Si shihet krijimi i partive të reja politike dhe fraksionet brenda së djathtës që pas tetë vitesh opozitë nuk arrin dot bashkimin.
Sa i favorizon Kodi Elektoral subjekte e reja dhe rreziku që të shërbejnë vetëm si “hambar” për partitë e mëdha. Ndikimi i katër partive të reja që dolën nga “fronti i djathtë”. Komentojnë për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi dhe Leonard Karaj.
Nga Fernada Cenko
Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli janë dy ish-eksponentë të Partisë Demokratike që kanë marrë më shumë vëmendje nga oponioni publik për kthesën që bënë për të krijuar secili partinë e vet politike.
Të dy djathtas dhe të dy me nga një parti të re, duket se më shumë se sa për të marrë votat për të siguruar një mandat, janë dy parti që do i bëjnë nder indirekt Edi Ramës në përçarjen e Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha. Të paktën ky është gjykimi dhe frika e demokratëve të “thekur” që sot gjykojnë emocionalisht, ndërsa e kanë të qartë se Topalli dhe Patozi nuk ikën, por i larguan, me një të rënë lapsit nga Basha, duke mos i pasur fare në listat e deputetëve në zgjedhjet e vitit 2017.
Gjithçka më pas ishte konflikt në distancë, dhe ndonëse Basha u zotua për hapje partie dhe tërheqje të të gjithë të larguarve, kjo nuk u arrit, duke thelluar edhe më shumë hendekun brenda kampit opozitar. Në forumin e gazetës “Fjala” opnionistët kanë dhënë mendimin e tyre se këto dy forca politike të krijuara rishtazi vetëm se do i shkojnë përshtat fitores së Edi Ramës në zgjdhjet e 25 prillit.
Madje Lorenc Vangjeli tha se “nëse do të ketë dolli fitoreje për të tretën herë rradhazi të socialistëve, një gotë feste me fund, Edi Rama do të duhet ta pijë edhe për Astritin dhe Jozefinën, për Rudinën dhe Myslymin”.
Ndoshta do të persekutohen edhe nga Kodi Elektoral, por e sigurt është se edhe nëse nuk arrijnë të marrin deputetë, minimalisht do “prishin punë”, aty ku mandatet e deputetëve nga një krah në tjetrin ndahen për fare pak vota.
Megjithatë 6 muaj janë edhe larg edhe afër, puna e tyre mund të jetë aq bindëse sa ata mund të marrin më shumë se një, por gjithcka i takon kohës. Në bazë të eksperincës dhe të precedendeve, partitë e krijuara para fushatës nuk është se kanë shance të madha për fitore.
Leonard Karaj: “Parti falso, duan humbjen e Bashës, jo rënien e Ramës”
Priten 6 parti të reja politike të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, ku katër prej tyre janë djathtas (vijnë nga PD). Cilin elektorat pritet të tërheqin?
Historia e pluraluzmit ka treguar se partitë e reja të krijuara si derivat i binomit PD-PS, nuk kanë mbijetuar as sa manushaqja e shkurtit. Përjashtim përbën vetëm LSI-ja e Ilir Metës dhe deri diku PDIU-ja, parti kjo më së shumti lokaliste.
Arsyeja e dështimit ka ardhur jo vetëm për shkak të Kodit Zgjedhor, i cili të paktën që nga 2008-ta e më pas ka qenë ngshtësisht kundër forcave të reja politike, por edhe bipolarizimit të shoqërisë shqiptare. Dy partitë e mëdha, PS dhe PD kanë mbizotëruar në “tregun elektoral” duke kthyer idealizmin e votuesit në interes të mirfilltë.
Qytetari i varfër është gënjyer me një kuti ushqimesh, nënpunësi i shtresës së mesme i është nënshtruar një vendi pune, ndërsa, i pasuri është pasuruar falë interesave të drejtëpërdrejtë politikë që merrte pikërisht nga binomi qeverisës.
Ndaj ka qenë e pamundur që një forcë e re, qoftë edhe me ideale të forta qytetare të mund të mbijetonte. Në këtë kontekst, e shikoj si shumë të vështirë që edhe partitë e reja të proklamuara rishtazi, të prishin këtë rregull të pashkruar.
Dhe që të kuptohemi: nuk është se për shembull, “Nisma Thurje”, apo “Bindja” e Patozit, janë më pak demokratike, përkundrazi. Madje, pa u munduar që të futemi në doktrinat e tyre statutore, mjaft të vëresh qasjen ndaj problematikave që trajtojnë, që ti votosh symbyllazi.
Por, pikërisht ky trend i tyre europianist nuk gjen treg në një elektorat kaq të doktrinuar dhe të robëruar nga PD-PS. Ndaj, ashtu sidikur PDr e Pollos, FRPD e Bamir Topit, SFIDA e Bojaxhiut, apo edhe LIBRA e Ben Blushit, edhe forcat e reja të krijuara së fundmi, për mendimin tim janë të destinuara të dështojnë me sukses të plotë.
Pas tetë viteve në opozitë, me gjithë hapjen e PD-së, Basha nuk arriti të afronte personazhet e rëndësishëm të kësaj force politike. A do të ndikojë kjo në rezulatatin përfundimtar të PD-së?
Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë hapje konkrete që nga momenti kur në krye të saj erdhi Lulzim Basha. Procesi i hapjes së një partie është shumë më shumë sesa afrimi i një apo dy personazheve, qofshin këta edhe me influencë mediatike apo akademike. E vetmja herë kur një gjë e tillë u mor seriozisht ishte në vitin 2004, me krijimin e KOP-it dhe lënien pas të të gjitha mërive brenda dhe jashtë kësaj force politike.
Nga ai moment, PD-ja ka ardhur gjithnjë e në mbyllje aq sa kohët e fundit, të yshtur edhe nga “ëndërra për pushtet”, kryesisht në bazë, kjo forcë gati është privatizuar. Madje, pjesa më e madhe e drejtuesve kanë injoruar edhe udhëzimet e Lulzim Bashës, i cili kalimthi apo jo, ka artikuluar disa herë hapjen e partisë ndaj çdo individi që e sheh veten jo thjesht opozitar me “Rilindjen”, por pse jo edhe demokrat.
Kjo lloj ndasie u pa qartazi edhe gjatë të ashtuqaujatura “primare”, me votimin kokëposhtë (unikal në llojin e vet), të cilat vunë në pah më së miri përplasjet brenda kësaj force politike. Problem tjetër që ndikoi në dështimin e afrimin e disa figurave të PD-së ndër vite ka qenë edhe diferenca e madhe krahasimore mes lidershipit të PD-së.
Nëse deri në 2013-ën kur këtë forcë e drejtonte Berisha, një lider karizmatik, gati-gati i pakundërshtueshëm dhe që impononte sa frikë dhe respekt, tjetër gjë është Basha. Kreu aktual, ka marrë si trashëgimi jo vetëm “hijen” e Berishës; jo vetëm xhelozinë e ish-kolegëve në parti, disa prej të cilëve e kanë parë vazhdimisht si “të përkëdhelurin e kryetarit”, por edhe dyshimet e forta për mënyrën sesi u zgjodh në përballjen fillimisht me Sokol Olldashin dhe më pas kundër Eduart Selamit.
Në këtë kontekst, duket sikur Basha nuk e ka fituar asnjëherë respektin e qejfmbeturve dhe që meriton si lider i partisë më të madhe opozitare në vend. Nga ana tjetër edhe të larguarit, gjatë tre viteve të fundit kanë mbajtur qëndrime refraktare ndaj Bashës, sa edhe “Rilindja” do ti kishte pasur zili.
Është totalisht e pamoralshme, të paktën për personazhe si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, etj, që kanë pasur poste të larta në PD dhe qeveri, që vetëm se nuk ishin në listat për deputetë në 2017-ën (gabim i rëndë që edhe vetë Basha e ka pranuar), kanë lëshuar gjithë arsenalin e tyre duke i bërë opozitë, opozitës. Duket sikur (dhe me gjasë është fiks kështu), për këta të fundit, më shumë sesa rrëzimi i Ramës nga pushteti, është humbja e Bashës dhe PD-së në zgjedhje. Pra, egoizëm i tejskajshëm dhe i pamoralshëm politik.
Partitë e reja, edhe nëse nuk arrijnë të përfaqësohen me deputetë në qarqe të ndryshme ku mandatet lëvizin me pak vota, a do të ndikojnë në përllogatitjen përfundimtare të rezultatit zgjedhor?
Partitë e reja, sidomos ato të dala nga PD-ja, duket qartazi se janë gatuar në “tryezën e Ramës”. Nëse në 10 fjalë, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari, nëntë i kanë kundër Bashës, atëherë këto parti vetëm elektoratin e djathtë nuk kanë sesi ta përfaqësojnë.
Ato mund të pretendojnë të jenë ç’të duan, por vetëm opozitarë nuk mund të quhen. Kësisoj, paçka e shoh si shumë irealist entuziazmin e tyre; pavarësisht qokave që morën edhe nga kryeministri me Kodin Zgjedhor, duke u dhënë mundësi kryetarëve që të kandidojnë në më shumë se 1 qark dhe duke ulur edhe pragun elektoral, përsëri dyshoj fort se Topalli & CO do jenë parlamentarë pas 25 prillit 2021.
Nuk duhet harruar një fakt domethënës, që votuesi është bërë shumë pragmatist, duke u zhveshur nga idealizmi partiak, dhe duke parë ngushtësisht interesin momental. Ndaj, 99& e tyre ndjekin “trendin e të fortëve” (kupto, partive të mëdha), pafarësisht joshjes spektakolare, bindëse dhe qoftë edhe reale të partive të reja.
Pra, elektorati shqiptar është i prirur të shkojë drejt votës së sigurt (PS, PD, LSI), sesa një eksperimenti që historikisht ka treguar se është i dështuar. Ndaj, me gjasë, forcat e reja politike mund ti heqin një grusht vota, kryesisht opozitës, por jo aq sa të ndikojnë në rezultatain përfundimtar.
Lorenc Vangjeli: “Rama duhet të ngrejë dolli për Patozin, Jozefinën, Murrizin dhe Rudinën”
Priten 6 parti të reja politike të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, ku katër prej tyre jane djathtas (vijnë nga PD). Cilin elektorat pritet të tërheqin?
Kjo është një nga ato pyetje që teorikisht ka dy përgjigje, por që praktikisht nuk afron asnjë dilemë. Sado cinike të duket, por tradita, logjika dhe një pafundësi arsyesh të tjera e kanë të parashkruar fatin e këtyre partive.
Edhe pse ato do të duhej të merrnin vota majtas dhe djathtas, nga një “rezervat” qytetarësh që nuk votojnë, që refuzojnë njëlloj edhe të majtën, edhe të djathtën, ato nuk do të kenë sukses në këto zgjedhje. Me kusht që sukses të quhet njëkohësisht, edhe futja në parlament e kryetarit të tyre, edhe heqja e votave thërrime nga pozicionet ku janë.
Vetëm dy parti që kanë dalë si skizma e partive të mëdha, PDr-ja e dikurshme e Genc pollos dhe LSI-ja kanë mundur të imponohen në një treg politik ku rregulli sfidohet nga kaosi, ku karriera shembet nga tarafi, ku morali pështyhet nga predikues mëkatarë.
Partia e djeshme e Pollos u përthith nga PD-ja plotësisht dhe tashmë ajo vlen të kujtohet vetëm si eksperimenti që shënoi lindjen e opozitarizmit të opozitës. LSI pati një trajektore tërësisht të ndryshme.
Ajo ishte arsyeja kryesore që socialistët dorëzuan pushtetin në 2009-ën, që rimbajtën PD-në në pushtet në 2009-ën dhe që diktuan rotacionin në 2013-ën. LSI ishte viktima perfekte e zgjedhjeve të 2017-ës, e hutesës opozitare, e llogarive meskine në opozitë dhe e fragmentarizimit të votës antiRama.
Partitë e reja që pritet të krijohen, me gjasë nuk do të kenë një fat më të mirë se LIBRA e Blushit në zgjedhjet e shkuara. Por ato do të kenë një ndikim në “presjet dhjetore” të një gare që në disa qarqe mund të ndajnë mandatin nga mandati deri me disa dhjetra vota.
Dhe në këtë rast, do të ndikojnë deri dhe në ngjyrën e qeverisjes së nesërme. E thënë ndryshe, ato nuk do të fitojnë asgjë, por do të ndikojnë shumë se cili do të jetë emri i fituesit të nesërm.
Pas tetë viteve në opozitë me gjithë hapjen e PD, Basha nuk arriti të afronte peronazhet e rëndësishëm të PD-së. A do të ndikojë kjo në rezulatatin përfundimtar të PD?
Ka një keqkuptim të madh në këtë histori. Kur Basha qortohet se pse nuk mundi të afrojë personazhet e rëndësishëm të PD-së, duke pasur parasysh kryesisht ata që qeverisën në dy mandatet e Berishës, me të gjitha gjasat Bashës i bien kot në qafë.
Dhe bëhet një gabim thelbësor në arsyetim, i cili nuk ka parasysh se pikërisht ata emra ishin pjesë e arsyeve për dështimin spektakolar të PD-së në 2013-ën. Siç ishte bashkëpërgjegjës edhe vetë Basha. Largimi i tyre mund të ishte dhe do të duhej të ishte një proces normal.
Natyrisht jo i të gjithëve dhe jo për të gjithë njëlloj, por një pjesë e tyre duhet të ishin larguar edhe nëse do të ekzistonte vetëm një minimum kulture demokratike për shërbesë në politike dhe jo kërkesë për të qenë të shërbyer pafund nga politika. Kush humb largohet! Kjo është aksioma që e shfajëson Bashën në këtë pikë përballë kritikëve të tij.
Kryetari i PD-së është fajtor dhe ka gabuar në çfarë erdhi më pas. Në atë që ai bëri për zëvendësimin e tyre. Prurjet e reja të tij, qoftë nga pikpamja politike, intelektuale apo morale, ishin shumë më të dobta se ata që largoi. Sepse ai zgjodhi hilen vetjake, përballë vizionit të një drejtuesi politik për të nesërmen.
Ai zgjodhi në rastin më të mirë mediokër të bindur, përballë kundërshtarëve potencialë. Ai nuk bëri atëherë listë personale, por një renditje private sepse e konceptoi partinë si mjetin që do t’i jepte nesër pushtet privat.
Nuk ishte krim politik në vetvete largimi i Topallit, Bregut, Imamit, Rulit, Patozit, Bodes e shumë të tjerëve si ata në katet e poshtme të qeverisjes së djeshme të PD-së, por zëvendësimi i tyre, në jo pak raste, deri dhe me skarcitete njerëzore, ishte një akt miopie në politikë dhe ligësie në gjykim njerëzor.
Katër vjet më vonë Basha bëri të njëjtin gabim me listën, por në formë tjetër. Duke shkuar formalisht në ekstrem dhe duke u paraqitur dorëjashtë nga procesi.
Duke i deleguar antarësisë propozimet dhe formësimin në vija të përgjithshme të listës së kandidatëve për deputetë, ai refuzoi të marrë përgjegjësi dhe tentoi të krijojë alibi për veten, në rast humbjeje. Ideja për ta quajtur listën të zgjedhur nga baza dhe mënyra me mohim dhe jo pohim kandidatësh, i ka krijuar një spirale me sherre lokale, mëri personale dhe qejfmbetje të pafundme. Përpjekja për të pjekur mish pa rrezikuar hellin, ka lënë një hell kërcënues në ajër. Vërtet të padjegur ende, por në kërkim të një strehe nesër.
Kjo do ta bëjë atë proces, një ndër tre gabimet fatale që do ta ndëshkojnë rëndë në zgjedhjet e ardhshme. Të gjithë demokratët e skualifikuar nga lista, por dhe ajo shumicë disa mijëshe që ai i ngriti mendjen se po vraponin drejt finishit, e konsiderojnë atë personalisht si shkakun e ndërprerjes së ëndrrës së tyre.
Edhe kur shajnë Rulin se i skualifikoi, me mend mallkojnë Lulin si skualifikues. Pikërisht për këtë shkak, një masë e madhe e tyre, do të shoh partinë e Ramës apo dhe partitë e tjera, si përqafimin e ngrohtë të mullixhinjve që fitojnë për inat të Lulit.
Sa kohë që Basha nuk mundi të krijojë kohezion në partinë e tij, e ka të pamundur tashmë, që ta bëjë me të tjerët. Dhe në një kohë kur çdo votë është e rëndësishme të numërohet, është rasti që nesër të numërohet dhe ky fakt si një nga arsyet e humbjes së mundshme në 25 prill. Humbja apo fitorja nuk numërohet në kuti.
Nuk është një proces që ndodh në ditën e zgjedhjeve, por sendërtohet pak nga pak ditë mbas dite në pushtet apo opozitë. Në rastin e Bashës dhe në rast të një humbjeje hipotetike, gabimet e tij kanë tre kulme: dy bojkotet idiote të parlamentit dhe të zgjedhjeve lokale dhe i treti, fragëmetarizimi i vullneteve njerëzore të partisë, të thelbit të partisë së tij, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve.
Partitë e reja edhe nëse nuk arrijnë të përfaqësohen me deputete, në qarqe të ndryshme ku mandatet lëvizin me pak vota, a do të ndikojnë partitë e reja në përllogatitje përfundimtare të rezultatit zgjedhor?
Suksesi i këtyre partive është i parakufizuar, sepse ato janë të krijuara për të dhënë një mandat deputeti për kryetarin e tyre, i cili pretendon se më pas, me atë mandat mund të kushtëzojë qeverisjen për të marrë një fetë torte që do të shpërblejë në mënyrë kapilare ndjekësit e tij. Përjashtim këtu do të bënte Patozi dhe deri diku edhe Topalli.
I pari sepse nuk do të bënte asnjë aleancë jashtë ideologjike dhe e dyta sepse në një rast fitoreje, do të kushtëzonte jo Ramën, por Bashën. Kjo është një e vërtetë e trishtuar, por që është verifikuar si e tillë në vite, kur parti të tilla ekzistojnë për këtë qëllim ose për shkak të hakmarrjes brenda llojit. Për fat të keq, peisazhi aspak demokratik i vendit, edhe pse ka nevojë të dëshpëruar për zëra që dalin jashtë ombrellave të tre partive të mëdha në vend, nuk i lejon ata të dëgjohen dhe të bëhen faktor.
Politika është bërë një sipërmarrje gjithmonë e më e shtrenjtë. Idealistët e profesionistët në politikë janë bërë më të rrallë se pandat bardh e zi në Tiranë. Dhe ata që e kanë shpinën si bamboo, ushqimi kryesor i pandave, janë një shumicë tronditëse në Tiranë.
Por kësaj rradhe, duke pasur parasysh edhe rezultatet e shkuara, me shumë gjasa, në disa qarqe, prania e këtyre partive mund të jetë vendimtare në ndryshimin e ngjyrës së mandateve fundorë, që mund të kushtëzojnë deri dhe vetë ngjyrën e qeverisjes.
Në 2017-ën ka ndodhur që një mandat të ndryshojë kah e ngjyrë edhe për disa dhjetra vota dhe në 2021-shin, kjo do të rikonfirmohet sërish. Sipas aksiomës së vjetër të hakmarrjes: vërtet unë nuk fitova asgjë, por edhe ti humbe gjithçka.
Me të gjitha gjasat, nëse do të ketë dolli fitoreje për të tretën herë rradhazi të socialistëve, një gotë feste me fund, Edi Rama do të duhet ta pijë edhe për Astritin dhe Jozefinën, për Rudinën dhe Myslymin. Më pas nuk ka asnjë rëndësi miqësia me armikun e armikut që nga urrejtja e llogores, mund të integrohet në mik dollish të reja në tryeza.
Plator Nesturi: “Kemi një fragmentarizim të thellë të votës të së djathtës”
Priten 6 parti të reja politike të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, ku katër prej tyre jane djathtas (vijnë ngaPD). Cilin elektorat pritet të tërheqin?
-Bollëku i partive nuk i ka munguar asnjëherë spektrit të politikës shqiptare. Por në kohën kur lëvizjet e viteve të fundit të partive të mëdha kanë synuar që nëpërmjet ndryshimeve në kodin zgjedhor të eleminojnë me sa mundësi të kenë partitë e vogla dhe orekset e tyre zgjedhore, përshfaqja e partive të reja do të përbënte anomali.
Për më tepër kur ky fenomen ndodh në rrafshin e opozitës. Zakonisht përpara zgjedhjeve formacionet e reja politike dalin nga rradhët e maxhorancës si rezultat i pakënaqësive, mosgjetje të hapësirave nga politika e lidershipit apo si rezultat dhe i luftës së brendshme midis radhëve të partisë në pushtet.
Parë në këtë këndvështrim partitë e reja brenda të djathtës shqiptare shpjegojnë amulli dhe fragmentarizim të votës së këtij elektorati. Natyrisht që vota që kërkojnë partitë e reja i drejtohet elektoratit të djathtë, pasi dhe motivi pse janë ngritur është si rezultat i pakënaqësisë dhe akuzave të lidershipit të PD.
Si në rastin e Patozit që ka prej kohësh partinë e tij, por dhe me formacionet e reja të Topallit dhe Murrizit, në deklaratat e tyre i drejtohen pikërisht elektoratit tradicional të PD. Vetë ish-Kryetarja e Parlamentit Topalli shprehet se vetë demokratët ndihen të pa përfaqësuar me Bashën dhe enturazhin e figurave që ka vendosur në krye të partisë dhe vetë partinë e saj e sheh si një mision për ti kthyer përfaqësimin demokratëve.
Në këtë kontekst, pavarësisht opozitarizmit të saj ndaj maxhorancës së Ramës, në vetvete objekti kryesor i luftës së saj mbetet beteja me Bashën dhe thithja e votës së PD. Për të vijuar më tej, kritikat e Topallit dhe të Murrizit i drejtohen edhe LSI si aleate e Bashës në zgjedhjet e 25 prillit.
Vetëm kaq do të mjaftonte që në parashihet e deritanishme të kemi një fragmentarizim të thellë të votës të së djathtës, çka do ta bënte pretendimin e Bashës për të patur sukses zgjedhor, si mjaft të vështirë. Pasi përveç betejes që ka me maxhorancën duhet të llogarisë dhe luftën e brendshme brenda të djathtës dhe shkarjen e votës qëka qenë domen i PD, drejt partive të reja që janë krijuar.
Pas tetë viteve në opozitë me gjithë hapjen e PD, Basha nuk arriti të afronte personazhet e rëndësishëm të PD-së. A do të ndikojë kjo në rezulatatin përfundimtar të PD?
-Vetë ndarja e thellë që po përjeton e djathta vertetton pikërisht pazotësinë e Bashës për të inkuadruar dhe përfshirë të gjithë përbërësit opozitarë e për të arritur fitoren në zgjedhje. Basha nuk arriti të krijojë frymë në rradhët e opozitës dhe njëkohësisht operoi me skema të vjetra të të bërit politikë.
Skema që natyrisht nuk mund të frymëzojnë dhe as të përcjellin idenë e ndryshimit dhe të një partie moderne që është gati të drejtojë vendin e të marrë përgjegjësistë e maxhorancës.
Basha ndoqi të njëjtën politikë të vjetër të eleminimit të elementëve që mund ti rrezikonin lidershipin, nuik rerspektoi vlerën e kontributeve të figurave të ndryshme brenda PD, duke I mbushur korridoret e partisë së tij të re me figura të panjohura e shpesh herë të kontestuara dhe nga baza e demokratëve.
Këtë e dëshmoi dhe vota e anëtarëve të thjeshtë në garën për zgjedhjen për deputetë ku një pjesë e deputetëve të rinj të PD, apo prurje të reja të Bashës e që maheshin si duishepujt e rinj, nuk e kaluan rovën e votëbesimit për të qenë kandidatë për deputetë.
Nayrshëm që çdo veprim lind dhe një kundërveprim, aq më tepër që gabimet dhe squllja e PD në këto vite në betejën me maxhorancën ishte e dukshme. Braktisja e parlamentit, mospjesmarrja në zgjedhjet vendore duke ia lënë fitoren në tavolinë Ramës duhet të kishin sjellë prej kohësh një pranim të mea culpa nga ana e Bashës.
Dhe ndërsa asgjë nga këto nuk u bë, dhe vetë PD pësoi rënie të lirë në besimin e saj në elektorat, natyrshëm do të lindin parti të reja nga ish-përfaqësues të PD, të cilët futen në lojë me axhendë tjetër nga ish-partia e tyre.
Brenda së djathtës pra, kemi një bollëk forcash të ndryshme politike me vektorë të ndryshëm interesash, çka jo vetëm do të sjellë fragmentarizim të rezultatit por dhe që e bën mison të pamundur dhe bashkëpunimin e tyre pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Partitë e reja edhe nëse nuk arrijnë të perfaqësohen me deputete, në qarqe të ndryshme ku mandatet lëvizin me pak vota a do të ndikojnë partitë e reja në përllogatitje përfundimtare të rezultatit zgjedhor?
-Me kodin e ri zgjedhor, për partitë e vogla dhe të reja ka vështirësi në maksimalizimin e rezultatit për votat e marra. Për qarqe të ndryshme mund të pretendohet të arrihet marrja e ndonjë mandate, pra aty ku këto parti kanë më mbështetje, ndërsa në qarqe të tjera votat e tyre mund të digjen për moskalim pragu.
Duke marrë parasysh se këto vota do të jenë të spektrit të djathtë, atëherë fragmentarizimi i tyre, dhe ku votat do të digjen e nuk i kalojnë askujt, kjo do të penalizojë siç pritet, rezultatin e opozitës.
Është ende herët të bëhen përllogaritje se ku mund të marrin mandate parti të veçanta dhe në cilat qarqe do të humben vota. Gjithësesi jemi ende në proces dhe do të pritet të shohim jo vetëm listën e kandidatëve por dhe koalicionet që do të formohen ndërkohë.
la.mi/Fjala.al