Anëtarësia e Partisë Demokratike votoi në të 12 qarqet kandidatët për deputetë, duke sjellë surpriza, sidomos në skualifikimin e disa personazheve që konsideroheshin të paprekshme. Ish-drejtues lokalë dhe një pjesë e anëtarëve të Kryesisë së PD-së anatemohen nga baza. Çfarë do të bëjë Basha me 20-përqindëshin? Flasin për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli dhe Leonard Karaj.
Nga Fernada Cenko
Baza e Partisë Demokratike i ka dhënë një leksion demokracie Kryesisë së kësaj force politike dhe vetë kryetarit Lulzim Basha. Nga përmbyllja e votimeve në të gjithë Shqipërinë dhe në veçanti për Tiranën, doli që shumë prej perosnazheve që dukeshin si figura qendrore u fashitën me një të shkundur të votës. Dy ditë më parë në gazetën “Fjala” u analizua humbja e disa kandidatëve të mundshëm për zgjdhjet e përgjithshme më 2021, në disa qarqe.
Por ajo që do të quhet garë e forte, do të jetë në Tiranë, edhe për shkak të numrit të madh të deputetëve që nxjerr si qark. Pra, Basha në Tiranë duhet të jetë akoma më vigjilent për të nxjerrë figura që do t’i konkurrojnë fort ato që do të nxjerrë Partia Socialiste ose edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Referuar rezultateve të dala ditën e shtunë nga votimi i anëtarësisë, doli se një pjesë e mirë e deputetëve që kanë qënë apo që edhe do të jenë në parlamentin e 2021-shit janë kontestuar.
Pritej apo nuk pritej nga Kryesia, anëtarësia nxori Jorida Tabakun me 70 vota kontestuese. Jo pak për Tabakun, e cila njihet publikisht dhe politikisht si figurë qendrore në PD, për çështjet ekonomike, aktive dhe publikisht një politikane e paqtë. Tabaku me sa duket duhet të rishikojë impenjimin e saj me strukturat.
Votë kontestuese ka pasur edhe për Genc Pollon apo Ivi Kason, krahasuar me kandidatë të tjerë, me të cilët garuan në degë të caktuara. Kjo tregon se tashmë kryedemokrati duhet t’i vërë mirë në peshore “të padëshiruarit” e bazës që rezultuan një pjesë bashkëpunëtorët e tij të afërt, apo drejtues të sekretariateve të ndryshme. Një ndër më të kontestuarit në qarkun Tiranë, konkretisht në zonën e Kamzës, ishte Xhelal Mziu, ku vota kontestuese për të ishte vërtet surprizë.
Në mandatin e tretë qeverisës, anëtarësinë e Kamzës ose e ka lodhur, ose këta të fundit kuptuan se Mziu nuk mund të qëndrojë ende mbi kalë në opozitë dhe pozitë. Ish-kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, mori 270 vota kontestuese në Kamëz. Eno Bozdo, një emër i njohur publikisht, një politikan prej shumë vitesh, ish-sekretar në PD dhe anëtar Kryesie ka marrë votë kontestuese në degën numër 1.
Demokratët në këtë votim për kandidatët e mundshëm për parlamentin 2021, u munduan të japin votën e tyre, por shpresojnë që kjo të mos përmbyset nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. E në e bëftë këtë Basha, nuk dihet se më çfarë inati do të shkojë baza në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Megjithatë, Basha e ka mbajtur “asin” nën mëngë, dhe ky “as” është 20 % i përzgjedhjes së kandidatëve që ka vetë në dorë.
Lorenc Vangjeli: “Hapja e listave, vetëm dukje, çelësi i varur në qafën e kryetarit”
Zgjedhjet e anëtarësisë së PD-së për kandidatë për deputetë përfunduan në 12 qarqe të vendit, çfarë treguan këto zgjedhje?
Ky është një akt për t’u lavdëruar. Vendimi i marrë, që t’i japë anëtarësisë mundësinë për të zgjedhur listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, apo të çdo partie tjetër, nëse do të ishte e mundur, është veprimi i duhur e, madje, edhe i vonuar në kohë. Është e vërtetë ajo që thotë zoti Basha, ky është një akt që ndodh për herë të parë në Shqipëri, por edhe në rajon. Kjo e bën të gjithë procesin më demokratik, më të hapur, më të drejtpërdrejtë.
E bën votuesin kësaj here jo vetëm konsumues, por edhe prodhues realitetesh politike, jo vetëm një tifoz, por edhe protagonist. Si rregull, votuesit thirren në apel vetëm në ditën e votimit, kur partia e tyre shkon në pushtet ose në marshet e protestës, kur ajo përfundon në opozitë.
Qoftë dhe këtë standard të dyfishtë hipokrizie dhe raporti në nevojë mes partisë lart dhe militantit poshtë të ketë cenuar PD-ja në këtë mënyrë, do të ishte një shërbesë e dobishme. Por dardhat politike në çdo stinë në Tiranë e kanë bishtin mbrapa. Madje, aq të madh sa fshehin edhe vetë dardhën. Propozimi Basha për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë duket sikur e hap listën, por çelësin e lë të varur në qafën e kryetarit.
Ai skualifikon dhe nuk certifikon. Mohon, por nuk pohon. Duhet të ishte totalisht e kundërta: anëtarësia duhet të përcaktonte hierarkinë. E krijuar sipas parimit të spastrimit, sipas hiles që lutet për mish që piqet, për të shpëtuar hellin, i jep vetë hellit mundësi të strehohet gjetkë. Jo si mjet shpëtimi e zgjidhjeje, por si mekanizëm ndëshkimi dhe krijues halli.
Duke dashur të shpëtojë nga stigma e listës së 2017-s, Basha ka demonstruar pavendosmëri dhe jo lidership. Gjërat që lihen në mes të rrugës janë rrugë që të lënë në mes të katër rrugëve. Bashën ende e ndjek hija e listës qesharake që bëri minutën e fundit në 2017-n. Kështu që ai po mendon për zgjidhjen dhe shfajësimin e vetes, nëse humb dhe jo për krijimin e një mekanizmi fitues.
Baza e PD-së ka larguar ose votuar masivisht kundër disa personazheve si ish-kryebashkiakë apo edhe individë brenda kupolës së PD-së. Çfarë tregon ky fakt dhe si po e lexon votën e anëtarësisë së tij z. Basha?
Skualifikimi është një lloj pushkatimi politik për atë që ikën. Shihni nesër ata që largohen nga listat. Me të gjitha gjasat do ta shihni në një përqafim pragmatik e hakmarrës me një mullixhi si Edi Rama. Ky akt do të jetë një nga tri-katër gafat e këtij katërvjeçari që rrezikojnë ta lënë sërish PD-në në opozitë. Do të jetë bumerangu që do të kthehet serish në selinë e PD-së, mbasi u hodh drejt mazhorancës dhe bëri një rrugë në çdo qark të vendit.
Basha dhe këshilluesit e tij u sollën si ato vajzat e lirshme, që mbasi kalojnë rininë në harbim dhe nisin të plaken, vendosin të ngrysen në manastir, për të predikuar moral për vajzat e lirshme. Le të supozojmë se gara është e ndershme, listat janë normale, se incidentet e raportuara nuk janë reale. Po e marrim që gjithçka që po ndodh, ka ndodhur në kushte perfekte zgjedhjeje. Edhe pse kjo gjë është e pamundur në një vend si Shqipëria apo për një parti si Partia Demokratike, që kanë më shumë periudha divorci sesa martesa me demokracinë. Ajo që ka prodhuar gara partiake është prova që tregon se një pjesë e madhe e të zgjedhurve në PD, por edhe gjetkë, janë zgjedhje të gabuara.
Zgjedhjet në partitë politike, ekipet e tyre drejtuese, duke nisur nga deputetët, apo me drejtuesit e të gjithave niveleve, në Shqipëri, për fat të keq, janë shndërruar prej vitesh në një pronë të kryetarëve, që kanë krijuar rrethin e tyre, që jo gjithmonë, jo si përjashtim, por si rregull, ka qenë i gabuar. Në Shqipëri ka vite që është vrarë gara, është vrarë rrjedha normale e karrierës.
Kjo nuk është e vërtetë vetëm për politikën, por për gjithçka. Sot mund të gdhihesh i varfër e të ngrysesh biznesmen, mund të ngrysesh analfabet dhe mund të zgjohesh drejtues i lartë në Ministrinë e Arsimit. Mund të jesh budalla i padobishëm dhe mund të jesh një nga 140 gra dhe burra që vendosin për fatet e këtij vendi. Mund të jesh një njeri i cili meriton prangat në kuptimin direkt të fjalës dhe të kesh qenë gkykatës apo prokuror. Ka ndodhur shumë shpesh që gjykatësi të ishte më bandit se i mjeri që kishte për gjykim përballë.
Duke iu thënë këtë skicë se çfarë po ndodh prej vitesh në këtë vend, po ju them se Partia Demokratike nuk bën përjashtim. Është pjesë e kësaj lige që na ka mbërthyer prej fyti. Votimi i anëtarësisë është një lakmues që tregon thellësinë dhe gjerësinë e këtij realisteti. Tregon që në Shqipëri, së paku nuk kemi të bëjmë me politikanë, por kemi të bëjmë me ata që mund të quhen nëpunës në politikë, që paguhen për këtë gjë por që nuk ia kanë haberin kësaj pune.
U bë shumë zhurmë kohë më parë për praninë e zotit Berisha në listë. Po të kihen parasysh kriteret që vetë PD-ja kishte shpallur për përpilimin e listës, ky ishte një diskutim që as duhej të bëhej. Por në të kundërt, u bë me shumë ligësi dhe hipokrizi. Sepse të githë e dinë që është më mirë origjinali sesa kopja e keqe. Se është më mirë Saliu se Salianji.
Një nga fenomenet e zgjedhjeve të vitit 2017 ishte pjesëmarrja e ulët në votime e simpatizantëve të Partisë Demokratike, ndërsa aktualisht kemi një pjesëmarrje të lartë të anëtarësisë në përgjedhjen e kandidatëve, në një masë mbi 65%. A është ky një tregues për ndryshime në linjën drejtuese të Bashës?
Nuk mund të bëhet një krahasim. Jemi në kohë të ndryshme, rrethana të ndryshme, procese totalisht të ndryshme. Mund të pish pa problem një litër ujë në pak minuta, dhe nuk të gjen asnjë gjë, por mund të pish edhe whisky në pak minuta dhe të kesh pasoja të tjera. Jua them këtë edhe në momentin që supozohet, Siç ju thashë edhe më parë, që zgjdhjet të jenë bërë në kushte laboratorike.
Ndaj nuk mund të themi se ky 65% është i saktë, askush nuk mund të thotë se listat ishin të tilla, askush nuk mund të thotë se nuk ka pasur ndikime nga jashtë, sikundër është raportuar herë pas here nga media. Duhet tentuar t’i qëndrohet larg gjykimit mbi këtë pikë, sepse në thelb ky është një proces që duhet duartrokitur, por nuk shkon deri në fund. Akti ka mbetur në tentativë. Në thelb, duke pasur parasysh që lista në formë duket e hapur, por çelësin e saj e ka kryetari i partisë, votimi në vetvete është një akt fake, si rënkimi i prostitute.
Leonard Karaj: “Atij që shpiku votën kontestuese në PD, i duhet dhënë “nobeli i ligësisë”
Zgjedhjet e anëtarësisë së PD-së për kandidatë për deputetë përfunduan në 12 qarqe të vendit, çfarë treguan këto zgjedhje?
Qasja demokratike që kjo forcë politike tentoi të bënte me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë ishte ca si shumë “skandinave” në një vend me pluralizëm hibrid. Që në fillim, kur Basha erdhi në drejtim të PD-së, tentoi të bënte një opozitë ndryshe, më evropianiste, më pak radikale, por shumë larg kontekstit shqiptar. Nuk mund të sillesh si danez apo holandez, në një vend si Shqipëria…
Një gjë e tillë u vërejt edhe në përzgjedhjen e kandidaturave, proces ky i proklamuar me shumë bujë nga kryesia e PD-së. Që të kuptohemi: nuk kam qenë kundër kësaj ideje, por mënyrës së implementimit të saj. Si fillim, fakti se nuk kishte kritere rigoroze, të mirëpërcaktuara për ata që duhej të ishin në këto lista, bëri që si kandidatë për deputetë të figuronin edhe personazhe gati groteske, jo rrallë herë edhe ordinerë lokalë, që përkundrejt një propozimi nga “vëllezër siamezë” brenda PD-së, e shkruan emrin e tyre në listat “kandidatë të mundshëm” për deputetë.
A ishte kjo një qasje qytetare për një parti që pret të vijë në qeverisje? Unë them se jo… madje gati-gati e ktheu këtë proces në “alla portokalli” – “hë mo, të jem në listë pra, se nëse nuk bëhem deputet, të paktën një drejtorllëk do ta kap”. Kjo ishte ajo çka prodhoi më së shumti faza e parë. Më pas seleksionimi e rriti disi besueshmërinë e këtij procesi, por nuk largoi problematikën në vetvete, pasi inatet brenda familjes, nëse kishte të tilla dhe ende jo të dukshme, tanimë morën formë dhe trajtë, duke u kthyer në problem.
Arsyeja qëndronte më së shumti te mënyra e përzgjedhjes, pasi në vend që të kualifikoheshin ata që merrnin më shumë vota, ndodhi e kundërta, pasi anëtarësia do të duhej të votonte për ata që nuk i donte… Tani, se cili “mendjendritur” në PD shpiku këtë mënyrë votimi, në gjykimin tim, do të duhet konsideruar për “nobelin e ligësisë”.
Një tjetër hile në këtë proces lidhet edhe me kandidimin tashmë në Tiranë, të disa figurave të konsideruara si të konsumuara. Duket se Basha dhe lidershipi i PD-së e ka kuptuar edhe më parë sesa anëtarësia, se personazhe si Genc Pollo, Florjon Mima, Agron Shehaj, Aleksandër Biberaj, Arben Ristani etj., të cilët kanë qenë në krye të qarqeve të ndryshme gjatë 10 viteve të fundit, nuk do të votoheshin, për shkak të përplasjeve me bazën, aktivitetit të vakët politik dhe rezultateve aspak të mira që PD-ja pati marrë me këta të fundit ne krye të këtyre qarqeve. Kësisoj, për t’i pasur gjithsesi, i futi në listën paraprake të Tiranës.
Baza e PD-së ka larguar ose votuar masivisht kundër disa personazheve si ish-kryebashkiakë apo edhe individë brenda kupolës së PD-së. Çfarë tregon ky fakt dhe si po e lexon votën e anëtarësisë së tij z. Basha?
Pikërisht, mënyra se si duhej të skualifikoheshin nga lista kandidatët ishte më e keqja e mundshme. Nuk besoj se ish-kryebashkiaku i Kukësit është larguar nga lista se nuk parapëlqehej nga anëtarësia e PD-së në atë qark. Përkundrazi. Ky i fundit (të paktën ky), është votuar për të qenë pjesë e listës, por fatkeqësisht ata që patën votuar ishin në padituri të plotë të këtij konceptvotimi.
Diçka ndryshoi në ditët në vijim (duke vërejtur problematikat e hasura në Kukës, qarku ky që bëri i pari të tilla zgjedhje), por gjithsesi pa krijuar cilësi, pasi në 90% të rasteve, të gjithë kandidatët u konfirmuan nga anëtarësia, a thua se PD-ja ka kaq shumë kapacitete, sa mund të nxjerrë mbi 1000 deputetë. Teksa “ndëshkimi” i disa figurave, si në Pogradec për shembull, me z. Balliu dhe me ish-kryebashkiakun Kapri, u pa qartë se më së shumti kemi të bëjmë me inate personale, sesa me përzgjedhje për shkak të kontributit të vakët të këtyre të fundit.
Të mos harrojmë se, të paktën, Klevis Balliu ka qenë një nga deputetët dhe ish-deputetët më aktivë të PD-së gjatë tri viteve të fundit, ndaj në gjykimin tim, askush më shumë sesa ai nuk do ta meritonte që të ishte sërish në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj force politike. Askush më shumë sesa z. Balliu nuk ka qëndruar i palëkundur, ditë-natë, ndaj një kauze madhore si ajo e Unazës së Madhe, ndërkohë që një pjesë shumë e madhe e ish-deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së PD-së ishin dhe janë ende në gjumë letargjik. Në këtë kontekst, a ka sens dhe a mund të konsiderohet i drejtë votimi i anëtarësisë së PD-së, kur lihet jashtë një politikan kaq aktiv, edhe në kohë kaq të vështira, si ato që ka kaluar PD-ja gjatë tri viteve të fundit (!!??)…
Një nga fenomenet e zgjedhjeve të vitit 2017 ishte pjesëmarrja e ulët në votime e simpatizantëve të Partisë Demokratike, ndërsa aktualisht kemi një pjesëmarrje të lartë të anëtarësisë në përgjedhjen e kandidatëve, në një masë mbi 65%. A është ky një tregues për ndryshime në linjën drejtuese të Bashës?
Nuk përbën aspak risi kjo gjë. Pas mjaltit mblidhen edhe grerëzat dhe jo më bletët… Unë nuk e shikoj si një ndryshim, për shkak të linjës drejtuese të Bashës. Lidershipi i PD-së ka qenë i tillë që në 2014-ën, kur Lulzim Basha erdhi në krye të kësaj force politike. Ka pasur probleme organizimi, përshtatshmërie, por më së shumti besueshmërie.
Gjithsesi, rritja e pjesëmarrjes nuk ka ardhur për shkak të këtyre të fundit, më shumë sesa për faktin se një pjesë e mirë e votuesve të djathtë (jo atij tipik), shkon andej nga fryn era. Dhe në rastin konkret, duke parë edhe zullumin e jashtëzakonshëm të qeverisjes së “rilindjes” po tenton të shitet te PD-ja. Madje, nuk do të jetë aspak çudi që njerëz që deri dje dhe sot ishin edhe në drejtim, në dikastere të ndryshme në administratë, nesër të bërtasin edhe më shumë sesa militanti i PD-së, kundër Ramës, vetëm e vetëm që të lënë përshtypjen e “opozitarit të thekur”.
Nga të tilla personazhe ka vuajtur gjithmonë PD-ja, dhe me gjasë duket se do t’i mbajë ende në kurriz. Si përfundim, unë mendoj se ky proces më shumë i vlen Bashës për “ta zhveshur” nga një lloj përgjegjësie, por jo se lista e kandidatëve nuk do të dalë ashtu sikundër do dëshirojë ky i fundit dhe lidershipi i PD-së.
Ndaj do të ishte naivitet të besohej se lista e deputetëve realisht do të përcaktohej nga anëtarësia. Dhe kur vëren me kujdes propozimet e bëra që në fillim nga anëtarësia dhe mënyra e votimit, deri-diku, “ndërhyrja” e lidershipit të PD-së në përpilimin e kësaj liste do të ishte tejet e justifikuar, pasi, në të kundërt, nëse do t’i lihej tërësisht në dorë anëtarësisë, nuk do të ishte çudi që të kishim një listë pak të thuash, mediokre dhe ordinere.