Nga Elvis Myrta
Byroja Kombëtare e Hetimit ka mbyllur fazën e parë për përzgjedhjen e 60 hetuesve të rinj që do hetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se deri ditën e premte fazën e parë e kanë kaluar 250 nga 650 pesona që shfaqën dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij institucioni. Ndërkohë që puna ka vazhduar edhe gjatë fundjavës dhe numri mund të rritet edhe më shumë. Sot BKH-ja do të dalë me njoftim zyrtar ku pritet të zbardhen edhe emrat që kaluan fazën e parë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar fazën e parë për përzgjedhjen e kandidatëve që do të jenë pjesë Byrosë Kombëtare të Hetimit. Komisioni i ngritur për përzgjedhjen e 60 hetuesve që do të hetojnë zyrtarët e lartë dhe eksponentë të krimit të organizuar prej datës 1 tetor kanë kaluar në filtër plot 650 kandidatë që shfaqën interes për t’u bërë pjesë e kësaj strukture.
Komisioni i përbërë nga prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkeljda Millonai, pas mbylljes së aplikimeve, nisi nga puna për verifikimin e dosjeve të secilit prej kandidatëve, nëse i plotësojnë apo jo kushtet bazë për të kaluar në fazën tjetër. Burime nga institucioni i akuzës bënë me dije për gazetën “Fjala” se deri ditën e premte fazën e parë e kanë kaluar rreth 250 kandidatë. Por sipas të njëjtave burime, puna ka vazhduar edhe gjatë fundjavës dhe numri mund të jetë shtuar.
Nga burime jozyrtare gazeta ka mësuar se rreth 40% e kandidatëve janë rrëzuar që në fazën e parë. Gazeta gjithashtu siguroi informacionin se kandidatët që janë skualifikuar në fazën e parë janë të gjithë ata persona që kanë mungesë dokumentacioni, si dhe kandidatët që nuk kanë arsim të lartë policor, në drejtësi, kontabilitet, apo në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Faza e parë e vlerësimit të 650 kandidatëve, të cilët kanë aplikuan për të qenë pjesë e ‘FBI-së shqiptare’, ka qenë për kriteret bazë, ku përveç personave që kishin mangësi në dokumentacionin e arsimimit gjatë fazës së parë u skualifikuan edhe ata kandidatë që nuk kishin eksperiencë dhe përvojë në polici dhe drejtësi penale. Në faqen e saj zyrtare Byroja Kombëtare e Hetimit pritet të zbardhë emrat e aplikantët që kaluan me sukses në fazën e parë. Puna për rekrutimin e kandidatëve që aspirojnë për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë e cila do të hetojë të korruptuarit dhe bosët e krimit po zhvillohet me ritme të përshpejtuara.
Burime nga SPAK bënë me dije se synohet që brenda këtij viti ky institucion në fillim të këtij viti të jetë formuar dhe të nisë nga puna. Për këtë arsye menjëherë pas bërjes publike të emrave që kanë kaluar fazën e parë, nesër fituesit do të bëjnë provimin me shkrim. Pra, sipas burimeve, të mërkurën kandidatët e kualifikuar në fazën e dytë do t’i nënshtrohen një provimi me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik.
Do të ketë një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit. Më pas do të ketë një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me eficencë. Pra testi psikologjik. Faza e fundit është poligrafi apo makina e së vërtetës. Por, procesi i skualifikimit po monitorohet edhe nga ndërkombëtarët.
Për sa i përket strukturës, BKH-ja përveç drejtoreshës, Aida Hajnaj, do të ketë edhe zëvendësdrejtorin e saj, që do të emërohet nga vetë ajo. Zëvendësdrejtori do të ketë një madat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Emri i tij duhet të marrë edhe pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. BKH-ja do të ketë edhe një njësi operacionale, si dhe staf administrativ.
Numri i kandidatëve, i madh
Numri i aplikantëve për t’u bërë pjesë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë, ishte mjaft i lartë, ku thirrjes së për t’u bërë pjesë Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte 650 persona, ku vetëm 60 prej tyre do përzgjidhen për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Hetuesit e BKH-së, do të jenë krahu i djathtë i SPAK-ut. Ata do të kapërcejnë të njëjtat prova që kalon edhe një agjent i FBI-së përpara përzgjedhjes.
Aplikantët që shprehën dëshirën për të qenë pjesë e këtij institucioni vinin nga fusha të ndryshme, duke nisur nga oficerë të thjeshtë të Policisë Gjyqësore, e deri te OPGJ-të e ish-Krimeve të Rënda. Gjithashtu kandidatë janë edhe ish-funksionarë të drejtësisë, juristë dhe pjesëtarë të policisë. Por, nuk munguan as kandidatët që vinin nga shoqëria civile. Gjithashtu, pjesë e listës janë edhe ekspertë që vijnë nga fusha të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilëve kanë studiuar jashtë.
Për përzgjedhjen e tyre është ngritur edhe një komision i përbërë nga gjashtë anëtarë. Pjesë e këtij komisioni janë 3 prokurorë të SPAK-ut, si dhe 3 ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë të gjithë procesin e përzgjedhjes së 60 nga 650 kandidatëve që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e BKH-së. Burime nga ky institucion bëjnë me dije se ekspertët ndërkombëtarë janë deleguar nga ambasada amerikane, ku 2 prej tyre janë juristë, ndërsa një tjetër është agjent i FBI-së.
Përveç ndërkombëtarëve dhe 3 prokurorëve, për përzgjedhjen e kandidatëve do t’i merret mendim edhe drejtoreshës së këtij institucioni, Aida Hajnës. Pas përzgjedhjes, 60 hetuesit do të shkojnë në SHBA për trajnim. Më pas FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë do të sjellin ekspertë në Tiranë që do të zhvillojnë trajnime dhe do të instalojnë pajisje speciale që do të dhurohen nga SHBA-ja.
Trajnimi në SHBA
Pas seleksionimit të 60 hetuesve të së ashtuquajturës FBI-ja shqiptare, të përzgjedhurit do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u trajnuar nga amerikanët. Akademia e Trajnimeve, ku do të shkojnë hetuesit e BKH-së, ndodhet në Uashington dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma për të fjetur, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje.
Hetuesit e BKH-së do të trajnohen atje për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a faktorëve të tjerë të jashtëm që ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë. Trajnime do të ketë, po ashtu, edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe të hetuesve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm do t’i trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI-ja, por njëkohësisht do ta mbështesin strukturën e re edhe në anën logjistike.
Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do të shërbejë vetëm pranë SPAK-ut dhe do të ketë në fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do të ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet. Po ashtu, ky organ do t’i monitorojë anëtarët e SPAK-ut, duke u përgjuar telefonat dhe duke u kontrolluar llogaritë bankare. BKH-ja do të ketë në përbërje 60 hetues. Aplikantët për pozicionin e hetuesit të BKH-së duhet të dinë që procesi i përzgjedhjes do të jetë shumë rigoroz dhe sfidues.
Ai është përcaktuar në ligjin për SPAK-un. Gjithashtu, në ligj është bërë e qartë se pas ngritjes për 2 vite amerikanët do kenë një zyrë të tyre pranë BKH-së, për ti ndihmuar dhe për t’ju dhënë eksperiencën e tyre hetuesve të kësaj strukture. Përveç një ekspeti që do asistojë edhe në hetime, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do japin edhe pajisje speciale që do ndihmojnë në hetime.
Disa muaj më parë SHBA-ja miratoi një fond prej 1,5 milionë dollarësh, për blerjen e këtyre pajisjeve të sofistikuara si dhe rregullimin e ambienteve të reja të institucionit më të ri të drejtësisë. Byroja Kombëtare e Hetimit do të luajë rolin e policisë gjyqësore për SPAK-un dhe do të jetë ajo që do të zbulojë aferat e pushtetarëve të korruptuar. SPAK-u do të ketë në përbërje gjyqtarë e prokurorë, ndërkohë në varësi të Prokurorisë Speciale do të jetë Byroja e Hetimit. Por BKH-ja shihet si çelësi i luftës antikorrupsion, pasi vëmendja e saj do jetë vetëm te pushtetarët e korruptuar dhe objekt i hetimit janë që nga presidenti e kryeministri, te gjyqtarët dhe prokurorët apo anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së.
Mbështetja nga amerikanët
Byroja Kombëtare e Hetimit, institucioni që po ngrihet për të hetuar të korruptuarit në nivele të larta, duket se do të ketë mbështetje të fortë nga ana e ndërkombëtarëve. Për përzgjedhjen e hetuesve të kësaj stukture po asistojnë edhe agjentë të FBI-së. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura dhe të bindura që me ngritjen e institucionit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të ndëshkohen shumë pushtetarë që janë të korruptuar dhe se do ta luftojë ashpër krimin e organizuar.
Që nga ideimi i këtij institucioni, SHBA-ja, përmes ambasadës, ka folur për procedurën e ngritjes së BKH-së, duke i dhënë mbështetje maksimale. Amerikanët, edhe pse kanë investuar dhe mbështetur të gjithë procesin në drejtësi, duket se të gjithë vëmendjen e tyre e kanë përqendruar pikërisht te BKH-ja, e cila për nga stuktura do t’i përngjajë FBI-së, që heton vetëm zyrtarët e lartë.
Byroja shihet si organi më i rëndësishëm, pasi falë saj pritet të goditen pushtetarët e korruptuar e, për këtë arsye, amerikanët i kanë kushtuar vëmendje. BKH-ja është një institucion që ka akses të hetojë zyrtarë të lartë, duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, si dhe anëtarët e KLGJ-së, apo të KLP-së.
Sinjalet janë që institucioni më i ri i drejtësisë së re do të jetë në dorë të amerikanëve e, për këtë arsye, shqiptarët presin me pa durim ngritjen sa më shpejt të tij, për të parë nëse do të bien apo jo në rrjetë “peshqit e mëdhenj”. Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj, ka mësuar se në përzgjedhjen e 60 hetuesve që do të jenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të asistojnë edhe ekspertë amerikanë. Ata do jenë pjesë e komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve. Sipas informacioneve që gazeta ka siguruar nga burimet e saj në SPAK, mësohet se prej disa ditësh në Prokurorinë e Posaçme ndodhen tre ekspertë amerikanë. Ata do të monitorojnë të gjithë procesin e përzgjedhjes së 60 hetuesve që do të hetojnë zyrtarët e lartë dhe personazhe të njohura të krimit të organizuar.
Kriteret që duhet të përmbushin kandidatët
1-Një kandidat që dëshiron të jetë pjesë e BKH-së, duhet të ketë shtetësi shqiptare.
2-Hetuesi i këtij institucioni duhet të ketë kryer arsimin e lartë policor, juridik, apo si ekonomist kontabël, por edhe arsim të lartë në fusha të tjera.
3-Çdo kandidat duhet të ketë më shumë se 1 vit përvojë pune në zbatimin e ligjit.
4-Të gjithë aplikuesit për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të kalojnë me sukses tri fazat e përzgjedhjes.
5-Të ketë aftësi të mira komunikimi.
6-Të ketë rezistencë fizike.
7-Të jetë i padënuar.
8- Të kalojë provën e makinës së të vërtetës
Tri fazat që duhet të kalojnë aplikantët për t’u bërë pjesë e BKH-së
1-Faza parë që kandidatët e që aspirojnë për t’u bërë pjesë e stukturës që do të hetojë “peshqit e mëdhenj”, është plotësimi i një formulari me 6 faqe, të cilin duhet ta dorëzojnë me postë elektronike, jo më vonë se data 29 shtator.
2-Në fazën e dytë kandidatët duhet të kalojnë testin e arsyetimit logjik, aftësisë fizike, shkrimin e raporteve, intervistën e strukturuar dhe procesin e verifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës.
3- Në fazën e tretë, që është edhe më e rëndësishmja, pasi do të vendoset për rekrutimin e aplikantëve, do të jetë përballja e tyre me makinën e së vërtetës. Kjo pajisje u publikua disa muaj më parë, pas një takimi që zyrtarë të ambasadës amerikane patën me ata shqiptarë.
Jo.Be/Fjala.al