Rihapja e shkollave/Nëntë pyetjet shqetësuese, ja si do të bëhet mësim në kohë Covid-i

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rihapja e shkollave dhe kthimi i nxënësve në banka në 14 shtator, ka sjellë reagime nga figura të ndryshme, për sa i përket mënyrës se si do të realizohet mësimi gjatë kësaj periudhe pandemie. A do të preken nxënësit në formim, për shkak të këtij “realiteti të ri”, të ofruar për ta në mësimëdhënie, dhe sa të rrezikuar do të jenë prej virusit, i cili është ende në qarkullim. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Fiqiri Çifliku, përgjegjës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në vend, u përgjigjet 9 pyetjeve shqetësuese që lidhen me zhvillimin e mësimit në kohë Covid-i.

Nga Ina Allkanjari

 

Pandemia COVID-19 goditi sistemin arsimor në Shqipëri, ku prej datës 9 mars shkollat mbyllën dyert për mijra nxënës në vend, për shkak të përhapjes së virusit. Kthimi i nxënësve në shkollë, ishte një ndër prioritetet e Ministrisë së Arsimit, ndaj dhe u hartua një udhëzues ku përcaktohen masat e marra për rikthimin e nxënësve në bankat e shkollës në 14 shtator. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Fiqiri Çifliku, përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, u përgjigjet 9 pyetjeve shqetësuese që lidhen me rihapjen e shkollave, dhe me mënyrën se si do të zhvillohet mësimi në këtë periudhë pandemie. Çifliku tregon se si do të realizohet mësimi me turne, dhe se sa do preken nxënësit në formim, për shkak të këtij “realiteti të ri”, të ofruar për ta në mësimëdhënie.

Një tjetër problematikë e diskutuar së fundmi ka të bëjë me rritjen e numrit të orëve të mësimit për mësuesit në shkollat shqiptare, si pasojë e mësimit me turne. Problem i cili u shoqërua me pyetje që lidhen me mbështetjen financiare ndaj mësuesve të cilët do të punojnë me orë të tejzgjatura.

Çifliku shprehet se në raste të tilla, për këto kategori mësuesish, është menduar një buxhet shtesë, nëse do të kalojnë normën e tyre mësimore. Për sa u përket masave të përcaktuara për të parandaluar përhapjen e virusit në ambientet e shkollës, gjatë momentit të hyrjes në shkollë, nxënësit do të vendosen në radhë një nga një, me largësi 2 metra, teksa personi përgjegjës i stafit të shkollës do të realizojë matjen e temperaturës më termometër digjital, do të sprucojë duart e nxënësve me alkool ose dezinfektantë.

 

Sa i zbatueshëm mendoni se do të jetë udhëzuesi i publikuar nga MASR-ja, në kuadër të hapjes së shkollave të arsimit parauniversitar?

Udhëzuesi i vitit shkollor 2020-2021 synon të jetë fleksibël në planifikimin dhe organizimin e procesit mësimor, duke pasur në fokus të tyre, sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve dhe mësuesve brenda institucionit arsimor, duke respektuar masat dhe rregullat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Në udhëzues janë parashikuar tre skenarë që shkollat mund t’i zbatojnë, në varësi të numrit të nxënësve dhe infrastrukturës që kanë. Në vendin tonë ka shkolla që mund ta zhvillojnë mësimin normalisht (kryesisht shkollat që janë në zona rurale të vendit dhe kanë një numër të vogël nxënësish, kurse në shkollat e tjera mësimi mund të zhvilloheti i ndarë në turne, gjithçka është në varësi të numrit të nxënësve që ka secila shkollë.

 

Cili nga tre skenarët e hartuar nga Ministria e Arsimit mendoni se do të jetë funksional më së shumti në shkolla?

Skenarët e hartuar janë fleksibël dhe zbatimi i tyre do të varet dhe nga situata e krijuar në vend, në varësi të ecurisë së numrave të të infektuarve dhe shkallës së përhapjes së pandemisë. Mund të ndodhë që brenda një qyteti të zbatohen skenarë të ndryshëm; disa shkolla mund të zbatojnë njërin prej varianteve të shprehura dhe shkolla të tjera mund të kombinojnë variantet e përshkruara në udhëzues, në varësi të numrit të nxënësve dhe situatës së krijuar. Shkollat kanë fleksiblitet në orare dhe modifikimin e orareve, në varësi të specifikave që kanë. E rëndësishme është që të tre skenarët synojnë të ofrojnë arsim cilësor, mirëqenie (shëndet mendor dhe mbështetje psiko-sociale) për nxënësit dhe mjedise të sigurta.

 

Si do të realizohet mësimi me turne, a kanë shkollat në vend staf të mjaftueshëm për t’i kryer siç duhet orët mësimore?

Shkollat në varësi të mjediseve që kanë në dispozicion dhe në varësi të numrit të nxënësve për klasë, mund të zhvillojnë mësimin me turne, të ndarë me nënturne brenda tyre. Orët mësimore do të zhvillohen me dy orë të njëpasnjëshme dhe, në varësi të kushteve, do të jenë edhe të shkurtuara. Mësimi do të zhvillohet me mësuesit e shkollës dhe në varësi të orëve mësimore, sidomos në shkollat që kanë numër të lartë nxënësish, do të angazhohen edhe mësues shtesë. MASR-ja i ka marrë të gjitha masat për të mbuluar çdo minutë mësimore që do të krijohet, për shkak të krijimit të grupeve mësimore, për shkak të distancës që duhet të ruajnë nxënësit sipas protokollit.

Lexo edhe :  “Kemi një mekanizëm primitiv”, Celibashi: Duhet votim dhe numërim elektronik

 

Mendoni se do të penalizohen nxënësit, për sa i përket pjesës së formimit, në ato shkolla ku mësimi do të zhvillohet me orar të përgjysmuar?

Të tre skenarët e hartuar dhe miratuar nga MASR-ja, synojnë të ofrojnë arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, mirëqenie dhe mjedise të sigurta për nxënësit dhe mësuesit e shkollës dhe, në varësi të situatës, do të hartohen udhëzues apo do të ofrohen trajnime të ndryshme, duke pasur në fokus nxënësin e shkollës. Ne synojmë cilësinë në mësimdhënie/mësimnxënie, sipas të tre skenarëve të ofruar, duke mos cenuar aspak njohuritë apo aftësitë e fituara dhe përvetësuara nga nxënësit. Sigurisht që procesi mësimor nuk do të ndalet vetëm brenda mureve të klasës, por do të vijojë edhe në distancë. Aktualisht, ka nisur një proces trajnimi me të gjithë mësuesit për të zbatuar planet mësimore të cilat janë hartuar posaçërisht për këtë situatë jo normale.

 

A do të ketë një buxhet shtesë për mësuesit që do të punojnë me orare të zgjatura?

Siç e përmenda dhe më lart, mësimi do të zhvillohet kryesisht nga mësuesit e shkollës dhe, në varësi të kushteve të krijuara, është menduar dhe për një buxhet shtesë për mësuesit që do ta kalojnë normën e tyre mësimore, duke marrë pagesë suplementare për çdo orë mësimore të zhvilluar. Në varësi të skenarëve që do të zbatohen nga shkolla, do të vlerësohet dhe numri i mësuesve shtesë apo i orëve suplementare në çdo shkollë. MASR-ja ka marrë të gjitha masat që të mbulojë çdo orë mësimore shtesë me mësuesit e shkollës apo mësues të tjerë që do të duhen.

 

 

Në udhëzim thuhet se nxënësve do t’u matet temperatura dhe do t’u dezinfektohen duart para mësimit. Si mund të kryhet gjithë ky proces?

Drejtoritë e shkollave do të caktojnë një person përgjegjës së bashku me personelin mjekësor të shkollës për të matur temperaturën dhe vlerësuar çdo nxënës në shkollë. Në çdo rast të evidentuar me temperaturë, do të njoftohen prindërit nëpërmjet telefonit dhe do të zbatohen protokollet e miratuara.

 

A do të ketë tamponë në dispozicion për mësuesit?

Në lidhje me tamponët në dispozicion për mësuesit, duhet të sqarojmë se kjo është një çështje që i takon Komitetit Teknik të Ekspertëve në Ministrinëe Shëndetësisë, mënyra se si do të testohen apo periudha kohore e kryerjes së tamponëve, është një çështje që mbetet ende për t’u diskutuar dhe vlerësuar nga ekspertët e shëndetësisë.

 

Sa maska, dezinfektantë janë në dispozicion për çdo shkollë?

Përdorimi i maskave nga nxënësit është një tjetër çështje që do të vendoset nga ekspertët e shëndetësisë. Nga MASR-ja janë marrë masat për sigurimin e maskave dhe dezinfektantëve për të gjitha institucionet arsimore. Në këtë proces janë ofruar edhe donatorë të ndryshëm, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre. Shpërndarja e tyre është duke u kryer në çdo zyrë arsimore dhe do të jetë në varësi të numrit të nxënësve dhe nevojave të çdo shkolle.

 

Sa të vështirë do ta kenë mësuesit zbatimin e udhëzimit , veçanërisht në rastet kur klasat do të ndahen?

Sigurisht, jemi në një situatë jo të zakonshme dhe vetëkuptohet që do të shoqërohet me një sërë vështirësish. Një gjë garantojmë, që stafi i mësuesve është tejet i angazhuar dhe nga institucionet tona po punohet intensivisht me trajnime, në lidhje me zbatimin e programeve dhe planeve në këtë situatë të re të krijuar. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë mësuesit dhe aktorët që po marrin pjesë në këtë proces dhe të kërkoj edhe mirëkuptimin tuaj për të shpërndarë informacion korrekt dhe të dobishëm për të gjithë. /Ra.My.Fjala.a/

 

Të fundit

Ja disa mënyra se si të gjesh emra të përsosur për bebusha

Sot, ka miliona emra, por si ta gjesh të duhurin për fëmijën tënd, për nipin, mbesën, fëmijën e shoqes...

Po nuk ndryshuat, do jeni knock out me zgjedhjet e Tiranës!

Ben Andoni Do jetë e vështirë që kryeministri Rama pas këtij pushteti të madh të ardhur pas zgjedhjeve 2025 për të ruajtur një status quo...

VIDEO/ Aksident i frikshëm në Formula 1, makina shpërbëhet si të ishte prej kartoni

Provat zyrtare në Çmimin e Madh të San Marinos në Formula 1 kanë regjistruar disa momente antkhi në tribuna, pas një aksidenti drithërues. Juki Tsunoda...

Tornado dhe stuhi të fuqishme godasin SHBA/16 viktima dhe mbi 700 mijë banesa pa energji

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e tornadove dhe stuhive të fuqishme që përfshinë pjesën qëndrore të Shteteve të Bashkuara nga...

‘SPAK kontrolloi disa lokale para zgjedhjeve’/Kandidati socialist në ‘telashe’nga hetimet

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka dhënë një analizë të thelluar mbi zgjedhjet e fundit, duke theksuar se procesi nuk...

Lajme të tjera

Web TV