Nga Lorela Garuli
Çfarë është hiperseksualizimi i fëmijëve? Është tendenca (e gabuar) ku fëmijët nxiten të sillen, flasin, veprojnë, vishen si më të rritur. Është mbivlerësimi dhe mbiekspozimi ndaj aspektit sensual dhe seksual të personalitetit të fëmijës, që është i papërshtatshëm për moshën dhe zhvillimin e vet.
?️Një fëmijë në kopsht që pyetet a ka “të dashur”.
?️ Një djalë që i thonë se kur të rritet “do bëjë namin” me vajzat.
?️Një vajzë që nxitet dhe përkrahet të lyhet, vishet dhe sillet si e rritur.
?️Vajza të vogla me këpucë me taka, buzëkuq, veshje që imitojnë ato të grave, kërcime/lëvizje sensuale.
?️Djem që heqin dorë herët nga loja, pasi nxiten të sillen “si burra”, të flasin me fjalor të papërshtatshëm, të ngacmojë/ofendojnë vajzat.
⚠Media dhe rrjetet sociale kanë një rol gjithnjë e më të madh në përcjelljen e kësaj qasjeje jo pozitive në edukim.
Rreziku i kësaj mënyre është që krijon jo vetëm pritshmëri jorealiste për pamjen, por vë theksin në mënyrë të ekzagjeruar tek pamja dhe estetikja.
❗Imazhi mund të bëhet mënyra kryesore për të tërhequr vëmendjen dhe për të marrë konfirmim social (për vajzat), ndërkohë djemtë mund të zhvillojnë një formë maskilizmi, ku mënyra kryesore për të ndërtuar marrëdhëniet, do të jetë ajo seksuale.