Nga Elvis Myrta
Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit, në raportin e fundit të tij, ka thënë se Shqipëria ka bërë progres për sa i përket luftës ndaj korrupsionit. Shpresat te SPAK-u dhe BKH-ja për kapjen e “peshqve të mëdhenj”… Në konferencën për luftën kundër korrupsionit, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, tha se për SHBA-në mbetet prioritet funksionimi i SPAK-ut, ndërsa vlerësoi reformën në drejtësi.
Ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend. SPAK-u dhe BKH-ja janë dy organet më të rëndësishme të drejtësisë së re, që pritet të japin fryte për goditjen e të korruptuarve në nivele të larta dhe të “kokave” të krimit të organizuar. Mbështetja e ardhur nga SHBA-ja dhe BE-ja në adresë të SPAK-ut dhe BKH-së, kërkon edhe produkt, që do të thotë përballja e drejtuesve politikë të nivelit të lartë me drejtësinë.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ministria e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, dolën dje së bashku, në një konferencë, për të prezantuar raportin e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO), raport në të cilin theksohet se vendi ynë ka bërë hapa para në luftën kundër korrupsionit.
Gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, zyrtarë që përdorin postin publik për t’u pasuruar dhe nevoja për t’i çuar ata para drejtësisë, ishte fokusi i kësaj konference të nivelit të lartë antikorrupsion, e zhvilluar pasditen e djeshme. Raporti i fundit i GRECO-s për Shqipërinë, prezantuar në 6 tetor 2020, me fokus: “Parandalimin e korrupsionit në lidhje me deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët”, ka njohur rezultatet tona për plotësimin e 9 rekomandimeve nga 10 të adresuara nga GRECO-ja.
Në raport ndryshimet e bëra në rregulloren e Kuvendit janë konsideruar si mjaft pozitive. Gjithashtu, Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit ka vlerësuar pozitivisht edhe arritjet në reformën në drejtësi, veçanërisht në drejtim të ngritjes së një sistemi gjyqësor të bazuar në integritet dhe përgjegjshmëri, me qëllim parandalimin e korrupsionit te gjyqtarët dhe prokurorët.
Në konferencën për prezantimin e këtij raporti, ku ishin të pranishëm edhe ndërkombëtarët, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se faktet flasin qartë për ndryshimin e vazhdueshëm që po vijon në lehtësimin e vendit e të qytetarëve nga barra e rëndë e trashëguar e korrupsionit, që po luftohet me reforma e korrigjime sistematike në çdo sektor.
Yuri Kim: Të gjendet mënyra për t’u ndëshkuar të korruptuarit
Në fjalën e saj në këtë konferencë, ambasadorja Yuri Kim deklaroi se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar këtë si një mal të thepisur. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, tha se është me rëndësi që qeveritë të gjejnë mënyrat për të zbuluar dhe ndëshkuar zyrtarët e korruptuar. “SHBA-ja është e përkushtuar për një të ardhme të begatë të Shqipërisë.
E bëjmë këtë jo për të qenë të këndshëm, por në interesin tonë, që të kemi një aleat në një nivel më të lartë standardesh. Për të rrënjosur optimizmin, është e rëndësishme të tregohet se qeverisja punon për qytetarët dhe jo për interesat e veta. Qytetarët duhet të kenë besim se fondet publike përdoren për qëllime të mira.
Ka pengesa të mëdha si pasojë e zyrtarëve që përdoren për të mbrojtur interesa vetjake, ndërmarrje që japin interesa klienteliste e partiake, në vend të bëjnë diçka për vendin”, tha ambasadorja Yuri Kim. Duke u ndalur në detaje, diplomatja e Uashingtonit në Tiranë theksoi se pandemia i ka bërë gjërat edhe më të qarta. Çdo sektor është i ekspozuar ndaj korrupsionit, sidomos ata të institucioneve shëndetësore, të nëpunësve të kufirit etj. “Të gjitha qeveritë vuajnë nga një nivel korrupsioni, por të gjithë mund të bëjmë diçka për ta ndaluar, duke dënuar ata që merrem me korrupsion.
Sigurisht, nga policia dhe prokurorë të pavarur. Shqipëria duhet të ketë vlerësime të rregullta të prokurorëve dhe gjyqtarëve, do të ketë gjithmonë aktorë të këqij, por qeveritë duhet të gjejnë mënyra për t’i gjetur e për t’i dënuar”. – tha ajo. Në fund të fjalës së saj ambasadorja Kim shtoi një frazë që dëshirohet shumë nga qytetarët, por thuajse aspak nga zyrtarët. “Çdo sektor i kujdesit shëndetësor, është i mbushur me mundësi për korrupsion, për shkak të masës së buxhetit të tij, por në kohë si këto, korrupsioni do të thotë jo vetëm shpërdorim i panevojshëm, por nënkupton jetë apo vdekje”. – tha ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Soreca: Zyrtarët të dënohen me vendim të formës së prerë
Në konferencën e djeshme të nivelit të lartë për luftën ndaj korrupsionit, ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, hodhi një deklaratë të fortë. Ai kërkoi dënime të formës së prerë për zyrtarët e korruptuar dhe tha se tani shpresat janë te SPAK-u. “Për të arritur bindjen e publikut dhe partnerëve, duhen dënime të formës së prerë të zyrtarëve të nivelit të lartë që kanë abuzuar dhe janë korruptuar në detyrë”, tha ambasadori i BE-së në Tiranë.
Më tej ai shtoi se Shqipëria ka shumë punë në luftën ndaj korrupsionit. Shqipëria ka mjaft punë për të bërë në luftën ndaj korrupsionit, kemi parë dënime për zyrtarë të nivelit të ulët e të mesëm. Në më shumë se 286 magjistratë që kanë kaluar vetingun 62% janë larguar, sepse nuk justifikonin pasurinë. Vetingu është i rëndësishëm për të marrë besimin e publikut, kemi parë përparime në krijimin e disa institucioneve si SPAK”, u shpreh ambasadori.
Gjithashtu, Soreca deklaroi se korrupsioni në Shqipëri është i shtrirë dhe në nivel shqetësues për vendet e BE-së. “Korrupsioni vijon të mbetet i shtrirë dhe shqetësim për vendet anëtare të BE-së, ndaj kërkon përpjekje dhe dënime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë, që është mjaft e ulët. Këto dënime duhet të jenë model për shoqërinë që njerëzit të besojnë te drejtësia. Ndaj presim nga SPAK-u të bëjë punën e tij”, e mbylli deklaratën e tij ambasadori i BE-së.
Rama: Nuk ka politikanë të korruptuar, të tillë janë prokurorët dhe gjyqtarët
Ndryshe nga ambasadorët, që kërkojnë më shumë arrestime për korrupsion te zyrtarët e lartë, Kryeministri Rama tha se arrestimet duhet të nisin nga sistemi i drejtësisë, duke theksuar se nuk ka politikanë të korruptuar, por prokurorë e gjyqtarë të tillë. “Beteja këtu është beteja për ta filluar nga koka.
Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë. Koka ka qenë korporata e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve që ndëshkimin e drejtësisë e kanë përdorur për hesape që nuk kanë të bëjnë me hesapet e shtetit. Po të mos ishin këta, nuk do të ishte as korrupsioni spektakël dhe vrastar i politikanëve”, tha Rama në konferencën e djeshme.
Duke e përforcuar këtë qëndrim, kryeministri tha se SPAK-u duhet të dënojë gjyqtarët e prokurorët, përndryshe misioni i tij ka dështuar. “Kjo është premisa që, sipas mendimit tim, duhet të fokusohet tek institucionet e reja të drejtësisë. Përndryshe SPAK-u do të jetë zhgënjimi më i madh i shqiptarëve nga reforma në drejtësi. Do të jetë goditja më e madhe morale që do t’i bëhet popullit shqiptar, pas këtij angazhimi të madh. Do të jetë dështimi më i madh i partnerëve të Shqipërisë, që janë përfshirë në këtë proces.
SPAK-u ka misionin të pastrojë deri në fund ata që vetingu i pastron thjesht nga fusha e sistemit. T’i pastrojë nga jeta shoqërore dhe t’i çojë në burg”. Në konferencë u diskutua mbi raportin e GRECO-s, Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit, një korpus antikorrupsion i Këshillit të Evropës, i cili i ka vlerësuar pozitivisht reformat e Shqipërisë, duke nxjerrë në pah se vendi e përmbush shumicën e rekomandimeve dhe se po plotëson edhe rekomandimet e tjera në këtë fushë.
BKH-ja nuk humb kohë për përzgjedhejen e 60 hetuesve, sot provimi me shkrim
Puna për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit po ecën me ritme të përshpejtuara. 423 kandidatët që kaluan fazën e parë nuk do ta shijojnë suksesin, pasi sot ata do të testohen në provimin me shkrim. Emrat e kualifikuar do t`i nënshtrohen testit të arsyetimit logjik me shkrim. Ky test do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve. Për t’u kualifikuar për fazën e tretë të garës, çdo kandidati do t’i duhet të marrë minimumi 12 pikë.
Ata duhet të jenë të pajisur me maska kundër COVID-19 për testin që do të mbahet sot nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 pasdite, pasi do të zhvillohet me grupe, në fasha të ndryshme orari. Kandidatët gjatë zhvillimit të testit me shkrim, në ambientin ku zhvillohet testi, nuk lejohet të mbajnë telefona celularë, pajisje elektronike, libra ose shënime. Nuk lejohet asnjë lloj komunikimi me kandidatët e tjerë, pasi kanë hyrë në ambientin ku zhvillohet testimi – bën me dije BKH-ja.
Sipas udhëzimit, kandidatët para se të hyjnë në testin me shkrim, do të regjistrohen duke paraqitur një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti). Dokumenti i identifikimit do të krahasohet me gjeneralitetet e parashikuara në listën emërore. Gjatë regjistrimit secilit kandidat do t`i jepet një kod, i cili vendoset te fleta e testit. Kandidatëve do t`u jepen udhëzime për zhvillimin e testimit. Në këtë garë konkurruan 653 kandidatë, ndërsa 229 u skualifikuan nga vendimi i parë prej komisionit që përbëhej nga tre prokurorë të SPAK-ut, Vladimir Mara, Dritan Prençi, Enkeleda Millonai.
Në përfundim të fazës së dytë kandidatët do t’i nënshtrohen për të vazhduar garën testit fizik. Faza e fundit është poligrafi apo makina e së vërtetës. Por, procesi i skualifikimit po monitorohet edhe nga ndërkombëtarët. Për sa i përket strukturës, BKH-ja përveç drejtoreshës, Aida Hajnaj, do të ketë edhe zëvendësdrejtorin e saj, që do të emërohet nga vetë ajo.
Zëvendësdrejtori do të ketë një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Emri i tij duhet të marrë edhe pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. BKH-ja do të ketë edhe një njësi operacionale, si dhe staf administrativ. Në finale 60 fituesit do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u trajnuar nga agjentët e FBI-së gjatë një muaji.
BKH-ja është një institucion që ka akses të hetojë zyrtarë të lartë, duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, si dhe anëtarët e KLGJ-së, apo të KLP-së. Sinjalet janë që institucioni më i ri i drejtësisë së re do të jetë në dorë të amerikanëve e, për këtë arsye, shqiptarët presin me padurim ngritjen sa më shpejt të tij, për të parë nëse do të bien apo jo në rrjetë “peshqit e mëdhenj”.
Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj, ka mësuar se në përzgjedhjen e 60 hetuesve që do të jenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të asistojnë edhe ekspertë amerikanë. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë në varësi të prokurorëve të SPAK-ut për të hetuar e mbledhur prova për korrupsion, pastrim parash, grupe kriminale dhe terrorizëm./Jo.Be/Fjala.al