Një nga lajmet më të bujshme gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike nga 2005-2013 ka qenë largimi i Gazmend Oketës si zv.kryeministër, ministër i Mbrojtjes dhe nga grupi parlamentar i kësaj partie në vitin 2010. Prej dy vitesh Gazmend Oketa është kthyer në PD. Po si e kujton këtë largim ai? Gjatë emisionit HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU, Oketa iu përgjigj kësaj pyetje me një pyetje: A u largova apo më larguan?
-Zoti Oketa, Mund të na thoni për publikun ndonjë arsye të veçantë të kthimit tuaj dhe si ishte ky kthim?
-Absolutisht ishte një situatë të cilën vërtet është për të ardhur keq. Sot gjendemi në një situatë ku gati të gjithë nënkryetarët e PD kanë subjektet e tyre politike. E kam thënë te një kolegu juaj, që varet se si do ta shikosh. Do ta shikosh që ikën, apo do ta shikosh që i larguan. Është një çështje që i mbetet interpretimit. Kur ka një divorc, nuk duhet vënë gishti ose fajësia vetëm te njëra palë. Unë nuk pendohem në asnjë moment, qoftë të jetës sime politike, qoftë të jetës sime personale. Gjykoj se në atë kohë ajo lëvizje do i shërbente demokratizimit të PD. Do më duhet ta ripërsëris këtë gjë që e kam thënë publikisht në atë kohë, në 2010 kur jam shkëputur nga grupi parlamentar, unë po largohem sot që forca ime politike është në pushtet. Sa herë që grupimi politik ku unë bëj pjesë është gjendur në nevojë, unë jam afruar. Shpesh herë me shaka e kam thënë se jam më i prerë për opozitar sesa për pushtetar dhe besoj se kjo bën një diferencë të madhe së paku në aspektin moral me shumë lëvizje të tjera të zhvilluara më pas, apo sot në një moment që PD, opozita shqiptare dhe shoqëria shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për rrotacion politik./Fjala.al/Ke.Ba