403 kandidatët që kaluan dy fazat e para për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet që javën e ardhshme të kryejnë testin e arsyetimit logjik dhe ato fizike.
Kandidatët që do të mundin t’i kalojnë këto faza, do të përballen në fazën e fundit me makinën e së vërtetës, e cila, është më e rëndësishmja për përzgjedhjen e 60 kandidatëve më të mirë.
Nga Elvis Myrta
Byroja Kombëtare e Hetimit, institucioni që pritet të godasë dhe të vërë përpara drejtësisë zyrtarët e lartë të korruptuar, dhe kokat e krimit të organizuar në Shqipëri, javën e ardhshme pritet të nisë fazën e tretë për rekrutimin e 60 hetuesve që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e së ashtuquajturës “FBI-ja shqiptare”.
Prova e ardhshme për 403 kandidatët që kaluan dy fazat e para, është provimi i zgjeruar me shkrim dhe më pas komisioni i ngritur për përzgjedhjen e tyre do t’u masë aftësitë e komunikimit verbal. Të gjithë kandidatët që do ta kalojnë këtë provë më pas do t’u nënshtrohen testeve fizike.
Për sa u përket provave të aftësive fizike, përfshihen 300 metra vrapim me shpejtësi, 2,5 kilometra vrap, si dhe ushtrime të tjera. Në fund kandidatët do të dalin përpara makinës të së vërtetës. Ky test do jetë nga më të rëndësishmit. Kujtojmë se e njëjta procedurë u ndoq edhe për përzgjedhjen e kreut të BKH-së, ku fituese doli Aida Hajnaj.
Në garë për të marrë drejtimin e kreut të BKH-së, kandiduan 40 persona dhe në fund mbetën vetëm katër. Gara mes Ervin Hodajt, Artur Beut, Idajet Faskajt dhe Aida Hajnës, ishte mjaft e fortë.
Konkurrenca mes katër pretendentëve për të marrë drejtimin e BKH-së ishte mjaft e fortë, pasi të katër kandidatët gjatë këtij procesi morën pothuajse pikët maksimale në të gjitha testet e kryera gjatë garës, e cila zgjati 7 muaj.
Makina e së vërtetës ishte ajo që përcaktoi edhe fituesin mes 4 kandidatëve. Pikëzimi i përafërt e bëri të vështirë përzgjedhjen mes katër kandidatëve, ku pas gati 7 muajsh “luftë” mes tyre, fituese doli zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit.
Për sa i përket strukturës, BKH-ja përveç drejtoreshës, Aida Hajnaj, do të ketë edhe zëvendësdrejtorin e saj, që do të emërohet nga vetë ajo. Zëvendësdrejtori do të ketë një madat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Emri i tij duhet të marrë edhe pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. BKH-ja do të ketë edhe një njësi operacionale, si dhe staf administrativ. Oficerët e mbikëqyrjes do të jenë ata që do të monitorojnë gjatë gjithë kohës komunikimet elektronike dhe llogaritë bankare të të gjithë pjesëtarëve të Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme dhe punonjësve të vetë BKH-së.
Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK-ut (Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion dhe Krimit të Oreganizuar), një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar, dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.
Në shumë mënyra BKH-ja është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Juridiksioni i i Byrosë Kombëtare të Hetimit shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë. BKH-ja do të ketë fillimisht një zyrë të vetme në Tiranë, por në varësi të punës dhe ushtrimit të detyrave, kjo Byro mund të hapë zyra të përkohshme nëpër rrethe.
Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar. Prokurorët e SPAK-ut mund të hetojnë që nga presidenti, kryeministri, ministra, deputetë, e deri te drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera, në varësi të qeverisë ose jo.
Ligji detyron çdo punonjës të policisë dhe të Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave që për çdo rast të dyshimtë të denoncojë te prokurorët e SPAK-ut. Më pas, çështja është në dorë të kësaj prokurorie, nëse ka vepër penale apo jo.
Por, veç kësaj, ka raste kur prokurorët e SPAK-ut mund t’u marrin dosjet hetimore prokurorëve të tjerë, nëse vërejnë se dosja në fjalë është kompetencë e tyre. Gjithashtu, prokurorët e SPAK-ut mund të hetojnë kolegët e tyre në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe të përfaqësojnë akuzën në proceset gjyqësore në gjykatat e posaçme deri në Gjykatën e Lartë, duke mënjanuar prokurorin e përgjithshëm.
Kush janë 403 kandidatët
Aplikantët që kaluan me sukses edhe fazën e dytë për të qenë hetues të BKH-së, vijnë nga profesione të ndryshme. Nisur nga emrat që BKH-ja ka publikuar në faqen e saj zyrtare, shumica e aplikantëve që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e kësaj strukture vijnë nga radhët e policisë, shumica e të cilëve kanë një eksperiencë disavjeçare në radhët e Policisë së Shtetit.
Mes uniformave blu që janë bërë pjesë e kësaj gare ka edhe nga ata që janë me gradën komisar apo që kanë mbajtur pozicione drejtuese në polici. Gjithashtu, të shumtë janë edhe oficerët e Policisë Gjyqësore, ku 15 prej tyre vijnë nga radhët e SPAK-ut. Sipas informacioneve të gjithë kandidatët që kaluan në fazën tjetër morën më shumë se 12 pikë. Mes kandidatëve që kanë kaluar dy fazat e para ka edhe nga Garda.
Por, përveç fushave të lartpërmendura, janë edhe disa juristë apo dhe persona që vijnë nga shoqëria civile, të cilët garojnë për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në garë për 60 vende në këtë institucion ka edhe shumë femra. Janë 103 të tilla që aspirojnë për t’u bërë pjesë e kësaj strukture.
Institucioni më i ri i drejtësisë do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa do të ketë një sërë sektorësh që do merren me krimin financiar, deklarimet e pasurive, gjurmimin e parave etj. Për këtë arsye në BKH do të merren specialistë të fushave nga më të ndryshmet. Një tjetër element është se shumica janë të rinj e të reja, me ambicie që të bëhen pjesë e organit më të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit.
Po ashtu, ka dhe ekspertë kriminalistë, ish-inspektorë të ILDKPI-së, juristë të ndryshëm dhe kontabilistë. Sinjalet janë se do të kemi një organ që do t’i godasë fort të korruptuarit e, sidomos, në nivel politik.
Amerikanët do të monitorojnë përzgjedhjen e 60 hetuesve
Interesi për të qenë pjesë e kësaj strukture ishte mjaft i madh. Plot 653 persona shfaqën interes për të qenë pjesë e këtij institucioni. Nga 653 aplikantë, vetëm 424 prej tyre i plotësonin kushtet dhe dokumentacionin përkatës për t’u bërë hetues i BKH-së. Një javë më parë u zhvilluan dhe testet e arsyetimit logjik.
Këtë test nuk arritën ta kalojnë vetëm 21 persona, ndërsa 403 të tjerë “luftojnë” në fazat e tjera për përzgjedhjen e 60 më të mirëve. Për përzgjedhjen e tyre është ngritur edhe një komision i përbërë nga gjashtë anëtarë.
Pjesë e këtij komisioni janë 3 prokurorë të SPAK-ut, si dhe 3 ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë të gjithë procesin. Ekspertët ndërkombëtarë janë deleguar nga ambasada amerikane, ku 2 prej tyre janë juristë, ndërsa një tjetër është agjent i FBI-së. Ndërkohë, emrat e përzgjedhur nga Prokuroria e Posaçme që do jenë pjesë e këtij komisioni janë Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkelejda Minollai, të cilët në bashkëpunim me shefen e BKH-së dhe amerikanët do t’i filtrojnë të gjithë kandidatët. Pas përzgjedhjes së 60 më të mirëve.
Pas përzgjedhjes 60 hetuesit ata do shkojnë në SHBA për trajnim. Më pas FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë do të sjellin ekspertë në Tiranë, që do të zhvillojnë trajnime dhe do të instalojnë pajisje speciale që do të dhurohen nga SHBA-ja. Akademia e Trajnimeve, ku do të shkojnë hetuesit e BKH-së, ndodhet në Uashington dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma për të fjetur, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje.
Hetuesit e BKH-së do të trajnohen atje për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a faktorëve të tjerë të jashtëm që ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë. Trajnime do të ketë, po ashtu, edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe të hetuesve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm do t’i trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI-ja, por njëkohësisht do ta mbështesin strukturën e re edhe në anën logjistike. Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet.
Po ashtu, ky organ do t’i monitorojë anëtarët e SPAK-ut, duke u përgjuar telefonat dhe duke u kontrolluar llogaritë bankare. Në ligjin për organet e luftës antikorrupsion është bërë e qartë se prej 2 vitesh amerikanët do të kenë një zyrë të tyren pranë BKH-së, për t’i ndihmuar dhe për t’u dhënë eksperiencën e tyre hetuesve të kësaj strukture. Një ekspert i saj do të qëndrojë aty dhe do të asistojë, ndërkohë që SHBA-ja do të japë shumë pajisje speciale që do të ndihmojnë në hetime.
Profil/ Kush është drejtoresha e BKH-së
Aida Hajnaj, 51 vjeç e ka nisur karrierën e saj rreth tri dekada më parë. Përveç CV-së me një karrierë të gjatë si efektiv policie, Hajnaj u përzgjodh si drejtuese e BKH-së edhe për shkak të formimit të saj si juriste, profil i cili mund të sjellë lehtësira dhe partneritet të ndërsjellë mes dy institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK-ut dhe BKH-së. Drejtoresha e parë e “FBI-së shqiptare”, është lindur dhe rritur në Pogradec. Ajo është diplomuar si juriste në të drejtën civile me rezultate të larta.
Karriera e saj nisi si hetuese në hetuesinë e Fierit, detyrë të cilën e ka ushtruar nga viti 1991 deri në vitin 1992. Ndërsa deri në janar të vitit të mbrapshtë ‘97 ajo shërbeu si oficere e policisë gjyqësore në komisariatin e Fierit. Gjatë këtyre viteve Hajnaj ka bashkëpunuar me prokurorinë për hetimin e disa ngjarjeve në qarkun e Fierit.
Më tej ish-zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit nga viti 1998 deri në 2004 punoi si juriste pranë Këshillit të Ministrave dhe pranë departamentit juridik të Ministrisë së Brendshme. Gjatë kësaj periudhe ajo shërbeu edhe si lektore në Fakultetin e Drejtësisë. Më pas 51-vjeçarja u ngrit në detyrë, duke drejtuar disa sektorë të rëndësishëm në Policinë e Shtetit. Nga viti 2004 deri në vitin 2013, Hajnaj ka punuar në përpunimin e të dhënave në drejtorinë e mbrojtjes së dëshmitarëve.
Në atë kohë shumë dëshmitarë të drejtësisë, si ata kundër bandës së Aldo Bares dhe kundër Lulzim Berishës, së bashku me të afërmit e tyre, u mbrojtën nga kjo drejtori. Nga viti 2013 deri në vitin 2017, 51-vjeçarja, e cila për 5 vitet e ardhshme do të drejtojë Byronë Kombëtare të Hetimit, u emërua në detyrën e shefes së sektorit të hetimit për pastrimin e parave.
Më pas ajo u bë drejtoreshë e departamentit të kufirit dhe migracionit. Në janar të vitit 2019, Aida Hajnaj u emërua zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Shtetit, detyrë të cilën e mbajti deri kur u zgjodh drejtuese e BKH-së. Për sa i përket fushës akademike, Hajnaj ishte mes hartuesve që përpiluan korpusin ligjor dhe mekanizmat për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë. Më 30 korrik, pas tetë muaj verifikimesh, Aida Hajnaj u emërua unanimisht nga KLP-ja si drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për Hajnajn, anëtarët e KLP-së votuan me 9 vota pro.
Ajo u propozua nga SPAK-u, pasi 3 rivalët e saj ishin skualifikuar. Në garën për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj ishte e vetmja femër. Nga verifikimet e SPAK-ut, ajo doli e pastër në të tria kriteret, dhe për 5 vitet e ardhshme ajo do të jetë njeriu që do të luftojë korrupsionin e niveleve të larta dhe njerëzit më të fuqishëm të botës së krimit.
la.mi/Fjala.al