Fatos Tarifa flet me tone të ashpra për politikën që ndoqi presidenti Trump lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë emisionit HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU Tarifa tha se marrëveshja që ai bëri në zyrën ovale nuk solli gjënë më të rëndësishme, njohjen e Kosovës nga Serbia.
-A rrezikoi kombi shqiptar kufijtë nën presidencën Trump?
-Unë them se nuk fitoi ndonjë gjë, por nuk rrezikoi gjë. Unë nuk e kam pasur shumë përzemër mënyrën se si administrata e zotit Trump u mor me çështjen kosovare dhe me përpjekjen për të zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë përmes një të dërguari siç ishte zoti Grenell. Ndërsa çështja e Kosovës dhe çështja e marrëdhënieve të saj me Serbinë janë shumë më të komplikuara dhe duhet zgjidhur në një mënyrë që të mos kenë më probleme në të ardhmen, pasi ajo çka u trumbetua si një arritje e madhe e administratës Trump dhe personalisht e tij, duke thirrur në Dhomën Ovale presidentin e Serbisë dhe kryeministrin kosovar dhe duke nënshkruar me ta nga një marrëveshje nuk solli asnjë ndryshim në marrëdhëniet Serbi-Kosovë.
-Nuk pati rezultat.
-nuk besoj se pati rezultat dhe s’mund të kishte pasi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë rezultat vetëm nëse Serbia njeh Kosovën./Fjala.al/Ke.Ba