Prof. Dr. Sabit Brokaj – mjek dhe atdhetar idealist e altruist

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi

Nga rrjetet sociale mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta në mënyrë krejt të papritur të Prof. Dr. Sabit Brokaj, mjek erudit e altruist dhe pedagog i nderuar, politikan idealist, atdhetar vizionar dhe i përkushtuar në gjithçka, mik fisnik, që rrezatonte kurdoherë mençuri e mirësi.

Unë rrallë kam pirë kafe me Prof. Dr. Sabit Brokajn. Por çdo kafe në shoqërinë e tij vlente sa për dhjetëra e qindra kafe me miq të tjerë, sepse ai kishte profil të veçantë edhe në bisedat e lira. Kishte mendimin e vet origjinal, të ekuilibruar, jodogmatik dhe prirej me përparësi drejt mirëkuptimit.

Mendimet e tij rilevoheshin më qartë në sfondin e buzëqeshjes së dritshme që përcillte gjithmonë ëmbëlsi. Ishin fillimet e njohjes e të miqësimit me Profesor. Dr. Brokajn. Një ditë trokas në klinikën e tij private. Sa më pa një hije trishtimi ia fshiku fytyrën. Nuk po e kuptoja pse pati një çast hutimi e keqardhjeje. Me zë disi të dridhur, por me ton miqësor, gati urdhërues, më tha:

-Nuk të dua si pacient!

-Jo, – i thashë, – kam ardhur t’ju dhuroj një libër të ri për komunikimin simbolik në shoqëri, që e kam botuar ditët e fundit.

Në çast fytyrën e tij ndriçoi nga gëzimi, sikur unë të isha njeriu më i afërt për të. Buzëqeshja plot dritë e Profesor Dr. Sabit Brokajt shprehte margaritarët e shpirtit të tij të fisëm, pulsin e zemrës së tij të bardhë që rrahu me ritëm të përshpejtuar në shërbim të shërimit të zemrave të mijëra pacientëve në rrjedhën e viteve.

Prof. Dr. Sabit Brokaj jetoi e punoi në vite të trazuara, kur populli shqiptar përballej me vështirësi e sfida të shumëllojshme, e herë-herë mjaft të rënda. Ai përherë ka qenë në ballë të përpjekjeve, për të bërë më të mirën për popullin shqiptar të shumëvuajtur si veprimtar i organizatave shoqërore dhe si ndihmësmjek në Flotën Luftarake të shtetit shqiptar, si mjek e si pedagog në Universitetin e Tiranës, si bashkëpunëtor e udhëheqës i veprimtarive shkencore në fushë të mjekësisë, si zbatues për herë të parë në shoqërinë shqiptare i praktikave dhe teknikave mjekësore të përparuara, si hartues i disa teksteve shkencore që janë botuar për herë të parë në hapësirën shqiptare në disa fusha të kardiologjisë, të ekokardiografisë etj., si veprimtar politik i niveleve të larta, deputet në Kuvendin e Shqipërisë për afro 18 vjet, ministër i Shëndetësisë (1991) dhe ministër i Mbrojtjes (1997-1998).

Ai ka qenë një nga deputetët më me ndikim në diskutimin e çështjeve më të ndërlikuara që ka trajtuar Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në vitet e trazuara të tranzicionit. Ndonëse mjaft veprues dhe autoritar, deputeti dhe ministri Brokaj asnjëherë nuk u përfshi në polemika vulgare, që shpesh degjeneronin në nivelin e ulët të sharjeve.

Lexo edhe :  Përfundon rinumërimi në Durrës, Kalaja: më kanë vjedhur 11 vota

Madje, as deputetët më gojështhurur të orientimeve të tjera politike të tjera nuk gjenin asnjëherë hapësirë të polemizonin me Prof. Dr. Brokajn, sepse diskutimet e tij përshkoheshin nga analizat me shkallë të lartë profesionalizmi, nga saktësia në parashtrimin e çdo detaji, nga largshikimi dhe, mbi të gjitha nga fryma atdhetare.

Ndonëse deputet i partive politike të majta, ai asnjë çast nuk vuri interesat e ngushta partiake mbi ato të popullit dhe të shtetit shqiptar. Gjatë 30 viteve të fundit shumica e shqiptarëve të angazhuar si të punësuar në veprimtaritë politike, veçanërisht kryebashkiakë, deputetë e ministra të orientimit të majtë e të djathtë janë përgojuar për përfshirje në afera korruptive. Emri i Prof. Dr. Sabit Brokajt është nga të rrallët, që hyri në politikë dhe doli prej saj i papërlyer, pa asnjë hije përgojimi e madje as edhe dyshimi. Duke qenë i tillë ai u largua nga politika me kuotat më të larta të dinjitetit si mjek, pedagog, veprimtar politik e si Njeri.

Kam pasur rastin të bisedoj në Prishtinë dhe në Tiranë me luftëtarë dhe drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pas luftës për çlirimin e Kosovës kanë punuar si gazetarë, studiues ose pedagogë, deputetë të Kuvendit të Kosovës etj.

Të gjithë ata më kanë pohuar se Sabit Brokaj e ka ndihmuar luftën për çlirimin e Kosovës si askush tjetër nga politikanët në Republikën e Shqipërisë dhe pa kurrfarë interesi vetjak, vetëm me përkushtimin e shqiptarit atdhetar 24 karatësh për çështjen kombëtare.

Studiuesi që do të shkruajë një punim monografik për veprimtarinë e shumanshme mjekësore, shkencore, pedagogjike e politike të Prof. Dr. Brokajt është mirë të ndriçojë me fakte e detaje të shumta edhe ndihmesën e tij krejt të veçantë në shumëçka për pavarësimin e Kosovës. Prof. Dr. Sabit Brokaj iku para kohe duke lënë një zbrazëti të madhe te familjarët e të afërmit, te shokët e te miqtë, te kolegët e bashkëpunëtorët, te pacientët e shumtë që u ka lehtësuar plagët, dhimbjet e zemrës dhe u ka zgjatur jetën.

Në kujtesën e kujtdo që e ka njohur Prof. Dr. Brokajn do të mbetet si një personalitet i kristaltë në gjithçka, me një buzëqeshje elegante që rrezatonte zgjuarsi e mirësi, vizion largshikues e altruizëm të epërm, frymë optimizmi, për të zhvilluar hapësirën shqiptare./Jo.Be/Fjala.al

 

Të fundit

“Salianji mund të bëhet lider i PD në zgjedhjet 2029”

Juristi Kreshnik Spahiu ishte i ftuar këtë të martë në “Frontline”, ku ndër të tjera, foli edhe për lirimin...

“Kam pasur kontakt me Berishën”, Salianji: S’ka përçarje në PD

Ervin Salianji ka mbajtur sot një konferencë për media në selinë blu pas daljes së tij nga qelia. I pyetur nga gazetarët nëse ka pasur...

Një tjetër ‘non grata’ hedh miliona euro për lobim në SHBA

Më shumë se 22 milionë euro do të shfrytëzohen për të angazhuar ekspertë dhe kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara, me qëllim të “pozicionimit...

Gjysmëfinalja e parë e Botërorit të Klubeve, formacionet e skuadrave Fluminese-Chelsea

Gjithçka është gati për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Botës për Klube midis Fluminense dhe Chelsea. Ndeshja do të luhet në stadiumin MetLife, në orën 21:0. Ndërkohë...

Të shpëtojmë bujqësinë! Qeveria jep 30 mln euro garanci sovrane

Bujqësia siguron rreth 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të...

Lajme të tjera

Web TV