“Fjala” zbardh detaje të reja në lidhje me vrasjen e 23-vjeçares, nga babai dhe vëllai i saj, 8 vite më parë.
Nëna e viktimës gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për vendndodhjen e vajzës që nga momenti që ka humbur kontaktet me të. Sipas saj bashkëshorti dhe djali, gjatë kësaj kohe nuk kanë folur asnjëherë për Englantinë.
“Kontaktet me vajzën i kam humbur që në vitin 2012. Bashkëshorti dhe djali nuk kanë folur kurrë për të. Kur i pyesja në fillim më thonin që vajza është trafikuar dhe punon si prostitutë, ndaj ajo nuk ka më punë në familjen tonë.Faiku dhe djali, gjithmonë i devijonin pyetjet e mia për vajzën duke ju shmangur, duke më dhënë përgjigje të shkurtra dhe me qetësi. Nuk kam dyshuar kurrë se ata mund të ishin autorë të vrasjes së vajzës”, ka thënë përballë efektivëve të policisë nëna e së ndjerës.
Gjithashtu, gjatë mbrëmjes së kaluar, për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë, në polici janë thirrur edhe 7 familjarë dhe të afërm të familjes Buci, të cilët janë pyetur nëse kanë pasur dijeni mbi ngjarjen e ndodhur më 2012-ën.
Burime policore thanë për “Fjalën”, se të gjithë personat e marrë në pyetje përballë OPGJ-ve, kanë thënë se nuk kanë pasur dijeni për vendndodhjen e vajzës, që prej vitit 2012. Nga hetimet e deritanishme rezulton se vrasja e të resë, është planifikuar nga babai i saj, ndërsa i vëllai ka qenë ekzekutori.
Sipas dosjes hetimore Eglantina Buci është marrë me forcë nga babai dhe vëllai i saj te zona e Freskut, nën kërcënimin e armës, ku më pas është ekzekutuar me armë, pistoletë TT në Malin me Gropa. Menjëherë pas krimit vëllai i viktimës, fillimisht e ka lënë trupin aty dhe është larguar.
Pas tre-katër ditësh, i ati dhe vëllai i viktimës janë rikthyer në vendin e ngjarjes, kanë marrë trupin e pajetë të të resë, e më pas e kanë mbuluar me gurë, rreth 500 metra larg vendit ku e ekzekutuan prej frikës se trupi mund të gjendej nga banorët e zonës.
Eglantina Bucci, u ekzekutua në moshën 23 vjeçe, nga babai dhe vëllai i saj, pasi ata nuk pranuan lidhjen që ajo kishte me një djalë. Ajo ishte larguar nga banesa e prindërve duke bashkëjetuar me të dashurin e saj./Re.Gu/Fjala.al