Pasojat e pandemisë/Ja si mund të ringrihet ekonomia

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dy ekspertë të njohur të ekonomisë, prof.dr Adrian Civici, dhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, analizojnë për gazetën “Fjala” terrenin aktual të ekonomisë shqiptare, të prekur jo pak nga pandemia COVID-19, si dhe sfidat që shtrohen përpara për rimëkëmbjen e saj, tre muaj pas daljes së vendit nga izolimi. Civici dhe Malaj argumentojnë se situata mund të ndryshojë vetëm falë reformave strukturore për përmirësimin e klimës dhe modeleve të biznesit, nxitjes së investimeve publike e private, arsimit profesional dhe kompetencave të burimeve njerëzore.

Tremujori i parë i vitit 2020 ka sinjalizuar rënien më të fortë ekonomike që vendi ka përjetuar të paktën në dy dekadat e fundit. Goditja e dyfishtë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe izolimi i ekonomisë, për shkak të pandemisë COVID-19 në gjysmën e muajit mars, sollën një rezultat mjaft negativ; u dëmtuan disa prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë, si turizmi, transporti, shërbimet kryesisht hoteliere, restorantet dhe bar-kafetë, një pjesë e rëndësishme e industrisë fason, tregtia me pakicë, biznesi familjar dhe ai i vogël etj.

Bizneset e mëdha dhe një pjesë e bizneseve të mesme u treguan megjithatë rezistente ndaj krizës, ndryshe nga bizneset e vogla. Sipas statistikave të fundit, gjatë muajve mars-qershor bizneset e vogla kanë pësuar goditje në punësim, të ardhura dhe konsum. Por çfarë po ndodh konkretisht me ekonominë e vendit? Cilat janë hapat që duhen ndërmarrë për ringritjen e sa, si dhe politikat mbështetëse më të mira në këtë situatë të vështirë, të parashikuar nga institucionet ndërkombëtare? Analizojnë posaçërisht për gazetën “Fjala” dy ekpertë të njohur të ekonomisë, prof.dr Adrian Civici, dhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj.

Intervistoi Blerina Gjoka

 

Adrian Civici: Goditjen më të rëndë nga kriza e COVID-19 e pësuan bizneset e vogla

 

Ekonomia shqiptare po vazhdon t’i ndiejë çdo ditë e më tepër goditjet nga kriza e COVID-19. Cilët janë sektorët që po i vuajnë më shumë pasojat negative?

Tashmë që kanë kaluar mbi 6 muaj nga fillimi i krizës së COVID-19 dhe 3 muaj pas daljes nga izolimi pothujase total social e ekonomik, situata duket e vështirë për sektorë e degë aktivitetesh, si turizmi, transporti, shërbimet, kryesisht ato hoteliere, restorantet dhe bar-kafetë, një pjesë e rëndësishme e industrisë fason, tregtia me pakicë, biznesi familjar dhe ai i vogël etj. Turizmi duket sektori më i prekur. Sipas INSTAT-it, në periudhën 7-mujore janar-korrik 2020, hyrja e turistëve ka qenë rreth 65% më e vogël se një vit më parë në të njëjtën periudhë. Më pak të prekur nga kriza rezultojnë sektori i ndërtimeve dhe sektori bankar.

Lejet e ndërtimit kanë vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të vitit – INSTAT-i raporton se në tremujorin e dytë të këtij viti, që ka qenë edhe piku i goditjes së COVID-19, bashkitë kanë dhënë 209 leje ndërtimi, me rritje 14% kundrejt tremujorit të parë – ndërsa sektori bankar i zgjeroi aktivet e tij me më shumë se 250 milionë euro. Nga ana tjetër, pandemia ka ulur ndjeshëm edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Sipas INSTAT-it, në korrik kanë udhëtuar jashtë vendit rreth 246 mijë shqiptarë, një numër që rezulton 52,3% më i ulët se korriku i vitit të kaluar. Rënia e konsumit dhe aksesi i kufizuar në financime mbështetëse, i ka prekur shumë bizneset e vogla, veçanërisht në sektorin e shërbimeve dhe prodhimit.

Situata filloi të ndryshojë tendencë, megjithëse në përmasa modeste, në muajt korrik dhe gusht, por kthimi i tyre në normalitet duket akoma larg. Sipas Bankës Botërore, “Bizneset e lidhura me furnizimin ushqimor, pijet, ato farmaceutike patën ndikim relativisht më të ulët nga pandemia, ndërsa industria tekstile, fabrikat e mobilieve, riciklimi, prodhimi i energjisë, prodhimi i hekurit dhe çimentos patën një ndikim të mesëm nga pandemia. Bizneset më të goditura ishin shitësit e automjeteve, dyqanet e rrobave, këpucëve, produkteve dhe veshjeve sportive, luleve, dhuratave, pjesëve të makinave, aksesorëve, bizneset dentare, bizneset e lidhura me argëtimin etj.”

A po vërtetohen parashikimet pesimiste të disa institucioneve ndërkombëtare për efektet e rënda të krizës në ekonominë shqiptare për vitin 2020?

Pa dyshim që efektet kryesore negative në bizneset shqiptare i shkaktoi kriza e rëndë e COVID-19 që veç të tjerave, gjeti dhe një situatë ekonomike të dëmtuar nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, i cili u dha një goditje të rëndë bizneseve, sidomos atyre të zonave më të goditura, të cilat korresponduan dhe me zonat më intensive e të përqendruara të bizneseve. Dublimi i efekteve të rënda të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar me efektet shkatërruese të pandemisë së COVID-19, i shoqëruar me një çoroditje dhe tkurrje të ndjeshme të dinamikës ekonomike edhe në partnerët tanë kryesorë ekonomikë e tregtarë, si Italia, Greqia, Kina, Turqia, Gjermania etj., e ashpërsoi akoma më shumë goditjen e krizës, duke bërë që Shqipëria t’i trembet një recesioni të rëndë ekonomik për vitin 2020.

Parashikimet e disa institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, si FMN-ja, BERZH-i apo Banka Botërore, evidentojnë mundësinë e një rënieje ekonomike nga -5 deri në -9%, ndërkohë që parashikimet e Ministrisë së Financave janë për një recesion në nivelet -4,5 -5% për vitin 2020. Edhe pse në muajin korrik, në buxhetin e shtetit u arkëtuan 38 miliardë lekë të ardhura, duke frenuar rënien dyshifrore, të konstatuar në muajt e kaluar, sërish buxheti po vuan goditjen e pandemisë së COVID-19. Në periudhën janar- korrik 2020, nga tatimet dhe doganat u mblodhën 233 miliardë lekë, ose 32 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, shifër kjo e barabartë me 260 milionë euro.

Rënia më e madhe konstatohet tek TVSH-ja, tatimi që siguron rreth 40% të të ardhurave totale në buxhet dhe që dëshmon për konsumin dhe qarkullimin e xhiros në ekonomi. Protokollet e rrepta sanitare anti-Covid, bllokimi i lëvizjes normale të njerëzve, vështirësitë me natyrë tregtare e kontraktore, frenimi dhe ristrukturimi i konsumit, në përputhje me situatat e reja, paqartësitë dhe vonesat në hartimin dhe aplikimin e paketës ndihmëse probiznes apo planit të rimëkëmbjes etj., edhe për muajt në vazhdim duket se do të mbeten faktorë frenues për ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe sektorët e prekur më rëndë në veçanti. Një raport i BEI-t e rendit Shqipërinë si një nga vendet më të ekspozuara ndaj goditjeve të pandemisë edhe për disa muaj në vazhdim.

Duket se goditjen më të rëndë e kanë ndier dhe vazhdojnë ta ndiejnë bizneset e vogla. Cilat janë disa nga shkaqet kryesore të kësaj dukurie?

Statistikat e fundit dëshmojnë se, veçanërisht gjatë muajve mars-qershor, bizneset e vogla kanë qenë nën një goditje mjaft të fortë të krizës, për sa i përket punësimit, numrit të bizneseve të prekura, uljes së të ardhurave dhe tkurrjes së konsumit. Ndërsa bizneset e mëdha që kanë mundur të rezistojnë më mirë ndaj goditjeve të krizës, po e normalizojnë aktivitetin e tyre në parametrat mesatarë vjetorë, si dhe po e shtojnë gradualisht numrin e të punësuarve.

Bizneset e vogla rezultuan me shkallë të ulët rezistence përballë goditjeve të krizës: rënie e konsumit, ulje e xhiros, akses i kufizuar në financime, rënie e ndjeshme e fuqisë blerëse të klientëve, nevoja të paplotësuara për likuiditet për pagat dhe detyrimet ndaj furnitorëve, akses i limituar në garancinë sovrane, model biznesi i papërshtatshëm, shkallë e lartë informaliteti, nivel i ulët produktiviteti dhe formimi profesional, gjendje e paqëndrueshme financiare, pamundësi pagesash detyrimesh gjatë këtyre muajve të vështirë etj. Paketat financiare ndihmëse si “Paketa A” dhe “Paketa B”, të orientuara më shumë në mbështetjen sociale dhe ndihmës për papunësinë, bënë që rreth 65000 të punësuar në bizneset familjare dhe ato të vogla dhe rreth 38000 biznese të përfitonin fillimisht nga 26000 lekë/muaj për një periudhë 3-mujore dhe pastaj një pagesë tjetër prej 40000 lekësh për një muaj.

Kjo ndihmë direkte për mbëshetjen e pagave bëri që situata e këtyre bizneseve të ruante statu quo-në formale të tyre dhe të krijonte imazhin se periudha e vështirë po kalonte, duke shpresuar kthimin në normalitet në muajt në vazhdim. Por, realiteti rezulton ndryshe. Kjo dëshmon se problematika e këtyre bizneseve nuk është 100% konunkturore, e lidhur eskluzivisht me efektet e pandemisë, por është në një masë të konsiderueshme strukturore, e ndikuar drejtpërdrejt nga modeli i tyre i biznesit, shkalla e informalitetit, mospërshtatja me tregun dhe konkurrencën, nivelin e teknologjisë dhe aftësitë rigjeneruese e përshtatëse me zhvillimet e reja post COVID-19, në mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të biznesit etj.

Numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar po vjen në rënie edhe si pasojë e konkurrencës nga qendrat e mëdha tregtare, rrjetet e supermarketeve, orientimi drejt blerjeve online etj. Në Shqipëri, bizneset e vogla me 1-4 të punësuar, sigurojnë jetesën e rreth 151 mijë njerëzve, ose gati 30% të totalit të të punësuarve në sektorin privat. Shqipëria ka si karakteristikë dhe nivelin e lartë të vetëpunësimit, me gati 35% të totalit, më i larti në rajon.

Si shpjegohet fakti që bizneset e mëdha dhe një pjesë e bizneseve të mesme u treguan më rezistente ndaj krizës?

Situata duket më e stabilizuar dhe me perspektiva më pozitive për bizneset e mëdha, dhe një pjesë të bizneseve të mesme. “Të mëdhenjtë”, veçanërisht bizneset e mëdha, u mbështetën tek efektet pozitive tek “ekonomia e shkallës”, si dhe mundësitë e mëdha për akses në financim dhe krijimin e rezervave financiare jetike në këtë periudhë krize, të cilat iu mundësuan “rezistencën” për mbylljen e përkohshme të aktiviteteve të tyre dhe rifillimin gradual të aktivitetit ë tyre që në fillim të muajit qershor 2020, duke përmirësuar edhe treguesit e punësimit.

Bizneset e mëdha reaguan shpejt ndaj mbylljes së ekonomisë në muajt mars-maj 2020. Bizneset e mëdha mundën që në muajin prill të nxjerrin listëpagesat për rreth 30000 punonjës, duke bërë të mundur lehtësimin dhe transparencën e procedurave për të përfituar pagesën prej 40000 lekësh për një pjesë të madhe të punonjësve të tyre, të larguar nga listat e sigurimeve shoqërore në muajt mars, prill dhe maj 2020. Biznesi i madh rezulton përfituesi kryesor i fondit të garancisë sovrane të akorduar nga qeveria shqiptare, në marrëveshje me bankat tregtare në vend.

Interesi i biznesit, sidomos atij të vogël dhe të mesëm për programin e dytë të garancisë sovrane, ishte i ulët ose i vështirë për t’u shfrytëzuar, sepse nga instrumenti i garancisë sovrane u përjashtuan bizneset me kredi të këqija ose ato që kanë përfituar më parë pagesa nga qeveria për llogari të punonjësve të tyre.

Përfituesit më të mëdhenj të këtij fondi rezultuan bizneset e mëdha në fushën e ndërtimit, medias, hoteleri-turizmit, koncesioneve e PPP-ve, fasonit, sektorit të shërbimeve shëndetësore, sektorit të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të kromit, nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës, ndërtimeve të mëdha në infrastrukturë, prodhimit të energjisë etj. Megjithatë, edhe biznesi i madh nuk u shpëtoi efekteve negative dhe goditjes së rëndë të krizës. Gjatë periudhës mars-korrik 2020, 320 biznese të mëdha pothujase e pezulluan tërësisht aktivitetin e tyre.

Duke i gjykuar “post-factum” paketat ndihmëse “A” dhe “B”, si vlerësohet eficenca e tyre në mbrojtjen e biznesit? Cilat janë disa nga politikat mbështetëse më të mira në këtë situatë?

Në substancën dhe përmbajtjen e tyre, natyrisht brenda mundësive reale financiare të vendit në këtë situatë, paketat mbështetëse “A” dhe “B”, pavarësisht përmasave relativisht të reduktuara të tyre, deri diku të krahasueshme me vendet e rajonit, synonin një mbështetje të kombinuar dhe të shpërndarë në tri drejtime kryesore: mbështetjen e sektorit dhe nevojave sanitare e shëndetësore; mbështetjen sociale për papunësinë; mbëshetjen e aktivitetit të bizneseve, kryesisht nëpërmjet kredisë sovrane të garantuar dhe lehtësimeve fiskale, si dhe anulimit të disa detyrimeve të prapambetura.

Eficenca e tyre mund të konsiderohet e ndjeshme në mbështetjen e shërbimeve shëndetësore, relativisht e vogël dhe e përkohëshme në mbrojtjen sociale dhe papunësinë, megjithëse ky ishte dhe objektivi kryesor i dy paketave mbështetëse, dhe e paadresuar në mënyrë eficente në funksion të nevojave imediate dhe strukturore të bizneseve (bazuar edhe në kërkesat e adresimet e tyre të vazhdueshme kundrejt madhësisë dhe përmbajtjes së këtyre paketave ndihmëse), sidomos të të vetëpunësuarve dhe bizneseve të vogla. Megjithatë, duhet nënvizuar fakti se për situatën specifike dhe periudhën kur u aplikuan këto paketa ndihmëse, efekti i tyre ishte përgjithësisht pozitiv në përballimin e disa prej efekteve negative të fazës së parë të krizës, që korrespondon me periudhën mars-qershor 2020.

Lexo edhe :  Vuçiç në Tiranë: Do na sulmojnë për Rusinë, por ka shpresë për zgjerimin

Referuar situatës aktuale të biznesit dhe zhvillimeve të pritshme për periudhën në vazhdim, në 6-12 muajt e ardhshëm, është e nevojshme një ndërhyrje tjetër afatshkurtër në formën e një pakete “C”, dedikuar ekskluzivisht bizneseve, e kombinuar me një plan të plotë e të qartë rimëkëmbjeje afatmesëm, 2-3-vjeçar, në themel të të cilit të jenë rimëkëmbja e sipërrmarjes, nxitja e punësimit, incentivat fiskalë, reforma strukturore për përmirësimin e klimës së biznesit, nxitja e investimeve publike e private, përmirësimi i modeleve të biznesit, teknologjitë e reja dhe inovacionet, përmirësimi i arsimit profesional dhe kompetencave të burimeve njerëzore.

Somario

Goditjen më të rëndë, veçanërisht në periudhën mars-qershor 2020, e pësuan bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit. Një pjesë e tyre duket se po japin disa sinjale modeste ringritjeje, megjithëse për shumë biznese të vogla, situata problematike e mbajtjes në funksion të aktivitetit vazhdon akoma. Bizneset e mëdha, një pjesë e të cilave u godit ndjeshëm nga kriza, kanë mundur të rezistojnë disi më mirë ndaj goditjeve të saj.

Arben Malaj: Ekonomia nuk mund të ringrihet pa ndihmën e konsumit dhe investimeve

 

Ekonomia shqiptare po vazhdon t’i ndiejë çdo ditë e më tepër goditjet nga kriza e COVID-19. Aktualisht, cilët janë sektorët apo aktivitetet që po i vuajnë më shumë pasojat negative?

Bazuar në natyrën e panatyrshme të krizës së COVID-19, si edhe nga dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, ishte paralajmëruar se ekonomia shqiptare do të dëmtohej rëndë, në qoftë se do të përballej me një krizë të re. Prandaj rënia ekonomike në Shqipëri, e parashikuar në nivel nga minus 9% të GDP-së deri në 12 % të saj, rezulton më e larta midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga mbyllja totale e kufijve dhe ndërprerja e zinxhirit global të mallrave, sektorët më të prekur direkt në ekonominë shqiptare janë: turizmi, fasoni dhe eksportet.

Indirekt COVID-19 ka një ndikim negativ edhe në sektorë të tjerë, si bujqësia, agrobiznesi dhe agro-turizmi dhe disa sektorë të shërbimeve. Ajo që nuk duhet nënvleftësuar dhe duhet përthithur si një mundësi në rritje, është fakti se sektori tradicional i shërbimeve është prekur ndjeshëm, por është rritur më shumë sektori i shërbimeve në ekonominë e dijes, ku kreun e vendit e zënë shërbimet on line në industrinë bankare dhe financiare, shitjet on-line. Shërbimet on-line për kujdesin shëndetësor dhe të mirarsimimit, do të krijojnë më shumë vende pune e, ndoshta, edhe me paga më të larta se sektori tradicional i shërbimeve. Jo rastësisht “Amazon” vlerësohet kompania që është rritur më shumë si volum pune dhe si fitime, gjatë COVID-19.

Goditja e turizmit ka sjellë efekt domino në ekonomi. Kjo bazuar në faktin që rënia me 70-80% e numrit të turistëve do të thotë rënie me 70-80 % e “konsumit turistik”. Bazuar në tregues të qeverisë për vitin e kaluar, ishin rreth 5 milionë turistë, rezulton se në 2020 janë ose 3,5 deri ne 4 milionë më pak turistë, pra janë rreth 4 milionë më pak konsumatorë të shërbimeve turistike, por edhe të prodhimeve të bujqësisë, agroturizmit dhe agrobiznesit. Efekte negative ka edhe shërbimi i transportit, nga taksitë deri te transporti në shërbim të turistëve. Mbyllja e dëmtoi rende industrinë e fasonit dhe solli goditje të rëndë në uljen e punësimit dhe rritjen e papunësisë.

Mbyllja ndoshta ka ulur edhe konsumin e produkteve të fasonit që janë mallra konsumi, si këpucë dhe veshje. Këtu humbjet financiare bëhen të rënda për keto kompani dhe duhen paketa mbështetëse për të amortizuar kostot e COVID-19. Eksporti i mineraleve është goditur nga rënia e kërkesës së përgjithshme / kërkesës agregate në tregjet globale. P.sh., ka të dhëna për uljen e shitjeve të autoveturave, por kjo mund të gjendet edhe në rënien e përgjithshme të aktivitetit ekonomik, e cila redukton nevojat për naftë, por edhe për minerale, si kromi, hekur nikeli, bakri etj.

Pikërisht se ra konsumi i naftës dhe kostoja e rinisjes së nxjerrjes pas ndërprerjes, ishte shumë e lartë, çmimet e naftës rezultuan në bursa me vlerë negative, sepse kompanitë e prodhimit paguanin depozituesit për të rritur kapacitetet depozituese, vetëm që ata të mos ndërprisnin prodhimin. Dëmtimi i sektorit të eksporteve, veç rritjes së papunësisë uli investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë dhe uli të ardhurat në valutë.

 

Duket se goditjen më të rëndë e kanë ndier dhe vazhdojnë ta ndiejnë veçanërisht bizneset e vogla. Përse po ndodh një dukuri e tillë?

 

Goditja te biznesi i vogël vjen nga rënia e blerëseve, si për shkak të tkurrjes së popullsisë, sidomos nga emigrimi i fuqisë aktive të punës, por edhe nga rritja papunësisë dhe varfërisë. Kjo sepse mbështetja buxhetore për papunësinë, paaftësinë dhe varfërinë është në nivel mbijetese. Kriza COVID-19 dëmtoi të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve dhe fuqinë konsumatore dhe investuese të bizneseve.

Shqetësuese në vitet e ardhme do të jenë trendet demografike të vendit, pasi paqartësitë dhe pasiguritë në rritje nga COVID-19 po ushqehen edhe nga kriza e keqqeverisjes dhe kriza e gjatë politike në vend. Nxitja e konsumit që mund t’i ushqejë shitjet e bizneseve të vogla, kërkon politika aktive të punësimit dhe politika efektive të kohezionit dhe solidaritetit social. Pa u rritur të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve, është e vështirë të shpresosh se mund të ketë rritje të konsumit të popullatës. Ndërsa rritja e konsumit nëpërmjet rritjes së borxheve, sidomos të borxheve me kredi konsumatore që ka kosto të rënda / norma të larta interesi, mund të ushqejë një krize të re financiare për individët dhe familjet e tyre.

Si shpjegohet fakti që bizneset e mëdha dhe një pjesë e bizneseve të mesme u treguan më rezistente ndaj krizës dhe tashmë duken relativisht më të stabilizuara e jashtë rreziqeve të rënda në perspektivën afatshkurtër e afatmesme të zhvillimit të tyre?

 

Duhet të pranojmë se në ciklin ekonomik ka një ndërlidhje midis biznesit të madh, të mesëm dhe të vogël, sidomos lidhur me punësimin dhe konsumin. Biznesi i madh dhe i mesëm me të ardhurat nga punësimi dhe me blerjet e mallrave dhe shërbimeve nga biznesi i vogël, ushqen rritjen e tij. Gjatë krizave, kur biznesi i mesëm dhe i madh teshtin, biznesi i vogël tronditet. Biznesi i mesëm dhe i madh ka më shumë ekspertizë për t’i identifikuar risqet e goditjeve të jashtme, të njohë dhe të aplikojë për paketat lehtësuese apo kreditë e buta me garanci sovrane, por mbijetesa e tyre do të kushtëzohet nga investimi që do të bëjnë, që bizneset e tyre të jenë sa më konkurruese dhe sa me vibrante përballë goditjeve të jashtme dhe krizave të brendshme.

Qeveria me politikat e saj proaktive të punësimit, me reformat strukturore të mirëqeverisjes duhet t’i lehtësojë bizneset nga çdo kosto shtesë administrative, tatimore, por edhe nga kostot e keqqeverisjes dhe bllokimi i procesit të integrimit evropian. Bllokimi i këtij procesi mund t’i zbehë apo spostojë jo vetëm në kohë, investimet serioze vendase dhe të huaja, duke vonuar apo dëmtuar ristrukturimin produktiv të ekonomisë shqiptare, pasi ekonomia jonë, siç tregoi edhe goditja nga COVID-19 është shumë vulnerabël përballë luhatjeve dhe goditjeve nga jashtë, por dhe nga krizat sociale e politike në vend.

Kjo goditje kaq e rëndë ndaj biznesit në përgjithësi është totalisht e shkaktuar nga kriza e koronavirusit, apo kjo krizë, në një farë mënyre, përshpejtoi dhe thelloi një moment të vështirë që po kalonte ekonomia dhe bizneset në Shqipëri?

 

Tërmeti i 26 nëntorit dhe COVID-19 kanë impaktin e tyre negativ mbi ekonominë shqiptare, por edhe pa këto Shqipëria po ecte në mënyrë të papërgjegjshme drejt një krize të borxheve të rënda të 4P-ve / partneriteteve publike private preferenciale. Rënia e rritjes ekonomike kishte filluar që përpara tërmetit, borxhi po rritej, borxhi i fshehur dhe i falsifikuar, nëpërmjet “novacioneve financiare” po behej shqetësim i shprehur edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Qeveria po injoronte çdo kërkesë të tyre për të rishikuar 4P-të dhe për të ulur kostot e rënda dhe afatgjata të partneriteteve publike private preferenciale, si edhe të korrupsionit epidemik dhe kapjes së shtetit.

 

Duke i gjykuar tashmë “post-factum” paketat ndihmëse e mbështetëse të qeverisë shqiptare, si mund të vlerësohet eficenca dhe efekti i tyre në mbrojtjen e ekonomisë dhe biznesit për përballimin e efekteve të krizës?

 

Paketat e qeverise shqiptare ishin të paqarta, të pamjaftueshme dhe joefektive. Një studim i financuar nga fondacioni Soros në Shqipëri, që analizon strukturën madhësinë dhe efikasitetin e paketave anti-Covid, evidenton disa probleme konkrete që qeveria duhet t’i marrë në konsideratë dhe të bëjë korrigjimet dhe përmirësimet e nevojshme.

 

Çfarë duhet të bëjmë përballë kësaj situate mjaft shqetësuese? Cilat janë politikat dhe masat mbështetëse më të përshtatshme, për ta përballuar këtë gjendje dhe për t’u rikthyer në normalitet?

Lidhur me paketat anti-Covid, ato duhet të nxisin punësimin me fokus kryesor jo pagesën e luftës, por subvencionimin pjesor të pagave për kompanitë që mbajnë mbi 85% të punonjësve të tyre. Lufta më e mirë kundër papunësisë është punësimi, pagesa e papunësisë duhet të jetë sa më e shkurtër në kohë, ndërsa trajnimi dhe ritrajnimet duhet të ngushtojnë mospërputhjet midis ofertës dhe kërkesës së punës që ushqehen nga problemet strukturore të ekonomisë shqiptare. Pagesa për varfërinë duhet të jetë e qartë, e denjë dhe sa më efektive, pasi ajo ka një efekt të ndjeshëm në ulje e arsyeve të arsyeshme të braktisjes së vendit.

Ekonomia shqiptare nuk mund të ringrihet pa ndihmën e konsumit dhe investimeve të individëve dhe biznesit. Mbështetja e biznesit duhet të jetë e drejtpërdrejtë dhe në masën e nevojshme. Për shkak se garancia sovrane eci shumë ngadalë, duhet përdorur me përgjegjësi dhe efikasitet ndihma shtetërore për kompanitë publike, siç po e aplikojnë shumë vende të BE-së.

 

Çfarë masash duhet të marrë qeveria për rimëkëmbjen e ekonomisë gjatë dhe post-Covid? Pse po heziton të miratojë paketën e rimëkëmbjes, të premtuar që në fund të majit?

 

Më duhet të ritheksoj publikisht se përballja e suksesshme me COVID-19 duhet të ketë në qendër të saj efektin pozitiv lidhur me përditshmëritë. Kjo nënkupton që mazhoranca duhet të bëjë maksimumin që të eliminojë paqartësitë dhe pasiguritë që ushqehen nga ambienti i rënduar social dhe politik në vend. Ajo duhet të bëjë të pamundurën për të eliminuar çdo vonesë apo pengesë në procesin e integrimit evropian të vendit, duke filluar nga plotësimi i 15 kushteve dhe eliminimi i krizës aktuale që po vonon apo bllokon çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, gjatë presidencës gjermane.

Pa këto parakushte dhe pa luftuar korrupsionin epidemik dhe kapjen e shtetit, asnjë paketë financiare, sado e madhe të jetë, nuk e ndihmon ekonominë shqiptare të ndalë përkeqësimin e saj, të fillojë ringritjen dhe t’i kthehet sa më parë rritjes ekonomike të shëndetshme. Kjo për një arsye fare të thjeshtë. Pasiguritë dhe paqartesitë për ecurinë e COVID-19 janë shtuar edhe nga pasiguritë për zhvillimet politike në vend dhe nga risku i zgjatjes së krizës politike aktuale, e cila mund t’i sigurojë Ramës mbijetesë të përkohshme, por e bën krizën aktuale më të rëndë dhe më të gjatë.

Somario:

Mazhoranca duhet të bëjë maksimumin që të eliminojë paqartësitë dhe pasiguritë që ushqehen nga ambienti i renduar social dhe politik në vend. Ajo duhet të bëjë të pamundurën për të eliminuar çdo vonesë apo pengesë në procesin e integrimit evropian të vendit, duke filluar nga plotësimi i 15 kushteve dhe eliminimi i krizës aktuale që po vonon apo bllokon çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, gjatë presidencës gjermane. Pa këto parakushte dhe pa luftuar korrupsionin epidemik dhe kapjen e shtetit, asnjë paketë financiare, sado e madhe të jetë, nuk e ndihmon ekonominë shqiptare të ndalë përkeqësimin e saj. /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Ja disa mënyra se si të gjesh emra të përsosur për bebusha

Sot, ka miliona emra, por si ta gjesh të duhurin për fëmijën tënd, për nipin, mbesën, fëmijën e shoqes...

Po nuk ndryshuat, do jeni knock out me zgjedhjet e Tiranës!

Ben Andoni Do jetë e vështirë që kryeministri Rama pas këtij pushteti të madh të ardhur pas zgjedhjeve 2025 për të ruajtur një status quo...

VIDEO/ Aksident i frikshëm në Formula 1, makina shpërbëhet si të ishte prej kartoni

Provat zyrtare në Çmimin e Madh të San Marinos në Formula 1 kanë regjistruar disa momente antkhi në tribuna, pas një aksidenti drithërues. Juki Tsunoda...

Tornado dhe stuhi të fuqishme godasin SHBA/16 viktima dhe mbi 700 mijë banesa pa energji

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e tornadove dhe stuhive të fuqishme që përfshinë pjesën qëndrore të Shteteve të Bashkuara nga...

‘SPAK kontrolloi disa lokale para zgjedhjeve’/Kandidati socialist në ‘telashe’nga hetimet

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka dhënë një analizë të thelluar mbi zgjedhjet e fundit, duke theksuar se procesi nuk...

Lajme të tjera

Web TV