200 dosje mbeten “peng” në Gjykatën Kushtetuese

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Procesi i vetingut në drejtësi rrëzoi si gurët e një loje shahu 8 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016, duke e nxjerrë jashtë funksionit gjykatën më të rëndësishme në vend.

Për afro tre vjet Gjykata Kushtetuese nuk ka kryer asnjë seancë plenare e, për këtë arsye, numri i dosjeve t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese ka shkuar në rreth 200, numër i cili pritet të rritet edhe më shumë.

Nga Elvis Myrta 

Prej katër vitesh, një nga institucionet më të rëndësishme në vend, siç është Gjykata Kushtetuese, nuk është funksonal. Gjatë këtyre viteve ky institucion ka qenë në ditët më të vështira të vetat, pasi dyert e “Rojës së Kushtetutës” pas shkarkimit të 8 nga 9 anëtarët të kësaj gjykate, i ka mbajtur hapur Vitore Tusha, por edhe kësaj të fundit i ka mbaruar mandati nëntëvjeçar dhe tashmë është në pritje që të zëvendësohet nga anëtarët e rinj që duhet të bëhen pjesë e kësaj gjykate.

Për rreth tre vjet Gjykata Kushtetuese nuk ka kryer asnjë seancë, kjo për shkak të largimit nga vetingu të pothuajse të gjithë anëtarëve të saj të mëparshëm, përveç Vitore Tushës, së cilës pavarësisht se i ka përfunduar mandati, vijon të qëndrojë në detyrë.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është me vetëm 4 anëtarë dhe e ka të pamundur që të merrë vendime, duke lënë pa përgjigje shumë nga ligjet apo çështjet që kanë shkaktuar konflikt vitet e fundit.

Në mungesë të një kuorumi për të dalë në seancë plenare, ku duhen minimalisht 6 gjyqtarë, 4 anëtarët gjatë kësaj periudhe shqyrtojnë dosjet vetëm në dhoma këshillimi, ku mjaftojnë tre anëtarë. Pas shqyrtimit të dosjeve trupa vendos kalimin ose moskalimin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji.

Numri i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese ka shkuar rreth 200, numër i cili pritet të rritet me shpejtësi, për shkak të zgjerimit të subjekteve, të cilët kanë të drejtë sipas ligjit të vënë në lëvizje Kushtetuesen.

Nga këto 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë. Ndërkohë pjesa tjetër e kërkesave janë kundër gjykatave për proces të parregullt.

Por shumica e kërkesave të shqyrtuara në dhomë këshillimi janë refuzuar, ndërsa deri tani janë pranuar të kalojnë në seancë rreth 30 çështje. Por, sipas gjasave, këto çështje do të mbeten edhe për një kohë pa u shqyrtuar, pasi do të duhet kohë për plotësimin e vendeve vakante me anëtarët e rinj, për shkak të mungesës së kandidaturave.

Për këtë, plotësimi i saj me 9 anëtarë duket se do të marrë ende edhe shumë kohë. Gjashtë anëtarë në Kushtetuese do të ishin të mjaftueshëm për marrjen në shqyrtim të ankimeve dhe dosjeve të nxehta, ku më e rëndësishmja është ligjshmëria për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Në mbledhjen e një jave më parë, KED-ja nuk arriti të kualifikojë asnjë nga kandidatët. Pas filtrimit të emrave që garonin për të plotësuar vakancat, KED-ja i skualifikoi të gjithë ata, pasi nuk i përmbushnin kushtet ligjore, çka e bllokon pa afat nisjen e funksionimit të gjykatës kryesore në vend. Ndërkohë që tri ditë më parë Kuvendi dhe Presidenca rishpallën sëerish listën e emrave për të plotësuar vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

Kuvendi dhe Presidenca hapin garën 

Kuvendi dhe Presidenca kanë hapur dje garën për plotësimin e vendeve vakante në Kushtetuese dhe ajo që bie në sy është se edhe në këtë listë kanë kandiduar të njëjtët njerëz. Altin Binaj, Ardita Buna Alsula dhe Ilir Haznedari janë 3 emra të cilët kanë shfaqur interes për të dyja vakancat e shpallura, pra dhe nga Presidenca dhe nga Kuvendi.

“Pas rishpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 24.9.2020, të hapjes së procedurave të aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z. Fatos Lulo, kanë paraqitur kërkesën për shprehje interesi, si dhe dokumentacionin përkatës, kandidatët: Altin Binaj; Ardita Buna Alsula; Ilir Haznedari”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Por edhe në listën e Presidencës, e cila ka në përbërjen e saj 10 emra, bien në sy 3 kandidaturat që kanë aplikuar për vakancën e Kuvendit. “Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant (14.10.2020), rezulton se për plotësimin e këtij vendi vakant kanë aplikuar dhe kanë shprehur interesin shtetasit e mëposhtëm: zoti Aleksandër Toma; zoti Altin Binaj; zonja Aldona Sylaj; zonja Ardita Buna (Alsula); zoti Eugen Papandile; zoti Ilir Haznedari; zoti Klajdi Mone; zonja Orkida Totojani; zoti Përparim Kalo; zoti Shaqir Hasanaj.

Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre, do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me qëllim që ky organ të vijojë po menjëherë procesin për verifikimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Por nëse marrim rastin më të mirë të mundshëm që të tre kandidatët të plotësojnë kriteret dhe të kualifikohen, atëherë është i domosdoshëm bashkëpunimi mes institucionit të Presidencës dhe atij të Kuvendit, në mënyrë që të shmanget një konflikt i dytë, si ai i një viti më parë.

Ngërçi 

Ringritja e Gjykatës Kushtetuese duket se po bëhet më e vështirë sesa dukej. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 4 vite kur gjykata më e rëndësishme në vend doli jashtë funksionit, drita në fund të tunelit ende nuk po duket, pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për plotësimin e vendeve vakante të kësaj gjykate.

Lexo edhe :  Fundi i lojës në Ukrainë: Si mund të përfundojë lufta në vitin 2025

Problemi kryesor që duket se do ta bëjë edhe këtë raund të vështirë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, është mungesa e kandidatëve. Për këtë arsye vendi rrezikon që edhe këtë vit ta mbyllë pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Nga vështrimi i bërë listave të kandidatëve për 3 vendet, ato përsëriten, të njëjtët kandidatë kanë shprehur interes për dy ose edhe tri vende vakante, ndërsa një pjesë e tyre janë përjashtuar më herët në garat e KED-së.

Ngritja e Kushtetueses është kërkuar dhe kërkohet me ngulm edhe nga ndërkombëtarët, por ata do të duhet të presin për ngritjen e Gjykatës së Lartë, për një Kushtetuese të plotësuar me 9 anëtarë. Tre anëtarët e fundit duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, që aktualisht është me 3 anëtarë dhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të tjerë është duke marrë kohë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Duket se ringritja e dy gjykatave më të larta në vend, manifeston kaosin që shkakton mungesa e tyre, ndërsa proceset gjyqësore që presin të trajtohen në këto gjykata janë të shumta. Gjashtë anëtarë në Kushtetuese do të ishin të mjaftueshëm për marrjen në shqyrtim të ankimeve dhe dosjeve të nxehta.

Ndërkohë, për shkak të nevojës së plotësimit me gjyqtarë dhe rikthimit në funksion të Gjykatës Kushtetuese, ditët e fundit kanë reaguar të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, duke u bërë thirrje publike të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të kandidojnë për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.

Si doli jashtë funksionit Gjykata Kushtetuese 

Shqipëria mund të jetë i vetmi vend demokratik në botë që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. E konceptuar si gjykata më e rëndësishme në një vend, pasi vlerëson kushtetutshmërinë e ligjeve apo dekreteve, funksionimi i saj është një gur themeli për funksionimin e demokracisë.

Por që prej vitit 2015 Gjykata Kushtetuese në vendin tonë nuk ka mundësi të marrë vendime, pasi nuk janë plotësuar vendet e anëtarëve të saj. Problemi u shfaq me fillimin e reformës në drejtësi, pasi disa gjyqtarë të saj dhanë dorëheqjen, për shkak të vetingut ose u mbaroi mandati dhe nuk u zëvendësuan.

Kështu, nga 9 anëtarë që kishte me fillimin e kësaj reforme, ajo tashmë ka 4 anëtarë dhe, madje, njërit prej tyre i ka mbaruar mandati. Në prill të vitit 2016 gjyqtarit Vladimir Kristo i mbaroi mandati dhe ai u tërhoq, edhe pse mund të qëndronte deri në zëvendësimin e tij. Tërheqja e shpëtoi Kriston nga procesi i vetingut.

Po ashtu, anëtari tjetër, Sokol Berberi, vendosi të tërhiqej nga pozicioni, pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Të njëjtën rrugë zgjodhi dhe Besnik Imeraj, në vitin 2018, duke u dorëhequr “për arsye personale dhe shëndetësore”.

Imeraj tentoi t’i shpëtonte procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e referoi atë në prokurori. Kur kishin mbetur vetëm 6 anëtarë, anëtari Fatos Lulo, iu nënshtrua procesit të vetingut.

Më 23 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri të shumta me burime të pajustifikuara. Vetingu më pas rrëzoi Altina Xhoxhajn, Fatmir Hoxhën dhe Gani Dizdarin.

Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, u konfirmua në hallkën e parë të vetingut, por u shkarkua më vonë për mospërputhje të pasurisë. Vetëm një nga nëntë anëtarët fillestarë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, u konfirmua nga vetingu dhe vijon detyrën, edhe pse i ka mbaruar mandati.

Yuri Kim: Gjykata duhet të jetë gati në fund të vitit

Shqipëria mund të jetë i vetmi vend demokratik në botë që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. E konceptuar si gjykata më e rëndësishme në një vend, pasi vlerëson kushtetutshmërinë e ligjeve apo dekreteve, funksionimi i saj është një gur themeli për funksionimin e demokracisë.

Puna për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese sa vjen e bëhet më e vështirë. Edhe pse ndërkombëtarët kërkojnë që ajo të jetë gati brenda vitit, duket se do të jetë një proces mjaft i vështirë. Momentalisht gjykata ka 4 anëtarë, ndërsa për 2 vakanca vijojnë kandidimet në Kuvend dhe në Presidencë.

Për vakancat, ambasada reagoi sërish dy ditë më parë për plotësimin e tyre. Ishte vetë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila pasi vlerësoi Presidencën dhe Kuvendin për publikimin e listës së kandidatëve, i kërkoi Këshillit të Emërimeve t’i vlerësojë ata sa më shpejt, pasi Gjykata Kushtetuese duhet të jetë gati në fund të këtij viti.

“Presidenca dhe Parlamenti kanë publikuar tashmë listat respektive të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese. Duartrokasim të gjithë ata që i janë përgjigjur thirrjes për të shërbyer. Ne inkurajojmë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi që të nisë sa më shpejt punën për vlerësimin e kandidatëve.

Shqipëria duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese deri në fund të vitit”, u shpreh ambasadorja. Edhe pse janë duke u bërë përpjekje maksimale që kërkesat e ndërkombëtarëve të plotësohen, që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale brenda këtij viti, duket se do të jetë e pamundur.

Për funksionimin e kësaj gjykate janë përgjegjëse 3 institucione, Kuvendi, Presidenca dhe Gjykata e Lartë, secili prej tyre duhet të emërojë nga 3 anëtarë.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Tre shqetësimet më të mëdha të shqiptarëve!

Një anketë e fundit për sigurinë në Rajon që e u krye nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) zbuloi...

Rritet vjetërsia në punë për burrat/ Ndryshon mosha e daljes në pension

Me nisjen e vitit 2025 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për burrat. Kjo rritje...

Meloni për ‘Corriere’: Marrëveshja me Shqipërinë, model për BE! Unë dhe Elon Musk…

Ajo u duk “e brishtë”, por e vendosur për të sfiduar pritshmëritë. Më 22 tetor 2022, Giorgia Meloni kërkoi votëbesimin për qeverinë e saj...

Unaza e Madhe e Tiranës, çliron trafikun dhe shkurton distancat në kryeqytet

Prej pak ditësh Unaza e Madhe e Tiranës është e gjitha e aksesueshme për qarkullim, pas përfundimit të punimeve në pjesën veriore të saj....

Ku janë dashnore(ë)t e SPAK/ GjKKO?!

Nga Artan Hoxha Drejtësia e Rilindur, maja e saj, SPAK/GjKKO, u morën me Erjon Veliajn në ditët e fundit 2024 dhe me Sali Berishën fill...

Lajme të tjera

Web TV