Fatos Tarifa është një nga diplomatët më të njohur në Shqipëri. Ai ka qenë ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga viti 2001 deri në vitin 2005. Gjatë katër viteve që ka shërbyer atje, ai ka pasur mundësinë ta takojë 5 herë presidentin e sapo zgjedhur Joe Biden. Gjatë emisionit HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU, Tarifa tregoi detaje nga këto takime.
-Ju e keni takuar personalisht zotin Biden?
-Po, më shumë se një herë. Në vitin 2002 kur në Samitin e Pragës u vendos që Shqipëria, Kroacia, dhe Maqedonia nuk do hynin në NATO, ne grupet e Viniusit organizuam në senatin amerikan një takim me senatorë senjor të cilët përkrahën dhe atje çështjen e NATOS. Unë kisha nderin ta moderoja atë takim dhe përsëri Biden ka mbajtur një fjalë shumë interesante në këtë frymë, që e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Biden ishte një zë i dëgjueshëm dhe shumë i respektueshëm.
-Na tregoni diçka nga takimet tuaja me Biden.
-Takimet me senatorë të rangut të tij, nuk janë gjithmonë të lehta. Takimi i parë ka qenë një takim kortezie. Ti kërkon të takohesh me senatorin dhe stafi i tij ta mundëson këtë. I dyti ka qenë një takim kolektiv, me anëtarë të tjerë të trupit diplomatik. Një takim tjetër që mbaj mend ka qenë pikërisht në vitin 2002 kur ne 10 ambasadorët në senatin amerikan celebruam futjen e shtatë vendeve anëtare në NATO dhe morëm premtimin nga senatori Biden dhe disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve se Shqipëri, Kroacia dhe Maqedonia janë në prag të anëtarësimit në NATO dhe se duhet të vazhdojnë më tej përpjekjet. Sjell edhe nja dy-tre raste të tjera kur kemi qenë në grup bashkë me të. Por, ai në çdo takim, në çdo shtrëngim dorë të jepte përshtypjen e njeriut të urtë, të pjekur, që dëgjon, shumë dashamirës. Nga ajo që ju lexuat, kuptohet që kishte një njohje të mirë të rajonit dhe një vlerësim shumë pozitiv për kombin shqiptar./Fjala.al/Ke.Ba