Ligji për Presidentin, Meta: Përpjekje puçiste, zero interes

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, thotë se nuk ka asnjë interes për draftligjin e hartuar nga mazhoranca për kompetencat e Presidentit.

Nga Bylisi ai deklaroi për gazetarët se kjo është një përpjekje puçiste nga një parlament jo legjitim, të cilin qytetarët i kërkojnë çdo ditë që ta shpërndajë një orë e më parë.

“Kam zero interes për çdo draft apo përpjekje puçiste. Ju e dini që ky është një Parlament jo kushtetues, kur dal dhe takoj qytetarët më kërkon shpërndarjen e tij të menjëhershme. Është një parlament puçistësh por për fat të keq një pjesë e mirë e tyre janë tradhëtarë dhe mercenarë. Për mua ka vetëm një interes, 25 prilli, është populli i Shqipërisë.

Unë kam nisur marshimin tim si President i Shqipërisë drejt referendumit të 25 prillit dhe ky do të jetë një referendum shumë i qartë pasi mbi 95% e shqiptarëve do të votojnë për Shqipërinë në Europë, edhe ju e dini shumë mirë që kjo është një çështje që është vendosur tashmë”, u shpreh Meta

Partia Socialiste do të vërë edhe një herë në provë mbështetjen nga opozita e re parlamentare. Këtë radhë është ligji për kompetencat e Presidentit që do të kërkojë së paku 83 vota në seancë.

Komisioni i Posaçëm i ngritur për hartimin e ligjit mbi Presidencën, ka hartuar draftin ku përcaktohet qartë mënyra se si duhet të veprojë Kreu i Shtetit.

Drafti vjen në kulmin e përplasjeve mes Presidentit dhe Kryeministrit. Por dhe pas vendimit të Metës për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit apo zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku edhe në këtë pikë kemi të bëjmë me një rregullim kushtetues./Bl.Ba/Fjala.al