Nga Alessia Selimi
Studentja e vitit të dytë në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit, Ersila Bruçi, tregon për gazetën “Fjala” vështirësitë që po hasin studentët dhe angazhimin e tyre për t’i përmbyllur provimet dhe plotësuar mangësitë, për shkak të mbylljes së universiteteve nga pandemia në mars të këtij viti.
Pandemia COVID-19 ka prodhuar një tjetër realitet në universitetet e mbarë vendit, duke ndikuar ndjeshëm në formimin e studentëve. Leksionet u shpërndanë përmes mësimit on line që, sikundër pranoi në prill edhe ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, nuk funksionoi për të gjithë të rinjtë që kërkojnë të profilizohen.
Për këtë arsye, në muajin qershor, u tha se studentët do të rikthehen në auditorë në muajin shtator për përsëritje të ndryshme, seminare dhe laboratorë. Ndërsa provimet për studentët e kurseve të ndërmjetme do të mbaheshin në tetor. Por çfarë po ndodh konkretisht me ta? Po zbatohen me përpikmëri hallkat e paracaktuara nga Ministria e Arsimit?
Studentët duket se po u nënshtrohen provimeve, pa kurrfarë konsultimesh paraprake. Për më tepër, zbatimi i protokollit strikt mbrojtës anti-Covid duket një mision i pamundur. Studentja e vitit të dytë në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në UT, Ersila Bruçi, përshkruan për gazetën “Fjala” situatën aktuale nëpër auditorë, si dhe vështirësitë me të cilat po hasen bashkëmoshatarët e saj.
Çfarë po ndodh aktualisht te fakulteti juaj?
Aktualisht po mbyllim sezonin e provimeve të lëna përgjysmë, pas mbylljes nga pandemia. Ç’është e vërteta, nga lajmërimi që na bënë, thuhej se do të kishim 1 muaj konsulta, më pas provimet për të rifreskuar edhe njëherë njohuritë e marra on line, por, në fakt, na nxorrën menjëherë datat e sezonit, 3 ditë përpara provimit të parë. Kjo nuk është aspak në favor të studentëve, sepse bëhet fjalë për kohën që cilido duhet të ketë në dispozicion të përgatitjes dhe përftimit të dijeve. Dhe e gjithë kjo ka shkaktuar ankth tek të rinjtë, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e tyre.
A ka krijuar boshllëqe viti që lamë pas te studentët?
Viti që lamë pas, jo vetëm për mua, por edhe për shumicën – nisur nga reagimet e studentëve të tjerë – ka lënë shumë boshllëqe, më saktë leksionet e sezonit të dytë janë të paqarta. Ndonëse gazetaria është një profesion që për hir të së vërtetës duhet të prezantohet tek të rinjtë përmes punës në terren, praktikës, rëndësi të veçantë mbart edhe teoria. Dhe kjo e fundit, kërkon interpretim… Zbërthimi teorik ka munguar.
Po respektohet protokolli i masave mbrojtëse anti-Covid? Pra, a praktikohet distancimi social, mbajtja e maskave dhe përdoret dezinfektuesi?
Respektohet në një farë mënyre; temperatura matet dhe maskat gjithashtu vendosen. Për sa i takon distancimit social, është thuajse i pamundur. Studentët janë të shumtë në numër…
A jeni vënë në dijeni për datën se kur do të rinisë viti i ri akademik?
Nuk ka një datë fikse për rinisjen e vitit akademik, por thuhet se dyert do të hapen më 1 nëntor.
Jeni të informuar për mënyrën se si do të zhvillohen orët mësimore në këtë kohë pandemie?
Jo, aspak! Nuk kemi bërë konsulta fare, dhe kjo veçse nxit ankthin dhe stresin te ne.
Nëse shifra e të infektuarve rritet, mësimi do të rikthehet sërish on line. Mendoni se kjo formë do t’i penalizojë studentët? Nëse po, pse dhe çfarë duhet bërë ndryshe?
Nëse numri i të infektuarve rritet dhe mësimi do të rikthehet on line, pa dyshim që do t’i penalizojë përsëri studentët. Unë, personalisht, mendoj se ky vit ishte i dështuar për nga mësimdhënia. Si rrjedhojë, duhet gjetur një zgjidhje më efikase për studentët; jo superngarkesa me detyra dhe leksione ku pedagogët duket se nuk kontrollojnë dot njohuritë e tyre.
Si ka proceduar Departamenti i Gazetarisë prej muajit mars, kur u evidentua rasti i parë me koronavirus në vend?
Departamenti i Gazetarisë ka qenë nga të parët që bëri të mundur nisjen e mësimit on line. Klasat on line u hapën me një shpejtësi thuajse të frikshme.
A ju shkon nëpër mend që të sakrifikoni një vit akademik, me frikën se mund të rrezikoni infektimin?
Për të qenë e sinqertë, po. Besoj se jam në një moshë që mund ta përballoj një vit të humbur akademik….
Ka studentë nga klasa juaj që e kanë marrë një vendim të këtillë, të ripërsërisin vitin prej boshllëqeve? Nëse po, mund të jepni një numër të përafërt?
Në dijeninë time, nuk ka studentë që kanë vendosur të ripërsërisin vitin akademik.
Çfarë mendoni ju se është bërë gabim dhe çfarë duhet përmirësuar, gjithmonë sipas syrit të studentes?
Për mendimin tim, për sa i përket mënyrës së mësimdhënies në këtë kohë pandemie, duhet rregulluar orari i leksioneve; të vendoset një orar fiks dhe studentët të ndërgjegjësohen, të jenë të përpiktë dhe të zbatojnë distancimin social. E kundërta do të ishte papërgjegjshmëri nga ana e e tyre./Jo.Be/Fjala.al