Ismail Kadare
Shtëpia “Heinrich Boell” ka organizuar një forum për Kosovën. Ka shkrimtarë, historian dhe filozofë nga gjithë Europa. Midis tyre nga ish-Jugosllavia, shqiptarë nga Kosova, kroatë, sllovenë. Midis të ftuarve, Guenter Grass, Daniel Kohn Bendit, Jacques Rupnik, Andre Gluecksmann, Vesna Pesiç, Georgy Konrad, Herta Muller etj.
Forumi hapet me lexim teksti nga“Tri këngë zie për Kosovën”. E ndiej se si të gjithë janë në përgjim të zbulimit të “nacionalizmit shqiptar“, këtij gogoli që përmendet gjithkund, por pa u përcaktuar asnjëherë se ku shfaqet.
Nga kjo pikëpamje, “Tri këngë zie”është me të vërtetë një tekst çorientues, madje, do të thosha torturues, për të mos përdorur fjalën djallëzor. Është botuar në gati dhjetë vende, duke përfshirë Turqinë dhe Greqinë, dhe kurrkush ende nuk ia ka zbuluar ku e ka nacionalizmin.
Ndërkaq, të gjithë janë të bindur se ai diku ndodhet i fshehur dhe do të gjendet dikush që, më në fund, ta zhbirojë (shpresa e fundit mund të jetë, për shembull, një shqiptar! Pse jo? Rimohuesit janë përherë më të zellshmit).
Në Gjermani, ashtu si në Francë, Kosova i ka ndarë intelektualët në dy kampe. Për fat, si kudo, me të shquarit, më të talentuarit, janë, përgjithësisht, në anën që duhet. Edhe në këtë forum ndihet nervozizmi kundër shqiptar, por i druajtur, i shtypur nga pala kundërshtare. Në pushimin midis dy seancash, ai shpërthen në një trajtë tejet vulgare: një serb e shan Herta Mullerin me fjalën“kurvë!“Ditën e dytë, kundërshqiptarizmipërpiqettëmarrëveten. Kam vënë re se e keq janë kësi rastesh del atje ku s’e pret. Ndërsa përfaqësuesi serb, Bora Çosiq, është i arsyeshëm, fjalën me të keqe kundër shqiptarëve të Kosovës e mban hungarezi Georgy Konrad. Shpifje të nivelit të ulët kundër UÇK-së, propagandë shoviniste serbe, asnjë fjalë kundër krimeve në Kosovë, përkundrazi, vajtim për vuajtjet e Serbisë!
Nga salla ka reagim: zhurmë, britma“mjaft!“. Drejtuesi i seancës i thotë ta ndërpresë fjalimin, ngaqë e ka shpenzuar kohën që i përket. “Lëreni njeriun të shprehet deri në fund!“, bërtet një gjerman pa flokë nga salla. Botuesi i mihershëm, Giuseppe de Siati, që e kam përbri, më pëshpërit te veshi: e pe njeriun që i dha zemër Konradit? E quajnë Michel Geismayer. Ka qenë spiuni Stasit, me detyrë për të përgjuar intelektualët. Tani nuk i flet kurrkush me gojë në Berlin…
Ndiej një kënaqësi që të ligjtë, si zakonisht, janë bashkë. Georgy Konrad, e kam njohur, më 1988, në Lisbonë, mblidhet si urith. “Ç’mendoni për fjalën e Konradit? “Është pyetja që më drejton në pushim radioja gjermane. Përgjigjja ime merret me mend. Ky njeri i bën lajka Serbisë, në kohën që qindra-mijëra hungarezë të Vojvodinës vuajnë nën diktaturën serbe. Mirëpo logjika e re negative është e mbrapshtë. S’është e rastit që Konradin nuk e duan në Hungari, më shpjegon De Siati.
Në seancën tjetër është Andre Gluecksmann-ipolemizon me dy profesorë gjermanë të së drejtës. Në të vërtetë, është Gluecksmann-i që sulmon, kurse profesorët mbrohen tërthorazi. I bien njërës kambanë: sulmi i NATO-s kundër një vendi sovran ka qenë joligjor. Asnjë fjalë për masakrat e shpërnguljet në Kosovë. Glucksmann-i, që, për shkak të lëkurës së hollë, skuqet shpejt, bëhet si paparunë„
„Zotërinj profesorë, toka e Kosovës është plot me foshnja të vrara nga ky shtet sovran, ç’thoni ju për këtë?“Profesorët nuk përgjigjen. Përballë këtij cinizmi të neveritshëm, Gluecksmann-i e humbet kontrollin. „Zotërinj profesorë, a duhet t’jua kujtoj që, më 1937, shumica dërrmuese e profesorëve gjermanë të së drejtës votuan për Hitlerin?“Profesorët nuk përgjigjen.
(Pjesë nga ditari “Ra ky mort e u pamë”, mbajtur më 1999-tën)