në një të ardhme jo të largët do të vizitonte Serbinë dhe Kosovën.
Mjaftoi kjo deklaratë dhe një draft i nënshkruar mes dy palëve, me dorëzaninë e SHBA-së që të vinin një varg reagimesh që mbështesnin këtë marrëveshje. Nga Brukseli kjo marrëveshje u përkrah, ndërsa në vijim të saj, shumë liderë nxituan të vlerësonin dakordësinë e arritur, duke e parë si një hap të madh drejt shuarjes së konflikteve mes dy vendeve dhe, çfarë është më e rëndësishme, edhe njohja reciproke.
Pikat e marrëveshjes, shumë ekonomi, më vonë strategji…
Në këtë marrëveshje, që daton në 4 shtator 2020, thuhet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizimin ekonomik mes dy vendeve. Në këtë vazhdë, të dyja palët do të përfshihen në të ashtuquajturën zonë Mini-Shengen. Pjesa tjetër është zhvillim infrastrukturor, e cila krahas aspektit ekonomik jep shkendija jo të vogla për arritjen e një paqeje të gjatë… “Dy vendet do të punojnë me SHBA-në për “Hekurudhën e Paqes”, për lidhjen mes Prishtinës, Merdarës dhe Nishit”- nënvizohet në një nga pikat. Edhe pse në dukje jo fort ekonomike, pikëpyetja mbetet se pas ndërtimit të kësaj hekurudhe, a do të jetë stacioni i fundit njohja e Kosovës nga Serbia?
Në leximin e sotëm duket se shinat po shtrohen dhe 4 shtatori që është zanafilla e një marrëveshjeje, jo “aq të madhe”, (sepse nuk ka njohje reciproke). Megjithatë, mbetet starti i një faze më të gjatë që, gjithsesi, në fund synon një marrëveshje vërtet të madhe, me një Kosovë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe nga vetë Serbia. Në detajet e tjera të dakordësisë që mban tri firmat e liderëve, thuhet se dy vendet do të njohin mes tyre diplomat e certifikatat profesionale dhe të dyja palët nuk do të lejojnë përdorimin e rrjetit 5G.
Një pikë e rëndësishme për Kosovën, por edhe më se humane është se u ra dakord që të nisë identifikimi i mbetjeve të të zhdukurve. Pika e parafundit thekson se Kosova është pajtuar që për një vit t’i shtyjë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia për një vit do të pezullojë fushatën dhe lobimin kundër njohjes së shtetit të Kosovës. Ndërsa në fund theksohet se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të njohin njëri-tjetrin. Dy vendet do ta konsiderojnë organizatën Hezbollah terroriste.
Çfarë vlen për Kosovën?
Në aspektin ekonomik, çdo investim infrastrukturor sjell zhvillim ekonomik dhe, pa dyshim që Kosova ka nevojë për të, madje shumë më të madhe se “hasmi shekullor”. Nëse shihen me kujdes pikat, aty ku Kosova përfiton jo pak dhe, me të drejtë, është angazhimi i Serbisë për të nisur punën për gjetjen e të zhdukurve. Në fakt, kjo është pranimi i një gjenocidi nga pala serbe, e cila nuk mund të fshihet më pas relativizimit të luftës së përgjakshme dhe kthimit të saj artificial nga agressor në “viktimë”. Gjithashtu, janë mijëra familje shqiptare që nuk dinë asgjë për fatin e të afërmve të vrarë dhe të zhdukur nga ushtria e paramilitarët serbë, dhe shpresohet se minimalisht pas shumë vitesh do të kenë një varr ku t’i qajnë në Kosovë.
Sikurse mësohet, në këtë marrëveshje përfshihen kryesisht dakordësi mes dy vendeve në fushën ekonomike, por ajo që i trazoi jo pak palët ishte çështja e Ujmanit, (ujëmbledhësi më i madh i Kosovës), i cili ka ndikim si në energjetikë, ashtu edhe në sektorin e bujqësisë, dy shtyllat kryesore të ekonomisë kosovare. Fillimisht ishte kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili paralajmëroi se do të dilte nga qeveria e drejtuar nga Abdullah Hoti, nëse për Ujmanin do të kishte ndikimin e saj edhe Serbia. Vetëm 60 minuta më vonë, Haradinaj ndryshon “kurs”, duke përshëndetur marrëveshjen e arritur. “E përshëndes marrëveshjen e nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë!
Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, janë reflektuar në marrëveshjen e nënshkruar.” – shkruan Haradinaj. Po çfarë fshihet pas kësaj marrëveshjeje ku frika më e madhe ishte “korrigjimi i kufijve” ose ndarja e Kosovës? Në takimin që gjithsesi mund të konsiderohet si pompoz në SHBA, sepse u arrit një marrëveshje e cila, edhe nëse është e “vogël” në terma teknikë, është një hap i madh, nuk është përmendur çështja e “korrigjimit të kufijve”. Palët në Serbi dhe Kosovë politikisht tashmë do të kenë kohë e shkak për të tjerrë sipas interesave të tyre lidhur me këtë marrëveshje, por ajo që nuk e zhbëjnë dot është fakti se, sipas informacioneve paraprake, mësohet se bëhet fjalë për projekte madhore mes dy vendeve nga një investim amerikan prej 13 miliardë dollarësh. Nga ana tjetër, kjo marrëveshje shihet edhe në një kënd tjetër.
Disa analistë dhe politilogë, përfshirë edhe ata në SHBA, mendojnë se dakordësia mes dy vendeve, Kosovë-Serbi, nuk e zgjidh përfundimisht konfliktin, pasi Serbia do të vijojë të mos e njohë Kosovën. Ndërsa, nxitjen për këtë marrëveshje e shohin si një tentativë të Trump-it për të bërë protagonistin pak para zgjedhjeve presidenciale dhe të marrë atribute se po ndikon në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Ajo që vlen për Kosovën është zhvillimi ekonomik, konsiderimi i SHBA-së si partneri më i madh strategjik dhe, mbi të gjitha, të arrijë sa më shpejt të njihet ndërkombëtarisht, por edhe të lobojë të ketë njohje reciproke edhe nga pala serbe.
Një hap fort i rëndësishëm është hedhur, koha kur do të arrihet nuk varet vetëm nga faktorët e jashtëm ndërkombëtarë, por edhe vetë politika, ku Prishtina zyrtare duhet të ndryshojë kurs për të mirën e vendit që kaq shumë ka vuajtur nënshtrimin shekullor serb, vrasje dhe gjenocid.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump
“Jam i kënaqur t’ju njoftoj se Kosova dhe Serbia janë dakordësuar për normalizim marrëdhëniesh, pas një historie tragjike. Administrata ime është përqendruar tek ekonomia, te rritja ekonomike, bashkëpunimi në çështje ekonomike. Serbia dhe Kosova kanë njerëz të shkëlqyer në Amerikë dhe është gjë e mirë. Kosova dhe Izraeli kanë vendosur të normalizojnë marrëdhëniet diplomatike.”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
“Shpreh konsideratën më të lartë për lidershipin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentin Trump, që sot arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike”.
Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti
“Kjo është një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të finalizohet me njohjen reciproke mes dy vendeve. Nga Shtëpia e Bardhë kanë ardhur gjithmonë lajme të mira”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç
“Shqiptarët thanë se do të nënshkruanin gjithçka, nëse kthehej pika 10. Nuk ka njohje të ndërsjellë, serbët mund të qëndrojnë të qetë. Kur bëhet fjalë për Mini Shengen, ata kishin disa kundërshtime, ata u përzien me Shengenin, as ne dhe as amerikanët nuk e kuptuam vërtet. Kjo është një marrëveshje e mirë për Serbinë, do të tingëllojë triumfale, nëse them urime, por unë jam sinqerisht i kënaqur dhe të gjithë anëtarët e delegacionit, me atë që kemi arritur.”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu
“Shteti i parë me shumicë myslimane që hap ambasadë në Jerusalem. Siç kam thënë në ditët e fundit, rrethi i paqes dhe i njohjes së Izraelit po zgjerohet dhe shtete të tjera pritet t’i bashkohen atij.”
Peter Stano, përfaqësues i BE-së
“Ne mirëpresim palët në Bruksel këtë fundjavë dhe javën e ardhshme, për të vazhduar punën tonë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me të gjitha çështjet e pazgjidhura në lidhje me marrëdhëniet e tyre, dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë të BE-së.”
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
“E përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të negociuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Trump! Një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin tonë!”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Urime kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi, por vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: dialog për gjithçka, bashkëpunim për çka mundet sot, këmbëngulje për çka duhet nesër!
Lulzim Basha, kryetar i PD-së
“Personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike përshëndes marrëveshjen e arritur mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Një falënderim të veçantë për presidentin Trump dhe SHBA-në, për vëmendjen dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe Ballkanit.”
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim
Një hap i madh përpara për paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor: “Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dyja vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik, në një gamë të gjerë çështjesh.” /Ra.My.Fjala.al/