Si shihet krijimi i partive të reja politike dhe fraksionet brenda së djathtës që pas tetë vitesh opozitë nuk arrin dot bashkimin.
Sa i favorizon Kodi Elektoral subjekte e reja dhe rreziku që të shërbejnë vetëm si “hambar” për partitë e mëdha. Ndikimi i katër partive të reja që dolën nga “fronti i djathtë”. Komenton për gazetën “Fjala” analisti Lorenc Vangjeli.
Nga Fernada Cenko
Priten 6 parti të reja politike të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, ku katër prej tyre jane djathtas (vijnë nga PD). Cilin elektorat pritet të tërheqin?
Kjo është një nga ato pyetje që teorikisht ka dy përgjigje, por që praktikisht nuk afron asnjë dilemë. Sado cinike të duket, por tradita, logjika dhe një pafundësi arsyesh të tjera e kanë të parashkruar fatin e këtyre partive.
Edhe pse ato do të duhej të merrnin vota majtas dhe djathtas, nga një “rezervat” qytetarësh që nuk votojnë, që refuzojnë njëlloj edhe të majtën, edhe të djathtën, ato nuk do të kenë sukses në këto zgjedhje. Me kusht që sukses të quhet njëkohësisht, edhe futja në parlament e kryetarit të tyre, edhe heqja e votave thërrime nga pozicionet ku janë.
Vetëm dy parti që kanë dalë si skizma e partive të mëdha, PDr-ja e dikurshme e Genc pollos dhe LSI-ja kanë mundur të imponohen në një treg politik ku rregulli sfidohet nga kaosi, ku karriera shembet nga tarafi, ku morali pështyhet nga predikues mëkatarë.
Partia e djeshme e Pollos u përthith nga PD-ja plotësisht dhe tashmë ajo vlen të kujtohet vetëm si eksperimenti që shënoi lindjen e opozitarizmit të opozitës. LSI pati një trajektore tërësisht të ndryshme.
Ajo ishte arsyeja kryesore që socialistët dorëzuan pushtetin në 2009-ën, që rimbajtën PD-në në pushtet në 2009-ën dhe që diktuan rotacionin në 2013-ën. LSI ishte viktima perfekte e zgjedhjeve të 2017-ës, e hutesës opozitare, e llogarive meskine në opozitë dhe e fragmentarizimit të votës antiRama.
Partitë e reja që pritet të krijohen, me gjasë nuk do të kenë një fat më të mirë se LIBRA e Blushit në zgjedhjet e shkuara. Por ato do të kenë një ndikim në “presjet dhjetore” të një gare që në disa qarqe mund të ndajnë mandatin nga mandati deri me disa dhjetra vota.
Dhe në këtë rast, do të ndikojnë deri dhe në ngjyrën e qeverisjes së nesërme. E thënë ndryshe, ato nuk do të fitojnë asgjë, por do të ndikojnë shumë se cili do të jetë emri i fituesit të nesërm.
Pas tetë viteve në opozitë me gjithë hapjen e PD, Basha nuk arriti të afronte peronazhet e rëndësishëm të PD-së. A do të ndikojë kjo në rezulatatin përfundimtar të PD?
Ka një keqkuptim të madh në këtë histori. Kur Basha qortohet se pse nuk mundi të afrojë personazhet e rëndësishëm të PD-së, duke pasur parasysh kryesisht ata që qeverisën në dy mandatet e Berishës, me të gjitha gjasat Bashës i bien kot në qafë.
Dhe bëhet një gabim thelbësor në arsyetim, i cili nuk ka parasysh se pikërisht ata emra ishin pjesë e arsyeve për dështimin spektakolar të PD-së në 2013-ën. Siç ishte bashkëpërgjegjës edhe vetë Basha. Largimi i tyre mund të ishte dhe do të duhej të ishte një proces normal.
Natyrisht jo i të gjithëve dhe jo për të gjithë njëlloj, por një pjesë e tyre duhet të ishin larguar edhe nëse do të ekzistonte vetëm një minimum kulture demokratike për shërbesë në politike dhe jo kërkesë për të qenë të shërbyer pafund nga politika. Kush humb largohet! Kjo është aksioma që e shfajëson Bashën në këtë pikë përballë kritikëve të tij.
Kryetari i PD-së është fajtor dhe ka gabuar në çfarë erdhi më pas. Në atë që ai bëri për zëvendësimin e tyre. Prurjet e reja të tij, qoftë nga pikpamja politike, intelektuale apo morale, ishin shumë më të dobta se ata që largoi. Sepse ai zgjodhi hilen vetjake, përballë vizionit të një drejtuesi politik për të nesërmen.
Ai zgjodhi në rastin më të mirë mediokër të bindur, përballë kundërshtarëve potencialë. Ai nuk bëri atëherë listë personale, por një renditje private sepse e konceptoi partinë si mjetin që do t’i jepte nesër pushtet privat.
Nuk ishte krim politik në vetvete largimi i Topallit, Bregut, Imamit, Rulit, Patozit, Bodes e shumë të tjerëve si ata në katet e poshtme të qeverisjes së djeshme të PD-së, por zëvendësimi i tyre, në jo pak raste, deri dhe me skarcitete njerëzore, ishte një akt miopie në politikë dhe ligësie në gjykim njerëzor.
Katër vjet më vonë Basha bëri të njëjtin gabim me listën, por në formë tjetër. Duke shkuar formalisht në ekstrem dhe duke u paraqitur dorëjashtë nga procesi.
Duke i deleguar antarësisë propozimet dhe formësimin në vija të përgjithshme të listës së kandidatëve për deputetë, ai refuzoi të marrë përgjegjësi dhe tentoi të krijojë alibi për veten, në rast humbjeje. Ideja për ta quajtur listën të zgjedhur nga baza dhe mënyra me mohim dhe jo pohim kandidatësh, i ka krijuar një spirale me sherre lokale, mëri personale dhe qejfmbetje të pafundme. Përpjekja për të pjekur mish pa rrezikuar hellin, ka lënë një hell kërcënues në ajër. Vërtet të padjegur ende, por në kërkim të një strehe nesër.
Kjo do ta bëjë atë proces, një ndër tre gabimet fatale që do ta ndëshkojnë rëndë në zgjedhjet e ardhshme. Të gjithë demokratët e skualifikuar nga lista, por dhe ajo shumicë disa mijëshe që ai i ngriti mendjen se po vraponin drejt finishit, e konsiderojnë atë personalisht si shkakun e ndërprerjes së ëndrrës së tyre.
Edhe kur shajnë Rulin se i skualifikoi, me mend mallkojnë Lulin si skualifikues. Pikërisht për këtë shkak, një masë e madhe e tyre, do të shoh partinë e Ramës apo dhe partitë e tjera, si përqafimin e ngrohtë të mullixhinjve që fitojnë për inat të Lulit.
Sa kohë që Basha nuk mundi të krijojë kohezion në partinë e tij, e ka të pamundur tashmë, që ta bëjë me të tjerët. Dhe në një kohë kur çdo votë është e rëndësishme të numërohet, është rasti që nesër të numërohet dhe ky fakt si një nga arsyet e humbjes së mundshme në 25 prill. Humbja apo fitorja nuk numërohet në kuti.
Nuk është një proces që ndodh në ditën e zgjedhjeve, por sendërtohet pak nga pak ditë mbas dite në pushtet apo opozitë. Në rastin e Bashës dhe në rast të një humbjeje hipotetike, gabimet e tij kanë tre kulme: dy bojkotet idiote të parlamentit dhe të zgjedhjeve lokale dhe i treti, fragëmetarizimi i vullneteve njerëzore të partisë, të thelbit të partisë së tij, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve.
Partitë e reja edhe nëse nuk arrijnë të përfaqësohen me deputete, në qarqe të ndryshme ku mandatet lëvizin me pak vota, a do të ndikojnë partitë e reja në përllogatitje përfundimtare të rezultatit zgjedhor?
Suksesi i këtyre partive është i parakufizuar, sepse ato janë të krijuara për të dhënë një mandat deputeti për kryetarin e tyre, i cili pretendon se më pas, me atë mandat mund të kushtëzojë qeverisjen për të marrë një fetë torte që do të shpërblejë në mënyrë kapilare ndjekësit e tij. Përjashtim këtu do të bënte Patozi dhe deri diku edhe Topalli.
I pari sepse nuk do të bënte asnjë aleancë jashtë ideologjike dhe e dyta sepse në një rast fitoreje, do të kushtëzonte jo Ramën, por Bashën. Kjo është një e vërtetë e trishtuar, por që është verifikuar si e tillë në vite, kur parti të tilla ekzistojnë për këtë qëllim ose për shkak të hakmarrjes brenda llojit. Për fat të keq, peisazhi aspak demokratik i vendit, edhe pse ka nevojë të dëshpëruar për zëra që dalin jashtë ombrellave të tre partive të mëdha në vend, nuk i lejon ata të dëgjohen dhe të bëhen faktor.
Politika është bërë një sipërmarrje gjithmonë e më e shtrenjtë. Idealistët e profesionistët në politikë janë bërë më të rrallë se pandat bardh e zi në Tiranë. Dhe ata që e kanë shpinën si bamboo, ushqimi kryesor i pandave, janë një shumicë tronditëse në Tiranë.
Por kësaj rradhe, duke pasur parasysh edhe rezultatet e shkuara, me shumë gjasa, në disa qarqe, prania e këtyre partive mund të jetë vendimtare në ndryshimin e ngjyrës së mandateve fundorë, që mund të kushtëzojnë deri dhe vetë ngjyrën e qeverisjes.
Në 2017-ën ka ndodhur që një mandat të ndryshojë kah e ngjyrë edhe për disa dhjetra vota dhe në 2021-shin, kjo do të rikonfirmohet sërish. Sipas aksiomës së vjetër të hakmarrjes: vërtet unë nuk fitova asgjë, por edhe ti humbe gjithçka.
Me të gjitha gjasat, nëse do të ketë dolli fitoreje për të tretën herë rradhazi të socialistëve, një gotë feste me fund, Edi Rama do të duhet ta pijë edhe për Astritin dhe Jozefinën, për Rudinën dhe Myslymin. Më pas nuk ka asnjë rëndësi miqësia me armikun e armikut që nga urrejtja e llogores, mund të integrohet në mik dollish të reja në tryeza.
la.mi/Fjala.al