Për individët që do të gjobiten nga dita e nesërme për mosmbajtjen e maskës, por që nuk kanë kontratë me OSHEE-në, do të ketë një udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Është zbardhur akti normativ që do të hyjë në fuqi ditën e nesërme për vendosjen me detyrim të maskës jashtë ambienteve të shtëpisë. Në aktin normativ theksohet se gjoba për shkelësit do të shkojë tek fatura e dritave, por në këtë pikë ka shumë probleme që lindin, pasi shumë individë nuk kanë kontratë me OSHEE-në, pasi jetojnë me qira.
Si do të veprohet në këtë rast? Për të detajuar gjithçka, në aktin normativ thuhet se do të ketë një udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
AKTI NORMATIV
Nr. 32, datë 12.10.2020
PËR NJË NDRYSHIM NË AKTIN NORMATIV NR. 3, DATË 15.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Neni 1
Pika 23, e nenit 3, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: “23. Barriera mbrojtëse (maska) është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë nga çdo individ. Individët, të cilët përjashtohen nga ky rregull, përcaktohen në udhëzimin e Institutit të Shëndetit Publik. Instituti i Shëndetit Publik nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën e përdorimit të barrierës mbrojtëse(maskës)jashtë shtëpisë.
Mospërdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) nga individët jashtë shtëpisë dënohet me gjobë në masën 3 000 (tre mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë. Të drejtën e dhënies së masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i masës administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e ekzekutimit të masës administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Pasi qeveria vendosi të shtunën që vendosja e maskave të jetë me detyrim për qytetarët, ministria e Shëndetësisë vendosi sot që të hapë kinematë pas 7 muajsh. Ndërkohë sot u shënua një rekord shifrash në vend me 5 viktima dhe 202 raste të reja.
Pa.Va/Fjala.al