Nga Ina Allkanjari
Kur kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga evidentimi i rastit të parë me COVID-19 në vend, institucionet përkatëse vijojnë të shtojnë masat parandaluese për të ulur përhapjen e virusit, i cili ndodhet ende mes nesh. Teksa sot numërohen 4664 raste aktive me virus në Shqipëri, hapja e shkollave rrit riskun për shtim të numrit të infektimeve dhe frikën se virusi do të qarkullojë ende për një peridudhë të gjatë. Ndërkohë që në mbarë botën pritet të dalë vaksina anti-Covid, e cila do të ndihmojë në rikthimin në normalitet, a do të jetë jeta sërish e njëjtë?!
Pandemia e koronavirusit ka transformuar jetën e secilit prej nesh në të gjithë globin në mënyra të ndryshme. Distancimi fizik dhe rregullat e vendosura për të parandaluar përhapjen e COVID-19, kanë kufizuar lirinë dhe rutinën tonë të përditshme. Prej më shumë se 6 muajsh virusi “i padukshëm” preku Shqipërinë dhe në një peridhë të shkurtër kohore u përhap masivisht, duke i çuar udhëheqësit dhe instancat përkatëse në marrjen e menjëhershme të masave për të kufizuar përhapjen e tij.
Shëndetësia në vend u gjend e papërgatitur përballë një pandemie të tillë, ndërsa ende botërisht po realizohen studime dhe eksperimente për nxjerrjen e një vaksine anti-Covid e cila do të ndihmojë në rikthimin në normalitet. Aktualisht në vendin tonë rezultojnë 4664 raste aktive të personave të prekur me virus, ndërkohë prej fillimit të pandemisë 340 qytetarë kanë humbur jetën gjatë “luftës” me COVID-19.
Një ndër sistemet më të diskutuara në mbarë botën, ku dhe vëmendja nga instancat përkatëse është maksimale, është arsimi. Teksa në shumë vende u ndërmorën masa të ndryshme për të mundësuar kthimin e nxënësve në bankat e shkollës, edhe Shqipëria përgatiti udhëzimin me protokollet përkatëse për të rikthyer mijëra nxënës fizikisht në shkollë. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, përmes strukturave të shtuara të epidemiologëve vijon identifikimin, gjurmimin dhe hetimin e rasteve të dyshuara me COVID-19, me qëllim izolimin e vatrave të infeksionit.
Ky vit i ri shkollor u shoqërua me domosdoshmërinë e shtimit të angazhimit të epidemiologëve në terren, ku prioritet për testimin do të kenë mësuesit dhe nxënësit. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se mësuesit për çdo shqetësim duhet të kontaktojnë me koordinatorin e shkollës, i cili lidhet me strukturat e shëndetësisë për t’iu përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar e izoluar në kohë çdo rast të dyshuar. “Është shumë i rëndësishëm në këtë moment, kur shtohet rreziku me hapjen e shkollave, bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
Është e rëndësishme të respektohen rregullat e higjienës, distancimit dhe përdorimit të maskës kudo në ambientet e mbyllura dhe në çdo ambient publik, ku nuk mund të ruani distancën”, njofton Ministria e Shëndetësisë. Nga ana tjetër, të gjithë ne po presim me padurim fundin e kufizimeve të përkohshme dhe të kthehemi në normalitetin që lamë pas, disa muaj më parë, por a do të jetë jeta sërish e njëjtë?!
Situata në spitalet Covid
Në dy spitalet Covid në vend situata paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 171 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, gjatë inspektimit të Urgjencës së Spitalit të Traumës, deklaroi se me planin vjeshtë-dimër, kur pritet dhe sezoni i gripit dhe COVID-19, sistemi shëndetësor po përgatitet me kapacitete të shtuara për të përballuar situatën.
“Në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit dhe në planin tonë aktual ne jemi të përgatitur që të dyfishojmë kapacitetet e shtretërve për të përballuar jo vetëm COVID-19, por dhe për rastet që do të jenë me grip, pasi mund të ketë një mbivendosje e do të ketë edhe më shumë flukse në spitalet tona. Paralelisht po vijon lufta e përditshme e terrenit, për të testuar çdo kontakt, në mënyrë që të kufizojmë zinxhirin e përhapjes së infeksionit”, tha Manastirliu.
Më tej ministrja e Shëndetësisë tha se aktualisht janë 30% kapacitete të lira në dy spitalet Covid, ndërsa në total janë 500 shtretër në dispozicion të trajtimit të rasteve në katër spitalet Covid, si dhe do të dyfishohen shtretërit, duke përfshirë edhe disa spitale rajonale, nëse do të jetë e nevojshme. Duke folur për burimet njerëzore, Manastirliu tha se janë punësuar 150 profesionistë të shëndetit në dy spitalet Covid, të cilët po punojnë dhe janë duke u përgatitur për nevojën e strukturave antiCovid në spitalet Covid 3 dhe Covid 4.
Testimet
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 810 testime dhe janë konfirmuar 152 raste.
Rastet ditore të identifikuara, si rezultat i gjurmimit, testimit dhe hetimit epidemiologjik janë si vijon: 68 raste në Tiranë, 16 në Elbasan, 11 në Durrës, 9 në Shkodër, 8 në Vlorë, nga 7 raste Kavajë, Berat, nga 5 raste Fier, Pukë, 3 në Lushnjë, nga 2 raste në Kamëz, Gramsh, Kuçovë, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Rogozhinë, Mat, Vau i Dejës, Divjakë, Dibër.
53 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6668 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Mësohet se një vatër koronavirusi është zbuluar në Berat. Nëntë punonjës në një fasoneri, në këtë qytet, janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Berati numëron 84 raste aktive me koronavirus që prej fillimit të pandemisë.
Ndërkohë bëhet me dije se është pezulluar mësimi në shkollën “Papa Kristo Negovani”, në Erskekë, pasi 12 mësues dyshohet se janë infektuar me COVID-19. Situata do jetë e tillë, pasi të dalin përgjigjet e tamponave të marrë. Nëse mësuesit rezultojnë pozitivë me virus, ende nuk dihet nëse do të mbyllet shkolla apo mësuesit do të zëvendësohen nga të tjerë.
Fatalitetet
Fatkeqësisht gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me virusin 2 pacientë. Bëhet me dije se kanë ndërruar jetë një 57-vjeçar dhe një 65-vjeçare nga Tirana, me sëmundje të bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.Prej fillimit të pandemisë deri më tani kanë humur jetën me koronavirus 340 qytetarë. Konkretisht 163 në qarkun Tiranë, Durrës 45, Shkodër 39, Elbasan 21, Fier 17, Korçë 15, Lezhë 13, Kukës 8, Dibër 7, Vlorë 6, Gjirokastër 4, dhe Berat 2.
Situata në Kosovë dhe Maqedoni
Në 24 orët e fundit në Kosovë është shënuar vetëm një rast vdekjeje nga koronavirusi. Ndërkohë, numri total i viktimave në Kosovë ka arritur në 601. Që nga 13 marsi e deri më sot, në Kosovë pozitive kanë rezultuar 14763 raste nga 59033 persona të dyshuar si të infektuar virusin SARS-CoV-2 dhe 601 raste vdekjesh.
Megjithatë, në 24 orët e fundit janë shëruar 199 pacientë, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 11784. Mësohet se numri i rasteve aktive është 2378. Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, rajonet me numrin më të lartë të të infektuarve janë Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Ferizaj, Peja dhe Gjakova.
Ndërkohë situata paraqitet alarmante në Maqedoninë e Veriut. Në 24 orët e fundit janë shënuar 9 viktima nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga realizimi i 1404 testeve për COVID-19, rezultuan pozitive 98 raste. Ndërkohë 101 pacientë e kanë fituar betejën me koronavirusin. Sakaq numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 15925, ndërsa 661 pacientë kanë humbur jetën./Jo.Be/Fjala.al
Tabelë
COVID-19 – Statistika (15 shtator 2020)
Testime totale 75576
Raste pozitive 11672
Raste të shëruara 6668
Raste aktive 4664
Humbje jete 340
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 2366
Durrës 520
Shkodër 362
Lezhë 267
Elbasan 248
Korçë 209
Fier 192
Vlorë 170
Kukës 140
Berat 92
Dibër 51
Gjirokastër 47