Nga Roland Qafoku
Ish-nënkryetarja e PD-së dhe ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në një intevistë ekskluzive, analizon situatën politike në vend dhe, mbi të gjitha atë çfarë po ndodh brenda PD-së. Çfarë mendimi ka për kreun aktual të PD-së, Lulzim Basha, duke e cilësuar si të blerë, por edhe kritikat për Berishën… Përse refuzoi të ishte sërish pjesë e PD-së, pas propozimit nga anëtarësia dhe rrëfimi për jetën private.
Të bëheshe numri dy i rëndësishëm i Partisë Demokratike nuk ishte e lehtë, kur dihej roli i fortë i liderit Sali Berisha, por Jozefina Topalli krijoi profilin e saj, ndikimin, staturën e fortë dhe atë post që mbajti si nënkryetare e PD-së dhe më vonë si kryeparlamentare, nuk ia dhuroi kush, thjesht e fitoi vetë.
Topalli sot është larg çdo angazhimi politik, nuk e zgjodhi vetë atë tërheqje, por ishte vendosmëria e liderit të ri, Lulzim Basha, për ta “zhdukur” atë dhe shumë personazhe të tjera të PD-së, të cilat kishin kaluar shumë dimra të ashpër politikë mbi shpinë. Edhe pse e tërhequr, duke bërë një jetë të qetë private, Topalli gjithnjë përbën lajm dhe është nga ato rastet e rralla që koha nuk të fshin.
Në një intervistë eksluzive për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, ish-kryeparlamentarja Topalli flet hapur duke kritikuar “të pakritikueshmin” e dikurshëm, Sali Berisha, se ka bërë gabim që afroi Lulzim Bashën në PD. Sa për liderin aktual të opozitës, e konsideron si të blerë nga Rama, jo vetëm politikisht…
Basha është i blerë?!…
Nëse dikush del dhe më thotë se kishte pseudo-opozitë, qoftë nga socialistët, qoftë nga PD-ja, unë do t’u kërkoja të falur të gjithëve. Ishte mbijetesë, për të ruajtur opozitarizmin që rrezikonte të zhdukej. Ndërsa sot është e blerë. Dhe prandaj flas sot.
-Kush e ka blerë?
Sigurisht që qeveria.
-Si e vërtetoni këtë zonjë? Se kjo është e rëndë.
Dhe është gjëja më e vërtetë. Faktet e këtyre viteve flasin për një gjë të tillë. Fillon nga çadra, pastaj nga mbrojtja që qeveria i bëri për të marrë paratë e pallatit, nga shitja që i është bërë Rrugës së Kombit, nga shitja e çështjes së Astirit, nga shitja e çështjes së Teatrit. Të gjitha këto çështje lidhen me projekte të mëdha, ndërtimesh, godinash ku janë pjesëtarë oligarkët.
-Keni dokumente dhe fakte zonjë?
Këto janë fakte politike.
-Ju thoni e shiti, e shiti do të thotë të japësh dhe të marrësh lekë. Si?
Vendimi i Strasburgut nuk ishte 16 milionë euro?
-Çdo njeri ka të drejtë të hapë një proces gjyqësor.
Sigurisht që ka të drejtë, por nuk ka ndodhur në historinë e tri dekadave që kryeministri të kujdeset që kryetari i opozitës të marrë 16 milionë euro.
-Pse nuk bëheni bashkë me zotin Bode, Patozi, Imami? Sepse ju jeni të gjithë kritikë ndaj kryetarit Basha dhe ndaj PD-së.
Nuk jam unë dhe emrat që ju përmendët. Janë 250 mijë vota të munguara gjatë zgjedhjeve të 2017.
-Ok, por ju jeni personazhe politike që i keni dhënë PD-së.
Unë mendoj se duhet të shkojmë te thelbi. Unë mendoj se është e rëndësishme të bëhen shqiptarët bashkë.
-Nëse zoti Basha bëhet kryeministër, a do t’i kërkoni falje publike?
Unë nuk ndryshoj mendim si njeriu ndryshon karrige. E para e punës, kjo është shumë larg mundësisë së realizimit dhe ky është problemi për të cilin unë flas. Por unë nuk kërkoj falje, pse ata ndryshojnë karriget midis tyre. Sikur sjellja të ishte ndryshe, sigurisht do të kërkoja falje.
-A do të jeni ju pjesë e partisë së zotit Murrizi?
Nuk kam asnjë dëshirë që as të lëviz nëpër parti, as të ndryshoj parti, se unë e kuptoj pse krijohen këto parti. Pse ka iniciativa kaq të shumta për të krijuar diçka të re. Sepse po jetojmë në një moment të degradimit të dy forcave kryesore politike, pas tri dekadave, gati-gati duket si mbyllje e ciklit të kësaj historie politike dhe, nga ana tjetër, të një delegjitimimi të këtyre forcave politike.
-A ka gabuar zoti Berisha në mbështetjen që i ka dhënë zotit Basha?
Unë besoj se po.
-Po pse vazhdon ta mbështesë?
Unë mendoj se ai vazhdon të bëjë betejën e tij kundër qeverisë. Ai ka thënë që unë nuk e kërkoj më karrigen e kryetarit të partisë. Unë e besoj për atë që ka thënë.
-Pse e ka bërë zoti Berisha, sipas jush, këtë?
Në jetën politike edhe unë mund të kem bërë disa sponsorizime apo emërime që më vonë kanë dalë ndryshe, nga sa i kisha parashikuar. Nuk e di nëse është ky rasti, por unë jam vetë njeriu që kam gabuar disa herë në jetën time politike.
Zonja Topalli, Shkodra ose seksioni i PD-së në Shkodër, ju votoi ju për të qenë pjesë e përzgjedhjes si kandidate për deputete e PD-së. Si mund ta refuzoni këtë gjë?
Sepse dua të jem e ndershme me ta. Siç i falënderoj me zemër…
-Mjafton kjo?
Jo nuk mjafton, prandaj po flas. Unë e di që mund të ketë skeptikë, mund të ketë të mërzitur, mund të ketë njerëz që ndoshta nuk dinë ta kuptojnë. Në 2017-n, kur Basha nuk pranonte të hynte në zgjedhje, unë nuk bija dakord me të. Kur mendoja se mund të isha sërish deputete, dhe nuk është se s’kam pasur dëshirë për të qenë, dua të jem e ndershme për një gjë të tillë, kam pasur një dilemë të madhe.
Do të shkoj unë të kërkoj votën e qytetarëve, por çfarë do t’u them? Se nëse vitet e tjera shkoja, i dëgjoja, e merrja mesazhin, unë kisha besim që me lidershipin e kohës së mëparshme kur thoshte po, po; kur thoshte jo, jo! Dhe e dija, kish pika reference, ndërsa në rastin pas 2013-s nuk kishim më asnjë pikë reference. Ishte një dilemë e madhe, sepse ndihesha sikur do t’u bëja keq njerëzve që më besonin mua, sepse nuk e dija a do të isha në gjendje t’ua ktheja besimin. Unë nuk besoj, është çështje besimi.
-Po cila është e ardhmja juaj politike?
Mos mendoni asnjëherë për të ardhmen tuaj politike. Unë nuk kam asnjë ambicie. Do të doja shumë që dikush të kishte kurajën dhe të krijonte një lëvizje për ndryshim dhe për të sjellë një frymë. Mua nuk më pëlqen më që të them të ketë përmbysje etj., etj. Jo, jo. Njerëzit kanë nevojë për një drejtësi speciale dhe njerëzit kanë nevojë për pak shpresë.
-Më ka pëlqyer statusi që kishit publikuar dje në facebook.
Në fakt, historia e Shqipërisë nuk ka ndryshuar shumë. Të gjitha janë të urdhëruara në një listë emrash të caktuar. Kjo më shton dhimbjen për PD-në. Kurrë nuk ka funksionuar kështu PD-ja. Për ta quajtur tjetrin armik. Unë nuk quaj asnjërin armik. As ata që janë në qeveri, as ata që janë në pseudo-opozitë, unë mund të kem kundërshtime me ta.
-Po Lulzim Bashën çfarë e quani?
Kurrë armik. Është një njeri që ka marrë peng PD-në. Unë nuk i them dot armik, është prapë shqiptar. Unë mund ta kritikoj, unë do të vazhdoj të flas. Kur i lexon sulmet e dirigjuara nga zyra e kunatit dhe nga call center-ët e kunatit, mua më vjen të qesh. Unë kam lindur armike, kam lindur duke më quajtur armike. Unë nuk e kuptoja në fakt. Babai im më ka thënë disa herë që ti duhet të kuptosh pse na quajnë armiku i popullit. Po pse babi, i thosha, çfarë kemi bërë ne? Kështu që për ne nuk është diçka e re. Ndonjëherë më duket mjerim i madh dhe dhimbje e madhe për atë që ka qenë PD-ja.
-E ju e keni ndier të sulmuar veten?
Të gjithë janë angazhuar te Jozefina Topalli, jo në atë që është thelbësore për vendin, në ndryshimin, sepse nuk mund ta bëjnë.
-E keni parë karikaturën që ju ka bërë Bujar Kapexhiu?
Po e kam parë. Është hera e parë që kam qeshur. Ashtu i pëlqen atij që e paguan zotin Kapexhiu, fatkeqësisht. Për të justifikuar veten dhe të gjitha dështimet e tyre.
-Ju mendoni se nuk ka qenë ideja e Bujar Kapexhiut?
Ndoshta dhe e mendon ashtu. Do t’i thosha e keni gabim. Nuk ka vetëm dy mundësi për të zgjedhur. Mund të ketë një mundësi të tretë, jemi tre milionë shqiptarë, nuk kemi pse mbetemi peng i tre personave.
Listat e hapura…
E kam ndjekur atë që quhej si aksion politik i listave të hapura. Unë nuk kam qenë partizane vitet e kaluara për listat e hapura, sepse kur ke një demokraci brenda partisë, listat e hapura mund të vijnë në një moment tjetër.
Më shumë e kam vlerësuar si një mesazh që u përcillej shqiptarëve të cilët u përgjigjën menjëherë, si një nevojë, për t’u thënë liderëve që ju nuk jeni pronarë të partive politike. Dhe ne duam të vendosim. Edhe pse në fakt listat përsëri i bëjnë kryetarët, dhe shqiptarët vetëm do të shikojnë renditjen dhe rreshtimin e tyre. Por, gjithsesi, një përpjekje është.
Komisioni i Verifikimit të Mandateve për Deputetë në PD…
Unë nuk dua absolutisht të bashkoj komisionin me emrat. Unë përpiqem që t’i ndaj këta, por unë kam përsëri bindjen e thellë se ajo është një shpikje, një gjethe fiku e gjetur për të mbuluar faktin që në fund listën përsëri do ta bëjnë ata që e kanë bërë në 2017-n.
-Ju besoni se mund ta hajë këtë Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli?
Jo, unë besoj se ata besojnë që po bëjnë diçka të mirë. Ata besojnë se po bëjnë diçka të mirë.
-A mund të bëni një parashikim, çfarë mund të ndodhë më 25 prill?
Është e pamundur në Shqipëri të bësh parashikime.
-Keni shumë të drejtë, por ju jeni politikane që i njihni zgjedhjet.
Nëse do të krijohet një lëvizje për ndryshim, tri forcat politike do të ulen në gjunjë.
-Zonjë, establishmenti ky është.
S’ka asgjë të përjetshme. E kanë mbyllur ciklin e tyre. Politikanët janë shumë të konsumuar dhe shqiptarët janë aq të qartë, sa po të krijohet një lëvizje për ndryshim, me një drejtim të pakorrupruar, me një grup të rinjsh që japin besim dhe shpresë, sigurisht, të tria forcat politike vitin e ardhshëm do të jenë në gjunjë. Kanë kaluar tri dekada dhe cikli është ëmbyllur. Unë besoj se mund të ndryshohen shumë gjëra. Gjithçka është e mundur të ndodhë në Shqipëri.
Të qenit gjyshe është gjëja më e bukur që njeriu mund të përjetojë. Nëse fëmija është një dashuri e madhe, nipi është një adhurim. Ndaj të thashë që unë kam qenë e privilegjuar në jetë. Fëmijët i kam mirë me shëndet, nuk më kanë krijuar shqetësime, nuk më kanë lënë ndonjë natë pa fjetur.
A ka gjë më të bukur? I them Zotit faleminderit 1 mijë herë. Zoti i rregullon ndonjëherë punët me dorën e vet. Unë kam në shtëpi dhe nënën që është e sëmurë, dhe këto vite që unë kam qenë larg parlamentit kam pasur mundësinë të kujdesem për nënën, por edhe të ndihmoj vajzën time për të rritur fëmijën e vogël.
-A ua sugjeroni fëmijëve që të merren me politikë?
Jo! Është shumë e rëndë. Unë nuk do të doja që ata që merreshin me politikë. Kujtoj që kur PD-ja më ftoi të bëhesha deputete, të gjithë familjarët nuk më thoshin që të mos merresha me politikë, përveç një anëtari të familjes që tha: Boll kemi vuajtur nga politika, të lutem mos u merr me të. Nuk e dëgjova, nuk e di nëse bëra mirë apo bëra keq. Por bilancet bëhen në fund të jetës.