Deputeti Korab Lita ka parashtruar interpelancën me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, në lidhje me kriminalitetin në vend.
Gjatë fjalës së tij tha se vendi është shumë rëndë për shkak të situatës së krimit, ndërsa shtoi se ka patur rritje të kultivimit të kanabisit.
Ai kujtoi edhe operacionin e policisë në Lazarat, ndërsa pyeti ministrin nëse ai vlejti jeta e dhëne e oficerit të policisë Ibrahim Basha, që u vra nga trafikantët e drogës.
“Pas ardhjes së PS, u organizua operacioni i madh kundër Lazaratit. Lufta u fitua nga policia, dhe përfundoi edhe me një dëshmor, Ibrahim Bashën që dha jetën në luftë kundër lëndëve narkotike. Jam krenar që jam nga zona ku ishte banor ose qytetar, oficeri.
Por nga ana tjetër duke parë gjendjen më pas, unë nganjëherë ia mendoj ” a ia vlejti jeta e oficerit duke parë se Shqipëria u shndërrua në një Lazarat të tërë?” Z.Ministër, cili është rezultati i luftës ndaj kanabisit? Si është situata me vrasjet dhe vjedhjet? Cili është rezultati i OFL? A po katandisen këto operacione në mjete presione për grupet kriminale që ti mbani për zgjedhje? Çfarë mund të na thuash për Illyrian Guard?”, u shpreh Lita.
Në përgjigje të pyetjeve të ngritura nga deputeti i opozitës, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj iu përgjigj pyetjeve të deputetit Korab Lita në lidhje me interpelancën për situatën kriminale në vend.
Lleshaj tha se shifrat e punës së Policisë janë pozitive. Lleshaj mbrojti punën e Operacionit Forca e Ligjit, që pritet të përfundojë punën më 31 dhjetor 2020. Lleshaj tha se OFL i ka dhënë mesazh të fortë botës së krimit.
“Unë i shoh në interpelancat si mundësi për të diskutuar për kriminalitetin në vend. Shifrat janë pozitive. Mos bëni aludime për policinë që e kemi të përbashkët. Numri i vrasjeve është ulur. Treguesi është në parametrat e BE, ndërsa vende të tjera e kanë këtë tregues më keq se Shqipëria. Puna në terren është intesifikuar për armët pa leje. Krahasuar me një vit më parë, nuk dua të shkoj më thellë dhe të matem me vitin 2013.
Përsa i përket sigurisë rrugore ka zhvillime pozitive edhe në këtë fushë. 2020 është viti i sigurisë rrugore. Krimi i organizuar është me intesitet të lartë për të ngushtuar hapësirat e veprimit. Task Forca dhe Forca e Ligjit janë dy gjëra të ndryshme. Edhe KE e vë në dukje këtë rezultat në raportin e tij. OFL ka vijuar punën duke e çuar situatën në një numër të panjohur më parë. I kemi çuar mesazh të fortë botës së krimit.
Gjykata, prokuroria dhe Policia do të finalizojnë një operacion të suksesshëm duke i dhënë goditje krimit. Lufta kundër kanabisit ka shënuar rezultatet më të larta në 3 dekadat e fundit. Nuk ka shoqëri private, Illyrian Guard është pronë e shtetit. Objektet shtetërore i ishin dhënë policisë private, duke paguar shteti 6 herë më shumë parë, prandaj Illyrian Guard u krijua për të ulur kostot e këtij shërbimi”, u shpreh Lleshaj./Bl.Ba/Fjala.al