Nga Klea Neli
Edhe pse ka studiuar në një profil tërësisht ndryshe, Arjeta Karagjozi vendosi që pasionin e saj ta kthejë në profesion. Qëndistaria me materiale të riciklueshme dhe kërkesat për punën artizanale gati në zhdukje.
“Gjergjefi modern”, kështu e ka pagëzuar Arjeta Karagjozi atë punë të qëndisjes me dorë, të cilën e kanë përdorur edhe gjyshet tona për të tendosur copën. Por sot këto punime janë të vendosura në korniza dhe janë kthyer në një profesion e punë për shumë vajza të reja. E tillë është Arjeta, 23-vjeçarja që ka studiuar Inxhinieri Agrare në degën Hortikulturë edhe Arkitekturë Peizazhi, por pasioni i saj është qëndisja me dorë.
Nuk mund të ndodhte ndryshe, një vajzë që e do të bukurën, është e lidhur ngushtë edhe me peizazhin. Dashuria e saj për të bërë gjëra të veçanta ka lindur prej kohësh, kur ajo qëndiste bluzat e saj për të qenë ndryshe nga të të tjerëve. Por tashmë prej 1 viti e gjysmë pasionin e ka kthyer në profesion. Arjeta u shpreh për gazetën “Fjala” se është shumë e lumtur për këtë zgjidhje që ka bërë dhe, nëse do të kishte mundësi të kthehej pas, përsëri do të zgjidhte këtë rrugë. “Fije Ari”, kështu quhet faqja e saj në instagram, që tashmë është faqja më e ndjekur për sa u përket punëve me dorë. “Nëse do të shihnit punët e mia, do shikoni që brenda ka shumë pasion.
Fije Ari ka lindur në nëntor të 2018-s. Relativisht 1 vit e gjysmë në treg. Përcaktoj fjalën treg, pasi unë qëndisja edhe më parë se të kisha një faqe instragrami. Por qëndizmat në atë kohë ishin minimaliste, sa për të ndryshuar ndonjë T-shirt e për ta kthyer atë në stil”, – u shpreh 23-vjeçarja. Edhe pse qëndistaria konsiderohet një një “art” i hershëm, nevoja e shtyu 23-vjeçaren të bëhej “moderne” dhe të shihte zhvillimin e teknologjisë. “Në atë kohë menaxhoja faqe instagrami. E duke parë që instagrami po bëhej trend, hapa faqen time, pikërisht me pasionin tim. Kushti i vetëm ishte një emër shqip, dhe i tillë është. Fije Ari është vetëm on line, por besimi që tashmë kam krijuar tek klienti, më bën të ndihem sikur çdokush është pranë meje duke distutuar mbi përfundimin e punës”. – shtoi Arjeta.
Ajo çka i bën unike punimet e saj janë temat e ndryshme që trajton. Sigurisht, pasioni kërkon përkushtim dhe pa të Arjeta nuk do t’ia kishte dalë dot. Gjithçka nis nga komunikimi me klientin, çfarë dëshiron ai dhe deri te përfundimi që është qëndisja me dorë. “Puna e dorës është ndjenjë mendoj unë. Nuk është thjesht një punë për t’u bërë. Çdo punë bëhet për klientë të caktuar e, kështu, nuk më është dashur të bëj produkte që t’i mbaj gjendje.
Qëndis plot pasion mbi një temë të caktuar vetëm për dikë. Kjo është më unike mendoj unë. Unë një pjesë kohe e shpenzoj duke vizatuar copat për gjergjef, duke qenë se këtu filloi lidhja me klientin. Nuk është vetëm qëndisja, është një histori mbi të. Shpesh me një klient më shkon disa ditë bisedë, për të dalë në përfundimin dhe gërshetimin e të gjithë historisë që ta permbledh pastaj në penj.
Pastaj fillon qëndisja”, – u shpreh ajo. Dhe në fund të çdo pune ajo që të jep kënaqësi, sa ndonjëherë edhe lodhjen e harron, është përfundimi. Kur ajo sheh punimet e saj të përfunduara, që duken aq të bukura, i duket sikur çdo punë i kthehet në një dashuri të re. “Çdo hap që hedh, e bëj me dëshirë, ndaj nuk mërzitem kurrë me këtë punë. Detajet, ngjyrat që shpesh m’i besojnë totalisht mua, më gëzojnë në përfundim.
Çdo punë kthehet në dashuri të re, me shaka pas çdo pune them se kjo është më e mira që kam bërë deri më sot” – qesh teksa na shpreh këtë gëzim Arjeta. Por sa kohë kërkon punimi i një gjergjefi modern? Kjo pyetje të lind menjëherë, pasi themi punë me dorë. “Kohë më parë më kërkonte disa ditë kohë të përgatisja një porosi të punuar me dorë. Por me kalimin e kohës kam arritur që këto procese t’i realizoj edhe më shpejt. Që në fillim pika ime e dobët ishte cilësia.
Duke qenë që qëndisja për vete më parë, doja perfeksion si për vete, edhe për atë çfarë do të dërgoja. Kështu dalngadalë ia dola të punoja me produkte cilësore, disa nga të cilat i marr jashtë Shqipërisë. Kohët e fundit, afro tre-katër muaj, u fokusova shumë në marketing. Tani kam 10 mijë ndjekës në instagram, faqja me më shumë ndjekës në këtë tematikë”, – u shpreh ajo me gëzim. Sigurisht, e gjithë kjo punë kaq e bukur dhe e veçantë nuk mund të mbetet vetem me një faqe instagrami.
Arjeta ëndërron të ketë një studio të sajën, por jo të fokusohet vetëm te qëndisja. Ajo dëshiron shumë që ta zgjerojë punën e saj përsëri te gjërat e bukura, të punojë me fijet e arit. Pra të qëndisë e të punojë shumë me diçka që bëhet me fije, si thurja në tezgjah, edhe kjo në mënyrë moderne. Por planet dhe hapat që ajo do të hedhë nuk përfundojnë te studioja e saj, sepse ajo nuk do ta lërë mënjanë edhe shkollën që ka bërë. “Uroj shumë që një ditë ta lidh këtë punë edhe me shkollën ku studiova disa vite.
Pra, të luleve. Dua t’i gërshetoj bashkë penjtë dhe lulet”, – theksoi ajo. Dhe si një vajzë e re me plot ëndrra për të ardhen, Arjeta suksesin do t’ia lërë kohës dhe gjërat të rrjedhin vetë. “Kam shumë plane në mendje, por dua t’i lë të rrjedhin ngadalë ndër vite, ashtu siç unë u rrita këto dy vite. Një “ëndërr” që uroj shumë ta kem në fund të një 5-vjeçari të mundshëm, është një studio me shumë artizanë bashkë, por të rinj që t’i tregojmë botës që dhe pse cilësohemi si brezi i internetit, ne e duam artin dhe krijimin”. – theksoi ajo.
Një hap tjetër në “Fije Ari” janë trendi i aksesorëve të kokës. Ideja e ardhjes së tyre ishin mendimet e karantinës së saj. “E veçanta është fakti që unë kordelet e kokës i bëj me copa të ricikluara nga veshjet second hand. Ose shpeshherë kanë qenë edhe veshje të miat, të cilat nuk i përdorja më. I zgjedh këto materiale, sepse janë këto që i bëjnë aksesorët unikë. Ndodh që të prodhoj vetëm një të tillë, e sa herë i shes pendohem, sepse s’e ribëj dot sërish me atë material”, – u shpreh ajo.
Kudo lulëzonin kordelet, sidomos ato me ngjyra dhe plot stil, dhe vajzave iu ndodh gjithmonë ta kenë nga një. “Aksesorët i pashë shumë trend. Si një tip që e dua natyrën, shpesh në shtëpinë time gjen gjëra të ricikluara, mendova që edhe këtë ta sjell nga rrobat e mia. Zgjodha disa veshje, ku në shumë raste dështova, pasi jo çdo material qëndron si aksesor. Më pas arrita t’i krijoja disa. Pasi i publikova edhe interesi ishte i lartë, solla edhe shumë të tjerë”, – shtoi ajo me plot besim që do të punojë shumë, që të mund t’i arrijë të gjitha ëndrrat e saj./Jo.Be/Fjala.al