Portieri i Evertonit Xhordan Pikford nuk e imagjinonte kurrë se duhet të ketë frikë për jetën e tij. Sipas mediave angleze, futbollisti i kombëtares së Anglisë ka punësuar disa truproja pas kërcënimeve me vdekje që ka marrë në rrjetet sociale për ndërhyrjen e rëndë që i shkaktoi në ndeshje mbrojtësit të Liverpulit Virxhil Van Dajk në ndeshjen e 17 tetorit. I frikësuar për veten dhe familjen e tij, 26-vjeçari i ka kërkuar një eksperti të sigurisë që të vendosë truproja në banesën e tij si dhe të krijojë një rrethim mbrojtës në shtëpinë e tij.
Lajmi ka befasuar Britaninë e Madhe dhe shumë ndjekës në rrjetet sociale janë solidarizuar me Pikfordin, ndërkohë policia e Mersisajdit ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Mosdënimi nga Federata Angleze për dëmtimin e Virxhil Van Dajkut i ka acaruar disa prej tifozëve të Liverpulit, të cilët e kanë tepruar duke kërcënuar me jetë portierin e Evertonit dhe Anglisë. Mbrojtësi holandez Van Dajk do të qëndrojë larg fushave për një kohë të gjatë pasi duhet t’i nënshtrohet operacionit në gju.