Akuzat në Hagë, Thaçi jep dorëheqjen, UÇK në “betejën” e pafajësisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi menjëherë pasi iu komunikua zyrtarisht akuza për “krime lufte” dorëzoi postin: “Nuk është ‘Lamtumirë’, por ‘Mirupafshim”. Çfarë fshihet pas akuzave në Hagë dhe tentativa për të njollosur ish-liderët e UÇK-së. Reagojnë Rama, Basha dhe Meta.

Hashim Thaci dha dorëheqjen si president i Republikës së Kosovës, pas komunikimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë kundër tij, e cila e ngarkon atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vetëm pak minuta pasi është njoftuar për akuzat, Presidenti i Kosovës dorëzoi postin e tij.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent se gjyqtari i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Janë këto momente të vështira për mua dhe familjen time.

Çmimi i vogël i radhës që kërkohet të paguhet për lirinë e vendit tonë. Unë jam me fat që jam gjallë e kam parë me sytë e mi ëndrrën tonë shekullore të bëhet realitet. Ruajtëm besimin në dialog të brendshëm, cilësor dhe për paqe në rajon.

Ashtu të dashur qytetar siç kam premtuar, s’do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës, unë sot jam dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Ai e pranon me krenari faktin që ka qenë pjesë e UÇK-së. “Jam krenar që kam qenë pjesë e UÇK. Krenar që bashkë me aletatët tanë kemi luftuar regjimin e Miloshevicit, e kemi fituar lirinë. Fitorja jonë ka nënkuptuar edhe përgjegjësi. Kemi qenë të përkushtuar për shtet. Jemi populli liridashës, por jo hakmarrës, asnjë pretendim nuk do shkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima Serbia agresori.

Ju lus për maturi qetësi, unitet e bashkim. Të qëndrojmë të bashkuar garanton suksesin tonë. Suksesi ynë është Kosova e lirë. Jemi shtet demokratik e shoqëri ku sundon ligji e demokracia.

Duhet të ruajmë besimin në dialog të brendshëm, fqinjësor e paqe në rajon. Nuk do lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Kosovës. Ndaj për të mbrotjur integritetin e Kosovës unë sot jap dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës.”-tha Thaci, në në një deklaratë për mediat.

Kështu me dorëzimin e postitt, Thaçi i është dorëzuar drejtësisë me besimin se do ta gjykojë drejtë. “Jam në dispozicion të drejtësisë, duke besuar në drejtësi unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë.

Prandaj sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada. Kemi fituar lirinë, pavarësinë dhe tani po ndërtojmë dhe zhvillojmë shtetin tonë.

Aktakuza kundër meje dhe bashkëluftëtarëve të mi është çmim i vogël I radhës që kërkohet ta paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”, u shpreh ai.

Thaçi është lutur me maturi e qetësi për të garantuar suksesin. “Ju lus për maturi, qetësi dhe për unitet dhe bashkim, të qëndrojmë të bashkuar kjo është ajo që garanton suksesin tonë.

Suksesi ynë është Kosova e lirë, shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik, pra si vend e atdhe i të gjithë qytetarëve. Jemi shtet ku sundon ligji dhe drejtësia, Kosova është storie e suksesit qytetar dhe institucioneve të vendit dhe bashkëpunimit të ngushtë me BE-në”, tha ai duke shprehur mirënjohje dhe falënderim për shtetet evropiane.

Vjosa Osmani merr presidencën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ceremonia është zhvilluar në praninë e stafit të presidencës, ndërsa akti në fjalë vjen pas dorëheqjes së Hashim Thaçit. “Dr. Vjosa Osmani zyrtarisht merr funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës.

Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit z. Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtare. Vjosa Osmani do të jetë përkohësisht Presidente e Republikës së Kosovës, sipas parshikimeve që bën Kushtetuta.

Sipas saj, në rast se vendi i Presidentit është vakant, atëherë detyra i kalon kreut të Parlamentit, njëjtë si në Shqipëri. Osmani bëhet kështu gruaja e dytë në Republikën e Kosovës që mban këtë post. Para saj ka qenë Presidente edhe Atifete Jahjaga.

Haga tjetër ftesë, nën akuza dhe ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi

Ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi, njëherësh kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes është nisur drejt Hagës. Ka qenë vetë Selimi që dje ka njoftuar se është thirrur nga Dhomat e Specializuara.

Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombas të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua.

Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka.

Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, shkroi Selimi.

Rama: Procesi absurd ndaj Thaçit do të vulosë pastërtinë e UÇK-së

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ai ka shprehur solidaritetin e tij për betejën e radhës të drejtësisë së pacënueshme të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Ramës, procesi absurd ndaj Thaçit do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së.

“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, shkruan Rama.

Basha: Askush s’mund të barazojë viktimën me agresorin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi pas aktakuzës nga Gjykata e Hagës. Përmes një mesazhi, lideri demokrat shprehu bindjen se ish-luftëtarët dhe drejtuesit e UÇK do të arrijë t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.

Ai pohoi se “Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.”.

Meta: Ky është një moment reflektimi

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Meta e ka quajtur të drejtë dhe heroike luftën e bërë nga UÇK, ndërsa shton se ky është një moment reflektimi, për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin kombëtar. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike.

Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, shkruan Meta në postimin e tij.

la.mi/Fjala.al

 

 

Të fundit

Barcelona merr një fitore komode në fushën e Las Palmas dhe ruan kryesimin e La Ligës

Barcelona bëri detyrën në transfertë ndaj Las Palmas, duke triumfuar 0-2 në duelin e vlefshëm për javë e 25-të...

Elon Musk mbështet sërish Alternativën për Gjermaninë përpara zgjedhjeve

Miliarderi amerikan Elon Musk, i cili është edhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump, ka publikuar sot në platformën X një postim...

Interi vuan por fiton ndaj Genoas, zikaltërit marrin përkohësisht kreun e Serie A

Interi mposhti minimalisht 1-0 Genoan në duelin e vlefshëm për javën e 26-të të Serisë A. Falë këtij triumfi, zikaltrit e Inzaghit kanë marrë...

E ardhmja e tregut të punës: Ku janë punët më të paguara

Ekspertët e inteligjencës artificiale, si dhe profesionistë nga fusha të tjera të teknologjisë së informacionit, tashmë janë shumë të kërkuar në tregun e punës...

3 Ushqimet që duhet t’i konsumoni në shkurt

Shkurti është muaji që shënon kalimin nga dimri në pranverë në shumë pjesë të botës, dhe kjo ndryshim sezoni vjen me një ndryshim në...

Lajme të tjera

Web TV