Etilda Gjonaj është ministrja e vetme femër dhe ministrja më jetëgjatë e Drejtësisë së kohës së tranzicionit. Ajo ka lënë pas në këtë kohëzgjatje edhe Kudret Çelën, që mbahet mend për qëndrim të gjatë në detyrë. Gjonaj e ka marrë detyrën e saj si ministre më 10 shtator 2017 me dekret të presidentit të Republikës Ilir Meta dhe vijon të jetë në këtë detyrë në vitin e katërt të saj. Por cilat kanë qenë sfidat e saj në këtë detyrë dhe me cilët punë ajo mund të mburret? Gjatë emisionit HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU, ajo u shpreh:
-Zonjë, keni pothuajse 4 vjet si ministre dhe jeni më jetëgjata. Me çfarë mund të krenoheni ju nga të gjithë punët tuaja në këtë ministri?
-Unë në natyrën time modeste besoj që janë shumë aspekte me të cilat duhet të krenohemi. Unë nuk jam vetëm si ministër Drejtësie. Unë kam një ekip i cili në fakt dhe në këtë periudhë të vështirë ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme ku një ndër aspektet kryesore janë reformat legjislative. Ne sot jo vetëm që kemi ndërmarrë të gjitha aktet nënligjore të cilat dalin në zbatim të një sërë ligjesh duke përfshirë këtu edhe paketën e Reformës në drejtësi, por nga ana tjetër kemi marrë disa reforma të cilat nuk kanë pasur kurrë një rregullim ligjor dhe këtu po përfshij vetëm ligjin për përkthyesit zyrtarë të cilat kanë qenë të parregulluar, projektligjin për agjentët e pasurive të paluajtshme që dhe kjo është për herë të parë, ligjin për arbitrazhin, dhe njëkohësisht dhe kodin e ri penal. Dhe për të mos folur pastaj për gjithë pjesën e kuadrit legjislati siç është reforma në sistemin penitenciar. E dyta është shërbimi ligjor falas ku për herë të parë ndryshoi skema dhe sot ne i gjendemi qytetarëve jo vetëm nëpërmjet një zyre që ka Tirana por po hapim zyra në të gjitha bashkitë me qëllim që të gjithë qytetarët të marrin ndihmën juridike falas parësore dhe dytësore. Dhe ka filluar këtë vit, me 46 vendime ku 46 subjekte kanë përfituar avokatin falas të paguar nga buxheti i shtetit nga drejtoria që varet nga ministria e Drejtësisë./Fjala.al/Ke.Ba