Mëngjesin e sotëm është vënë në pranga për shfrytëzim prostitucioni dhe për përshtatje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, menaxheri i një qendre masazhi.
Në njoftimin e policisë thuhet se është arrestuar shtetasi Fatjon Hyka, 35 vjeç, banues në Tiranë dhe janë proceduar penalisht 4 shtetase të punësuara në këtë qendër, për veprën penale “Prostitucioni”.
Shtetasi 35 vjeçar në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet njoftimeve në gazetë, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.
Qendra e masazhit në të cilën kryhej aktiviteti i paligjshëm ndodhet në afërsi të gjimnazit “Petro Nini”, pranë sheshit Willson.
Mësohet se vajzat që janë përdorur për prostitucion janë të moshës 20- 30 vjeçe. Klientët që kanë marrë shërbime seksuale në këtë qendër janë kryesisht të huaj, ndërsa shumat që paguanin për shërbimin variojnë nga 5 mijë deri në 30 mijë lekë.
Hetimet në lidhje me këtë aktivitet të paligjshëm për shfrytëzim prostitucioni kanë filluar prej disa muajsh dhe janë finalizuar me arrestimin e menaxherit.
Biznese të tilla të qendrave të masazhit janë kthyer në një vatër të nxehtë të shfrytëzimit të prostitucionit.
Edhe disa muaj më parë policia kreu dy operacione në dy zona të ndryshme të Tiranës ku në pranga u vunë menaxherë të qendrave që kanë ofruar shërbime ekstra./Bl.Ba/Fjala.al