Deri më tani, shumica e kandidatëve presidencialë që kanë fituar votën e Kolegjit Zgjedhor, kanë fituar dhe presidencën. Por pse u vendos një sistem i tillë, shpesh jo dhe aq i kuptueshëm nga të tjerët jashtë SHBA-së. Ja faktet kryesore që duhet të dini:
Kolegji Zgjedhor u bazua në një ide të Platonit
Etërit Themelues të Shteteve të Bashkuara, promovuan idealet e Iluminizmit si bazë të qeverisë së vendit të tyre të ri. Megjithatë, shumë prej ideologjive të saj vinin nga grekët e lashtë. Filozofi grek Platoni argumentoi në veprën “Republika” se një shoqëri funksionon më së miri nën sundimin e një filozofi-mbret, pra një koncept elitist.
Dhe Etërit Themelues të SHBA, u ndikuan shumë nga ideja e Platonit, se disa individë janë më të aftë për të marrë vendime të arsyeshme sesa të tjerët. Vendosja e Kolegjit Zgjedhor në Kushtetutë, bazohej në këtë filozofi. Natyrisht, vështirësia ka të bëjë me faktin se përcaktimi se çfarë e bën një person të kualifikuar për të qenë president, është një proces shumë subjektiv.
U krijua për të mbrojtur një elektorat të painformuar dhe të paarsimuar
Në vitet 1800, nuk kishte asnjë formë të shpejtë dhe të besueshme të medias, që mund të transmetonte lajme për një popullsi të përhapur në një sipërfaqe të madhe. Banorët e zonave rurale ishin shumë më të izoluar fizikisht dhe nga ana sociale se banorët e qyteteve.
Dhe në atë kohë, vetëm 1 në 4 amerikanë ishin të shkolluar. Pjesa tjetër e popullsisë ishin analfabetë. Kolegji Zgjedhor ishte një organ i përbërë nga njerëz të mirë-arsimuar. Pozita e tyre u jepte mundësi të gjenin lehtësisht informacionin e vlefshëm për çdo kandidat në garë.
Zgjedhësit zgjidhen nga dy partitë kryesore politike të vendit
Që nga viti 1800, zgjedhësit e Kolegjit janë zgjedhur nga partitë politike. Shtetet kanë rregulla të ndryshme lidhur me faktin nëse një zgjedhësi i kërkohet apo jo të votojë një parti politike të caktuar. Por funksionimi i Kolegjit Zgjedhor, përcaktohet gjithashtu nga mënyra se si popullata e një shteti mund të ndikojë në përfaqësimin e tij.
Kështu një votë elektorale nga një shtet pak i populluar si Montana, vlen më shumë sesa një votë elektorale nga një shtet shumë i populluar si Nju Jorku. Prandaj është e mundur që një kandidat presidencial të humbasë votën e popullit ndërsa fiton votën e Kolegjit Zgjedhor, dhe për pasojë presidencën. Kjo ka ndodhur 4 herë në historinë e vendit, në zgjedhjet presidenciale të viteve 1876, 1888, 2000 dhe 2016.
SHBA nuk është i vetmi vend që ka një Kolegj Zgjedhor
Sipas CIA World Factbook, zona të tjera me Kolegje Zgjedhore përfshijnë Birmaninë, Estoninë, Indinë, Madagaskarin, Nepalin, Pakistanin, Trinidad Tobagon, Vanuatu dhe Vatikanin. Gjithsesi, asnjë nga Kolegjet Zgjedhore në këto zona nuk merr një vendim përfundimtar për të zgjedhur një kryetar shteti. Praktika e lejimit të një Kolegji Zgjedhor që të zgjedhë në fund një kryetar shteti është unike vetëm për Shtetet e Bashkuara.
Në SHBA po debatohet prej kohësh zëvendësimi i këtij organi, me votën direkte popullore
Nga të gjithë kandidatët presidencialë demokratë të këtij viti, 3 prej tyre Berni Sanders, Elizabet Uorreen dhe Pit Batigig argumentuan që Kolegji të shfuqizohet. Dy të tjerë, Endrju Jang dhe Tulsi Gabard, sugjeruan që ai të reformohet, ndërsa Xho Bajden dhe miliarderi Majk Blumberg e mbështetën atë.
Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew në mars të këtij viti, 58 për qind e amerikanëve janë dakord me zëvendësimin e Kolegjit Zgjedhor, me një sistem ku kandidati presidencial që fiton shumicën e votave të popullit të bëhet president.
Vetë Kushtetuta e SHBA-së, nuk e përmban shprehjen “Kolegji Zgjedhor”
Një nga arsyet pse roli që luan Kolegjit Zgjedhor në zgjedhjet presidenciale, ka ndryshuar me kalimin e kohës, është se Etërit Themelues nuk ofruan udhëzime të hollësishme për brezat e ardhshëm. Kështu Kushtetuta nuk përmend askund frazën “Kolegji Zgjedhor”, megjithëse flitet shkurt për një trupë zgjedhësish shkurtimisht në Nenin II, pika I.
Aktualisht, Kolegji Zgjedhor zgjedh presidentin në zgjedhjet e kontestuara. Por autoriteti i zgjedhësve të këtij organi ka ndryshuar me kalimin e kohës. Por nuk ka asnjë precedent se si mund të ndryshojë ai në të ardhmen, gjithnjë nëse do të ndryshojë ndonjëherë.
Burimi: toptenz
la.mi/Fjala.al