Policia e Tiranës ka arrestuar brenda pak orëve 7 persona, për vepra të ndryshme penale, konkretisht nga aksident me vdekje te dhuna dhe tension me policinë.
Burime policore bëjnë me dije se në prabnga është vënë i riu me inicialet K. N., 24 vjeç, ditën e djeshme, në rrugën “3 Dëshmoret”, duke drejtuar mjetin motor pa lejen përkatëse, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen V. Z., 77 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. D., 38 vjeç, pasi në rrugën “Shefqet Musarai”, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta tezen e tij.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Xh., 47 vjeç, pasi në bulevardin “Gjergj Fishta”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe i ka kundërshtuar ata me dhunë, për të shmangur shoqërimin e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasin E. P., 31 vjeç, pasi ka fshehur, ka tjetërsuar dhe ka vënë në përdorim një aparat celular që i përkiste shtetases M. K., edhe pse kishte dijeni se një person i njohur ia kishte vjedhur kësaj shtetaseje.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: V. G., 38 vjeç dhe A. C., 31 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; M. M., 18 vjeçe, pasi në Kamzë, në rrugën “Donald Trump”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse;
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./Bl.Ba/Fjala.al