Nga Elvis Myrta
Kur kanë mbetur vetëm 24 orë nga mbyllja e aplikimeve për t’u bërë pjesë e BKH-së, e njohur si “FBI-ja shqiptare”, për të qenë pjesë e kësaj strukture kanë shfaqur interes 250 persona. Mësohet se aplikantët janë nga shoqëria civile, oficerë policie, oficerë të policisë gjyqësore dhe juristë. Burime për “Fjalën” thanë se duke filluar nga nesër do të nisë përzgjedhja e atyre që plotësojne kriteret ligjore, e më pas gara për të zënë një nga 60 vendet si hetues në institucionin më të ri të drejtësisë shqiptare.
Tetori është muaji kur do të nisë procedura për rekrutimin e kandidatëve që aspirojnë për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë e cila do të hetojë të korruptuarit dhe bosët e krimit. Sot mbyllet procesi i aplikimeve për hetues të BKH-së. Mësohet se numri i aplikantëve për t’u bërë pjesë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë, është mjaft i lartë.
Burime të sigurta për gazetën “Fjala” bënë me dije se deri më tani thirrjes për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit”, kur kanë mbetur vetëm 24 orë nga mbyllja e zyrtare e aplikimeve, i janë përgjigjur 250 persona. E kontaktuar nga gazeta “Fjala”, drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj, përsëriti mesazhin e saj, ku edhe pse mbeten disa orë nga mbyllja e aplikimeve, ajo fton çdokënd që plotëson kriteret, të aplikojë që të bëhet pjesë e BKH-së. Më tej për “Fjalën”, Hajnaj theksoi se Byroja Kombëtare e Hetimit është në kërkim për më të mirët, ndaj siguron të gjithë aplikantët se procesi i përzgjedhjes së tyre do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent.
Nga 250 persona që kanë shfaqur interes, 60 prej tyre do të përzgjidhen për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Hetuesit e BKH-së, të cilët do të jenë krahu i djathtë i SPAK-ut, do të kapërcejnë të njëjtat prova që kalon edhe një një agjent i FBI-së, përpara përzgjedhjes. Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj të sigurta nga institucioni i drejtësisë, mësoi se gama e personave që kanë shprehur interes është shumë e gjerë, duke nisur nga oficerë të thjeshtë të Policisë Gjyqësore, e deri te OPGJ-të e ish-Krimeve të Rënda, ish-funksionarë të drejtësisë, juristë dhe pjesëtarë të policisë.
Burimet shtuan më tej se numri më i madh i aplikantëve vijnë nga shoqëria civile. Ndërkohë, edhe nga radhët e policisë interesi për t’u bërë pjesë e BKH-së është i konsiderueshëm. Ndërsa nga SPAK-u, janë vetëm 7 OPGJ, të këtij institucioni që kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po ashtu, në lista ka shumë ekspertë të fushave të ndryshme dhe një pjesë e madhe kanë studiuar jashtë. Kandidatët që do të bëhen pjesë e institucionit ku janë fokusuar sytë e të gjithë shqiptarëve do të vlerësohen në bazë të aftësive profesionale, integritetit, por edhe aftësive mendore e fizike.
Tri fazat që do të kalojnë aplikantët
Përveç fazave të testimit që synojnë shkallën e inteligjencës, formimin e përgjithëm dhe aftësitë psiko-fizike, kandidatëve do t’u duhet të kalojnë edhe provën e poligrafit. Gazeta “Fjala” ka mësuar se ky proces do të ndahet në tri faza. Në fazën e parë kandidatët do të plotësojnë një formular i cili përmban 6 faqe, e më pas do ta dorëzojnë atë përmes postës elektronike, jo më vonë se 29 shtatori. Kjo është vetëm faza e parë.
Aplikantëve që kalojnë këtë fazë, në fazën e dytë do t’u duhet të kalojnë testin me shkrim dhe atë të aftësive fizike. Pas kësaj, faza e tretë do të jetë edhe ajo më e rëndësishmja, pasi kandidatët do të përballen me “makinën e së vërtetës”. Për sa i përket strukturës, BKH-ja përveç drejtoreshës, Aida Hajnaj, do të ketë edhe zëvendësdrejtorin e saj, që do të emërohet nga vetë ajo. Zëvendësdrejtori do të ketë një madat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Emri i tij duhet të marrë edhe pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. BKH-ja do të ketë edhe një njësi operacionale, si dhe staf administrativ. Oficerët e mbikëqyrjes do të jenë ata që do të monitorojnë gjatë gjithë kohës komunikimet elektronike dhe llogaritë bankare të të gjithë pjesëtarëve të Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme dhe punonjësve të vetë BKH-së. Pas seleksionimit, 60 hetuesit e përzgjedhur do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u trajnuar nga amerikanët.
Akademia e Trajnimeve, ku do të shkojnë hetuesit e BKH-së, ndodhet në Uashington dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma fjetjeje, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje. Hetuesit e BKH-së do të trajnohen atje për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a faktorëve të tjerë të jashtëm që ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë.
Trajnime do të ketë, po ashtu, edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe të hetuesve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm do t’i trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI-ja, por njëkohësisht do ta mbështesin strukturën e re edhe në anën logjistike.
Çfarë është BKH-ja?
Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK-ut (Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion dhe Krimit të Oreganizuar), një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar, dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Në shumë mënyra BKH-ja është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un, po ashtu, kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH-së. Përbërja e tyre është një drejtor dhe ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarde të forta. Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK-ut dhe dy prokurorë të tjerë të posaçëm do të zgjedhin drejtorin e BKH-së.
Ky drejtor do të drejtojë ekipet e hetuesve pasi të jenë përzgjedhur për këtë organ të rëndësishëm kombëtar. Drejtorit dhe drejtuesve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare për t’u siguruar që e kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri. Juridiksioni i i Byrosë Kombëtare të Hetimit shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë. BKH-ja do të ketë fillimisht një zyrë të vetme në Tiranë, por në varësi të punës dhe ushtrimit të detyrave, kjo Byro mund të hapë zyra të përkohshme të saj nëpër rrethe.
Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar. Prokurorët e SPAK-ut mund të hetojnë që nga presidenti, kryeministri, ministra, deputetë, e deri te drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera, në varësi të qeverisë ose jo. Ligji detyron çdo punonjës të policisë dhe të Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave që për çdo rast të dyshimtë të denoncojë te prokurorët e SPAK-ut.
Më pas, çështja është në dorë të kësaj prokurorie, nëse ka vepër penale apo jo. Por, veç kësaj, ka raste kur prokurorët e SPAK-ut mund t’u marrin dosjet hetimore prokurorëve të tjerë, nëse vërejnë se dosja në fjalë është kompetencë e tyre. Gjithashtu, prokurorët e SPAK-ut mund të hetojnë kolegët e tyre në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe të përfaqësojnë akuzën në proceset gjyqësore në gjykatat e posaçme deri në Gjykatën e Lartë, duke mënjanuar prokurorin e përgjithshëm.
Kush është Aida Hajnaj që do ta drejtojë për 5 vjet BKH-në
Aida Hajnaj, 51 vjeç e ka nisur karrierën e saj rreth tri dekada më parë. Përveç CV-së me një karrierë të gjatë si efektiv policie, Hajnaj u përzgjodh si drejtuese e BKH-së edhe për shkak të formimit të saj si juriste, profil i cili mund të sjellë lehtësira dhe partneritet të ndërsjellë mes dy institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK-ut dhe BKH-së. Drejtoresha e parë e “FBI-së shqiptare”, është lindur dhe rritur në Pogradec. Ajo është diplomuar si juriste në të drejtën civile me rezultate të larta.
Karriera e saj nisi si hetuese në hetuesinë e Fierit, detyrë të cilën e ka ushtruar nga viti 1991 deri në vitin 1992. Ndërsa deri në janar të vitit të mbrapshtë ‘97 ajo shërbeu si oficere e policisë gjyqësore në komisariatin e Fierit. Gjatë këtyre viteve Hajnaj ka bashkëpunuar me prokurorinë për hetimin e disa ngjarjeve në qarkun e Fierit. Më tej ish-zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit nga viti 1998 deri në 2004 punoi si juriste pranë Këshillit të Ministrave dhe pranë departamentit juridik të Ministrisë së Brendshme. Gjatë kësaj periudhe ajo shërbeu edhe si lektore në Fakultetin e Drejtësisë. Më pas 51-vjeçarja u ngrit në detyrë, duke drejtuar disa sektorë të rëndësishëm në Policinë e Shtetit.
Nga viti 2004 deri në vitin 2013, Hajnaj ka punuar në përpunimin e të dhënave në drejtorinë e mbrojtjes së dëshmitarëve. Në atë kohë shumë dëshmitarë të drejtësisë, si ata kundër bandës së Aldo Bares dhe kundër Lulzim Berishës, së bashku me të afërmit e tyre, u mbrojtën nga kjo drejtori. Nga viti 2013 deri në vitin 2017, 51-vjeçarja, e cila për 5 vitet e ardhshme do të drejtojë Byronë Kombëtare të Hetimit, u emërua në detyrën e shefes së sektorit të hetimit për pastrimin e parave.
Më pas ajo u bë drejtoreshë e departamentit të kufirit dhe migracionit. Në janar të vitit 2019, Aida Hajnaj u emërua zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Shtetit, detyrë të cilën e mbajti deri kur u zgjodh drejtuese e BKH-së. Për sa i përket fushës akademike, Hajnaj ishte mes hartuesve që përpiluan korpusin ligjor dhe mekanizmat për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë. Më 30 korrik, pas tetë muaj verifikimesh, Aida Hajnaj u emërua unanimisht nga KLP-ja si drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për Hajnajn, anëtarët e KLP-së votuan me 9 vota pro.
Ajo u propozua nga SPAK-u, pasi 3 rivalët e saj ishin skualifikuar. Në garën për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj ishte e vetmja femër. Nga verifikimet e SPAK-ut, ajo doli e pastër në të tria kriteret, dhe për 5 vitet e ardhshme ajo do të jetë njeriu që do të luftojë korrupsionin e niveleve të larta dhe njerëzit më të fuqishëm të botës së krimit./Jo.Be/Fjala.al