Tronditet Evropa/Shqiptarët, të besuarit e karteleve të kokainës në Amerikën Latine

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Krimi i organizuar në vendin tonë vitet e fundit është sofistikuar. Grupet kriminale në vend forcohen dita-ditës dhe duke krijuar lidhje direkte me kartelet e drogës në Amerikën Latine. Grupet shqiptare tashmë nuk janë më të dorës së dytë apo të tretë, por ato kanë krijuar lidhje dhe marrëdhënie me prodhuesit e “pluhurit të bardhë”, duke pasur rol kyç nga blerja në “dorën e parë” deri te shpërndarja me porcione të vogla e kokainës në vendet e Bashkimit Evropian. Prokurorët e antimafias, të shqetësuar nga mënyra e organizimit të grupeve kriminale shqiptare që mbajnë lidhje të forta me kartelet më me emër. Çfarë thotë raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikun e drogës nga shqiptarët.

Nga Elvis Myrta

Në orët e para të së martës së 15 shtatorit, një operacion i gjerë ndërkombëtar antidrogë, i ndërmarrë nga autoritetet italiane përfundoi me shkatërrimin e një organizate kriminale që transportonte kokainë nga Amerika Latanie drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ky rrjet i sofistikuar i trafikut të drogës drejtohej nga shtetas shqiptarë. Në Itali operacioni u shtri në qytete si Firence, Xhenoa, Modenë Pizë, dhe në provincën e Lukës, por në të njëjtën kohë për goditjen e këtij karteli operacioni u shtri edhe në disa shtete, si Shqipëria, Belgjika, Gjermania, Greqia, Holanda, Rumania, Hungaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe në Ekuador.

Përfshirja e shqiptarëve në trafikun e drogës si dorë e parë, për të furnizuar të gjithë Evropën, deri para disa vitesh mund të dukej si një legjendë urbane, por sot ka shumë fakte e prova që shtetas shqiptarë janë të implikuar në këtë trafik, madje disa prej tyre mund të konsiderohen si “bosë” të drogës, pasi ata janë truri i rrjetit. Kjo përforcohet edhe nga deklarata e prokurorit të Antimafias, Federico Cafiero De Raho, disa ditë më parë, ku sipas tij, mafia shqiptare nuk është më dorë e dytë. “Ndonjëherë ne mendojmë se organizatat kriminale shqiptare janë të dorës së dytë. Operacioni ‘Los Blancos’, nga ana tjetër, na tregon se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të jashtëzakonshme, bëjnë tregti me kartelet e Amerikës Latine, duke mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme me to. Hetimet gjithashtu bënë të mundur konstatimin e ekzistencës së superstrukturës së tyre kriminale.”, tha disa ditë më parë prokurori italian.

Por ai nuk është i vetmi që ka dalë publikisht me këto deklarata, pasi gjatë viteve zyrtarë të lartë të Antimafias italiane kanë raportuar me shqetësim fuqizimin e lidhjeve të mafias shqiptare me atë italiane, duke krijuar lidhje direkte me kartelet e drogës për të sjellë “pluhurin e bardhë” në Evropë. Nisur nga disa sekuestrime në portet e Holandës, Belgjikës dhe Greqisë duket se linja më e re e trafikut të drogave të forta kalonte nga Shqipëria, ndaj dhe vendi ynë u fut në “listën e zezë” të mbajtjes nën vëzhgim dhe përfshirjes së institucioneve në hetime të përbashkëta. Në dosjet e shumta që ndodhen jo vetëm në Europol, por edhe në arkivin e Policisë Shqiptare, rezulton se mjaft aktive ka qenë prej vitesh linja e re e kokainës nga Amerika Latine. Duket se trafikantët prej vitesh tashmë kanë zgjedhur rrugën Guayaquil në Ekuador – Pire në Greqi – Durrës në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Azi për në Evropë.

Kjo mbështetet në shtimin e rasteve kur në Shqipëri janë kapur ngarkesa droge që vinin direkt nga Kolumbia dhe Ekuadori, teksa janë zbuluar edhe laboratorë droge të ndërtuar në bashkëpunim me amerikanolatinë të ardhur në Shqipëri. Por pas këtij trafiku ndërkontintental numërohen edhe vrasje dhe ekzekutime barbare të shqiptarëve në Amerikën Latine. Rasti i parë i shqiptarëve të përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine, është ai i vitit 2001, kur në Shqipëri u zbulua grupi i parë kriminal i trafikimit të kokainës kolumbiane në Evropë. Në atë kohë në pranga përfunduan 6 persona, ndër ta Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, ky i fundit në atë kohe ishte oficer në Prokurorinë e Përgjithshme. Aktiviteti kriminal i këtij grupi u hetua nga agjencia amerikane kundër drogës, DEA. Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës zbuluan se ky grup kishte kontakte me kartelin kolumbian të Medelinit dhe ishte pjesë e një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Shqetësim edhe në raportin e DASH

Në raportin e fundit për luftën kundër narkotrafikut, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë dhe heroinë direkt nga vendet e prodhimit në Amerikën e Jugut dhe Azi, me destinacion Evropën. Pohimi duket se mbështetet nga një sërë faktesh, përfshirë shtimin e rasteve kur në Shqipëri janë kapur ngarkesa droge që vinin direkt nga Kolumbia dhe Ekuadori. Gjithashtu, janë zbuluar laboratorë droge të ndërtuar në bashkëpunim me amerikanolatinë të ardhur në Shqipëri, si dhe kanë ndodhur vrasje të disa shtetasve shqiptarë në vende të ndryshme amerikanolatine. Më poshtë gazeta “Fjala po sjell një përshkrim të shkurtër të rasteve apo dëshmive që tregojnë lidhjen e trafikantëve shqiptarë me vendet burim të kokainës në Amerikën Latine.

Rasti i parë

Në vitin 2011- Departamenti Amerikan i Shtetit foli për herë të parë për bashkëpunimin e grupeve kriminale shqiptare me ato kolumbiane për trafikimin e kokainës në Evropë. Në këtë vit, u kapën edhe rastet e para të ngarkesave me kokainë me destinacion Shqipërinë.

Kapja e 125 kg kokainë

Referuar mediave ekuadoriane, në nëntor të vitit 2013, në një kontenier u zbuluan 125 kilogramë kokainë dhe destinacioni ishte sërish porti i Durrësit. Vetëm një vit vonë, nga i njëjti port, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë që sërish destinacion kishte portin detar me të madh të Shqipërisë.

Kapja e drogës në kontenierin e bananeve

Më 5 qershor të 2014-s, nga Ekuadori mbërriti në Mal të Zi një ngarkesë me 250 kilogramë kokainë, e fshehur në një kontenier bananesh. Ngarkesa ishte porositur nga kompania “Rrapo”, në pronësi të Dritan Rrapajt dhe nënës së tij. Destinacioni i drogës, me vlerë 12,5 milionë euro, ishte Italia dhe Franca, por hetimet e autoriteteve shqiptare nuk gjetën prova që ta përfshinin familjen Rrapaj në trafik.

Arrestimi i Dritan Rexhepit

Tri ditë pas kapjes së ngarkesës me 250 kg kokainë në Mal të Zi, ku destinacion ishte porti i Durrësit, në Ekuador u arrestua Dritan Rexhepi (34 vjeç), nga Vlora, pas një operacioni policor në Quito, ku u kapën 278 kilogramë kokainë. Rexhepi mbante emër të rremë, por u identifikua falë të dhënave të Interpolit, pasi dyshohej për një sërë krimesh të rënda, përfshirë vrasje me pagesë, trafik droge dhe grabitje bankash në Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë. Në Shqipëri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi, në vitin 1999.

Laboratori në Laç

Më 12 qershor 2014-s, policia zbuloi në Laç një laborator kokaine dhe heroine, në një vilë në pronësi të ish-policit 46-vjeçar Gëzim Çela, i dënuar me 6 vite burg në Turqi dhe me 11 vite në Itali për favorizim prostitucioni dhe trafik droge. Gjatë këtij operacioni policia arrestoi 11 persona, ndërkohë që shpalli në kërkim Çelën, i dyshuar si kreu i grupit.

Laboratori në Xibrakë

Disa muaj pas zbulimit të laboratorit në Laç, një tjetër laborator droge do të zbulohej në Elbasan. Më konkretisht, më 14 janar të vitit 2015, policia shqiptare zbuloi laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Ky ishte laboratori më i madh i kapur ndonjëherë në Ballkan. Uniformat blu në këtë laborator zbuluan gjithashtu rreth 4 tonë përzierës, të sjellë nga Kolumbia dhe Bolivia. 9 persona u arrestuan, mes të cilëve dy shtetas kolumbianë, Cesar Avila dhe Valter Moreno, ekspertë të përpunimit të kokainës.

Lexo edhe :  Sherr mes fqinjve në Tiranë, dy të lënduar përfundojnë në spital

Ekzekutimi i Ilir Hidrit

Më 30 maj 2017 – u vra në një lagje të Guayaquilit në Ekuador, Ilir Hidri, 40 vjeç, nga Vora. Ai u ekzekutua me 3 plumba nga dy persona që po e ndiqnin me motor. Autoritetet vendase e lidhën vrasjen e tij me trafikun e drogës. Pati edhe raportime se pas një arrestimi të tij në Spanjë, ai kishte pranuar të bashkëpunonte me DEA-n amerikane, por kjo mbeti e pakonfirmuar.

Kapja e 613 kg kokainë në Durrës

Më 27 shkurt 2018-s, u kap në Maminas ngarkesa më e madhe e kokainës në Shqipëri. Pas njoftimeve nga Gjermania, policia shqiptare kapi 613 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 180 milionë euro. Ngarkesa vinte nga Kolumbia dhe i përkiste rrjetit Clan del Golfo. Në prill 2018 Në Bogota u vra Adriatik Lagji, nga Saranda, i cili jetonte prej 14 vitesh në Kolumbi. Sërish dyshimi kryesor për vrasjen e tij është përplasja për trafikun e kokainës.

Kapja e 1 ton kokaine në Spanjë

Më 1 maj 2018, në një operacion të DEA-s amerikane dhe policisë spanjolle u arrestuan në Spanjë Julian Deblini (Gjoka) dhe Dritan Gradica (Arjan Ndoci), si dhe tre persona të tjerë. Atyre iu kap rreth 1 ton kokainë dhe 1,5 milionë euro.

Laboratori i drogës në Has

Më 19 tetor të vitit 2018, policia në një operacion të shtrirë në 6 qarqe të vendit, të koduar “Vol-vo 4”, shkatërroi 4 grupe kriminale dhe zbuloi laboratorin e tretë të drogës në vend, në fshatin Brenog të Hasit. Policia kapi 100 kilogramë opium me prejardhje nga Azia, i cili shërbente si lëndë e parë për prodhimin e heroinës. Përzierësit e përdorur për prodhimin e drogës ishin importuar nga Kolumbia.

Arrestimi në kryeqytet i Dorian Petakut

Më 30 janar 2019, për llogari të autoriteteve italiane policia shqiptare arrestoi në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, Dorian Petakun. Sipas mediave italiane, ai ishte i përfshirë me klanin roman të Casamonica-s, që trafikonte 5 deri në 7 ton kokainë në vit nga Amerika Latine në Itali.

Sekuestrimi i 617 kg drogë me stemën e Elbasanit

Më 2 shtator 2019 – Në një zonë rurale të Brazilit u sekuestruan 617 kilogramë kokainë, në pako të mbështjella me logon e klubit të futbollit të Elbasanit e që dyshohet se kishte gjithashtu destinacion Shqipërinë.

137 kg kokainë në 4 kontenierët në Durrës

Autoritetet policore shqiptare, në bashkëpunim me ato greke, finalizuan në shtator 2019 një operacion ndërkombëtar antidrogë, ku u sekuestruan 137 kokainë në portin e Durrësit. 2 persona u vunë në pranga. Ata janë Altin Myslimhaka dhe Ardian Bega, të dy banues në Durrës, ndërsa një i tretë, Gentian Malindi, u shpall në kërkim.

Konfiskimi i pasurive nga SPAK-u

Më 5 shtator 2020 SPAK-u kërkoi konfiskimin e milionave eurove pasuri të disa personave që zhvillonin trafik droge nga Amerika Latine në Linzë. Sipas letërporosisë nga hetimet e kryera në Holandë ka rezultuar se shtetasit Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk prej disa viteve kanë aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, duke e trafikuar atë nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe me pas në vendet e tjera të Evropës, si Angli, Itali etj.

 

BOKS

Operacioni “Los Blancos”, u shtri në 3 kontinente

Një operacion i shtrirë në tri kontinente, një javë më parë shkatërroi një kartel droge që drejtohej nga shqiptarë. Pesë vjet hetime të autoriteteve italiane në bashkëpunim me Europolin çuan në goditjen e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Evropë, i drejtuar nga një grup kriminal shqiptar. 30 masa arresti me burg u ekzekutuan nga policia italiane e Firences, 5 prej të cilëve u prangosën në Shqipëri në një operacion të koduar “Los Blancos”, siç është dhe emri ndryshe i skuadrës së Realit të Madridit. Paratë pastroheshin në Kinë. Detajet nga hetimet dhe si ranë në gjurmët e trafikantëve policitë e katër shteteve.

Kush janë dy organizatorët kryesorë të kësaj organizate kriminale, Dritan Rexhepi dhe Eldi Dizdari. Nga hetimet e Europolit për këtë rezulton se ky rrjet kontrollonte gjithë zinxhirin, nga organizimi i dërgesave të mëdha nga Amerika e Jugut, deri te shpërndarja në Evropë, duke përdorur mjete komunikimi të sofistikuara dhe të koduara. Ishte vetë kreu i kësaj organizate, kriminale, i cili jeton në Ekuador, ai që negocionte drejtpërdrejt me kartelet e Amerikës së Jugut. Ai organizonte dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Evropës, dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve në Itali, Holandë dhe Shqipëri përgatisnin shpërndarjen në mbarë Evropën. Kokaina trafikohej në vendet e Evropës nëpërmjet automjeteve të modifikuara. Banda bënte pastrim parash përmes një sistemi me origjinë nga Kina, i njohur si sistemi “fei ch’ien”.

Një operator në krahun tjetër tërheq shumën e parave në një vend tjetër në botë, dhe ia kalon marrësit të shumës. Ky rrjet ka pastruar miliona euro, duke mos lënë asnjë gjurmë për hetuesit. Sipas Europolit, koka e këtij rrjeti, dyshohet se është Dritan Rexhepi. Edhe pse pas hekurave, ai kontrollonte trafikun e kokainës nga Amerika Latine deri te shpërndarësit në Evropë. Për të kryer transportin e kokainës ata kishin ngritur një kompani të quajtur “Kompania Bello”, e cila merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën. Hetimet për shkatërrimin e këtij grupi, që drejtohej nga Rexhepi, zgjatën 5 vjet. Europoli bën me dije se këtij grupi në periudha të ndryshme i janë sekuestruar rreth 5 milionë euro kesh, si dhe një sasi rekord droge, prej 4 tonësh kokainë, vlera e së cilës kap një shifër prej 100 milionë eurosh, nëse do të hidhej në treg.

Operacioni i koduar “Los Blancos”, i kryer më 15 shtator, përfshiu bashkëpunimin e policisë së 10 shteteve dhe solli arrestimin e të paktën 20 personave, 11 prej të cilëve janë shqiptarë. Në prangat e autoriteteve të huaja përfunduan Eldi Dizdari 30 vjeç, arrestimi i të cilit u bë i mundur në Dubai. Në Rumani u arrestua 40-vjeçari Lek Çolaj, në Spanjë Sokol Aliko, i njohur edhe si Sokol Mehmetaj, ndërsa në Hungari u vu në pranga Robert Varga. Ndërsa në vendin tonë operacioni u shtri në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Vlorë. Në kryeqytet, në prangat e policisë përfundoi Gentjan Manaj. Në Vlorë u arrestuan Elvis Jaupaj dhe Jorin Llambro. Blutë e Durrësit vunë në pranga Rexhino Ibrahimin, ndërsa në Lezhë u arrestua Vladimir Lesaj. Gjithashtu, pjesë e këtij karteli është edhe Altin Velsula. Aktualisht, ky shtetas ndodhet në burg, në Norvegji, aty ku iu komunikua edhe masa e sigurisë. Personat e tjerë të arrestuar në saje të operacionit të koduar “Los Blancos”, u prangosën në Itali, Holandë, Gjermani dhe Greqi. Ky operacion konsiderohet si më i madhi i këtij lloji kundër krimit të organizuar shqipfolës dhe është rezultat i një ekipi të përbashkët hetimor me pjesëmarrjen e Italisë dhe Holandës, në të cilin palët kanë punuar ngushtë së bashku për pesë vjet. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

Të fundit

Ekspertët e sigurisë paralajmerojnë: NATO nuk eshtë gati për nje luftë

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët. Pavarësisht stërvitjeve masive të...

Meloni me ‘mision sekret’ në SHBA: Do të takojë Trump, por nuk dihet pse

Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump. Një takim...

SHBA, funerali shtetëror gjashtëditor i ish-presidentit Jimmy Carter

Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia. Jimmy Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt...

“Në fillim jam trembur…”, Eno Popi tregon raportin e veçantë me të bijën

Prej vitesh, Eno Popi jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare jetojnë atje, ndërsa Eno, për shkak të punës së tij,...

Përfshihen nga flakët dy banesa në Pogradec

Dy banesa janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 në Pogradec. Dy banesat janë përfshirë nga zjarri pasi mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV