Nga Spartak Ngjela
Që në fillim duhet kuptuar se nuk mund të merret si i akuzuar një president, nëse nuk ka prova. Në rastin tonë, ajo që thoni “ka karakter ligjor” është disi më e zgjeruar. Karakteri ligjor është nocion i përgjithshëm dhe tenton nga abstraktja, kur flitet për një çështje konkrete.
Në rastin tonë, sipas burimeve që kam lexuar, Hashim Thaçin e kanë atakuar bashkëatdhetarët e vet kosovarë, për vrasje në kohën kur ka qenë drejtues i UÇK-së. Denoncimet e shqiptarëve të Kosovës që kam dëgjuar janë të rënda; por, duke i parë me një optikë profesionale dhe historike, kam përshtypjen që janë të vërteta. Pse? Historia përsërit vetveten; dhe, në këtë rast, shoh që është përsëritur historia e Enver Hoxhës me Luftën Nacional Çlirimtare.
Në Luftën Nacional Çlirimtare, po ta shohësh historinë e pasluftës, gjen se është i ngritur kulti i atentatorit. Atentatori i lëvizjes komuniste në Shqipëri ishte hero, por ai vriste pa gjyq shqiptarët që ishin kundërshtarë të lëvizjes së Enver Hoxhës. Por, jo vetëm kaq, edhe historia do ta tregojë që një përqindje jo e vogël e heronjve të popullit janë vrarë me urdhër të Enver Hoxhës. Shihni dokumentat e luftës dhe do gjeni shumë të vrarë me urdhër të Enver Hoxhës, me atentat, si “të lidhur me armikun”.
E pra, historia përsërit vetveten; kjo tezë e provuar nga doktrinat e filozofisë së historisë i përshtatet edhe Hashim Thaçit. Po të dalin të vërteta atentatet kundër krerëve politikë të LDK-së, do vërtetohet pikë për pikë përsëritja e Enver Hoxhës kundrejt Ballit Kombëtar, ose elementëve të tjerë shqiptarë që nuk ishin me të. Në funksion të kësaj, duke qenë i sigurt se denoncuesit kryesorë nuk janë serbët, por familjet shqiptare të viktimave të UÇK-së, arrijmë në konkluzionin se: këtë çështje, vërtetësisht e zgjidh vetëm gjykata.
Gjykata Speciale e Hagës ku po shkon Hashim Thaçi, nuk ka asnjë shqiptar në ekipin e vet. Atëherë: pse shqetësohen përkrahësit e Hashim Thaçit? Siç duket, edhe ata e dinë se denoncimet e shqiptarëve të Kosovës, më saktë, të familjarëve të të vrarëve, janë të vërteta. Duke i shkuar deri në fund logjikës që kemi përdorur për këtë çështje, na duhet të konkludojmë se: -Asgjë e paligjshme nuk është evidente. Gjithçka është ligjore. Denoncimet e shqiptarëve të Kosovës, që janë familjarë të viktimave, duan të gjejnë të vërtetën.
Zotërinj, vetëm e vërteta i çlodh shpirtërisht deri diku familjarët e viktimave, sepse e vërteta në këtë rast mban në përmbajtjen e vet ndëshkimin e autorit që iu ka shkaktuar fatkeqësi. Por, nga ana tjetër, pafajësia që jep një gjykatë e pavarur, përsëri i qetëson familjarët e viktimave, sepse autorësia e identifikuar është më e rëndë se autorësia anonime, për ata që kanë vuajtuar dhe vuajnë për humbjen e të afërmit të tyre. Prandaj, gjyqi me akuzë kundër Hashim Thaçit është një akt pozitiv për të gjithë historinë e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Akuza përpara një gjykate ose provohet, ose rrëzohet.
Deri tani, ne nuk kemi asnjë provë se Gjykata Speciale e Hagës ka qenë e njëanshme dhe kundër historisë së ardhshme të shtetit të Kosovës. Për këtë arsye, nuk është logjike dhe as profesionale njëherësh, që, për faktin se, po pritet vendimi i një gjykate; për faktin se, gjykata e drejtë nuk jep dot asnjë vendim akuzues pa prova; për faktin se, deri tani nuk kemi asnjë rast për të dyshuar ndaj Gjykatës Speciale të Hagës; duhet të presim vendimin e saj. Po sa denoncime kanë bërë krerët e politikës dhe qeverisë së Kosovës kundrejt krimeve serbe në Kosovë? Deri tani, asnjë.
Atëherë pyetja është sërish: pse? Kjo “pse?” është shumë e dyshimtë. Mos harroni se serbët, si pushtues territoresh shqiptare, historikisht kanë njerëzit e tyre në Tiranë dhe në Prishtinë. Lufta dhe bombardimi i Serbisë nga NATO, domethënë nga Amerika, e shkatërroi në masë të madhe ndërhyrjen serbe në devijimin antipatriotik të lidershipit në Tiranë. Kjo ka sjellë dobësimin edhe të ndërhyrjes së Serbisë në lidershipin e Prishtinës.
Tani, në funksion të politikës së lartë të Kosovës, jemi përballë një situate të re. Cila është kjo? Nga të dhënat që kemi, krerët e UÇK-së që drejtuan shtetin e Kosovës, kanë rënë në korrupsion të madh. Thaçi mendohet se ka qenë autori kryesor i formimit të korrupsionit në Prishtinë. Eliminimi i tij me një proces gjyqësor, nëse provohet se ka kryer vepra terroriste kundër personaliteve patriotikë të Kosovës, do të hapë një hulli të re pozitive për pastrimin e politikës subversive serbe, si në Prishtinë, edhe në Tiranë. Prandaj, unë e shoh si pozitiv procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit. Pa një vendim gjykate nuk mund të jesh i saktë, nëse është kryer një krim ose jo.
Në këtë rast, kundër Thaçit janë shumë denoncime që e akuzojnë për terror gjatë luftës, edhe pas saj. Po të provohen këto, do të jetë pozitive për historinë e ardhshme të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Zotërinj, korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri dhe Kosovë mendohet se ka koneksion, domethënë lidhje. Megjithatë duhet të presim vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës kundër Hashim Thaçit.
r.g/Fjala.al