149 vjet nga lindja e poetit kombëtar, që i dhuroi letërsisë shqipe kryeveprën e tij epike, “Lahuta e malcís”
Në 23 tetor të vitit 1871 u lind atë Gjergj Fishta. Ai do të identifikohej me veprën e tij, si identiteti i ndërgjegjes shqiptare…
…Në një portret kushtuar tij, në një faqe të Radio Vatikanit shkruhet: “Njeri i jashtëzakonshëm. Më i madhi edukator i popullit. Njëlloj si gjithë tjerët. E, megjithatë, mbi gjithë të tjerët. Me një fuqi misterioze, që për të ishte e zakonshme, ndërsa për të tjerët, mrekulli. Atë Gjergj Fishta ishte ai, që e ngriti flamurin e gjuhës e të kombësisë jo mbi bedenat e kështjellave, por mbi fortesat e mendimeve e të ndjenjave shqiptare”.
Gjergj Fishta ishte nga ata intelektualë që pas dekadës së dytë të shek. XX iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar, poet, dramaturg e prozator, por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”.
“Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randësishme asht që ai të njihet prej saj”, do ta vlerësonte Zef Valentini.
Jetëshkrim i shkurtër
Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 përfundoi studimet shkëlqyeshëm.
At Gjergj Fishta ishte kryetar i komisionit në Kongresin e Manastirit më 1908, që miratoi alfabetin. Ishte përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj, sekretar i delegacionit. Në fund të vitit 1920, Shkodra e zgjodhi deputet të saj në parlamentin shqiptar. Pas vendosjes së regjimit të Zogut, Fishta u vetëmërgua në Itali në vitin 1925 -1926, para se se të rifillonte punën si mësues, poet dhe shkrimtar në Shkodër. Fishta ishte redaktor i revistës “Hylli i Dritës” më 1913 dhe gazetës “Posta e Shypnisë” në vitet 19161917. At Gjergj Fisha ishte gjithashtu shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi.
Vepra artistike
Ndonëse Gjergj Fishta është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, “Lahuta e malcís”.
Vepra e Fishtës në letërsinë e në kulturën shqiptare është e shumanshme. Në fushën e letërsisë, ku punoi dyzet vite, deri në ditët e vdekjes, krijoi një vepër të madhe në të gjitha gjinitë. Arrin të botojë këngët e para të “Lahuta e Malëcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”.
Me “Lahutën e Malcís”, sa ishte gjallë u pagëzua “epiku më i madh i shekullit”, duke ndërtuar eposin shqiptar të shekullit 20. Me veprat satirike “Anzat e Parnasit” e “Gomari i Babatasit” u bë satiriku më i njohur i letërsisë shqipe. Dy librat e lirikave “Mrizi i Zanavet” e “Vallja e Parrizit” shqiptojnë tendosjen shpirtërore që ushqehet nga dashuria, revolta e dhembja për të kurorëzuar tematikën e vet në formulën e përsëritur “Atme e Fé”.
Pasvdekja e poetit
Padër Gjergj Fishta vdiq në Shkodër, më 30 dhjetor 1940, në spitalin civil të qytetit, ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkërive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë, në kishën françeskane të Gjuhadolit. Fjala e fundit u mbajt nga prof. Aleksandër Xhuvani.
Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste. Ashtu si me Skiroin, Konicën me autorë të tjerë të rinj, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall “armik i popullit”. I mohuar e i përçudnuar zyrtarisht për 45 vjet nga regjimi komunist, emri iu harrua, ndërsa vargjet e tij qarkullonin në popull, fshehurazi, gojëmëgojë.
Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës, me urdhër të strukturave të shtetit komunist, zhvarrosen nga Kisha e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin.
Titujt e nderit
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. I dekoruar për shërbime paqe me dekoratën “Mearif” të klasit II.
Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj, Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen “Ritterkreuz” më1912, për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pendë ari më1913, Piu XI Medaglia di Benemerenza më1925, Urdhri françeskan e dekoroi “Lector Jubilatus” më 1929, Greqia me dekoratën Phoenix më 1931; qeveria italiane e bëri “Accademico d’Italia” më 1939.
Me rastin e 130-vjetorit të lindjes së tij, Këshilli i Bashkisë se Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Ndërsa më 28 nëntor 2002 presidenti Alfred Moisiu i akordoi titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të kombit shqiptar.
Përgatiti për botim: L.Veizi