Sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në IEVP pas hekurave janë 4508 persona. Droga dhe vrasja janë dy veprat penale që kanë kryer apo për të cilat akuzohen pothuajse gjysma e të burgosurve. Pas nuk mbeten as të dënuarit për vjedhje e shfrytëzim prostitucioni. Por sa shtetas shqiptarë janë dënuar me burg për jetë, cila është mosha mesatare e të burgosurve, dhe sa nga këto institucione janë të mbipopulluara? Gazeta “Fjala”, sjell një analizë të detajuar.
Nga Elvis Myrta
Niveli i kriminalitetit në vendin tonë është rritur ndjeshëm në tri dekadat e fundit. Grafiku në rritje i krimeve kundër personit, trafiqeve të lëndëve narkotike, vjedhjeve e grabitjeve, pasqyrohet edhe në numrin e personave të dënuar apo që akuzohen për kryerjen e këtyre veprave penale. Shqipëria është një vend ku lajmet nga kronika e zezë nuk mungojnë thuajse asnjëherë. Edhe pse jemi një nga vendet me popullsinë më të vogël në Evropë, ne kemi numrin më të madh të të burgosurve, në raport me numrin e popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve, të dënuar apo persona që mbahen në paraburgimet e 18 burgjeve që ka vendi ynë, janë plot 4508 persona.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, aktualisht pas hekurave janë 4462 burra dhe 44 gra të dënuar apo akuzuar për vepra të ndryshme penale. Për çfarë janë dënuar apo akuzohen shumica e personave që qëndrojnë në burgje? Sa persona akuzohen për vrasje apo janë dënuar për këtë vepër. Sa shtetas janë dënuar me burgim të pëjetshëm në vendin tonë? Çfarë moshe janë shumica e personave që vuajnë dënimet në burgjet shqiptare? Cili burg ka numrin më të lartë të të dënuarve? Cila është vepra penale që kryhet më së shumti nga shtetasit shqiptarë? Këtyre dhe të tjera pyetjeve, gazeta “Fjala”, do t’u japë përgjigje bazuar në të dhënat zyrtare të marra nga Drejtoria e Burgjeve.
Nga informacionet e siguruara nga burimet zyrtare, për sa i përket kryerjes së një vepre penale, vendin e parë e zënë krimet që lidhen me drogën. Pas qelive, në total janë 1245 që akuzohen për trafik, kultivim apo shpërndarje droge. 643 prej të burgosurve janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat, ndërsa 602 të tjerë qëndrojnë në ambientet e paraburgimit, pasi akuzohen nga autoritetet ligjzbatuese se e kanë kryer këtë vepër penale. Burime jozyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bënë me dije për gazetën “Fjala”, se shumica e personave që ndodhen pas hekurave dhe që janë dënuar me vendim të formës së prerë janë kultivues dhe shpërnarës të lëndëve narkotike. Të njëjtat burime shtojnë se numri i lartë i të bugosurve për drogë vjen për shkak të fenomenit të mbjelljes së kanabisit në vend, gjatë vitit 2016, fenomen i cili ekziston edhe sot, pasi shumë persona përfundojnë në pranga për akuzën e kultivimit të bimës narkotike.
Mësohet se nga 643 të dënuarit për trafik droge, 80 prej tyre janë dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vepra e dytë penale me më shumë të burgosur në burgje është vrasja. Pas qelive për këtë vepër janë në total 998 persona, 796 prej të cilëve janë dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa 202 persona janë vënë nën akuzë për këtë vepër penale. Por, për akuzën e vrasjes nuk mbeten pas as gratë. Vrasja është krimi më i shpeshtë i të burgosurave gra, me gati 25% të totalit të të burgosurave. Janë plot 17 gra që janë arrestuar për këtë vepër të rëndë penale, 12 prej të cilave janë dënuar me burg për jetë, ndërsa 5 të tjera ndodhen në paraburgim. Vjedhja ka kaluar si vepra e tretë penale më e përhapur në Shqipëri.
Nga të dhënat zyrtare për vitin 2020, numri i të burgosurve për vjedhje në total është 712. Gjysma e këtyre personave janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat, ndërsa gjysma tjetër janë nën akuzë. Më konkretisht 373 janë dënuar për këtë vepër penale dhe 339 ndodhen në paraburgim. Ndërkohë, një numër të lartë të burgosurish përbëjnë edhe ata që kanë kryer veprën penale të plagosjes. Në total janë vetëm 80 persona që akuzohen, apo janë dënuar për këtë vepër penale. Ndërkohë, sipas statistikave për 2020, ka rënë numri i personave të dënuar apo akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, ku për këtë vepër penale pas hekurave janë vetëm 56 persona.
Të dënuarit të ndarë në katër kategori
Gazeta “Fjala”, bazuar në statistikat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i ka marrë në analizë të dënuarit, në katër kategori. Më konkretisht, të dënuarit me burgim të përjetshëm, ato me dënim 20 deri në 35 vite heqje lirie, të dënuarit 15-20 vjet burg, si dhe të dënuarit me më pak se 15 vite. Duke iu referuar statistikave, numri i personave të dënuar me burgim të përjetshëm që janë duke vuajtur aktualisht në vendin tonë është 175 persona. Shumica e këtyre të dënuarve janë personazhe tepër të njohura për opinionin publik, pasi janë përfshirë në ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve. Mësohet se të dënuarit me burgim të përjetshëm e vuajnë dënimin, në seksione të sigurisë së lartë, si në Peqin, Drenovë, Burrel apo Fushë-Krujë. Disa nga 175 emrat e dënuar me burg për jetë janë: Dritan Kateshi, Myrteza Çaushi, Agim Pepa; Pelivan Hysenaj; Ramiz Onuzi, Dhimitër Delijorgji, Sovran Qeleposhi, Skënder Birja, Selami Shpardhi, Skënder Hyseni, Shkëlzen Trako, Met Bozi, Arjan Toska, Eduart Peqini, etj. Një i dënuar i cili vuan një dënim me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata, nëse ai ka vuajtur të paktën tridhjetë e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe qëllimi i riedukimit të tij është arritur.
Një tjetër kategori është ajo e të dënuave me 20-35 vjet heqje lirie. Këtu futen të dënuarit që kanë kryer krime të rënda, si vrasjet apo grabitjet me pasoja për jetën. Në 18 burgjet e vendit, në total janë 411 persona që vuajnë dënimin për kryerjen e këtyre veprave penale. Ndërkohë, 457 persona që ndodhen pas hekurave, janë dënuar 10-20 vite burg. Në këtë kategori janë ata shtetas që kanë kryer, vrasje, tentativë vrasjeje, plagosje e rëndë me dashje, trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar criminal, si dhe vepra të tjera penale. Kategoria e katërt dhe e fundit janë të dënuarit me 5-10 vite burg. Në këtë kategori përfshihen personat që kanë kryer veprën penale të trafikut apo shpërndarjes së drogës, kultivimit të kanabisit, si dhe plagosjet pa pasoja për jetën.
Kategoria e fundit ka dhe numrin më të lartë të personave të dënuar që vuajnë dënimet në burgjet e vendit. Pas hekurave janë 646 persona të dënuar me 5-10 vite burg. Gjithashtu, në burgjet shqiptare ka një numër të madh të rinjsh, të cilët kanë lindur pas ndryshimit të sistemit. Në total janë 1655 persona të rinj nga mosha 18-30 vjeç, që janë dënuar apo mbahen në paraburgim për kryerjen e veprave të ndryshme penale. Sipas të dhënave zyrtare, 786 të kësaj grupmoshe janë dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa ndaj 869 të tjerëve është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohë, që nga mosha 30-80 vjeç në burgje janë 2853 persona, 1662 prej të cilëve janë të dënuar dhe 1191 të tjerë ndodhen në ambientet e paraburgimit.
BOKS
Mbipopullimi në burgje/ 286 persona më shumë se kapaciteti normal
Situata në institucionet e burgjeve është mjaft problematike edhe për sa i përket mbipopullimit dhe izolimit në këto institucione për të vuajtur dënimin i më shumë persona se ç’është kapaciteti normal. Por, përveç kësaj, kushtet në shumicën prej këtyre institucioneve janë jashtë standardeve, ku në dhomat e izolimit mungon sistemi i ngrohjes, ku të burgosurit e sigurojnë atë nga familjarët, uji i pijshëm vjen me orar e disa probleme të tjera. Gazeta “Fjala”, mori në analizë 18 institucionet që Drejtoria e Burgjeve ka publikuar në faqen e saj zyrtare për numrin e të dënurve që ndodhen aktulisht në këto burgje. Nga të dhënat zyrtare të muajit korrik, janë plot 4506 të dënuar dhe të paraburgosur, që qëndrojnë pas hekurave.
Nga të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë plot 286 persona mbi kapacitetin e mundshëm të institucioneve penale. IEVP Berat është institucioni që qëndron në krye të listës për tejkalim të kapaciteteve. Kështu, ky institucion ka vend vetëm për 312 të dënuar dhe të paraburgosur, ndërkohë që aktualisht sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të publikuara në faqen e saj zyrtare në muajin korrik të këtij viti në ambientet e këtij institucioni, janë 409 persona që kanë kryer vepra penale, pra plot 65 persona më shumë se kapaciteti normal. Pothuajse e njëjta situatë është edhe në IEVP të tjera ku numri i të burgosurve tejkalohet disa herë. Situata është e rëndë edhe në kryeqytet, në burgun Jordan Minstja, i njohur si “313”, në të cilën izolohen persona të njohur të botës së krimit dhe të krimit të organizuar. Ky institucion ka 77 persona më shumë se ç’ka vende, për të izoluarit.
Kapaciteti i këtij institucioni është 320, ndërkohë që aktualisht në të janë 397 të burgosur. Ndërkohë, që dhe në IEVP Elbasan janë 24 më shumë të burgosur që vuajnë dënimin apo që presin të marrin një të tillë. Nga 120 persona që është kapaciteti i këtij institucioni në të ndodhen 144 shtetas. Edhe burgu i Tepelenës, ka më shumë të burgosur se numri i kapacitetit normal. Në këtë burg janë 15 persona mbi kapacitetin. Edhe burgu i Fushë-Krujës, në të cilin vuajnë dënimin disa persona që kanë kryer vepra të rënda penale, numri i të burgosurve është më i madh se kapaciteti normal. Në këtë IEVP janë 320 persoan që vuajnë dënimin, ndërkohë që kapaciteti i këtij burgu është për 312 persona. Por janë dhe disa institucione penale që duhen marrë shembull.
Të tilla janë psh. IEVP Lushnjë, Burrel, Lezhë, Peqin, Krujë, Tropojë, Kavajë, Shkodër, të cilat nuk kanë tejkalim të kapaciteteve të tyre akomoduese. Shqetësimin për mbipopullimin e burgjeve në vendin tonë, vitet e fundit e ka ngritur disa herë edhe Avokati i Popullit, por duket se pavarësisht thirrjeve, shtimit të kapaciteteve në disa institucione apo edhe hapja e IEVP të reja, siç është ai i Shkodrës, nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit të mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit. Burime për gazetën “Fjala”, bënë me dije se janë vetë të burgosurit që e shkaktojnë këtë problem, pasi ata bëjnë kërkesa që vuajtjen e dënimit ta kryejnë në burgjet që janë afër qyteteve të tyre, në mënyrë që të kenë pranë familjet e tyre.
Shqipëria me numrin më të lartë të të burgosurve për Ballkanin
Sipas një raporti të Eurostat-it, Shqipëria renditet e para në Ballkan për numrin më të lartë të të burgosurve, ndërkohë që renditet e katërta në Evropë, pas Lituanisë, Çekisë dhe Estonisë. Në Ballkanin Perëndimor vendi ynë ka numrin më të lartë me të dënuar për veprat penale. Në Shqipëri kishte 197 të burgosur për çdo 100 mijë banorë që jetojnë këtu, duke u renditur e katërta në Evropë, pas Lituanisë, Çekisë dhe Estonisë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2017 kishte 3083 të dënuar me burg, më 2018-n regjistroheshin 3096 të dënuar dhe më 2019, 2781. Gjendja e të burgosurve në IEVP në 31 dhjetor 2019 është 2781 të dënuar me burg dhe 2264 të paraburgosur, ndaj të cilëve është marrë masë sigurimi “arrest në burg”. Pra një vit më parë në institucionet e izolimit ishin plot 5045 persona, 537 më shumë se ç’janë aktualisht.
Por, këtë vit numri i të bugosurve u ul ndjeshëm për shkak se 173 persona fituan amnistinë dhe rreth 600 të tjerë u liruan për shkak të situatës së COVID-19. Kujtojmë se më 24 mars qeveria miratoi aktin normativ për lirimin me qëndrim të përkohshëm në shtëpi, të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët dhe që vuajnë nga një sëmundje që krijojnë terren ndaj Covid-19. Bëhej fjalë për 600 të burgosur të cilët, sipas Ministrisë së Drejtësisë, u shpërngulën në shtëpitë e tyre për një periudhë 3-mujore. Kategoria e përfshirë në këtë akt normativ ishin të gjithë ata të dënuar me vendim të formës së prerë, që prej datës e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, u ka mbetur pa vuajtur nga dënimi deri në 3 vjet burg dhe të gjithë ata të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë që me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji u ka mbetur pa vuajtur 5 vjet dënim.
Përfituesit, që do të linin qelitë për shtëpitë e tyre, duhet të ishin mbi 60 vjeç dhe me ndonjë sëmundje kronike, e cila i bën më vulnerabël ndaj virusit COVID-19, të vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse. Burime bëjnë me dije, se një pjesë e tyre ende nuk janë rikthyer në institucionet e burgjeve. Në fillim të këtij viti, pas miratimit të aministisë në Kuvend, fituan lirinë 175 të dënuar. Nga aministia e miratuar në fillim të këtij viti, përfituan vetëm ata të burgosur për të cilët ka pasur jë vendim të formës së prerë deri në datë 31 dhjetor 2019. Mes 175 të dënuarve që përfituan 150 ishin meshkuj, 23 gra, si dhe 2 të mitur. Gjithashtu, 29 gra të tjera që vuajnë dënimin në burgun e “Ali Demit”, përfituan uljen me një të tretën e dënimit. Amnistitë aplikohen kryesisht për gratë, të miturit dhe të moshuarit, të cilët nuk kanë kryer krime të rënda, megjithëse në këtë rast numri i meshkujve që kanë përfituar është 7 herë më i lartë se i grave. Zakonisht falje përfitojnë edhe personat që janë në përfundim të dënimeve të lehta. Hera e fundit kur qeveria ka amnistuar të dënuar ka qenë viti 2016. Asokohe u amnistuan 650 të dënuar, ku vetëm 15 ishin gra.
Tri dënimet kryesore të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon në nenin 29 të tij tri dënime kryesore për personat që kanë kryer krime: burgimin e përjetshëm, burgimin dhe gjobë. Po në paragrafin e dytë të këtij neni parashikohen dy dënime për personat që kryejnë kundravajtje penale, konkretisht, dënimi me burgim dhe ai me gjobë. Dënimi me burgim për krimet jepet për një kohë nga pesë ditë deri në tridhjetë e pesë vjet. Maksimumi i dënimit me burgim u ashpërsua në vitin 2013, nga 25 vite në 35. Për burgimin e përjetshëm, Kodi Penal parashikon disa kushte. Së pari, dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë. Së dyti, dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.
Të dënuarit me burgim të përjetshëm, apo të tjerë të dënuar po me burgim caktohen për vuajtje dënimi në institucione të caktuara posaçërisht për këtë qëllim, sipas parashikimeve të Kodit Penal. Kategoria e të miturve e kryen dënimin me burgim në vende të veçanta nga të rriturit dhe gratë e kryejnë dënimin me burgim në institucione të veçanta nga burrat. Këto dënime kryesore mund të shoqërohen me dënime plotësuese, sipas rrethanave të çështjes dhe diskrecionit të gjyqtarëve. Kodi Penal parashikon gjithashtu edhe kushte për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Konkretisht, një i dënuar i cili vuan një dënim me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata nëse ai ka vuajtur të paktën tridhjetë e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe qëllimi i riedukimit të tij është arritur. Për sa i përket dënimit me vdekje, Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 65 datë 10.12.1999 shpalli si antikushtetues dënimin me vdekje në kohë paqeje, që parashikohej në Kodin Penal dhe Kodin Penal Ushtarak. Kjo u nxit si rrjedhojë e aderimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës. /Ra.My.Fjala.al/