6 mijë euro për të liruar të burgosurin/ Gjyqtarja Margjeka rebelohet në momentin e shoqërimit

Është shoqëruar me tension shoqërimi i gjyqtares Mimoza Margjeka. E irrituar ajo thotë se shoqërimi është bërë në kundërshtim me ligjin.

Gjyqtarja Margjeka është përplasur me policët, të cilët e kanë shoqëruar këtë mesditë për në Gjykatën e Posaçme, për t’u marrë në pyetje mbi akuzën për korrupsion.

Gjyqtarja iu është drejtuar me një gjuhë të ashpër policëve, duke thënë se e dërguan në bodrumin e një gjykate tjetër dhe jo te Gjykata e Posaçme.

Pjesë nga debati i gjyqtares me policët dhe gazetarët:

Margjeka: Kam 1 vit që pres që këta të vijnë të më arrestojnë. Jam e kënaqur që e bënë.

Polici: Të lutem

Gjyqtarja: Më jep urdhrin, se i bëni gjërat kështu. Është e frikshme situata juaj. Mos fol mo zotëri, pse flet? Ti bërë punën tënde. Më trego urdhrin e shoqërimit. Pse i bëni gjërat mbrapa? Ju nuk dinit ku do më çonit, është e turpshme. Më çuan në bodrumin e gjykatës, ju thashë ‘ku më çoni, se kam frikë nga ju’.

Bashkëshorti i gjyqtares Mimoza Margjeka, Arben Cara, dhe dy të dyshuarit e tjerë për korrupsion në Durrës Nejton Bali dhe Klaudio Zhilla kanë dalë këtë të shtunë para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Ata akuzohen se janë bërë pjesë e një skeme korrupsioni prej 6 mijë eurosh për lirimin e të paraburgosurit Orion Bali, ndaj të cilit rëndonte akuza e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Nejton Bali ishte vëllai i të burgosurit, ndërsa Zhilla dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit.

Kanë qenë telefonata e Balit me nënën në përpjekje për të siguruar paratë që zbuloi korrupsionin. Pjesë e skemës korruptive ishin edhe gjyqtarja Mimoza Margjeka dhe avokati Skënder Demiraj. Këto dy të fundit janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa bashkëshorti i saj Arben Cara dekan i fakultetit të Juridikut në Universitetin e Durrësit, i cili mori në dorë lekët dhe dy sekserët Nejton Bali dhe Klaudio Zhilla u vendos “arrest me burg”./Bl.Ba/Fjala.al

Lexo edhe :  9 milionë turistë deri në gusht, një e treta ishin nga Kosova, Rama kritika për plazhet

>