Covid-19/ Rreth 500 thirrje më shumë në Urgjencën Kombëtare, Brataj: Maskat, të domosdoshme

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ina Allkanjari

Ulja e temperaturave është shoqëruar me rritje të  numrit të të infektuarve me COVID-19 në vend. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tregon se në Urgjencën Kombëtare ka një rritje të thirrjeve nga 1250-1300 në 1700, nga persona që dyshojnë se janë të prekur me koronavirus.  Për sa i përket shkakut të rritjes së numrit të të infektuarve, kreu i urgjencës thekson se kjo vjen për shumë arsye, nga ulja e temperaturave deri te mosrespektimi i masave.

424 qytetarë kanë humbur luftën me “armikun e padukshëm”, COVID-19, që prej fillimit të pandemisë. Një shifër e cila po shoqërohet me rritje të numrit të të infektuarve me virus nga dita në ditë, ku aktualisht shënohen 5561 raste aktive në të gjithë vendin. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tregon se në Urgjencën Kombëtare ka një rritje të thirrjeve nga 1250-1300 në 1700, nga persona që dyshojnë se janë të prekur me COVID-19.

Brataj shprehet se kjo rritje është reflektuar edhe në numrin e vizitave në banesë, ku ditët e fundit nga 25 ka shkuar në rreth 40. Për sa i përket shkakut të rritjes së numrit të të infektuarve, kreu i urgjencës thekson se kjo vjen për shumë arsye, nga ulja e temperaturave deri te mosrespektimi i masave. “Numri i të infektuarve do të rritet për shumë arsye, sepse kemi uljen e temperaturave, ndryshimin e lagështisë së ajrit që është favorizues për virusin, gjithashtu është në disfavor të mukozave njerëzore.

Rritja vjen edhe për shkak të grumbullimeve, për shkak të hapjes së shkollave edhe respektimit ose jo  masave të distancimit ose të përdorimit të maskës”, deklaron Brataj teksa nënvizon se përdorimi i maskës është e vetmja mënyrë, apo barrierë që ka vërtetuar në të gjitha kohërat që është një mjet efikas në luftën kundër virusit, pasi maska ul shpërndarjen e infeksionit.

Lidhur me situatën e fëmijëve në vend dhe infektimin e tyre me COVID-19, sipas Brataj që nga fillimi i pandemisë, për fat të mirë, situata e fëmijëve të prekur me virus është shumë më e qëndrueshme, ka pak të infektuar, por pa komplikacione. Kreu i urgjencës shprehet se problemi i fëmijëve nuk është fakti i sëmundshmërisë së tyre, por fakti që ata janë transmetues shumë të mirë, sepse e përcjellin virusin. “Të hospitalizuar janë rreth 9 fëmijë, fatmirësisht këta fëmijë janë në gjendje të mirë shëndetësore, pa forma të rënda”, shprehet Brataj. Më tej ai u bën apel aytetarëve që për çfarëdo lloj shenje apo simptome të virusit kanë tri mënyra, të kontaktojnë numrin 127-n, mjekun e familjes ose urgjencën e spitalit.

Si paraqitet situata në Urgjencën Kombëtare, për sa u përket thirrjeve nga personat e dyshuar ose të prekur me COVID-19?

Ka një rritje të thirrjeve, nga 1250-1300 ka shkuar në 1700 këto ditët e fundit. Për sa i përket numrit të vizitave për Covid-in është rreth 284 thirrje, pra ka një rritje rreth 80-100 thirrje më shumë në ditë. Po ashtu, ka një tendencë në rritje të numrit të vizitave në banesë, nga 25 në rreth 40. Gjithashtu edhe numri i të hospitalizuarve në 24 orët e fundit ka qenë 22 pacientë të shtruar në spital.

Cili është shkaku i rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus?

Numri i të infektuarve do të rritet për shumë arsye, sepse kemi uljen e temperaturave, ndryshimin e lagështisë së ajrit që është favorizues për virusin, gjithashtu është në disfavor të mukozave njerëzore. Rritja vjen edhe për shkak të grumbullimeve, për shkak të hapjes së shkollave edhe respektimit ose jo të masave të distancimit ose të përdorimit të maskës.

Për sa u përket moshave më të vogla, si paraqitet situata e fëmijëve të infektuar me virus dhe sa të hospitalizuar ka aktualisht?

Situata për fëmijët, për fat të mirë, është shumë më e qëndrueshme, ka pak të infektuar, por, fatmirësisht, pa komplikacione që nga fillimi i pandemisë. Problemi i fëmijëve nuk është fakti i sëmundshmërisë së tyre, por fakti që ata janë transmetues shumë të mirë, sepse e përcjellin virusin, dhe sa më të vegjël të jenë, aq më lehtë e marrin prindërit, pasi nuk mund të mbajnë barriera më fëmijët e vegjël.

Kjo është një nga shqetësimet që po ndodh me fëmijët, pra po sëmuren prindërit dhe jo të vegjlit.  Ndëkohë të hospitalizuar janë rreth 9 fëmijë. Për fat të mirë, këta fëmijë janë në gjendje të mirë shëndetësore, pa forma të rënda.

Çfarë mendimi ndani lidhur me vendimin e fundit për përdorimin e maskave edhe në ambientet e hapura?

Jam shumë dakord me përdorimin e maskës, sepse është e vetmja mënyrë, apo barrierë që ka vërtetuar në të gjitha kohërat që është një mjet efikas në luftën kundër virusit. Maska ul shpërndarjen e infeksionit. Maska nuk të mbron 100 për qind kuptohet, por është ndër më të mirat. Në një studim që është bërë në Angli dhe në Kanada, ishte ulur me 50% numri i infektimeve te fëmijët dhe ishte po mbi 50% numri i vizitave të fëmijëve, për shkak të përdorimit të maskës.

Lexo edhe :  Koçiu publikon videon/ Shqipëria strehë e sigurt për familjen nga Gaza

A është i këshillueshëm përdorimi i maskës gjatë gjithë kohës, dhe sa shpesh duhet ndërruar maska?

Qëllimi i maskës është ndalimi i spërklave, sepse virusi në pjesën më të madhe që kemi parë deri më tani shpërndahet nëpërmjet spërklave dhe teshtimave, dhe diametri i spërklave është shumë më i madh dhe këto barrierat e maskës, filtrat nuk e lejojnë që të hyjë ose të dalë.

Maska duhet përdorur brenda dhe jashtë ambienteve të mbyllura. Maskat me filtra specialë janë më efikase. Qëllimi është që unë të ruaj ty dhe ju më ruani mua, pra nëse jam i infektuar e ndaloj te maska spërklën time, ndaj është një përdorim i këshillueshëm për masën, për komunitetin në mënyrë që të mbrohen. Ndërkohë maska pas përdorimit ditor që i bën personi normalisht nuk duhet përdorur sërish, pasi disa janë njëpërdorimshe.

Ndërsa për personat që nuk janë në institucionet shëndetësore, mund të përdorin barriera, ose maska rrobe që i ndalojnë shumë mirë spërklat. Ato mund të lahen dhe të ripërdoren, nëse përdoren rreth 4-5 maska të tilla, nuk ka pse të blihen maska kirurgjikale, të cilat janë njëpërdorimshe, sepse si në çdo fushë edhe këtu përfituesit janë gati me lëvizjen e çmimeve dhe të shpenzimit për qytetarët. Ndaj do të këshilloja për qytetarët që të përdorin barriera mbrojtëse.

Cila është këshilla juaj për qytetarët në këtë situatë pandemie?

Qytetarët për çfarëdo lloj shenje apo simptome kanë tre mënyra, të kontaktojnë numrin 127-n, mjekun e familjes ose urgjencën e spitalit. Të tria këto mënyra, nëse është e këshillueshme për tampon ia drejtojmë njësisë vendore, epidemiologut të cilët realizojnë tamponet dhe i dërgojnë në laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik.

Gjithashtu përgjigjet, nëse ka dalë pozitiv apo negativ, qytetarit ia jep epidemiologu. Nëse ka dalë pozitiv, bëhet edhe gjurmimi i kontakteve të ngushta dhe në të njëjtën kohë i bën komunikimin mjekut të familjes, që pacienti i tij ka dalë pozitiv dhe në fazën e parë ndiqet dhe monitorohet nga mjeku i familjes. Në çdo moment, nëse pas 3-4 ditësh nuk ka përmirësim, njoftohet 127-a që bën vlerësimin fizik dhe indikacionin për shtrim në spital ose jo.

 

Ministria e Shëndetësisë: 171 raste të reja me koronavirus dhe 4 humbje jete

Vijon të rritet numri i personave të infektuar me koronavirus në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 952 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 171 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 41 raste në Tiranë, 18 raste në Durrës, 14 raste në Lushnjë, 11 raste në Fier, 8 raste në Librazhd, 7 raste në Berat, Gjirokastër, Kuçovë, 6 raste në Shkodër, Korçë, 5 raste në Elbasan, Vlorë, Mallakastër, Skrapar, 4 raste në Tepelenë dhe Përrenjas, 3 raste në Krujë dhe Bulqizë, 2 raste në Mirëditë, Tropojë, Mat, Malësi e Madhe, Peqin, 1 rast në Kukës dhe Patos.

Ndërkohë mësohet se janë shëruar 85 qytetarë, duke e çuar në 9585 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.  Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 244 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Fatkeqësisht, në 24 orët e fundit e kanë humbur betejën me COVID-19, katër qytetarë, një 64-vjeçar nga Shkodra, një 66-vjeçare nga Pogradeci, një 71-vjeçar nga Skrapari dhe një 78-vjeçar nga Përmeti.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje qytetarëve të respektojnë masat për parandalimin e infeksionit SARS-COV2.  “Ju lutemi mbani detyrimisht maskë/barrierë mbrojtëse, kujdesuni për higjienën personale, ruani distancimin fizik. Nga data 15 tetor maska ose barriera mbrojtëse prej tekstili bëhet e detyrueshme edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit”, deklaron Ministria e Shëndetësisë.

 

COVID-19 – Statistika (12 tetor 2020)

Raste të reja ditore                171

Të shëruar ne 24 orë              85

Humbje jete në 24 orë            4

Testime ditore                        952

Testime totale                        99,598

Raste pozitive                        15570

Raste të shëruara                   9585

Raste aktive                           5561

Humbje jete                           424

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë  2855

Durrës     593

Shkodër   414

Korçë       291

Lezhë       273

Elbasan     231

Fier         264

Vlorë      199

Kukës     153

Berat    145

Dibër   82

Jo.be/Fjala.al

Të fundit

Armëpushimi nis mëngjesin e së dielës. Izraeli, sulme deri në minutën e fundit

Armëpushimi në Gaza do të nisë të dielën në 08 e 30, me orën lokale, ose 7 e 30...

Pija perfekte e mëngjesit, uji me kete frut pastron mëlçine dhe permireson tretjen

Një nga pijet më të famshme është uji me rrush të thatë. Pija me rrush të thatë mund të bëhet shpejt një zakon sepse...

Shqipëria, potencial për litium?

Për herë të parë vendi ynë do të ketë Udhërrëfyesin mbi Potencialin e Lëndëve të Para Kritike dhe Strategjike. Ky udhërrëfyes do të ofrojë një...

Ukraina ndërpret gazin rus, Orban: Europa po shkon drejt një krize energjetike.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka cilësuar situatën e fundit energjetike në Europë, si alarmante. Sipas tij aktualisht vendimet e Ukrainës për të ndërprerë...

Trajneri i Dinamos: Statistikat nuk vlejnë ndaj Elbasanit, pres takim delikat

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja doli në konferencë para ndeshjes ndaj Elbasanit. “Nuk do të thotë asgjë që e kemi mundur Elbasanin në dy ndeshjet...

Lajme të tjera

Web TV