Komiteti i Ekspertëve mori disa vendime ditën e djeshme për të mos mbyllur shkollat dhe bizneset, ndërsa mësimi online do të vijojë vetëm për universitetet. Situata pandemike në vend dhe masat e marra për të hapur spitalin covid 4 dhe nisja e punës për të bërë gati edhe spitalet rajonale në rast të rritjes së numrit të të infektuarve.
Nga Fernada Cenko
Në kushtet kur përhapja e COVID-19 po vijin me shifra alarmente, strukturat e qeverisë po marrin masat për të përballuar një fluks edhe më të madh të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Tashmë është bërë gati spitali covid 4 dhe në raste të vijimit të rritjes së shifrave spitalet rajonale që kanë pajisje mjekësore dhe staf të specializuar do të vihen në funksion të të sëmurëve me covid.
Këto janë dy nga masat konkrete të ndërmarra, ndërsa dje është vendosur nga Komiteti i Ekspertëve që të vijojë mësimi në arsimin parauniversitar në të gjithë nivelet, ndërsa ai universitar do të zhvilllohet online. Frikës për një mbyllje të mundëshme dhe kalimi në karantinë duket se për momentin përjashtohet, por i është bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë me përpikmëri masat anti-covid, si mënyra më efikase për të frenuar përhapjen e virusit. Këtë e bëri të ditur Komiteti Teknik i Ekspertëve në një komunikim për median, i cili ka bërë me dije vendimin për vijimin e mësimit online në universitete, për shkak të situatës me risk të shtuar.
“Komiteti Teknik duke qenë gjithmonë i vëmendshëm për t’i paraprirë rëndimit të situatës, siç e kemi thënë që do të kishim një vlerësim të masave më intensitet të mesëm të marra më parë, ka vlerësuar që, mësimi në universitete për shkak të situatës që është, do të vazhdojë online edhe për nje periudhë, në varësi të vlerësimit dinamik që ne do të bëjmë”, tha Prof. Mira Rakacolli.
Në cilësinë e drejtueses të Komitetit Teknik të Ekspertëve prof. Rakacolli shtoi më tej se situata vazhdon të mbetet e kontrolluar në drejtim të testimeve apo menaxhimit spitalor, ndërsa po vijohet me vlerësimin dinamik të situatës për shkollat. “Në shifrat që ne jemi tani që vazhdojnë të mbetet në një nivel të qendrueshëm nuk e diskutojmë për momentin sot mbylljen e shkollave. Por është një gjë që ne e ndjekim çdo 24 orë. Nëse shifrat do të ndryshojnë dhe do të jenë brenda atyre numrave të cilat kërkojnë masë të tillë, por unë e theksoj gjithmonë që shifrat të jenë të qëndrueshme dhe ajo që ne kemi parasysh është në përgjithësi mirëqenia e fëmijëve”, tha Rakacolli.
Monitorimi i situatës epidemiologjike
Duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, drejtoresha e IShP, prof. Albana Fico tha se situata është duke u vlerësuar në mënyrë dinamike dhe paraqitet në një nivel risku të shtuar. “Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson dhe po monitoron me vëmendje situatën e COVID 19 dhe ecurinë e epidemisë në vend. Ashtu siç kemi bere me dije çdo ditë në raportimin ditor, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve positive ditore shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore, 301 persona për 100 mijë banorë”, tha Prof.
Albana Fico. Duke ju referuar fataliteteve, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, tha se raporti i fataliteteve me rastet pozitive është 2.1% gjatë kësaj jave. Ndërsa lidhur me gjininë më të prekur, femrat janë më të prekura, 52% dhe meshkujt 48%. “Moshat më të prekura janë 65-74 vjeç, ndjekur nga moshat 55-64 vjeç. Në grumpmoshën 0-4 vjeç nuk ka ndryshime përsa i përket incidencës, po ashtu edhe 5-14 vjeç është e njejta situatë. Përsa i përket testimeve, numri i testimeve për persona, është siç e dini kemi thënë targeti 1/1000 banorë në javë, kemi kaluar në 5.8 në 1000 banorë në javë”, tha Fico. Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ka bërë me dije se numri i thirrjeve vijon të mbetet i njëjtë me një javë më parë, por është rritur numri i vizitave në banesë. “Vazhdon numri i thirrjeve të jetë stacionare, nuk kemi rritje, numri i vizitave mbetet i lartë 463 thirrje për 24 orë në banesë dhe 46% e tyre përfundojnë në spital”, tha Brataj.
Brataj ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për krijimin e kapaciteteve spitalore dhe situata është nën kontrollon në të tre stukturat COVID ku vijon të ketë ende kapacitete të lira për trajtimin e pacientëve COVID. “Janë marrë masa në spitale për krijimin e kapaciteteve ku vijojmë të kemi kapacietet të lira për trajtimin e pacientëve COVID, tani menaxhimi bëhet sa më shpejt në të tre spitalet COVID. Gjithashtu çdo i shëruar do të vijojë të dërgohet me ambulancë në shtëpi edhe pas shërimit”, tha Brataj. Komiteti Teknik i Ekspertëve ju bën apel qytetarëve për bashkëpunim për të frenuar përhapjen e epidemisë, vendosjen e maskës, ruajtjen e higjienës, distancimit social dhe të shmangin grumbullimeve apo festave.
Kurimi jashtë vendit
Autoriteti i Aviacionit Turk ndalon fluturimet private për koronavirusin
Që nga nisja e pandemisë kjanë konstatuar një numër i konsiderueshëm pacientësh të cilët janë kuruar në Turqi dhe Itali për COVID-19, por që nga dita e djeshme zyrtarisht Turqia pritet që të mos pranojë më pacientë nga Shqipëria dhe vendet e tjera. Kjo masë është marrë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet dhe nevojës për trajtim spitalor. Autoritetit të Aviacionit Civil Turk i ka ndaluar fluturimet private nga Shqipëria drejt Turqisë për pacientët e sëmurë me Covid-19.
Urdhri ka ardhur si rekomandim i Ministrisë së Shëndetësisë turke dhe është i datës 21 nëntor. Ajo ndalon të gjitha fluturimet private hyrëse për të infektuarit me virusin e rrezikshëm nga të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Shqipërinë. “Me rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë, sjellja e pacientëve pozitivë Covid-19 në vendin tonë me aeroplan privat është e ndaluar deri në një urdhër të dytë. Në rast të mosrespektimit të ndalimit të përmendur, do të zbatohen sanksionet përkatëse ekzekutive administrative. Procedura në lidhje me detajet e aplikimit do të dorëzohet në hapësirat përkatëse në fillim të kësaj jave”, shkruhet në rekomandimin që ka sjellë Autoriteti Civil Turk.
Hapet kufiri për në Malin e Zi, por duhet përgjigja e testit Covid
Qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Malit të Zi, duke patur përgjigjen e tamponit, mund të lëvizin normalisht drejt vendit fqinj, pa qenë të detyruar për një biletë avioni apo hotel të pronotuar. Policia e Shkodrës njoftoi se ky rregull do të jetë i vlefshëm për javët në vijim, deri në një urdhër të dytë, nga e hëna në të premte ora 22:00.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Malit të Zi, se duke pasur përgjigjen e tamponit të tyre, mund të lëvizin normalisht drejt vendit fqinj. Ky rregull do të jetë i vlefshëm për javët në vijim, deri në një urdhër të dytë, nga e hëna në të premte ora 22:00. Duke ju falenderuar për mirëkuptimin”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Të premten, Drejtoria Vendore e Kufirit të Migracionit Shkodër dhe stacionet e Policisë Kufitare (Hani i Hotit dhe Muriqan) njoftuan se do të kishte kufizime gjatë fundjavës për udhëtimin drejt Malit të Zi deri më 23 nëntor. Dje, u hoqën këto kufizime anti Covid.
OBSH paralajmëron për valë të tretë të COVID-19 Në fillim të vitit 2021 do të jetë piku i të infekuarve nga Koronavirus
I dërguari special i OBSH-së për COVID-19 David Nabarro kritikon reagimin e Evropës ndaj pandemisë së Coronas, duke thënë se vendet nuk arritën të përfitonin nga një qetësi e rasteve në verë për t’u përgatitur për valën tjetër. Nabarro tha se Europa ka të ngjarë të shohë një valë të tretë të pandemisë vdekjeprurëse COVID-19 në fillim të vitit 2021 përpara se të prezantohet një vaksinë. “Ata humbën ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme gjatë muajve të verës pasi vunë valën e parë nën kontroll”, tha Nabarro. “Tani ne kemi valën e dytë. Nëse ata nuk ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme, ne do të kemi një valë të tretë në fillim të vitit të ardhshëm”.
Ai gjithashtu tha se Europa mund të mësonte shumë nga vendet aziatike. “Reagimi ndaj virusit duhet të jetë me forcë dhe vendosmëri”, tha ai. “Sidomos në fillim, kur virusi po përhapet shumë ngadalë në komunitete të ndryshme. Nëse reagoni pa shumë përpjekje, problemi do të agravojë shumë shpejt”, nënvizoi Nabarro.
Për pak kohë, Europa shijoi uljen e numrit të infektimeve gjatë verës, por tani infeksionet po rriten përsëri. Gjermania, me një popullsi prej 84 milion banorësh, pati të dielën rritjen e rasteve me 14.000. Në të kundërt, popullsia prej 120 milionë e Japonisë pati vetëm 2.596 raste të reja të shtunën. Popullsia e Koresë së Jugut prej 51 milionë raportoi vetëm 386 raste të reja në të njëjtën ditë dhe ka pasur vetëm rreth 30.700 raste të konfirmuara në total që nga fillimi i pandemisë.
Një problem i madh, shtoi Nabarro, është se shumë pak vendimmarrës politikë e kanë kuptuar që virusi po përhapet në mënyrë eksponenciale më tepër se aritmetike. “Eksponenciale do të thotë se numrat mund të rriten 8 herë në javë, 40 herë në dy javë, 300 herë në tri javë, mbi 1000 herë në katër javë, e kështu me radhë”, tha ai.
Në Azi, ndërkohë, numrat janë relativisht të ulët sepse “njerëzit janë plotësisht të angazhuar, ata përshtasin sjellje që e bëjnë të vështirë për virusin”, tha Nabarro.
“Ata mbajnë distancën e tyre, mbajnë maska, izolohen kur janë të sëmurë, lajnë duart dhe sipërfaqet. Ata mbrojnë grupet më të rrezikuara”. Nabarro gjithashtu tha, se Azia nuk i hoqi kufizimet para kohe. “Ju duhet të prisni derisa numrat e rasteve të jenë të ulëta dhe të qëndrojnë të ulëta”, tha ai. “Reagimi i Evropës ishte i paplotë”.
Ai gjithashtu vlerësoi komunikimin midis autoriteteve në Azi dhe Evropë. “Ata thjesht kanë një mesazh: Nëse duam që ekonomia jonë të jetë e fortë dhe që ne të mbajmë liritë tona, të gjithë duhet t’i përmbahemi disa gjërave themelore”.
Akuza e fortë e gruas së Bashkim Koplikut: Im shoq s’vdiq nga Covidi, por nga shteti
Bashkëshortja e Bashkim Koplikut, Luljeta Kopliku deklaroi se i shoqi nuk ndërroi jetë nga Covid-19 por nga pakujdesia e shtetit. Zv/ kryeministri i vendit në qeverisjen e parë të PD-së, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë, duket se nuk ka vdekur nga pandemia Covid-19, sikurse shprehet e shoqja. Luljeta tha për mediat se gjendja e të shoqit 77 vjeç ishte e qëndrueshme, por për shkak se Covid-19 i kishte prekur mushkëritë, kishte nevojë për oksigjen. Mes të tjerash, ajo tregoi bisedën e fundit me të shoqin, i cili i kishte thënë: Nuk ngopem dot me oksigjen.
Bashkëshortja e Koplikut gjithashtu tha se politikani vdiq në momentin kur po mobilizoheshin familjarisht për ta dërguar me avion jashtë vendit për mjekim të specializuar. Luljeta tha se avioniu u vonua për të mbërritur në Rinas nga Turqia, ndërsa shtoi se dhe ambulanca erdhi me vonesë në spitalin e Durrësit, ku ishte shtruar prej ditësh. Ditën kur u komunikua vdekja e zv/kryeministrit, ndër të parët që reaguan ishte kryeministri Edi Rama. Ai e cilësoi si një mik të mirë, ndonëse nuk e kishte takuar kurrë nga pranë, veçse me mesazhe të shkëmbyera telefonike.
Rekord i zi – Rriten viktimat nga koronavirusi në Shqipëri
Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 17 viktima nga COVID-19. Kjo është shifra më e lartë e viktimave ditorë të regjistruar në Shqipëri që prej fillimit të pandemisë. Fatkeqësisht e kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm, 4 qytetarë nga Durrësi, 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Fieri, 2 qytetar nga Korça 1 qytetar nga Skrapari, 1 qytetar nga Kuçova, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Lezha, 1 qytetar nga Dibra, 1 qytetar nga Kavaja, nga mosha 37 vjeç deri në 86 vjeç. Ndërkohë që nga 2352 testime të kryera ka patur 795 raste pozitive me koronavirus.
388 persona janë shëruar në 24 orët e fundit në vendin tonë. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 439 pacientë, 16 në terapi intensive, 5 pacientë janë të intubuar.
l.m/Fjala.al