Tri ditë pasi Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve publikoi listën me emrat që e kalojnë filtrin e parë dhe 13 të tjerët në pritje, ka pasur reagime të forta në faqen zyrtare të PD-së, kundrejt kryedemokratit Lulzim Basha dhe njërit prej anëtarëve të grupit të vlerësimit, Genc Ruli. Emrat më të lakuar që komentuesit vlerësojnë janë Ervin Salianji, Luan Baçi dhe Endri Hasa.
Nga Fernada Cenko
Tri ditë më parë demokratët dhe oponioni publik u njohën me listën e konfirmuar të kandidatëve për deputetë nën siglën e Partisë Demokratike dhe të atyre që do të rrinë në “stolin rezervë”, nëse fati do t’u buzëqeshë. 27 kandidatë u aprovuan dhe 13 të tjerë do të rishihen me kalimin e kohës nga Lulzim Basha dhe Kryesia e PD-së, nëse do të konfirmohen ose jo si kandidatë për deputetë në qarqe të ndryshme të vendit. Nëse futemi në rrjetin social Facebook të Partisë Demokratike, shihet një numër i madh komentesh që i janë bërë deklaratës së Gazmend Bardhit, i cili rreshtoi emrat e kandidatëve të aprovuar nga Komisioni i Vlerësimit dhe të atyre në pritje duke komentuar se “skualifikimet” janë të padrejta. Se sa reale janë apo sa të ndikuara nga personat që janë në pritje, kjo mbetet për t’u parë në vijim. Ajo që bie në sy është se në komente nuk ka një individ që të përshëndesë listën e përzgjdhur nga ish-presidenti Bujar Nishani, ish-ministrat Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj dhe pedagogët Mark Marku dhe Enriketa Papa.
Duke u hedhur një sy komentuesve rezulton se kritikë janë edhe anëtarë të forumeve drejtuese të kësaj force politike. Anëtari i Këshilllit Kombëtar të PD-së, Skerdjan Dhuli, shkruan: “Nëse komisionin e kandidatëve për deputetë të PD-së do ta drejtonte Agron Xhafa, nuk do të bënte asgjë më shumë. Nga ky moment PD-ja detyrohet t’i kërkojë ndjesë publike Agron Xhafës e më pas ndjesë publike bandave të drogës”. Anëtari tjetër i Këshillit Kombëtar, Uran Derri, shkruan: “Po çfarë lesh komisioni qenka ky që mendoka t’ia shtyjë Ervinit kandidaturën? Edhe Rama po ta kishte emëruar këtë komision, nuk do t’ia kishte shtyrë. Tani të presim nga Genci të na shtyjë kandidaturat?!” Valbona Mëhilli, tjetër anëtare e Këshillit Kombëtar, shkruan: “Ervin Salianji në 7 vite e gjysmë e ka përfaqësuar denjësisht opozitën shqiptare, duke qenë në krye të çdo aksioni, dhe më lind pyetja si mund të propozohet të jetë pjesë e kësaj liste Genc Ruli? Çfarë kriteresh duhet të kesh z. Ruli që të qartësosh oponionin publik dhe gjithë gazetarët që përçojnë çdo aksion të Partisë Demokratike?”
Xhevdet Hoxha është anëtari tjetër i Këshillit Kombëtar që komenton në faqen zyrtare të PD-së: “Ervin Salianji ka qenë një zë i fuqishëm i opozitarizmit në Shqipëri, çfarë të drejtë ka komisioni të bëjë heqje selektive?” Duhet theksuar se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike voton për 220 emra të Këshillit Kombëtar dhe ky i fundit zgjedh Kryesinë e Partisë Demokratike. Në faqen e Partisë Demokratike komentuesit kanë kërkuar që Ervin Salianji, i cili ka qenë një mbështetës i fortë i Partisë Demokratike dhe që ka mbajtur peshën e deklaratave ‘problematike’ të PD-së, por edhe të incidenteve që i kanë ndodhur, të ishte në listën e deputetëve. Për mbështetësit e tij, Salianji duhet të ishte te lista e të konfirmuarve.
Një emër tjetër që bie në sy se ka pasur mbështetje në këtë faqe është Luan Baçi, si edhe Endri Hasa. Për komentuesit këta tre emra duhet të ishin te lista e konfirmuar.
Tashmë duket se tentativa e liderit të PD-së për “hapjen e partisë”, apo krijimin e një komisioni vlerësimi po kalon në një furtunë e cila mund të ndikojë në përzgjedhjen e fundit të kandidatëve për deputetë të PD-së.
Në fillim ishte anëtarësia që përzgjodhi 360 kandidatë në të 12 qarqet, por më vonë kjo listë kaloi në “filtrin” e pesëshes së komisionit, e cila ka lënë në “pritje” 13 emra që u zgjodhën deputetë në vitin 2017. Pikërisht mungesa e disa emrave të cilët kanë qenë aktivë në jetën publike si përfaqësues të PD-së, ka sjellë edhe një reagim nga baza, por edhe nga strukturat drejtuese.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që shumë komente të jenë nxitur nga vetë individët e lënë pezull nga Komisioni i Vlerësimit. Tashmë i mbetet vetë Bashës dhe Kryesisë së PD-së për të vendosur përfundimisht nëse këta individë do të jenë ose jo pjesë e listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë nën siglën e PD-së.
Komentuesit!
Rajkard Dervishaliaj: Nëse 25 prillin do ta ciësojmë betejë, atëherë më duket se po shkojmë në këtë betejë me kuaj të plakur. Të plakur fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht.
Në fakt, nuk habitem me vendimin e komisionit, pasi ky komision po “teston” cilësinë e politikëbërjes gjatë kohës kur ne kemi qenë në opozitë. Por ata nuk mund ta kuptojnë opozitëbërjen, pasi nuk kanë qenë kurrë në opozitë. Prandaj ata nuk e njohin kapitalin politik opozitar. (Balo, të hëngërt tënja, e ke të ligën brënda). Ofendimi më i madh nuk u është bërë këtyre 13 zonjave dhe zotërinjve, por u është bërë atyre mijëra demokratëve në gjithë Shqipërinë që i votëbesuan pozitivisht dhe i pranuan si deputetë të tyre. Por s’kemi ç’bëjmë, verdiktin e mijëra demokratëve e hedhin poshtë ca pseudo-politikannjohës.
Aleksandër Skënderi: E njoh personalisht zotin Endri Hasa dhe nuk e besoj që komisoni thotë se e ka lënë në aprovim, komisioni nuk e ditka mirë që Elbasani do djalin e vet për deputet, nuk e ditka që ai gëzon respekt dhe reputacion në atë zonë, nuk e ditka që është shkolluar jashtë?!! Por një përgjegjësi duhet ta mbajë dhe ta pranojë, sepse aty ka dhe figura të tjera që janë djem e vajza punëtorë dhe opozitarë të denjë në këto ditë.
Luan Krasniqi: Me gjithë respektin, për të gjithë emrat e mësipërpërmendur, të vihet në listën e dytë një emër si Luan Baçi, kjo nuk ka kuptim dhe as logjikë. Është njësoj si ta nxjerrësh Messin lojtar rezervë. Ku njihet në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Fier, për angazhimin si deputet dhe si kryetar i PD-së. Një emër që vlerësohet nga të gjithë demokratët e Shqipërisë, madje dhe një zë i fuqishëm kundër kësaj bande që e ka kapur Shqipërinë. Supozohet që këtë vend duhet ta drejtojnë njerëz intelektualë, të ndershëm dhe, mbi të gjitha, të aftë. Ishte historike në 2017. Hera e parë në histori 4 mandate PD-ja në Fier. Falë punës së Luanit. Dhe Luani të përfundojë në listën e dytë, e veteranët, e ish-sigurimsat të zënë vend në podium. Kjo do të thotë që Rama ta gëzojë mandatin e 3-të. Nuk di çfarë të them. Është tmerr. Lul Basha, o mbaji njerëzit e duhur ose, në të kundërt, rininë ta harrosh. Rinia ka nevojë për njerëz punëtorë e të devotshëm. Nuk ka nevojë për ish-anëtarët e Byrosë e me teserën e PPSH-së. Luan Baçi, forca dhe motivi i çdo demokrati. Respekte njeri me vlera.
1. Kandidatët nga lista e veçantë kombëtare që vlerësohen nga Komisioni për të qenë pjesë e listës për përfaqësim politik, janë si më poshtë:
1. AGRON SHEHAJ
2. ALBANA VOKSHI
3. ALDO BUMÇI
4. ALFRED RUSHAJ
5. ARBEN RISTANI
6. BARDH SPAHIA
7. BELIND KËLLIÇI
8. ÇLIRIM GJATA
9. DHURATA ÇUPI
10. ENKELEJD ALIBEAJ
11. ENNO BOZDO
12. ERVIN MINAROLLI
13. FATBARDH KADILLI
14. FLAMUR NOKA
15. FLORJON MIMA
16. GENC POLLO
17. GENT STRAZIMIRI
18. GRIDA DUMA
19. ISUF ÇELA
20. INA ZHUPA
21. IVI KASO
22. JORIDA TABAKU
23. KRESHNIK ÇOLLAKU
24. LUÇIANO BOÇI
25. OERD BYLYKBASHI
26. ORJOLA PAMPURI
27. TOMORR ALIZOTI
2. Kandidatët nga lista e veçantë kombëtare që sipas vlerësimit të Komisionit kalojnë në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi, janë si më poshtë:
1. ANDON FRROKAJ
2. ARBEN KASHAHU
3. ENDRI HASA
4. ERVIN SALIANJI
5. FATBARDHA KADIU
6. IZMIRA ULQINAKU
7. LINDITA METALIAJ
8. LORENC LUKA
9. LUAN BAÇI
10. NADIRE MEÇORAPAJ
11. ROMEO GURAKUQI
12. TRITAN SHEHU
13. XHEMAL GJUNKSHI