Hijet e dopingut vazhdojnë ta përndjekin sportin e peshëngritjes dhe, përtej përpjekjeve për të pastruar veten, që kulmuan në largimin e presidentit afatgjatë, por sigurisht, tepër kontradiktor të Federatës Botërore (IWF), Tamas Ajan, një tjetër skandal ka shpërthyer së fundmi, një skandal që rrezikon të prekë edhe Shqipërinë. Është zbuluar se plot 130 teste anti-doping janë fshehur gjatë “regjimit” të Ajanit, me Agjencinë Botërore të Anti-Dopingut (WADA) që i ka kërkuar organizmit që qeveris shtangën botërore që t’i dorëzojë këto teste, që variojnë nga shumëvjeçare deri në ato të marra në 2019-ën, por mendohet se kanë të bëjnë me 10-vjeçarin e fundit. Nuk është ende e qartë se ku janë depozituar këto teste dhe sa prej tyre mund të ketë rezultuar pozitivë për përdorim substancash të ndaluara, por është konfirmuar tanimë se ish-kreu i IWF-së i ka mbuluar këto raste të dopingut, si për të shmangur humbjen e statusit olimpik të sportit të peshëngritjes, që ka humbur 64 kuota për Olimpiadën e Tokios, ashtu edhe për t’u bërë favore vendeve të ndryshme, siç ka qenë rasti i Turqisë apo Azerbajxhanit, që kanë patur probleme të theksuara me dopingun. Disa prej këtyre testeve nuk kanë emrin e sportistit, ndërsa të tjerë nuk kanë kombësinë e tij apo hollësi të tjera, si datën dhe vendin e marrjes. Po kështu, edhe 24 teste të marra jashtë gare në Botërorin e Hjustonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 2015-ën, janë mjaft të dyshimta, sipas një hetimi të pavarur të juristit kanadez, Riçard MekLaren”. Interesant është fakti se periudha për të cilën bëhet fjalë përkon me drejtimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes nga presidenti famëkeq, Elez Gjoza, dhe kjo periudhë njihet si më e errëta në shtangën shqiptare sa u përket rasteve me doping. Kjo e ka trazuar mjedisin e peshëngritjes shqiptare, teksa është mësuar se sportistë individualë, por edhe organizmat kombëtare, pra, Federatat, do të merren në pyetje nga WADA se pse nuk kanë kërkuar të ndiqen procedurat normale pasi janë dorëzuar testet e dopingut.
Raporti i Meklarenit sqaronte se në periudhën 10-vjeçare midis 2009-ës and 2019-ës, Ajáni kishte mbledhur personalisht rreth 3 milionë dollarë (2.4 milionë stërlina angleze ose 2.6 milionë Euro) me para në dorë (“cash”) nga gjobat për dopingut. “Ai ishte i vetmi person që mblidhte gjobat në “cash”, me ndonjë përjashtim të rrallë kur këtë e bënin anëtarë të tjerë të personelit në emër të tij, – ka sqaruar raporti në fjalë, që vijonte. Është vërtetuar tashmë se Tamas Ajani ishte personi i vetëm që depozitonte të gjitha paratë “cash” në llogaritë bankare të IWF-së. Në fakt, një delegacion i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes bëri plot 1,100 kilometra rrugë për të paguar rreth 74,000 $ (58,000 £ ose 65,000 €) në “cash”, në mënyrë që Shqipëria të mundej të konkurronte në Olimpiadën e Rios në 2016-ën. Kjo pagesë, e bërë në zyrat e IWF-së në Budapest të Hungarisë, nga 3 krerët e FSHP-së, Presidenti i Nderit, i ndjeri Gudar Beqiraj, presidenti Elez Gjoza dhe Agron Haxhihyseni, në mënyrë që të arrihej afati i kërkuar. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, pati sqaruar për mediat ndërkombëtare se Ajáni dhe FSHP-ja kishin rënë dakord më herët, mbi bazën e një premtimi për pagesë, që ta lejonin Shqipërinë të konkurronte në Rio, kur, sipas rregullave të IWF-së, ajo duhej të ishte pezulluar. Në fakt, ky episod shqiptar ka qenë pjesë e raportit të MekLarenit dhe Haxhihyseni ka sqaruar, se një shumë e konsiderueshme e parave u dhurua nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, dhe u transportuan me çanta nga Shqipëria, në Serbi dhe, më pas, në Hungari dhe pagesa u bë në ditën që mbylleshin regjistrimet për në Rio 2016. Problemet nisën për Shqipërinë në maj të 2014-ës, dy vite pasi Gjoza ishte zgjedhur në krye të shtangës shqiptare, kur Arbri Çercizi, atëherë 17 vjeç, rezultoi pozitiv jashtë konkurrimit. Kur 3 shtangistë të tjerë shqiptarë rezultuan pozitivë për përdorim substancash të ndaluara në Botërorin e 2014-ës në Astana të Kazakistanit në nëntor, numri i 4 sportistëve me doping brenda vitit bëri që Shqipëria të merrte automatikisht një gjobë prej 100,000 $ (79,000 £ ose 87,000 €). Midis tyre ishte edhe Romela Begaj, e cila u bë e para sportiste shqiptare që fitoi një medalje të artë në Botëror për çdo lloj sporti, por më pas e humbi medaljen e saj prej dopingut. Pezullimi u shpall nga IWF-ja në prill të 2015-ës dhe FSHP-ja pagoi këstin e parë prej 25,000 $ (20,000 £ ose 22,000 $) nëpërmjet një transferte bankare më 13 nëntor 2015. by bank transfer on November 13, 2015. Haxhihyseni pati sqaruar asokohe se, “në Botërorin e 2015-ës në Hjuston, Gjoza firmosi një deklaratë se do ta kryente pagesën e mbetur të gjobës dhe Tamas Ajáni e lejoi Shqipërinë të merrte pjesë në Evropianin e 2016-ës në Fërde të Norvegjisë. Por kaluan 6 muaj dhe FSHP-ja e Gjozës nuk e kishte kryer ende pagesën prej 75,000 $ (59,000 £ ose 66,000 €) dhe dy peshëngritësit e saj, Evagjelia Veli dhe Briken Calja rrezikonin të mungonin në Rio, por edhe shtanga shqiptare të pezullohej për një vit. Dhe kjo çoi edhe në aventurën 1,100 km të krerëve të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes me një çantë me para përtej kufinjve të 3 vendeve. Në fakt, drejtimi për 6 vjet, nga 2012-ta në 2018-ën, kur Elez Gjoza u bë i pari president i FSHP-së që detyrohet të japë dorëheqjen, ishte në kuadër të atij që cilësohet si 10-vjeçari më i keq i peshëngritjes botërore nën drejtimin e Ajanit, me të paktën 615 raste të konfirmuara të përdorimit të substancave të ndaluara, që rrezikojnë të rriten edhe më. Në kontrast me rastet e shumta, të njëpasnjëshme dhe të bujshme të dopingut nën drejtimin e Gjozës, Federata Shqiptare e Peshëngritjes, e drejtuar nga presidenti aktual, Theodhor Masllavica, e ka shndërruar luftën ndaj dopingut në kredo të punës së saj, duke bërë që të mos ketë në dy vitet e fundit asnjë rast të sportistëve shqiptarë që kanë rezultuar pozitivë për doping.
Pa.Va/Fjala.al