Ekskluzive
Si po sillen tre liderët politik pesë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare. Taktikat elektorale që po përdor Rama, Basha dhe Meta përballë qytetarëve të çorientuar e mbajtur nën trysni dhe agresivitet deri në ditën e zgjedhjeve. Çfarë pritet të ndodhë dhe nga mund të anojë pushteti… Flet për gazetën “Fjala”, analisti Plator Nesturi.
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të 25 prillit duket se të majtë dhe të djathtë kanë nisur fushatën. Pas zgjedhjeve lokale, duket se kjo fushatë është shumë agresive…
Fushata elektorale ka nisur vërtet shumë herët. Dhe siç ishte parashikuar do të jetë e ashpër. Ajo çfarë ka shoqëruar këto dy vjet ka qenë egërsia dhe natyrisht që ky inat i grumbulluar do të shfaqet me vijomin e egërsisë. Por për mendimin tim ajo çfarë do do të ndikojë te suksesi i fitimtarit nuk do të jetë fakti se kush ka më shumë inat e egërsi, por kush do të jetë më i kthjellët për të parashikuar lëvizjet e kundërshtarit, kush do dijë të luajë me nervat e tij e ta shpërqëndrojë si dhe kush do të krijojë lidhje më direkte me elektoratin.
Pavarësisht se fushata elektorale ka nisur duket se kemi qasje të ndryshme të strategjisë tek forca të ndryshme politike. Si për shkakun e pandemisë ashtu dhe për zhvillime të brendshme si është procesi i përzgjedhjes së kandidatëve deputetë, realisht opozita nuk ka patur një angjazhim aktiv drejt elektoratit. Ndryshe nga maxhoranca e cila duket se ka shfrytëzuar boshllëkun e krijuar. Njëkohësisht fushata më këtë periudhë ka paraqitur tipare të reja përsa i përket frekuencës. Beteja elektorale po zhvillohet drejt imazhit dhe akuzave që synojnë tërheqjen e vëmendjes mediatike. Kështu, ndryshe nga më parë nuk po synohet shumë as programet dhe as idetë se si do të operohet pas zgjedhjeve për problemet qëndrore të vendit nëse subjekti i caktuar fiton në 25 prill.
Në të kundërt, ndërsa takimet direkte me elektoratin zvogëlohen, strategjia është përqëndruar drejt akuzave të mirëllogaritura ndaj drejtuesve apo formës së qeverisurit të cilat kanë qenë përgatitur që më parë nga shtabet e fushatës. Në këtë mënyrë, më tepër po luhet me nervat e kundërshtarit në mënyrë që ai në gjaknxehtësi e sipër të humbë toruan e të gabojë. Shenjat për këtë formë të re fushate janë dhënë dhe duket se ky do të jetë mënyra e rrjedhës së fushatës. Realisht të tre kundërshtarët kryesorë e njohin mirë njëri tjetrin, kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë së bashku në politikë dhe ia njohin pikat e forta e të dobëta secilit, si dhe kush ka ndonjë “të vdekur në dollap”.
Pothuaj në çdo fushatë beteja politike ka qenë mes dy forcave të mëdha politike PS-PD. Mos ne këto zgjedhje kemi një luftë tre palshe PS-PD-Presidencë?
Pavarësisht peshës mediatike që zë LSI, si dhe peshës që ka shtuar në elektorat në zgjedhjet e fundit, mendoj se sidoqoftë beteja politike do të mbetet midis dy të mëdhejve PS dhe PD. Ndërkohë duke qenë se LSI është pjesë e opozitës , rritja e peshës së saj brenda masës opozitare, mbetet problem për Bashën, dhe jo për PS. Kjo sepse shtimi i peshës së LSI brenda opozitës do të thotë peshë më të vogël për vëtë Lulzim Bashën, jo vetëm brenda aleatëve të tjerë të djathtë, por dhe tek vetë anëtarët e PD, të cilët nuk do ta gëlltisnin lehtë një shtim të votave të LSI në kurriz të partisë së tyre.
Demokratët kujtojnë se çfarë arrinte të merrte LSI në kualicionin me ta atëherëkur kish 4 deputetë dhe imagjinohet se çdo të ndodhte nëse pesha midis PD dhe LSI nuk do të kish ndonjë ndryshim relevant. Njëkohësisht vetë koalicioni mund të vihej në dyshim. Koalicioni është më i qartë dhe definueshëm kur ka një parti qëndrore që luan qartësisht liderin. Të paktën në Shqipëri.pasi nëse kemi dy gjelë pretendojnë lidershipin dhe “haremin” e benefiteve të pushtetit, vështirë se paqja e bashkëjetesa të vijojë gjatë. Ndërkohë, përsa i përket Presidencës, ajo nuk është subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 25 prillit por gjithësesi mbetet aktor për këto zgjedhje. Aktor që të paktën është definuar qartë se kë ka kundërshtar. Dhe ai është kryeministri i vendit.
Agresiviteti i fushatës a nënkupton se një një nga tre perosnazhet mes Ramës, Bashës dhe Metës mund të rrezikojë largimin përfundimtar nga politika?
Realisht pas çdo beteje politike, në çdo vend modern shihen faktorë të shumtë që kanë ndikuar për fitimin apo humbjen e zgjedhjeve, dhe zakonisht të humburit hapin krahun dhe forca politike zgjedh liderin e ri për betejë te re me strategji të re. Por kjo menyrë moderne nëse sillet në kushtet e Shqipërisë dhe çfarë ka ndodhur në gjithë këto vite atëherë mendoj se duhet të jetë domosdoshmëri. Kemi patur gjithë këta vite agresivitet dhe luftë të pandershme politike dhe në rastin konkret, do të ish mire që kush i humbet zgjedhjet duhet të largohet së paku dhe si një shembull se kjo luftë pa skrupuj duhet të marrë fund meqë pak rezultat ka dhënë. Më duken absurde dhe paradoks loja mediatike që bëhet nga lojtarë të ndryshëm të politikës ndërsa deklamojnë se po të vinë në pushtet do të shkojë pas hekurave iksi apo ypsiloni.
Së pari sepse realisht nuk kanë asgjë në dorë por dhe se politika cenet e të tjerëve i ka përdorur për shantazh e për pazar. Me ndryshimet në sistemin e drejtësisë jam më i prirur të besoj se gradualisht qasja ndaj akuzave do të jetë gjithmonë e më i pandikueshëm nga të qenit në pushtet apo në opozitë. Në këtë mënyrë, largimin përfundimar, apo daljen në periferi të politikës të së fuqishmëve të momentit, do më përlqente të kryhej si një proces normal ku humbësit hapin vendin dhe fitimtarët vijojnë deri sa të kenë votëbesimin e elektoratit. /r.g/fjala.al