Për marrëveshjen e detit me Greqinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Përparim Zaimi

Aktualisht nuk kemi një deklarim zyrtar të qeverisë shqiptare. Ka vetëm prononcime të papërgjegjshme dhe në nivele jo profesionistësh të zyrtarëve të saj, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë. Si ekspert i çështjeve detare, njohës i ligjit të detit (Law of Sea) që nga viti 1980 që u shpërnda si draft dhe më vonë në vitin 1982, i miratuar, do të shprehem shkurtimisht si vijon: Në vitin 1984 kam kryesuar grupin studimor për vlerësimin e biomasës në Zonën Ekonomike Ekskluzive të detit Adriatik dhe detit Jon.

Studimi u krye dhe iu dorëzua qeverisë së atëhershme në datën 5 maj 1984, shoqëruar me hartat përkatëse. Media e shkruar dhe elektronike ka njohur opinionin publik me një seri opinionesh e debatesh të vlefshme për informimin e publikut shqiptar. Për mendimin tim, është një çështje që kërkon seriozitetin dhe përgjegjësinë e duhur nga qeveria shqiptare, sepse është një çështje kombëtare me efekt veprues afatgjatë. Ligjërisht jemi në gjendje lufte me Greqinë, shpallur nga Greqia më 9 nëntor 1940, i cili thotë:

Quote
Jeprjios B’
Mbret i Grekëve

Duke marrë parasysh dispozitat 1 dhe 21, të Ligjit Detyrues nr. 2636/1940 “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”, mbi bazën e propozimit të Kryetarit të Qeverisë sonë, të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit tonë të Financave, vendosim dhe urdhërojmë: Përcaktojnë si shtet armik, sipas kuptimit të ligjit detyrues 2636/1940, Italinë, pas marrjes prej saj të tokave perandorake dhe kolonive të saj, si dhe Shqipërinë. Vëmë në zbatim plotësisht dispozitat e ligjit të mësipërm në lidhje me këto shtete prej datës 28 tetor 1940.

U ngarkojmë Ministrave tanë të Punëve të Jashtme dhe të Financave detyrën e botimit dhe vënies në zbatim të këtij dekreti.

Athinë, më 09 nëntor 1940
Jeorjios B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Ministri i Financave
Andreas Apostolidhis
Unquote

Që të uleshin të dyja palët në tavolinë për të negociuar marrëveshjen për detin, duhej që pala greke të kishte shfuqizuar ligjin absurd të luftës të vitit 1940. Nuk e ka bërë qëllimisht, sepse ligji flet kryesisht për sekuestrimin dhe ndarjen e tokave të çamëve dhe arvanitasve, sesa për arsyet e gjendjes së luftës. Përderisa Greqia nuk e ka bërë një hap të tillë, pra shfuqizimin e ligjit të luftës në tërësinë e tij, nuk ka vend për negociata.

Qeveria shqiptare për efekt transparence me popullin shqiptar duhet ta botojë përmbajtjen e këtij ligji absurd. Kjo nuk është bërë, është anashkaluar, nisur nga rrethana të caktuara, ndërkohë që kërkesat greke i kalojnë caqet e përcaktuara në konventën e detit. Konventa e detit është jo obliguese për palët pjesëmarrëse, por mirëkuptuese për shfrytëzimin e pasurive që përmbajnë zona ekonomike eksluzive dhe shelfi kontinental. Padrejtësitë historike për hir të bashkjetesës së brezave duhet të ndreqen në mirëkuptim reciprok dhe me ndershmëri.

Marrëveshja për ndarjen e zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental të detit Jon mund të mbetet pezull edhe për 50 vjet të tjerë, derisa të dalin breza dhe qeveri të përgjegjshme nga të dyja palët. Të jemi të sigurt se brezat që do të vijnë pas nesh në saje të zhvillimit të shoqërisë njerëzore do ta zgjidhin këtë çështje më mirë se ne dhe me mirëkuptim. Në fund të fundit, le të mbetet një pasuri e patundshme për brezat që do të vijnë pas nesh. Me kushtet aktuale nuk fitojnë as shqiptarët dhe as grekët, por do të fitojnë korporatat gjigante të gazit e të naftës që dominojnë tregun botëror dhe politikanët e korruptuar. Realisht jemi dy popuj miq, por ambiciet dhe interesat e politikanëve të të dy krahëve egërsojnë e futin në konflikt dy popuj. Kur vjen puna për ndarje pronash edhe vëllezërit bëhen hasëm me njëri-tjetrin.

Deti territorial midis Shqipërisë dhe Greqisë është ndarë me Protokollin e Firences, datë 27 janar 1925, firmosur nga fuqitë e mëdha të asaj kohe, Britania e Madhe, Franca, Italia, Japonia dhe shtetet Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia. Vulosur përfundimisht nga “Akti i Delimitimit” të kufijve të Shqipërisë më 30 korrik 1926, nga konferenca e ambasadorëve në Paris dhe e nënëshkruar e pranuar nga qeveria e Greqisë. Konventa e detit e dhjetorit 1982 duhet të negociohet vetëm për ZEE (Zonën Ekonomike Ekskluzive) dhe shelfin kontinental në detin Jon.

Sipas definicionit të kësaj konvente, pra ligjit të detit, ZEE dhe shelfi kontinental fillojnë ngjitur dhe përtej detit territorial. Kjo duhet të diskutohej midis palëve dhe të jetë objekt i marrëveshjes dhe jo delimitimi i detit territorial. Për mendimin tim, pala shqiptare është futur në një qorrsokak të panevojshëm, të qëllimshëm apo inocent, por të panevojshëm.

Në fazën që ka hyrë kjo çështje mendoj se nuk duhet të pranohen:

1-Shkëmbi nënujor “Barketa”, deri tani ka funksionuar si pikë ndarëse e ujërave territoriale shqiptare dhe greke. Saktësisht, faqja perëndimore e shkëmbit është konsideruar si ujëra greke dhe faqja lindore e shkëmbit ujëra shqiptare. Nuk mund të pranohet të ketë statusin e tokës greke, sepse nuk e gëzon një veti të tillë dhe do të konsiderohej rishikim i kufijve detarë. Kufijtë detarë (deti territorial) janë vendosur që në vitin 1925.

Lexo edhe :  Kadare mes ikjes dhe ardhjes!

2-Deklarata e qeverisë greke për shtrirjen e detit territorial me 12 milje detare nga 6 milje detare që ka qenë dhe është deri tani, është kategorikisht e papranueshme. Neni 3 i ligjit të detit i jep të drejtë çdo shteti t’i shtrijë ujërat territoriale deri në 12 milje detare. por neni 15 i kësaj konvente e kushtëzon këtë të drejtë, kur kjo prek interesat e palës tjetër, në rastin tonë interesat e palës shqiptare. E përsëris, konventa e detit ose ligji i detit nuk ka karakter obligues, por mirëkuptues dhe kjo thuhet qartë në preambulën e ligjit. Prandaj si rrjedhojë Shqipëria dhe Greqia nuk kanë çfarë të ndajnë si det territorial, sepse është i ndarë me protokollin e Firences. Qeveria shqiptare në mënyrë kategorike nuk duhet të pranojë shtrirjen e detit territorial grek në 12 milje detare.

Kjo shtrirje prek shumë rëndë ujërat territoriale ekzistuese shqiptare, jo siç deklarohet nga zyrtarë dhe politikanë të paditur në këtë fushë, nuk po themi qëllimkëqij, se përndryshe duhet të japin llogari para popullit shqiptar. Pranimi i kërkesës së qeverisë greke për shtrirjen e ujërave ose detit territorial në 12 milje detare, cenon sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë, është njëlloj si të pranosh të rishikosh kufijtë detarë ekzistues.

Ekspertët detarë le të marrin hartën dhe kompasin dhe të shikojnë se cili është efekti i pranimit të kësaj kërkese. Deklaratat e politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë që mbështesin këtë kërkesë, janë një kapitullim para presionit grek. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse edhe faktori ndërkombëtar do të reagojë ashpër. Një nga këto shtete është Gjermania, e cila nga sa kam lexuar në shtyp, është shumë e qartë dhe realiste në qëndrimin e vet.

Një aspekt teknik për ata që janë mësuar të flasin pa u menduar. Distanca midis ishullit Erikuza dhe bregdetit shqiptar është 18 milje detar, nga të cilat 12 milje detare i përkasin Shqipërisë dhe 6 milje detare Greqisë, me statusin aktual të ujërave. Me statusin e ndryshuar, nëse pranohet kërkesa greke, Shqipëria humbet 3 milje detare det territorial dhe kjo në vazhdimësi gjatë gjithë vijës bregdetare.

E para, preket sovraniteti ekzistues i Republikës së Shqipërisë.

E dyta, Greqisë i jepet mundësia të përfitojë jo vetëm hapësirë detare që ka pasuri të mëdha të naftës e gazit, por edhe pasuri të tjera ihtike me vlera të konsiderueshme.

E treta, nëse pranohet kjo kërkesë, nuk ka më vend për negociata për ZEE apo shelfin kontinental.

Nga këndvështrimi strategjik, pranimi i kësaj kërkese është një goditje paralizuese për palën shqiptare.

3-Kalimi i çështjes në gjyqin ndërkombëtar të drejtësisë në Hagë apo vend tjetër nuk duhet bërë dhe pranuar.

Me këtë veprim qeveria shqiptare dhe politikanët që janë pro këtij varianti nxjerrin jashtë loje Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që deri sot ka shërbyer si mburojë e interesave të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është i argumentuar juridikisht dhe me profesionalizëm të lartë, prandaj duhet të shërbejë si busull orientuese në gjithë procesin e negociatave.

Me këtë rast politikanët dhe partitë politike që mbështesin këtë variant, lajnë duart si Pilati para Krishtit dhe e lënë një çështje madhore historike të kombit në duar të pasigurta. Se si funksionojnë gjykatat, qofshin këto kombëtare apo ndërkombëtare e dimë, e ka treguar eksperienca e deritanishme. Drejtësi ka vetëm në qiell te Zoti. Në planetin Tokë, fiton ai që ka mbështetje më shumë. Për mendimin tim, është një pikëpyetje e madhe dhe e pasigurt.

U bëj thirrje politikanëve të të gjitha ngjyrave të mos japin miratimin e tyre për ta çuar çështjen në gjykatën ndërkombëtare. Të paktën njëherë në jetën e tyre t’i vënë interesat e kombit mbi interesat e tyre vetiake apo partiake. I bëj thirrje presidentit të mos japë miratimin e tij për kalimin e çështjes në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë dhe i propozoj që për këtë çështje të shpallë referendum në popull. Le të vendosë sovrani se çfarë duhet bërë. Problemet e tjera janë çështje ekspertësh.

Mendimi që qarkullon se Shqipëria nuk ka ekspert për t’u ballafaquar dhe zgjidhur këtë çështje, është katërcipërisht i gabuar, denigrues për vlerat dhe aftësitë e ekspertëve shqiptarë. Shqipëria ka ekspertë detarë, gjeografë, topografë, dhe të fushës juridike shumë të zotë, por lërini ata të kryejnë detyrën e tyre dhe mos i shantazhoni.

*Ekspert i çështjeve detare. Studius dhe ish-lektor i shkencave nautike në Universitetin “Aleksandër Mosisiu”, Durrës

Të fundit

Qindra lëkundje tërmeti në dy ditë, mbyllen shkollat në ishullin më të njohur të Greqisë

24 orët e fundit kanë qenë shqetësuese për Greqinë. Konketisht për ishujt Santorinit dhe Amorgos të cilët janë lëkundur...

OJF-të në Shqipëri do të kontrollohen për terrorizëm dhe keqpërdorim fondesh

Shqipëria ka përcaktuar kontrollin e Organizatave jofitimprurëse edhe përkundër mundësisë së të qenurit të tyre aktivitet me keqpërdorime. Praktika është bërë e ditur përmes...

Pasojat janë të rënda, Kanadaja hakmerret pas vendimit të Trump për tarifat

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka vënë në jetë premtimin e tij për vendosjen e tarifave të gjera për mallrat nga Kanadaja, Meksika dhe...

Netanjahu niset në Uashington: Trump mund të riformojë Lindjen e Mesme

Kryeministri izraelit Netanyahu u nis sot për në Uashington, ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, DC të martën. Lajmi...

G Bani i shpreh pëlqimin, Danja: Këtë situatë mbaje ti mbi supe…

G Bani ka shprehur pëlqim për Danjën, situatë e cila u diskutua këtë mbrëmje. I pyetur gjatë Primes, banori ka pranuar se ka krijuar...

Lajme të tjera

Web TV