Veri i mirë dhe llapaqenërit publik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekskluzive/Nga Leonard Veizi

Facebook-u u nxi sërish nga një tjetër njoftim vdekjeje. Po nga virusi Corona, siç po ndodh gjatë gjithë këtyre kohëve. Dhe këtë herë personazh që mori aq shumë vëmendje nuk ishte as njeri i politikës, as i artit dhe as i sportit. Ai ishte Enver Veseli. E meqenëse për shumëkënd ky emër nuk thotë asgjë, duhet të përmendim pseudonimin e tij: Ver Llapa.

Kështu e kemi njohur të gjithë. Me këtë emër, me këtë zhargon. Sepse emri origjinal për të ekzistonte vetëm në gjendje civile. I butë e paqësor Enver Veseli ishte nga personazhet më të njohura të kryeqytetit. Dy metra i gjatë, më shumë se 100 kilogram në peshë, dukej sikur do të fuste frikën kur e shihje të afrohej.

Por nuk ishte aspak ajo çfarë dukej në pamje të parë. Ai ndalte pranë teje vetëm për të të kërkuar ndonjë lëmoshë, qoftë dhe nëse ti në këmbim i kërkoje që ai të bënte ndonjë gjest qesharak, si fjala vjen: të nxirrte gjuhën sa më shumë jashtë zgavrës së gojës. Dhe ai këtë e bënte me kënaqësi. Ndërsa ti qeshje duke “paguar” 200 lekë të vjetra.

Për Verin nuk u dha ndonjë njoftim se ishte sëmurë, as se kishte vështirësi në frymëmarrje dhe temperaturë. Nuk u tha se ishte kuruar me antiviral, antibiotik apo remdesivir dhe as se i kishin dhënë oksigjenin e munguar. Madje nuk u tha se: mjekët u kujdesën për të. Por nuk u tha as se nuk e qasën te dera e spitalit. U tha thjesht që: vdiq. Dhe kaq.

Facebook-u u mbush plot me njoftime e ngushëllime. Kishte nga ata që e cilësuar si “legjenda e Tironës” ca të tjerë si “gjiganti i 21 Dhjetorit”. Por, pavarësisht keqardhjes dhe ngushëllimeve të panumërta, të gjithë ishin në një mendje, që Veri do na mungojë këtej e tutje. Do na mungojë me praninë e tij aty te “21”-shi kur zgjaste dorën për të kapur lekët e ditës.

Do na mungojë ta shohim me një panine në dorë apo me ndonjë gotë birre ku më shumë kishte shkumë. Sepse Veri nuk ishte mësuar të trajtohej në restorante të klasit të parë, ku gatuhen aragosta, pihet verë “chardonnay” e ku të japin aperitiv me qëllim që të të stimulohet oreksi e të mbash nga fundi edhe një krem karamele që nuk ta vret stomakun. Veri kishte oreks sa për katër veta, por bukën ishte i detyruar ta hante thatë.

Për Verin nuk u tha se autoambulanca e urgjencës shkoi ta merrte me shpejtësi vetëtime e sinjale akustike ndezur aq sa të shurdhojnë veshët. Dhe nuk do të kishte fare kuptim të thuhej se Ver Llapën e transportuan me një çarter për në një nga spitalet më të mira të Turqisë. Sepse Veri i shkretë mezi fitonte lekët për bukën e përditshme dhe jo të kursente 30 mijë dollarë, aq sa shkon paketa turke e “Covid-19”-tës.

Ndërkohë, përditë dëgjojmë për fluturimet të posaçme që prenotohen nga njerëz publikë të pasur por dhe anonimë të pasur gjithashtu, të cilët në alarm për spitalet vendase u paguajnë faturën e kripur “vëllezërve” tanë përtej Bosforit. Dhe nuk kthehen me barelë siç dhe shkuan, por në këmbë me faqet që u pëlcasin nga shëndeti. Se thonë që turqit të mbajnë mirë po ua pagove paratë në dorë.

Lexo edhe :  Paralajmëron Berisha/ Mosbindja civile do të vijë në sallën e Parlamentit

Ndërsa Veri vdiq, ashtu si dhe shumë të tjerë.

Thuhet se jeta njerëzore është e shtrenjtë për secilin nga ne, i varfër apo i pasur qoftë, i mençur shumë nga trutë e kokës, apo mediokër në kufijtë e budallallëkut. Personazh publik që i shkul brinjët të tjerëve nga e qeshur, apo artist me ngjyra që të bën të mos i mbash dot lotët.

Por me sa duket kjo ka vlerë vetëm për librat e shenjtë, atje ku njeriu trajtohet si një qenie e barabartë. Sepse në realitetin e hidhur, dikush shkon në një spital ku ta shtrojnë me petale lulesh si ditën e martesës, dikush përballet te pavijoni i zymtë i Infektivit, e një tjetër ca më tutje jep shpirt në krevatin e prishur të banesës plot lagështirë, se nuk e ka as kaq mundësi.

Për Verin u thanë fjalë të mira në ditën e tij të vdekjes, ashtu si për çdo njeri që e lë këtë jetë. Megjithatë në të gjitha rastet askush nuk ia hoqi mbiemrin e zhargonit e ta quante me emrin e tij të Gjendjes Civile. Sepse për të gjitha ai ishte Ver Llapa, njeriu që të sillte gaz kur nxirrte gjuhën e tij një metër të gjatë. Dhe dukej se më shumë se për këdo Ver Llapa e nxirrte llapën për politikanët tanë. Sepse dhe ai e dinte mirë që ata nuk vlejnë një dyshkë, paçka se për jetën e tyre janë gati të paguajnë miliona.

Lajmi për vdekjen e Enver Veselit u përhap në mënyrë të menjëhershme nëpër rrjetet sociale. Dhe padyshim ky është një sukses i vërtetë. Shumë më i madh se “bëmat” e jetës së tij bohemiane nëpër rrugë e kryqëzime. Sepse Verin e njihnin të gjithë, qytetarë të Tiranës, por dhe ata të rretheve që u binte rruga të kalonin nga kryqëzimi i “21 Dhjetorit”. Pasi ai, për djall a për shans, ec e ta marrësh vesh, mbante për kapistër dhe emrin e komandantit tonë legjendar, shokut Enver.

Por Veri nuk donte t’ia dinte për këtë lloj fame. Madje ai as që e vrau mendjen kur emri i tij u ngrit si lapidar në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Sepse edhe deputetët jo rrallë e krahasonin njëri-tjetrin me nofkën “Ver Llapa”. Ndoshta me të drejtë. Ndoshta ata ishin më keq se ai vetë, por ende nuk e kanë kuptuar. Ndoshta ata do të vazhdojnë ta përdorin lehtësisht këtë emër për njëri-tjetrin edhe pas vdekjes së tij mjerane.

Por Enveri nuk ishte ambicioz, as tahmaqar. Madje as që i mbeste hatri kur një politikan e mbante si qyrk emrin e tij. Në të vërtetë Veri donte të siguronte bukën e gojës dhe vetëm kaq. E nëse deputetët e Kuvendit do t’i mundësonin jetesën, ai me siguri do t’ua jepte nofkën të gjithëve me radhë e të bënin nga një xhiro. Kush të dëshironte mund ta mbante për vete e kush nuk e donte mund t’ia dhuronte ndonjë shoku idealesh, ose dhe kolegut përkarshi.

Enver Veseli e mbylli këtë jetë, nga Covid-i. Ashtu si dhe shumë të tjerë, po nga Covid-i. Kuvendi nuk e zhvilloi seancën e fundit. Deputetët duhen ruajtur nga Covid-i. Urdhri i fundit i qeverisë është të mos mblidhen më shumë se 10 veta në një ambient të mbyllur.

Ata janë 122.

Të fundit

Skenarët e mundshëm nëse SHBA-ja i vë sanksione industrisë serbe të naftës

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara “nuk i paralajmërojnë publikisht sanksionet”. “Shtetet e Bashkuara mbeten të...

Falja e gjobave, kush janë kategoritë që përfitojnë

Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ditën e djeshme u diskutua projekligji i cili fal gjobat e vendosura nga janari i vitit 2014 deri...

SPAK humbet sekuestron e një vile të familjes Kryemadhi

Rreth 27 ditë pas bllokimit të dy vilave të familjes Kryemadhi nga Gjykata e Posaçme, njëra prej tyre është liruar nga sekuestro pas vendimit...

“Non grata” në fuqi, SHBA afron opozitën, por rilargon Berishën

Diplomatja amerikane Nancy VanHorn thekson se SHBA nuk do të angazhohet me individë të përfshirë në korrupsion. Rikonfirmimi se SHBA nuk ka ndryshuar asnjë...

Lajme të tjera

Web TV